Skip to main content

Tetova News

Një “Dianë” franceze në thepisjet e maleve shqiptare

Luan Rama
("Krushq te larget")

"Sipas një legjende malazeze apo shqiptare, djalli po kalonte nëpër botë. E kishin caktuar që të ndante malet mbi dhé. Duke kaluar nga këto anë, thesi qe mbante plot gurë u ça dhe rreth e rrotull vëndi u mbush me shkëmbenj..." Delagrave, studjues francez i shekullit XIX.


Në revistën më të njohur franceze Illustration, në numrat nga fillimi i shekulli XX e gjer në prag të luftës së dytë botërore, kisha lexuar shumë reportazhe mbi Shqipërinë, që megjithëse të rralla, hidhnin dritë tek lexuesi francez e perëndimor mbi jetën dhe historinë shqiptare. Por reportazhi i një gazetareje franceze që për tetë muaj rresht ishte endur maleve të Shqipërisë gjer në lartësitë e dy mijë metrave, nga pranvera e gjer në prag të dimrit, kishte qënë për mua diçka e jashtëzakonshme që i ngjante një aventure unikale. Një aventurë që të kujtonte nga larg atë të anglezes Edith Durham, që për vite të tëra u end maleve të Shqipërisë. Kështu, kjo grua, për muaj me rradhë,përjetoi një botë të çuditshme, të ashpër e magjike, krejt e ndryshme nga bota e saj franceze. Ishte rastësi t’i zbuloja këto dy shkrime të ruajtura me aq dashuri e kujdes nga një emigrant në Paris. Pasi i lexova, u përpoqa të gjeja gjurmët e kësaj udhëtareje, të dija nëse ishte ende gjallë dhe nëse kishte shkruar të tjera gjëra për Shqipërinë, apo jo. Pyeta në shumë familje me të njëjtin mbiemër në Paris, por Paule Fercoq de Leslay sikur kishte humbur njëherë e përgjithmonë nëpër mjegullën e kohës. U befasova kur në shtëpinë e ish diplomatit francez në ambasadën franceze në Tiranë gjatë viteve 30’, René Lescuyer, u ndodha përballë një fotografie të rrallë të Fercoq : një grua mjaft e bukur që i përngjante një aktoreje hollivudiane. Për më tepër ajo kishte qënë e dashura e diplomatit simpatik gjatë qëndrimit të saj në Tiranë. - Im shoq, - më pohoi gruaja e tij,- më ka folur gjatë për të. Një flirt disa muajsh në mjediset e Tiranës, shëtitje me kuaj, ballo, shëtitje në breg të Adriatikut”… Pastaj ajo nisi të më tregojë jetën e mëpasme të Fercoq, e cila nuk ishte martuar, por kishte vazhduar jetën e saj aventuroze, gjersa në moshë të thyer ishte tërhequr në një shtëpi të saj në Bell’Ile, një ishull në bregun perëndimor të Francës, në Atlantik. Por një ditë fqinjët e saj e gjetën të vrarë. Vrasësit ia kishin marrë gjithë byzylykët dhe rubinët që i kishin mbetur nga e kaluara dhe ishin zhdukur në mënyrë misterioze.
