Skip to main content

Tetova News

Myzejen Konduri, arratia nga letërsia për fëmijë e çon drejt poezisë

Relievi i poezive të saj duhet të soditet mirë dhe me vëmendje para se t’i bëhet portreti. Kështu shkruan poeti Agim Bajrami teksa të fton të lexosh poezitë e poetes durrsake, Myzejen Konduri, në librin “Shtegu i kujtesës”. “Myzejeni ka koncepte dhe një vizion të saj për gjithçka që prek, e sheh. Atë kurrë nuk e udhëheq rastësia dhe spontaniteti, aq më pak loti dhe zhgënjimi. Duke qenë një grua e fortë, ajo ka tentuar dhe tenton vazhdimisht t’i marrë vetë në duar frenat e jetës dhe ta drejtojë atë”, – shkruan Bajrami. Dhe kështu ka bërë Myzejen Konduri. Pasi u afirmua si shkrimtare e letërsisë për fëmijë, ajo tashmë po tenton të afirmohet dhe në poezi. Por në qytet e njohin edhe si shkrimtaren që çdo vit ju dhuron më të bukurën vajzë durrsake. Letërsia dhe bukuria janë pjesë e jetës së saj.

Shtegu i kujtesës”, vëllimi juaj poetik që vjen për lexuesit pas 6 vitesh mungesë. Përse u menduat kaq gjatë?
Libri “Shtegu i kujtesës” ndenji me mua deri ditën që e promovova. Që nga titulli do ndjehen motivet e poezisë. Tonaliteti me unin poetik që himnizon virtytin, femrën, nënë e vajzë, njëkohësisht fabulat poetike lehtësojnë barrën e përditshme të jetës. Lexuesi do të gjejë emocionin aty. Ndaj e pres me shumë vëmendje përballjen me këtë vëllim të ri me lexuesin. Motivet e forca e mesazheve që përcjellin poezitë do ta tërheqin ndjeshmërinë e tij e do ta bëjnë të shikojë brenda vetes për të përsosur dimensionin njerëzor. Dëshiroj dhe mendoj që të vërtetën lexuesi do ta mësojë sa më parë.
Një nga kritikët e librit shprehet se poezia sociale zë peshë në këtë libër. Në fakt, çfarë është për jupoezia?
Është përpunimi mjeshtëror e logjik i së vërtetës. Është mençuria, kënga, ura me të cilën komunikoj duke kuptuar e menduar për prindërit, miqtë. Është malli, revolta mrekullitë e të rejave që hyjnë në jetën tonë e kujdesi që duhet të tregojmë ndaj tyre.
Ju jeni shquar në letërsinë për fëmijë. Pse po hiqni dorë prej saj?
Unë rrënjët i kam te letërsia për fëmijë. Libri i fundit që kam shkruar për fëmijët ka qenë libri me përralla të ilustruara “Dritëbukura”, i cili u përzgjodh për listën e leximeve jashtë klase nga MASH. Librat për fëmijë dalin me një kosto shumë më të lartë se ata për të rritur. Rrugëtimi ynë krijues ka qenë i çorientuar. Ne, krijuesit rrogëtarë jemi shpërblyer shumë pak. Vetë vështirësitë në ekonominë e tregut na kanë penguar. Nuk kam asgjë ndaj botimeve të huaja, por mendoj se duhen subvencione që të ndihmohen shkrimtarët e letërsisë për fëmijë dhe shtëpitë botuese që e botojnë këtë krijimtari shumë të rëndësishme për fëmijët.
Po me poezinë deri ku do shkosh?
Sinqerisht e kisha kur ju thashë se krijimtaria ime i ka rrënjët te letërsia për fëmijë. Magjia dhe rrezatimi i kësaj letërsie uroj të ngjizë artistikisht dhe poezinë time.
Në Durrës, në qytetin tuaj ju njohin dhe si gruaja që vit pas viti zgjedh të bukurën e qytetit. Ç’vend zënë tek ti gjithë këto angazhime?
Jeta ime është si e gjithë bashkëqytetarëve të mi. Bashkë me tim shoq punojmë për të jetuar duke menduar gjithmonë për fëmijët. Nuk jam e angazhuar në politikë, por s’qëndroj pasive ndaj shqetësimeve qytetare. Punën dhe Zotin i mbaj në krah. Punoj me bukurinë durrsake dhe përvoja ime me energjinë e tyre është aleanca më e fortë që më ndihmon të kapërcej pengesat që dalin. Si krijuese e respektoj punën time duke besuar tek forca e fjalës. Përpiqem që mençurinë, bukurinë dhe të vërtetën ta paraqes me finesë, pa lejuar që të gjymtoj vetveten prej gjërave të vogla që shpesh na pengojnë./Mapo

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…