Skip to main content

Tetova News

NJË VËSHTRIM PËRBUZËS - Tregim satirik nga Kurt Kuzenberg (1904-1983)

U dëgjua tringëllima e telefonit, shefi i policisë ngriti receptorin.
- Urdhëroni?
- Polic Kercigu ju shqetëson. Para disa çastesh një kalimtar më hodhi një vështrim përbuzës.
- Mos ju kanë bërë sytë, - iu përgjigj shefi i policisë me një theks mosbesimi në zë. Pothuajse çdokush që takon një polic në rrugë, nuk e ka ndërgjegjen e pastër dhe bën sikur nuk e shikon. Dhe kjo të jep pastaj përshtypjen e një mospërfilljeje përbuzëse...
- Jo, - ia bëri polici në skajin tjetër të fillit, puna nuk ka qenë ashtu. Personi në fjalë më soditi me përbuzje, më mati që nga kapelja e deri te çizmet.
- Përse nuk e arrestuat?
- Isha tepër i hutuar. Kur e kuptova fyerjen, ai qe avulluar.
- A jeni në gjendje ta njihni, po ta shikoni përsëri?
- Patjetër! Ai kishte lënë një mjekër, një mjekër qimekuqe.
- Si e ndieni veten tani?
- Ç'është e vërteta, s'jam aspak në terezi.
- Mbahuni edhe pak. Do të jap urdhër që t'ju zëvendësojnë.
Shefi i policisë hapi mikrofonin. Kërkoi të dërgohej me ngut një autoambulancë në sektorin ku po kryente shërbimin polic Kercigu dhe urdhëroi arrestimin e të gjithë qytetarëve mjekërkuqë.
Patrullat e policisë ndodheshin të gjitha me shërbim rrugëve, kur e morën këtë urdhër me radio: dy prej tyre po provonin në këtë kohë se cila makinë ishte më e shpejta; dy të tjera po kremtonin në një pijetore ditëlindjen e pronarit të lokalit; tre policë po ndihmonin me makinën e tyre një koleg i cili ishte duke ndërtuar shtëpinë; kurse të tjerët po bënin pazarin. Por, me të marrë urdhrin që përmendëm më lart, ata ia shkelën gazit dhe fluturuan me makinat e tyre drejt e në qendër të qytetit.
Bllokuan rrugët njërën pas tjetrës dhe i krehën mirë e mirë. U derdhën brenda dyqaneve, restoranteve, shtëpive dhe, sapo pikasnin ndonjë mjekërkuq, e merrnin me vete. Qarkullimi rrugor u paralizua. Ulërima e sirenave e tromaksi popullsinë e qytetit, dhe filluan të përhapeshin fjalë se kjo gjueti e policisë po bëhej për të kapur një vrasës tepër të rrezikshëm.
Pak orë pas fillimit të kësaj gjullurdie, u sigurua një goxha pre: pesëdhjetë e tetë burra mjekërkuqë u dorëzuan në drejtorinë e policisë. Polic Kercigu, të cilin e mbanin për krahu dy infermierë, i kaloi në revistë të gjithë të dyshimtët, po keqbërësin nuk e gjeti dot midis tyre. Shefi i policisë ia vuri fajin gjendjes shëndetësore të Kercigut dhe urdhëroi që të burgosurit të merreshin në pyetje. “Në mos paçin faj në këtë rast, - kështu u shpreh ai, - me siguri do të kenë gisht në ndonjë mesele tjetër. Hetimet s'të lënë kurrë pa gjë”.
Dhe vërtet që ato s'të linin duarthatë, të paktën në qytetin në fjalë. Sidoqoftë, askujt të mos i shkojë mendja se të burgosurit u keqpërdorën gjatë hetimeve; me aq vrazhdësi nuk u veprua në këtë rast, metodat ishin më të stërholluara. Që prej kohësh policia sekrete, duke i pyetur me marifet të afërmit dhe armiqtë e çdo qytetari, u kishte hapur të gjithëve nga një kartelë, nga e cila merrej vesh se çfarë i bezdiste ata më shumë, Për shembull: rrapëllima e pistoletave