Skip to main content

Tetova News

NJË PACIENT I DR. FROJDIT (Fragmente romani) - GAZMEND KRASNIQI


1. AEROPORTI “NËNË TEREZA”

Arsyeja e parë e aplikimit për rezidencë shkrimtarësh në Vjenë erdhi gjatë bisedës me një koleg nga Kosova, i cili më tha se kishte qenë në një të tillë së bashku me të shoqen dhe vajzën. Menjëherë më shkoi mendja të ndërroja vendin e personazheve: të vendosja vajzën para gruas. Ajo e kishte bërë zakon që, sapo zbrisnim në sheshpushimin e fundit të shkallëve të pallatit tonë në Tiranë, të më shkëputej nga dora, pa e kuptuar, natyrisht, rrezikun e makinave që kalonin me shpejtësi diku në fund të vrapimit të saj. Nuk kisha qenë asnjëherë në Vjenë, por besoja se ai qytet do të më ndihmonte që ime bijë të shijonte diçka tjetër, që e meriton çdo fëmijë i botës. E kishim marrë vetëm 8 muajsh në një rezidencë hungareze dhe ruanim kujtime shumë të mira.
Ata të rezidencës vjeneze më thanë se nuk mund ta merrja. Kolegu nga Kosova kishte qenë atje në dimër, çka aplikantët e kërkonin rrallë, kurse unë do të shkoja në verë, prandaj duhej ta ndaja apartamentin me të tjerë. Ishte fjala për një shkrimtare armene, të cilën e kërkova në internet, se mos i gjeja ndonjë adresë emaili dhe t’i kërkoja për të marrë familjen me vete.
Kishte vetëm një rrugë: të hapja një adresë facebook-u, një tundimi që i kisha rezistuar gjatë. As ky lëshim nuk m’u shpërblye menjëherë: armenia me mbi njëmijë e sa miq, nuk mund t’i thoshte “po” një të panjohuri që, për më tepër, nuk kishte ekspozuar asgjë në faqen e vet. Ndërkohë i shkrova një miku në Londër, i cili më kishte thënë se punonte në një zyrë në shërbim të armenëve, një popull që më shumë kishte njerëz në diasporë sesa në vendin e vet.
Meqë nuk po më funksiononte asnjëra nga këto përpjekje, u shkrova dy prej miqve të armenes, shkrimtarë edhe ata, veçse njëri mashkull e tjetra femër. Pak ditë më vonë mora mohimin përfundimtar për vajzën, për të cilin kishte ndikuar naiviteti i armenes, e cila ia kishte përcjellë emailin tim Qendrës.
Ajo më shpjegohej se do të qëndronte në një adresë tjetër. Pa e menduar, besoj, se më kishte bërë një gjë tashmë pa zgjidhje. Unë do të kisha në rezidencë një dancer – s’merrej vesh femër apo mashkull – nga një vend i Afrikës.



Shfaqja e avionit të shoqërisë Austrian më kujtoi se, edhe pse nuk më shkuan gjërat siç i mendova, nisja qe e pakthyeshme. Meqë pranë ndenjëses kam një burrë të ftohtë (austriak, me siguri) dhe peizazhi i orës pesë të mëngjesit nuk më ngacmon, hap mini-laptopin. Por nuk më vjen për të shkruar, sepse zgjohet thënia e vjetër: trupi udhëton, jo mendja.
Herë pas here, përpiqem të kap nga ato që përpunon mendja, e cila dua apo s’dua unë më mban në shtëpi. Si narrator e lë veten të miklohem nga e gjithë kjo, derisa ta kap idenë e romanit që do të shkruaj, edhe pse kisha pritur që gjërat të shkonin ndryshe: pra, mjaftonte të shkoje në një rezidencë dhe do të shkruaje se s’bën.
Sigurisht, nuk jam aq naiv, por pata mbajtur shpresa se, sapo të shkëputesha nga e përditshmja, tepër e ngarkuar, do të shkrapja diçka ose përndryshe duhet t’i rishikoja iluzionet për të dalë në ide të reja prej burri të pjekur e me mend, i përgjegjshëm para familjes.