Ajo vdekje ishte vërtet shumë intriguese. Një vdekje banale në fund të fundit, për ca xhevahirë. Një ditë,kur sapo kisha mbërritur në Paris, u bëra gati të shkkoja në Belle Ile (Ishull i Bukur), por idea se s’do të gjeja asgjë gjer në atë ishull të Atlantikut, jo larg brigjeve të Francës, më mbajti në Paris. Shpesh mendoja se po të kishte qënë gjallë dhe ta takoja, ajo mund të më zbulonte plot histori që nuk i kishte shkruar në një revistë si Illustration, por që i kishte ruajtur si kujtime të pashlyeshme. Por ja që vdekja ia kishte mbyllur sytë dhe gojën, dhe asnjë kujtim i bukur nuk mund të pohohej më. Për më tepër, fondi i saj fotografik duhej të kishte qënë i jashtëzakonshëm, pasi të bridhje maleve shqiptare me një aparat fotografik në dorë gjatë tetë muajve,ajo çka duhej të ruante ajo do të kishte qënë një arkiv i tërë i maleve shqiptare në vitet 30’.
Një tjetër ditë, po në Paris, duke shfletuar gazeten Illyria të vitit 1935, lexova lajmin se kontesha Paule Fercoq de Leslay, përfaqësuese e gazetës franceze L'Intrasigent ndodhej në Tiranë. Ndoshta me këtë rast duhej të ishte njohur dhe me diplomatin simpatik Lescuyer. Më pas në 4 janar të vitit 1936, po kjo gazetë jepte njoftimin për kthimin e gazetares franceze nga udhëtimi i saj i gjatë nëpër Malësi. Nuk di pse duke lexuar për këtë udhëtim, më shfaqej personazhi i Dianës tek romani Prilli i Thyer i Kadaresë. Të dyja këto personazhe, njëri real dhe tjetri imagjinar, sepse kishin diçka të përafërt,ndoshta udhëtimi i tyre disi i magjishëm, ndoshta pikëtakimet e tyre me kullat e ngujimit të malësorëve, ritet dhe muranat. Të dy këta personazhe kishin udhëtuar pothuaj në të njëjtat vënde të Veriut shqiptar, dhe në të njëjtën periudhë. Pikëtakimi i tyre ishte kanuni i Lek Dukagjinit dhe mekanizmat e tjera të jetës së moçme shqiptare, besa, taksa e gjakut, targu i gruas, pajtimi i gjakut, trashëgimia... Gjatë udhëtimit të gazetares franceze në kullën e Oroshit dhe takimi me bajraktarin e Oroshit, diku nëpër fshatrat e Mirditës,asaj i ishte shfaqur diku dhe një djalosh i pashëm, 32 vjeçar. "Ai, - shkruan ajo në reportazhin "E kaluara e gjallë në Shqipërinë e panjohur", - më tregon se kurrë nuk kishte dalë nga kulla që prej pesë vitesh,sepse mund të vritej nga gjaksi. Por ai më tha se do të ishte i lumtur po të udhëtonte e të shoqerohej nga unë gjatë dy ditëve. E pranova, pasi prania ime ishte një mburojë për të. Kurrë një shqiptar nuk qëllon mbi hasmin, kur ai është i shoqëruar nga një mik apo një grua, nga frika se mos qëllon mbi të. Dhe kështu unë e çova atë në shtëpinë e një prej njerëzve të tij."
Mes malesoreve te veriut

