Skip to main content

Tetova News

Niko Tyto, një jetë të tërë duke shkruar

Nga Sejdo Harka

Shkrimtari dhe mësuesi, folkloristi dhe studiuesi Niko Tyto, ka një jetë të tërë që mbledh dhe seleksionon, hulumton dhe studion, shkruan dhe boton një krijimtari të gjerë dhe të larmishme, letrare dhe artistike, kulturore dhe folklorike. Kjo krijimtari shumëdimensionale i ka dhënë atij jo vetëm energji krijuese e shpirtërore, por edhe fizike e mendore. Edhe pse ai, po i afrohet të tetëdhjetave, e ndjen veten të ri dhe tepër energjik. Çdo ditë, me një çantë në dorë, e gjen duke rendur, herë drejt shtëpive botuese apo shtypshkronjave për t’i dhënë dorën e fundit botimit të një libri, apo numrit të ri të gazetës së përmuajshme “Malëshova” që drejton, herë drejt Bibliotekës Kombëtare, apo institucioneve kërkimore, për të qëmtuar e grumbulluar fakte e vlera të reja nga krijimtaria gojore e artistike, dhe herë drejt miqve e shokëve, për t’u dhuruar libra, apo për të ndarë me ta gëzimet dhe shqetësimet e ditës.
Shkruan dhe boton pa u lodhur. 33 libra ka botuar deri tani, 10 prej të cilave janë me letërsi folklorike, si këngë popullore e poezi, fjalë të urta, gjëegjëza e anekdota. Ndërsa pesë libra janë me studime e monografi. Një nga monografitë e tij më të mira është ajo që i kushtohet jetës dhe veprës së poetit dhe politikanit të madh disident, Sefulla Malëshova. Shkrimtari Niko Tyto, veçanërisht njihet për krijimtarinë e gjerë dhe të larmishme poetike për fëmijë. Poezitë e tij janë sa të thjeshta aq dhe edukative, sa poetike, aq dhe narrative, sa artistike, aq dhe didaktike. Është kjo një nga arsyet që ato nguliten thellë në kujtesën e fëmijëve të moshave të ndryshme. Poezitë e tij karakterizohen nga qartësia e mendimit dhe kthjelltësia e mesazhit, nga melodiciteti i ngrohtë dhe emocioni i zjarrtë, që vë në lëvizje imagjinatën dhe kureshtjen e fëmijëve. Vëllimi i tij i fundit me poezi për fëmijë është ai me titull “222 pyetje për gjyshin”. Puna e gjatë si mësues i ka dhënë mundësi të njohë nga afër botën dhe psikologjinë e fëmijëve, ëndrrat dhe kërshërinë e tyre për të ditur sa më shumë. Prandaj, poezitë e këtij vëllimi i ndërton mbi bazën e pyetjeve të panumërta që fëmijët i drejtojnë gjyshit të tyre për të kuptuar thelbin e brendisë dhe mesazheve që burojnë nga fjalët e urta të gurrës popullore. Nëpërmjet këtij stili të veçantë vjershërimi, poeti Niko Tyto çel shtigje të reja në galerinë e shumëllojshmërisë së poezive për fëmijë. Përmes magjisë së fjalës poetike, ai përçon tek brezat, jo vetëm mesazhe të ngrohta  edukative, por dhe dije të domosdoshme për jetën. Motivi kryesor i këtij vëllimi me poezi, është vazhdimësia dhe lidhja e pazgjidhshme midis brezave dhe kulturave. Fëmijët duan të dinë gjithçka. Prandaj, gjithë kërshëri pyesin gjyshin për të mësuar çdo gjë, për jetën dhe shoqërinë, për urrejtjen dhe dashurinë për lirinë dhe skllavërinë, për barazinë dha pabarazinë, për drejtësinë dhe padrejtësinë, për shkollën dhe diturinë… Pyesin: “… Pse thotë njerëzia /Dhelpra dhelprës nuk i ngjan”?! Ata mësojnë nga gjyshi se, dhelprat, edhe pse nga turiri ngjajnë shumë me njëra-tjetrën, përsëri dallohen nga zakonet dhe dinakëria. Për të krijuar tek fëmijët ndjesinë e luftës ndaj egoizmit dhe hipokrizisë, mosmirënjohjes dhe pafytyrësisë, autori vë në gojën e fëmijëve pyetjen proverbiale: “Pse kur ngordhi/Dhia, gjysh/ Iku miqësia dhe fqinjësia”. Nëpërmjet këtij proverbi poetik lexuesi ndjen ftohtësinë e shpirtit të zbrazur të atyre njerëzve që “e duan” tjetrin, vetëm kur ja kanë nevojën. Fëmijët duan të dinë pse disa njerëz “nga goja nxjerrin mjaltë”, ndërsa disa të tjerë “nga goja nxjerrin baltë”. Ata çuditen që edhe në shoqërinë e sotshme demokratike, ende njerëzit nuk janë të barabartë para ligjit. Dëshpërohen thellë, kur shohin