Mendjet e mëdha, mistike sigurisht, kanë parasysh se udhëtimi i mendjes dhe jo i trupit do të ishte i mjaftueshëm. Emersoni e pat quajtur udhëtimin “parajsën e të marrit (fool’s paradise).” Shpirti nuk është udhëtar, shkroi ai: “i mençmi rri në shtëpinë e vet.” Sidoqoftë, për ironi, vetë shëtiti sa mundi. Pra, është rasti për t’u provuar vetë ajo çfarë thonë të tjerët.
Për rrethana të ndryshme e kam parë veten nga ata që “udhëtonte në mendje”, për këtë arsye ndoshta, në vend që të shkruaj, shoh se si udhëton e jep leksione ime shoqe.
Bambuja, një portë fati, është për meditim, sepse elementet dhe rritja e drejtë simbolizojnë shkallët e ndryshme të zhvillimit shpirtëror, më thotë gruaja, duke treguar bimën e zverdhur nga tharja.
Kur i them se në vazo janë shëndoshë e mirë edhe dy bambu të tjera, ime shoqe ia nis leksionit të dytë, sikur sapo ta ketë shfletuar diku:
Si bashkim i Njëshit dhe Dyshit, Treshi është numër që dallohet si imagjinatë simbolike e meditimit, si numër i qiellit, në kundërvënie me Katrën, numrin e tokës. Veçantia simbolike universale e Treshit ndoshta rrjedh prej triadave hyjnore, pasi kemi:
Iside, Osiride dhe Horus tek egjiptianët
Brahma, Vishnu dhe Shiva te hindutë
Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë tek krishterët
tezë, antitezë dhe sintezë te Hegeli,
ose prej treshes burrë, grua dhe fëmijë.
Krishterimi njeh tri virtyte kryesore:
besim, shpresë dhe mëshirë.
Alkimia njeh tri parime themelore:
squfur, kripë dhe merkur.
Ime shoqe e mbyll me një shprehje latine: Omnia bona tria.
(Të gjitha gjërat e mira shkojnë nga tri.)
Vajza mban vesh, pak e çuditur se si mund të thuhen kaq shumë gjëra për numrin tre, e paaftë të ndërhyjë, sepse nëse ne do të flsinim anglisht, do të shtonte ndonjë: bai, kai.

Ndoshta, mendoj unë, kështu mund të nisë një libër me 134 mijë rrahje në tastierën e kompjuterit: një numër që ka brenda Njëshin, Katrën dhe Shtatën.
Ku Njëshi është Zoti, ose simboli fillestar i tërësisë, në të cilën mëtojnë të përtërihen të gjitha gjërat e krijesat.
Katra është Toka.
Katër elemente ka bota materiale: zjarri, uji, ajri e dheu.
Katër mosha ka njeriu: fëminia, rinia, pjekuria e pleqëria.
Katër anë ka horizonti.
Katër stinë ka viti.
Katër shkronja ka emri i njeriut të parë.
Katër lumenj ka parajsa.
Kurse Shtata (shuma e Treshit dhe e Katrës - bashkimi i simbolikës tokësore dhe i asaj qiellore) është numri i kryerjes, begatisë dhe plotësisë.
Nëpërmjet katër fazave hënore kemi shtatë ditët e javës.
Në kohët e lashta njihnin shtatë planete, si shprehje e rregullit kozmik.
Shtatë janë mrekullitë e botës.
Shtatë janë qiejt nëpër disa besime, me shtatë hierarkitë e engjëjve.
Shtatë janë kokat e përbindëshit të apokalipsit, shtatë dhe kupat e zemërimit qiellor.

Më vjen kujtesa: luleshitësja na tha se duhen tri bambu.
Kështu thonë, shpjegoi ajo, e zënë ngushtë, ngaqë nuk arrinte të shpjegohej më tepër.
Dhe shtoi:
Kështu siç janë, tri copë, thonë se sjellin fat.

Kur ime shoqe ma vë vazon përballë, që të kujtohemi për blerjen e bambusë së tretë, shoh se përhumbja po më merr drejtim tjetër.
Nëse mund të thuhet se përhumbja ka një drejtim.
Ajo që mund të nxjerr nga ky pështjellim, është mendimi se shpikja e shkrimit e ka shpëtuar kulturën:
Nëse kemi ide dhe nuk e shprehim, ajo shkon bashkë me njeriun që vdes.
Duke menduar kështu, unë rri disa minuta në shoqërinë e pyetjeve.
A kam tashti një ide?
Nëse po, a duhet ta shpreh?
Apo duhet më parë të vdes?
Së fundi: a i kam kryer vallë detyrat e mia, meqë bonsai (një tjetër bimë fati) është plot jetë?