të shpimit, drita verbuese e projektorëve, era e karbitit, këngët popullore nordike, pamja e minjve të rrjepur, llafet e pista, të lehurat e qenve, kontakti me ngjitëse mizash etj., etj. Po të përdoreshin ashtu siç duhej, këto mjete e bënin efektin e tyre në më të shumtën e rasteve; ua nxirrnin të burgosurve pohimet, të vërtetat e të pavërtetat, si ta sillte puna dhe policia fërkonte duart. Ky fakt i priste tani edhe të pesëdhjetë e tetë burrat që kishte kapur policia.
Burri, për të cilin bëhej gjithë kjo gjueti, ishte kthyer ndërkohë në shtëpinë e vet. Kur policët i ranë ziles në apartamentin e tij, ai nuk e dëgjoi, sepse sapo kishte hapur rubinetat e vaskës së banjës. Por, disa çaste më vonë, pasi ishte mbushur vaska, ai dëgjoi postjerin që i solli një telegram. Lajmi që mori, ishte i gëzueshëm: i ofronin një vend të mirë pune jashtë shtetit, po me kusht që të nisej menjëherë.
Bukur fort, tha burri me vete. Më mirë s'ka ku të vejë! Tani më mbetën vetëm dy punë për të kryer: më duhet të zhduk këtë mjekër, sepse më është mërzitur dhe më duhet një pasaportë, sepse nuk kam.
Ai e bëri banjën rehat-rehat e për shtatë palë qejfe dhe u vesh përsëri. Për nder të sihariqit që mori, zgjodhi një kravatë të veçantë dhe e lidhi me kujdes. Pastaj mori në telefon agjencinë ajrore dhe pyeti për orarin e aeroplanit që i interesonte. Doli nga shtëpia, kaloi disa rrugë, në të cilat ishte rivendosur ndërkaq qetësia, dhe u fut në dyqanin e një berberi. Pasi berberi e kreu punën e vet, burri u nis drejt e në drejtorinë e policisë, sepse vetëm atje, dhe këtë e dinte mirë, mund të merrej një pasaportë brenda një kohe shumë të shkurtër.
Këtu është vendi që të theksojmë se heroi ynë me të vërtetë e pati vështruar me përbuzje polic Kercigun, por vetëm e vetëm, sepse Kercigu kishte një ngjashmëri të habitshme me kushëririn e tij, Egonin. Ndaj këtij kushëriri, i cili ishte palo burrë dhe i kishte edhe disa para borxh, heroi ynë ndiente përbuzje të thellë, përbuzje, e cila, porsa e vuri re polic Kercigu, ishte futur ashtu si padashur në vështrimin e tij. Pra, Kercigu s'ishte gabuar aspak dhe askush s'mund t'i vinte faj për njoftimin që i bëri shefit të vet.
Rasti e solli që burri, sapo hyri në drejtorinë e policisë, u ndesh përsëri ballë për ballë me atë policin, i cili i ngjante aq fort kushëririt të tij, Egonit. Por kësaj radhe, për të mos e fyer tjetrin, ai ia hoqi sytë shpejt. Këtë e bëri edhe për një arsye tjetër: me sa dukej, ai polici i shkretë nuk e ndiente veten aspak mirë, sepse dy infermierë po e përcillnin te një autoambulancë.
Sidoqoftë, ajo puna e pasaportës na doli më e ngatërruar nga ç'e kishte pandehur heroi ynë. Dokumentet që kishte me vete dhe telegrami që ia paraqiti nëpunësit të pasaportave, nuk e ndihmuan dot; nëpunësi sikur u tremb nga gjithë ai nxitim i tepruar që rrëfente i interesuari.
- Një pasaportë, deklaroi nëpunësi, - është një dokument i rëndësishëm. Nxjerrja e saj do kohë.
Burri bëri një shenjë pohimi me kokë.
- Si rregull është ashtu siç thoni ju, po çdo rregull ka edhe përjashtime.
