Skip to main content

Tetova News

Njeriu me fat - Fatos Kongoli


Inspektori Sabit Kurti mezi po e shtynte javën e fundit të muajit gusht, në pritje të shtatorit. Sipas një marrëveshjeje me shefin e departamentit, në shtator do ta lejonin të dilte në pension prej kohësh. Ishte më i vjetri në shërbim, kolegët e dikurshëm, për arsye nga më të ndryshimet, qenë larguar ose i kishin larguar njëri pas tjetrit. Ndërsa ai, në pritje që ta largonin ose i kishin larguar njëri pas tjetrit. Ndërsa ai, në pritje që ta largonin ose nxirrnin në pension, vazhdonte të ulej në të njëjtën karrige, në të njëjtën zyrë, para të njëjtës tryezë, mbi të cilën mbante një fotografi të bashkëshortes. Katër vjet të shkuara ajo kishte vdekur nga një sëmundje e rëndë. Tashmë ai vinte në zyrë kot, mund edhe të mos vinte, largimi i tij qe bërë fakt i kryer. Mirëpo ashtu si gjatë njëzet vjetëve të fundit aq sa kishte në shërbim pas një karriere prej pedagogu matematike, çdo mëngjes ai paraqitej në zyrë, me të njëjtën përpikëri, zinte vend pranë tryezës dhe, meqë askush nuk i kërkonte llogari dhe, anasjelltas, nuk i jepte më llogari askujt, nuk i mbetej gjë tjetër veç të shtynte orët.

Kur nuk shkonte në një kafene aty afër – i pashoqëruar, prania e kujtdo qoftë e bezdiste – një pjesë të tyre i kalonte me sportin e tij të vjetër, merrej me zgjidhje integralesh.

Gjithsesi, vinte një çast që mërzitej, i hipte të largohej nga zyra. Nëse nuk shkonte te kafeneja aty afër, ku e njihnin, shkonte diku tjetër, me shpresë të mos njihej nga askush.

Këtë veprim të fundit e kryente gjithnjë e më rrallë, s’donte ta linte vetëm bashkëshorten.

Dhe vështrimin e përqendronte te fotografia me portretin e saj.

Midis tyre zhvillohej e njëjta bisedë, ajo kërkonte të mësonte të rejat e fundit, ai përpiqej t’i shuante kureshtjen. Gruaja ankohej, nga shpjegimet e tij nuk mësonte asgjë të re, si gjithmonë ai ia fshihte të vërtetat. Ai as ia ushqente këtë mendim, as ia kundërshtonte, në të dyja rastet biseda do të ndërlikohej. Mund t’i pohonte ndoshta një të vërtetë: në këtë botë nuk ndodhte asgjë, e re, gjithçka përsëritej në një formë tjetër, të stërnjohur, siç përsëriteshin e ripërsëriteshin jeta dhe vdekja. Këtë fakt, tani që ndodhej në botën tjetër, me siguri në parajsë, ajo duhej ta dinte më mirë se ai, tradhtari, përderisa nuk kishte qenë i aftë ta shoqëronte në udhëtimin e fundit. Por burri pëlqente më mirë të heshtte duke u zhytur në sytë e saj, sesa t’i përralliste gjepura.

Zilja e telefonit mbi tryezë tringëlliu pikërisht kur ai ishte zhytur në sytë e bashkëshortes me një lutje për mirëkuptim që nuk ishte në gjendje t’ia plotësonte si duhet kureshtjen e të rejave të kësaj bote. Telefonatat në drejtim të tij ishin bërë të rralla dhe thirrja i erdhi aq e beftë, sa gati u tremb. Pa e hequr vështrimin nga sytë e bashkëshortes ngriti receptorin, e vuri në vesh dhe nga ana tjetër i mbërriti një zë i njohur; shefi i departamentit. Ai e ftoi të shkonte në zyrën e tij, mbyturazi, pa i dhënë ndonjë shpjegim, por zoti Kurti nuk gjeti asgjë të pazakontë në këtë mes. Zëri i tjetrit, çuditërisht i ngjashëm me zërin e të gjithë shefave pararendës, gjashtë gjithsej në njëzet vjet, ishte gjithmonë i tepërt. Kuptohej, tjetri e kërkonte për hollësitë e daljes në pension. Këtë i tha edhe bashkëshortes, i duhej të largohej. Më në fund shefi po e thërriste për punën e daljes në pension.