Me një kupë në dorë, ime shoqe shkon te dritarja dhe u hedh zogjve thërrime.
Me një laps në dorë unë rri me shpresë se në treshen bambu, bonsai dhe zogj mund të bulëzojnë idetë.
E para thotë që duhet përmendur një gjë krejt e thjeshtë:
Kinezët qenë të parët që nuk e panë punën e piktorit si një punë shërbëtori (gjë tipike për Evropën), por e futën atë në të njëjtën shkallë me poetin e frymëzuar, si në ëndrrën që pa greku Lukian, ku i thoshin: “Është ai!”.
Është ai, Poeti.
Një privilegj që nuk e gëzonte profesioni i skulptorit, me të cilin ky po merrej ndërkohë.

Ne qeniet njerëzore jemi të prirë shpesh për çastet drithëruese, kështu që, papritur, mendoj se në një jetë tjetër poeti Marin Baina (njeriu që do ta takoj të parin në Vjenë, ku ka kryer një operacion për t’i rikthyer të folurin), duhet të ketë qenë poet klasik kinez.
Poet i shekullit VIII, për shembull.
(Për rastësi ose jo, teta është numri kinez i fatit.)
Ja një poezi e Li Bo-së, e cila fare mirë mund të ishte nënshkruar prej Marinit.

Mbi ujërat që rrjedhin,
Shkëlqen Hënë e vjeshtës.

Po mbi liqenin në jug
Gjen paqe dhe heshtje.

Veç një lotos i vetmuar
Diçka të trishtë thotë,

Sa tërë shpirtin e botës
E mbyt me trishtim.


Ndërsa sillja ndër mend poezinë e mësipërme, pata ndjesinë se nëpërmjet të gjallit të kohës sonë (Marin Bainës) i vdekuri i dikurshëm (Li Bo) po rishikonte poezitë e veta.
Një poet kinez më i vonë këtë e shpjegon kështu:
Nëse ajo që shkruaj, është e njëjtë me atë që ka shkruar mjeshtri i mëparshëm, do të thotë se ishim një në përsiatjet tona.
Nëse shkruaj diçka ndryshe nga mjeshtrit e mëparshëm, ndoshta jam duke plotësuar atë çka mungon nga puna e tyre.
Ose mund të ndodhë që mjeshtrit e mëparshëm plotësojnë atë që i mungon veprës sime.
Mund të ecim më tej me vargje, për ta bërë më të qartë idenë e parë.
Për shembull, mund të jetë për t’u nënshkruar vargu:
Ari i përrenjve varet në qafën e maleve.
Edhe më tej:
Bambuja e lartë, si murg i pikëlluar, përkundet nga era.
Prapë më tej:
Zogu i vogël ulet në çerdhen plot dritë të hënës.
Së fundi:
Pergamena e natës mbushet me shkronja zjarri.

I jap vetes shpresë se poezia ka forcë ta kthejë përhumbjen në meditim.
Prova: kërkoj në kujtesë emrin e Mjeshtrit të Zen- Budizmit dhe e gjej.


Kaq shumë optimizëm te horoskopi im i ditës, më duket zhgënjyes:

Një poete amerikane e nis poezinë në këtë mënyrë: “Gjysmën e ditës e kaloj duke vëzhguar nga dritarja. Jam në kërkim të së vërtetës së shpirtit”. Më pas, ajo vazhdon duke thënë se nuk është e suksesshme në meditimin e saj.
Ndërkohë ju po kaloni një periudhë të shkëlqyer zhytjeje në kërkim të së vërtetës shpirtërore. Javën e ardhme do të zbuloni të paktën pesë të vërteta për shpirtin. Ja njëra prej tyre:
Shpirti ka nevojë për ushqim, sikundër edhe trupi.