- Unë nuk vendos dot vetë për këtë çështje, - tha nëpunësi. - Këtë mund ta bëjë vetëm shefi i policisë.
- Atëherë le ta bëjë!
Nëpunësi i mblodhi dokumentet dhe u ngrit.
- Ejani me mua, - tha, - do të zgjedhim rrugën më të shkurtër, mes për mes zyrave.
Ata u ranë mes për mes tri a katër dhomave, të cilat ishin mbushur plot me qimekuqë.
Çudi, tha heroi ynë me vete, s'ma priste mendja kurrë që paska pasur kaq shumë nga këta. Kurse unë nuk bëj më pjesë në gjirin e tyre...
Siç e kishin për zakon despotët, edhe shefi ynë i policisë hiqej si babaxhan. Pasi e dëgjoi raportin e nëpunësit të vet, e lejoi të largohej dhe e ftoi vizitorin që të ulej. Ky i fundit nuk e pati të lehtë të montonte shpejt e shpejt një buzëqeshje në fytyrën e vet, sepse doli që shefi i policisë na i ngjante kushëririt të tij, Arturit, të cilin ai gjithashtu nuk e honepste dot. Po muskujt, që ishin krijuar për të sajuar buzëqeshjet, e bënë detyrën e tyre, fundja, këtu ishte fjala për një pasaportë e jo për një shaka.
     - Nëpunësit e vegjël, - ia nisi ligjërimit shefi i policisë, - janë frikacakë nga natyra dhe i shmangen çdo përgjegjësie. Nuk diskutohet që ju do ta merrni pasaportën tuaj, ja tani, në vend. Emërimi juaj në Stamboll është një nder për qytetin tonë. Përgëzimet e mia!
Ai i vuri firmën pasaportës dhe i përplasi edhe një vulë sipër. Me një lëvizje të shkujdesur, a thua se ishte fjala për ndonjë bllok krejt të rëndomtë, ia zgjati vizitorit dokumentin.
- Paskeni një kravatë jashtëzakonisht të lezetshme, - i tha pastaj vizitorit. - Në mos gabohem, mbi të qenka stampuar një hartë rrugore qyteti...
- Po, - iu përgjigj burri. - Është harta rrugore e Stambollit.
- Ç'ide e bukur! Dhe tani... - shefi i policisë u ngrit nga karrigia dhe i zgjati dorën burrit, - ju uroj udhë të mbarë!
Ai e përcolli vizitorin gjer te dera, ia bëri miqësisht me dorë edhe nga larg dhe u drejtua për nga dhomat ku po merrnin në pyetje të burgosurit.
Gjynahqarët, për t'i shkurtuar mundimet që po hiqnin, kishin pranuar ndërkaq kushedi sa faje, por vetëm atë faj, për të cilin i akuzonin, nuk e kishin pranuar ende.
- Vazhdoni! - urdhëroi shefi i policisë dhe iku për të ngrënë drekë.
Kur u kthye në zyrë, gjeti një njoftim. Një berber kishte deponuar se atë paradreke i pati rruar një klienti mjekrën e kuqe, me kërkesën e këtij të fundit. Të zotin e mjekrës s'para ishte në gjendje ta përshkruante, por i kujtohej mirë diçka që të binte në sy: i zoti i mjekrës na kishte lidhur një kravatë me hartën rrugore të një qyteti.
- Ah, ç'gomar që jam! - thirri shefi i policisë. Ai u derdh tatëpjetë shkallëve, duke i marrë dy e nga dy. Poshtë e priste vetura e tij. - Në aeroport! - i bërtiti shoferit dhe u lëshua në ndenjësen e pasme.
Shoferi bëri të pamundurën. Shkeli dy qen, dy pëllumba dhe një mace, i bëri një alamet bullunge llamarinës së një tramvaji, dëmtoi një karrocë dore të ngarkuar me letra të përdorura dhe u kalli tmerrin qindra kalimtarëve. Kur arriti në aeroport, tutje, nga fundi i pistës, po ngrihej avioni për në Stamboll, pa shkelur sekondën nga orari i tij.


Shqipëroi: Robert Shvarc

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…