me sytë e tyre se si “Rrapos i pjell kau/ndërsa Zeqos i shtje lopa”. Lexuesit e vegjël duan të dinë, se pse ka njerëz, që edhe kur ”… u jep bukë/Ata të zënë me gurë”. Më poshtë ata duan të dinë ”Pse kur flenë qentë/ujku ha dhëntë”?! Nga brendia e këtyre vargjeve proverbialë fëmijët marrin mesazhe të forta vigjilence ndaj të keqes dhe pabesisë. Për të zgjuar ndjeshmërinë e dashurisë ndaj punës, mësimit dhe diturisë, autori përdor mesazhin e ngrohtë, që buron nga brendia e pyetjes retorike proverbiale: ”Pse kur kazmën ke në dorë/Bukë e gjellë ke në gojë”?! E kundërta ndodh “kur kazma rri në katua”. ”Trasta del për mjell hua”. Lexuesi  përtypet thellë, kur lexon vargun proverbial ”Zure gjarpërin, shtypi kokën”. Nëpërmjet tij përçohet mesazhi i tolerancës zero ndaj të keqes dhe krimit, egërsisë dhe përçmimit, në kohën e duhur. Fëmijët duan të mësojnë nga gjyshi, pse populli thotë: ”E mira do kërkuar”, ndërsa “E keqja vjen pa ftuar”(18). Mesazhin e forcës së madhe që bën bashkimi, autori e përçon nëpërmjet vargut proverbial ”Dy mace mundin një ari” (20) Nëpërmjet pyetjeve proverbiale retorike: ”Pse qengji i butë pi dy nëna” dhe “Pse i serti s’pi asnjë”?! Autori kërkon të përçojë tek fëmijët mesazhe të ngrohta tolerance dhe mirëkuptimi në luftë me brutalitetin dhe egërsinë. Janë të shumtë vargjet proverbialë si “Ta duam diturinë, siç duam lirinë”, “’S’ka liri pa trimëri’”, etj, që përçojnë mesazhe të ngrohta morale dhe shoqërore, didaktike dhe shpirtërore, për lirinë dhe atdhedashurinë, shkollën dhe diturinë. Ndjesinë e luftës ndaj veseve të këqija të njeriut autori e zgjon nëpërmjet kërshërisë për t’u përgjigjur pyetjeve të tilla proverbiale, si: ”Pse fjalëshumi është thes i shpuar/Pse i shkreti njeri/Për para kërcen si qeni”. Pse disa njerëz të lyejnë e të lajnë”. Pse ka edhe të tjerë “që të bëjnë varrë “, dhe pastaj “… të qajnë”. Për të zgjuar ndjenjën e dashurisë ndaj vendlindjes dhe Atdheut, autori vë në gojën e fëmijëve pyetje të tilla proverbiale si ”Pse guri më shumë/Në vend të vet rëndon”?!(35).
Këto ditë shkrimtari Niko Tyto ka dalë para lexuesve me librin e tij më të ri “Mozaik përmetar”. Konturet e këtij mozaiku janë bukuritë e papërsëritshme natyrore të Përmetit dhe cilësitë e virtytet e rralla të banorëve të këtij qyteti. Kreshtat e larta dhe thinjoshe të vargmalit Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërckë, që i rrinë “Qytetit të Trëndafilave” si kurorë e artë mbi krye, Guri meteorik i Qytetit, i cili sipas gojëdhënave u bë mburojë e kështjellë për Premtin, të parin e këtyre anëve, i cili i dha emrin këtij qyteti, shushurimat e lumit që e përshkon qytetin mes për mes, fushat e begata të Luginës së Vjosës, fëshfërimat e bredhave të lartë të Hotovës, ëmbëlsia dhe ngrohtësia e ujërave kurues të Bënjës, rakia e fortë dhe glikotë si pika e mjaltë, arkitektura e rrallë e urave, odave dhe ndërtesave të lashta të kulteve fetare, përmendoret dhe lapidarët e shumtë, flasin për një histori të gjallë dhe bukuri të rrallë të këtyre anëve. Ky mozaik, nuk do të ishte i plotë, nëse nuk do të dilnin në pah kultura, traditat dhe virtytet e rralla të përmetarëve,  si mikpritja dhe bujaria, durimi dhe krenaria, heroizmi dhe trimëria, kultura dhe dituria. Përmeti është trualli që nxori frymëzues të Rilindjes Kombëtare dhe dijetarë, heronj dhe luftëtarë, artistë dhe shkrimtarë, burra shteti dhe diplomatë, skulptorë e muzikantë me emër të rrallë. Dimensionet e veprimtarisë dhe veprës së tyre, kapërcejnë, jo vetëm kufijtë e trevës që i lindi e i rriti, por edhe ato të vendit e të botës. Ky libër është një vlerë e shtuar në krijimtarinë e gjerë e të larmishme të shkrimtarit Niko Tyto, i cili tërë jetën ja kushtoi shkollës dhe diturisë, kulturës dhe krijimtarisë.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…