Dua thjesht të shkruaj për historinë e një jete që mund ta kisha jetuar unë, por për arsye të ndryshme nuk ndodh.
Pres që, si në mitin egjiptian të ekzistencës, fjala të dalë në ekzistencë, e prirë nga mendimi i zemrës dhe në drejtimin e gjuhës. Kur ta kapin shqisat, të lajmërojnë zemrën.
Është ajo që kujdeset për të gjitha gjërat, është gjuha ajo që përsërit mendimet e zemrës.
Kështu qenë krijuar perënditë...
Por me fjalën zemër duhet të kuptojmë burimin e dritës, frymëzimit dhe krijimit, ajo pjesë e mbështjellë nga uji i ëmbëlsisë së Shpirtit të Shenjtë.

Në moshën e adoleshencës, kur i duhej të zgjidhte profesionin e jetës, Li Bo pa lumin që rridhte diku më tej, pa bambutë dhe zogjtë në brigjet e tij dhe i tha të atit se donte të bëhej poet.
Nga familja e tij qenë bërë o murgj, o luftëtarë të perandorit, prandaj i ati, që nuk e priste këtë përgjigje, u zbeh dhe ia ktheu:
Poezitë nuk janë profesion. Janë për të kaluar kohën. Ato ikin si uji. Si ky lumë.
Li Bo pa prapë lumin, bambutë dhe zogjtë në brigjet e tij dhe u përgjigj:
Kjo është ajo që dua të bëj: të mësoj kohën që rrjedh.
Nuk tha se do të pushtonte hënën në lumë, prej nga, siç veproi kur u bë poeti më i madh i Kinës, nuk u kthye më në këtë jetë.

Ky është poeti: ai që nuk e nxjerr asgjë nga rruga e vet?
Poeti është njëfarë Zoti apo profeti?
Deri para se t’ia bëjë pyetjen vetes, njeriu mendon se e di kush është poeti, pasi librat e shkollës kanë lënë diçka në mendjen e secilit.
Kështu mendoja edhe unë për Marin Bainën, të njohurin e vjetër. Besoja që, nëse dikush më pyeste për të, do të përgjigjesha menjëherë, pa e çuar ndër mend se ky qe një nga naivitetet e jetës.
As i vetmi, sigurisht.
Të gjithë artistët e mirë janë të mirë sipas mënyrës së tyre - në kohë të ndryshme njëri përfillet si më i rëndësishëm se tjetri - po pse nuk njihet ende Marin Baina?
Ndoshta kjo nuk është kohë poetësh?
(Si tha Helderlini: pse duhet një poet në kohë mjerimi?)
Është e vërtetë që shoqëritë demokratike nuk i përndjekin poetët, siç bëjnë shoqëritë totalitare, por që nga koha e romantizmit (edhe në botë, edhe në Shqipëri) poezia ka kaluar në periferi.
Po të pyesësh dikë në rrugë, ai do të të përmendë vetëm emrat e poetëve të së kaluarës.
Duhet gjykuar si fat i rrallë, nëse dikush të thotë se ka dëgjuar për Marin Bainën.
Është fat edhe më i rrallë, nëse të flet për të si një poet.
Relata refero.
Them çfarë më është thënë.

Poeti shkodran me rrobë jezuiti, Lazër Shantoja, një ditë shkroi:
“Për m’u ba njeri i madh në Shqipni, duhet me fitue s’paku nji anmik në ditë. Gjindja, kur ndigjojnë se dikush shahet pajada e me ngulm, fillojnë e brehen nga kureshtja m’e njoftë, me dijtë pse përmendet e pse urrehet me aq furi. Fito nji anmik në ditë dhe syt e botës kanë m’u sjellun kah ti...”
Është jezuiti që shkruante sonete për dashurinë e një gruaje. Sigurisht, me pseudonim.

Lulzo ti prap! Un i padashtun jetën
tash e kaloj, i vetmi ndër poetën;
e tue kujtuemun puthjen nji ditë,

puthjen tande mërgim... un tash ia kndoj
ma t’bukrin varg hyjneshës Afërditë
ndër hijë t’qiparisavet kur t’shkoj...

Ndërsa rri e mendoj, ndiej se më ka ngërthyer mania e shkrimit.
Nuk e di kush e ka thënë këtë shprehje:
Qui scribit, bis legit.
Kush shkruan, lexon dy herë.
Por, në të vërtetë, nuk arrij të hedh asnjë fjalë.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…