Imagjinoni një çast këtë udhëtim të jashtëzakonshëm të saj, ndjekur nga vështrimi i malësorit, që pas pesë vjetëve po linte kullën e ngujimit, errësirën, muret e nxira dhe të errta, një copëz qiell të gjymtuar për gjithnjë dhe që tashmë udhëtonte në liri, dehej me natyrë,gëzonte bregoret e ujvarat, dhe natën, pranë zjarrit, kjo e huaj i ngjante padyshim me një shtajzovalle apo zanë, si ato të kreshnikëve. S'dihej kush zote kish hedhur atë në këto anë për ta lumturuar atë... Ishte Diana, pas së cilës, ata malsorë shtatlartë që e shoqëronin nga agu i freskët i maleve e gjer në gjumin në ndritën e hënës, ishte magjiplote, që i tërhiqte pas vetes, kudo që shkelte,edhe sikur të shkelte mbi vetë humnerën, edhe sikur të shkonte drejt vdekjes.Ata përsëri, do të shkonin pas saj, asaj Diane franceze, që një Zot i madh ua kishte hedhur aty për t’i lumturuar përkohësisht. Kështu, kjo grua, si dikur Durham, e dashuruar aq shumë pas shqiptarëve, udhëtonte në zbulim të traditave,të mikpritjes dhe vitalitetit të këtij kombi, që "tashmë prehej në heshtje, i lodhur nga luftrat shekullore", siç do të shkruante ajo."Shqiptarët janë pasardhësit e drejtpërdrejtë të pellazgëve të vjetër, - e nis reportazhin ajo, - raca e tyre para se gjithash është e fisme. Një tip shtatlartë, krenar, dinjitoz, dhe më i bukuri që mund të shohësh pas gjeorgjianëve, me të cilët ngjasojnë.” Pothuaj të njëjtën gjë kishte shkruar më parë edhe gjeografi e etnografi francez Jacques Bourcart, i cili kishte ndjekur rrjedhën e Shkumbinit për 3 vjet rradhazi në vitet 30’ të këtij shekulli. "Shqiptarët, - shkroi ai, - kanë një frymë perëndimore, ata janë të gjallë e kuriozë, të gëzueshëm dhe të hapët në miqësi. Për antropologët, ata duhet të jenë specia më e bukur njerëzore në Evropë. Veçanërisht nëpër male të bije menjëherë në sy bukuria fisnike e burrave."
Kështu filloi aventura shqiptare e gazetares Fercoq de Leslay. Pak gjëra dimë rreth këtij personazhi enigmatik, pasi emrin e saj nuk e ndeshim në botimet franceze, apo në revistënIllustration më vonë. Vallë ishte thjeshtë një konteshë e pasionuar, që e mërzitur nga bota mondane që e rrethonte kërkonte botra të tjera, të pashkelura, vende ku shpirti i takonte tokës, mikut dhe qiellit, e jo parasë. E kështu, ajo ishte nisur drejt të panjohurës, drejt Ballkanit tronditës,atje ku legjenda nderej si një tis mjegulle përjetësisht.… Më 1936, duke studjuar një hartë të vjetër austriake të Shqipërisë, Fercoq zbuloi se mbi konfiguracionine saj, në Veriun shqiptar, ishte shkruar fjala "e pa eksploruar". Kjo fjalë e çoi atë në Shkodër, ku bleu dy kuaj dhe mori me qera pesë të tjerë, siçtregon vetë ajo. Zotërit e kuajve si dhe një xhandar e shoqëruan atë në udhëtimin e saj. "Mora një revolver të madh dhe në xhep vura një busull, në brez një faqore raki. Shkodra është qyteti më i bukur i Shqipërisë. Natën, rrugës, ulur pranë zjarrit, burrat më mësojnë me padurim fjalë të gjuhës shqipe... Sa e sa herë kur udhëtoja në ato male mbi dy mijë metra mbyllja sytë se mos shihja kuajt të binin poshtë në humnerë." Skena të vërteta filmi. Ajo përshkoi rrugën drejt Vermoshit, e mahnitur jo vetëm nga natyra por edhe nga kodet e jetës shqiptare, e këtij"qytetërimi tri mijë vjeçar, që ka rënë në një gjumë magjik", siç shkruan ajo. Fercoq mahnitet nga besa dhe fjala e dhënë e shqiptarit, nga nderimi i mikut dhe ligjet e tjera të Kanunit të Lekës. Në një fotografi mbi mushkë ajo ka dalë në Qafë Drosk, ku kanë ndaluar për të pushuar. Nga mëngjesi në perëndim, ajo kalon përmes fshatrave me fise katolike, muslimane e me besim të përzier, ku nëpër kulla gjen anetarë të së njëjtës familje me besime të ndryshme. "Shqiptarët e Hasit, Bytyçit e Gashit e kanë zakon të marrin nuse nga bajraqet e katolikëve në Nikaj, të cilët ua shesin për 20 napolona flori... Në malet e Krasniqes, miku që më priti e kish vrarë me një plumb gruan e tij si dhe dashnorin e saj. Të gjithë e kishin aprovuar këtë lloj drejtësie dhe askush nuk kërkoi shpagimin e gjakut të gruas."

Duke kaluar neper Bjeshket e Namuna

Pasi lë Vermoshin, ku bajraqet e Kuçit dhe të Vermoshit ishin në hasmëri me njeri-tjetrin, karvani i saj furnizohet me bukë në Pejë e pastaj zbret drejt Drinit. Rrugës, një fotografi në familjen e një bariu në fshatin Markov, pastaj një tjetër në urën e Vezirit. Karvani shkon në Prizeren, pastaj në Gjakovë. Ura e famshme e Vezirit është e shkatërruar, por një urë tjetër e vogël ngrihet tani mbi Drinin e Bardhë. Karvani vazhdon udhëtimin përmes maleve, në grykat e lumenjve, në Pukë, Mirditë, Orosh..."Gratë e këtushme, - shkruan ajo për mirditoret, - m'u dukën tepër të bukura, por ato janë pasionante dhe të egra...Diku në një pemë, ajo sheh rrugës një njeri të varur nga duart. Ishte një hajdut dhensh. Një natë, pranë zjarrit tonë u afrua një malesor i panjohur, një kaçak që vinte nga larg. Kishte qënë tutje në Serbi dhe tani vinte të merrte djalin dhe gruan për të mërguar. Njerëzit e mij të karvanit, i japin bukë m isri dhe qumësht pluhuri që ta ketë për rrugës. Ai më kërkoi plumba... Ia dhashë, bashkë me një palë opinga." Ç’histori! Një tjetër skenë filmi.
Duke lexuar shënimet e Fercoq, lexuesi duket se i tejkalon rradhët e zakonshme të tekstit për të kaluar në një tjetër gjëndje, atë të imazhit, vizionit, imagjinatës,filmit ose më mirë ëndrrës, me ata personazhe që fillojnë të gjallërohen, që ecin, ditë e natë, drejt të panjohurës, dehjes me natyrën, por dhe në mëshirën e rrufeve të qiellit dhe tërbimit të stuhive. Në atë natyrë alpine, Dianës franceze i ngjante se miti dhe legjenda bashkëjetonin në mënyrë harmonike me realitetin e maleve shqiptare të viteve 30’ të shekullit XX. Kulla që u hapin portat edhe vonë pas mesnate, rapsoditë e gjata dhe rapsodët shekullorë, rite e këmbanore që kumbojnë majëmaleve, thirrjet majekrahi për të lajmëruar ardhjen e zonjës nga Evropa.
Kur ajo zbret në Lurë, është një ditë dasme. Ç'spektakël për të. Rite të lashta që vetëm këtu në zemër të Ballkanit mund t’i gjente: motra e Ago Ymerit që kthehej në qyqe, histori virgjëreshash të maleve, vdekje spektakolare me thirrjet e “gjamës”, rroba të përgjakura të vrarësh që prisnin me vite ditën që më së fundi të laheshin.."Nga të gjitha anët mbërrinin të fejuar mbi kuaj, mbuluar me duvak të kuq. Ajri tundej nën krismat e pushkëve. Në çdo shtëpi që kaloja më luteshin e më ftonin që të qëlloja dhe unë. Ç'udhëtim i lumtur, ku armën time e përdora për të përshëndetur vetëm miqtë e mij". Nuset që qëndronin disa ditë të palëvizura, me duart e fshehura nën një cohë të bardhë të qëndisur dhe me sytë përdhe për ta parë miqtë dhe krushqit, ajo i cilëson si "martire të pagoja". Kështu karvani mbërrin në Peshkopi. Eshtë muaji i shtatë i udhëtimit dhe ata gjënden në malin e Korabit, në lartësinë e 2600 metrave. Po, një Dianë franceze në lartësinë e 2600 metrave. Pamja para saj ishte e pabesueshme. Asnjëherë nuk ishte ngjitur kaq lart, si të thuash në kufijtë e qiellit me tokën. Kishte një gëzim fëmije dhe shoqëruesit e lodhur e kuptonin entusiazmin dhe habinë e saj: nga Eiffel-i në majën e Korabit, madhështia e natyrës ishte më e pushtetshme se çdo gjë që mund të kishte krijuar njeriu. Larg shquhej maja e Tomorrit, nga Lindja dukej fusha pjellore e Metohisë, akoma shumë më larg Ohri, i cili,shkruan ajo „që nga koha e Aleksandrit të Madh, nuk i ka ndryshuar format e barkave të liqenit“. „Ne ndeshim karvane të vegjël malësorësh që vijnë nga Shkodra, ku janë furnizuar me kripë. Kjo do të thotë se dimri po afron… Prespa është mbushur nga zogjtë. Duke zbritur malet, dëbora e dimrit fillon të afrohet. "Bora na zë, ndërkohë që lëmë pas shtigjet e rrezikshme të Proklet e kështu ne jemi të detyruar ta braktisim Shqipërinë e Veriut e të zbresim në Shkodër përmes shkallinave të Shkrelit dhe Kastratit. Pas nesh dëbora mbulon qafat dhe rrethon një nga një fiset malësore gjer në pranverën e ardhshme".
Sigurisht, Fercoq është ndarë me dhimbje nga ato peizazhe të cilat nuk do t’i shikonte më, edhe pse shoqëruesve të saj besnikë, ajo u kishte premtuar se do të kthehej, me çdo kusht. Ja Shkodra, të cilën ajo e pëlqen për gjallërinë e pazarit të saj dhe bukurinë e liqenit, me kështjellën e lashtë që ngrihej, duke mbartur shumë legjenda.“Etapa jonë e fundit është në Hanin e Shkodrës. Oh, sa shumë e ndjej fundin e këtij udhëtimi! Por sigurisht, ka ende kohë për ata që i duan udhëtimet, që t’i ndjekin këto gjurmë, para se dinamiti i inxhinjerëve italianë, duke hapur rrugët, të shkatërrojnë këtu pamjen tërheqse të së panjohurës dhe të lirisë. Ju uroj atyre, që dhe ata të njohin përzemërsinë mikpritëse dhe jetën e lumtur nën ritmin e karvanëve…
Ne lagjen e ciganeve, Tirane

Për gazetaren de Leslay, udhëtimi në jug ka të tjera ngjyra e imazhe. Në reportazhin e saj me titull "Shqipëria e Jugut, - tokë e rrënojave antike dhe e pasurive të ardhëshme", ajo përshkruan një vend me zakone më pak të ashpra se sa Veriu shqiptar, një jug ku "ka më pak vrasje për çështje nderi dhe më shumë zënka politike", me qytete ku " ideja e unitetit kombëtar rri zgjuar", etj. Përshtypje të veçante ajo ka për Korçën, të cilën e quan"krenari e intelektualëve shqiptare", apo për Beratin "qytetin e dytë shqiptar për nga bukuria, pas atij të Shkodrës." Në Apolloni ajo takohet me arkeologun francez Leon Rey. "Më shumë se njëmijë objekte janë mbledhur këtu, nga më të çmuarat, si një seri vazosh të shekullit të V-të para Jesu Krishtit. Veç disa statujave, të gjitha të tjerat, janë shkatërruar nga ushtritë italiane, që pasi bombarduan muzeun e Vlorës, e braktisën pastaj atë». Ajo shkruan gjithashtu për gjetjet e Butrintit dhe ato të zbuluara në Finiq. "Invazionet romane, normande, pushtimi i gjatë osman, e kanë shkatërruar jetën e fisit në jug, në favor të jetës në një komunitet më të gjerë. Njerëzit emigrojnë lirisht dhe kanë një shpirt aventure".Ajo përmend shqiptarin Mehmet Ali, një nga figurat e shquara të historisë së Egjyptit të vonë; flet për Ali Pashë Tepelenën, për regjimentin e shqiptarëve që luftoi përkrah ushtrisë së Napoleon Bonapartit, etj. Padyshim, nga ky udhëtim i gjatë e i rrallë për atë kohë,shumë pak fakte e ngjarje janë hedhur në reportazhet e botuara në Illustration, më 1939.
Një ditë, disa vite më parë, duke udhëtuar nëpër malet e veriut me regjisoren franko-shqiptare Liri Begeja, duke përshkuar malet plot thepisje nëpër Rragam, Valbonë, Qafë Prush, Kukës e duke zbritur drejt jugut,në takim me malsorët bujarë e të varfër, sepse m'u fanit fotografia e udhëtares franceze, figura e asaj gruaje, e asaj Dianeje franceze, që gjysëm shekulli më parë, e vetme, rrethuar nga malsorë besnike, udhëtonte e ngrysej nëpër hanet e Veriut shqiptar, apo si një mike që një Zot e sillte në portën e një kulle malore. Ndryshe nga ajo, Liri Begeja, që vinte po nga Franca, ishte në kërkim të dekorit imagjinar që ajo kish ndërtuar vite të shkuara për filmin e saj të parë Prilli i thyer, sipas romanit të Ismail Kadaresë, film që fliste për të njëjtën kohë, ambiente e zakone shqiptare, epokë kur Paule Fercoq de Leslay udhëtonte nëpër vargmalet hijerënda shqiptare. Ishte kjo njëhistori Diane, e femrës së kthyer në mit, që ishte shfaqur në këto male, për t’i treguar botës së metropolit. Ose më mirë, ishte pikëtakimi i të vërtetës dhe imagjinares, ku njëra konkuron tjetrën, pa arritur të gjejmë kufirin që i ndan ato. Sidoqoftë një gjë ngjan se është e sigurt: që ata malësorë me armë,që e shoqëronin mes thepisjesh, të dashuruar secili në mënyrën e tij, por dhe të pafjalë, ishin gati të vdisnin për atë zanë, gjysmë-njeri e gjysmë-hyjni… Ata nuk e mësuan kurrë se një ditë shumë e shumë vite më vonë, atë do ta vrisnin për disa xhevahirë. Me siguri, do të ngriheshin nga varret për të mbrojtur zanën e tyre…


Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…