U rikthye në zyrë pas gjysmë ore. Një copë herë qëndroi i ulur në karrige, përballë portretit të bashkëshortes, i pavendosur nëse ia vlente t’ia tregonte edhe asaj bisedën e tyre.

“Punë dreqi, – mërmëriti qejfprishur,- duket, dalja ime në pension nuk mund të mbyllej ndryshe përveçse me një episod, që shefi, të cilin ti nuk arrite ta njihje, ai erdhi pas ikjes tënde, e cilësoi grotesk. Në zhargonin e tij kjo do të thotë “i pabesueshëm”. Interesante përse shefi im i gjashtë kuptimin “grotesk” e barazon me kuptimin “I pabesueshëm”!

Do t’ia vlente ta diskutonim pak, por s’jam hiç në formë. Në këtë sezon një pjesë e kolegëve janë me pushime, ata që mbeten të zënë me punë të tjera dhe personi më i përshtatshëm për sqarimin e çështjes para se të tërhiqem nga detyra, mbetem unë. Kështu u shpreh ai, me fjalët “tërhiqem nga detyra” dhe jo “ të dal në pension”. Sipas tij, për një specialist si unë nuk mund të ketë dalje në pension dhe, Zot na ruaj, do të jem i nevojshëm këtu derisa të vdes.

“Më vjen keq, nuk i thashë jo, dhe mora përsipër një angari të fundit. Është fjala për një vrasje, pritet të ndodhë një vrasje. Jo e zakonshme, do të vritet një VIP… Meqë shefi e quante grotesk informacionin, domethënë të pabesueshëm, nuk dukej dhe fort i shqetësuar.

“Hedh një budalla një gur në ujë dhe mblidhen njëqind të mençur e nuk e nxjerrin dot”,- tha ai. Unë do të jem në rolin e atij që i duhet të nxjerrë nga uji gurin e budallait”! Inspektori u shkëput nga portreti i së shoqes. Nuk deshi që ajo të merrte vesh se sa i pakënaqur ndihej, ja ngaqë edhe në ditët e mbetura s’po e linin rehat, ja ngaqë në çastin e fundit, në vend të mospranimit për t’u marrë me çka i propozohej, ai qe mbyllur në një heshtje kontradiktore. Tek dëgjonte shpjegimet e shefit, i qenë rizgjuar ca vatra të vjetra, pavarësisht nga elementët karikaturë të historisë, ku binte në sy sidomos një fakt. Informacioni vinte nga një burim në diasporë, me pseudonimin “Shifra”, një informator vullnetar. Ky ishte elementi i parë karikaturës.

Pseudonimin “shifra” nuk ishte i panjohur për inspektorin, kështu quhej një personazh mafioz në një nga filmat e serisë me Xhejms Bond. Rastësia deshi që ai ta shihte CD-në me këtë film, dhuratë e një kolegu, pikërisht kur në departamentin e tyre pluskoi informatori vullnetar, të cilin nuk i kujtohej se kush, ndoshta vetë kolegu i tij, e kishte pagëzuar thjesht për t’u zbavitur me emrin e koduar “Shifra”. Çfarëdo që të ishte, sharlatan apo i sëmurë psikik, ai jepte dy të dhëna, jo aq të papërfillshme. Kohën e kryerjes së krimit, dhjetëditëshi i parë i muajit shtator. Dhe vendin e krimit, të përcaktuar saktësisht.

Këtu ndërfutej elementi i dytë karikaturë

Hoteli “Elsinor” diku në bregdet. Muaji shtator po trokiste ndërsa hoteli “Elsinor” ishte atje.

Me gjithë dyshimet dhe mungesën e dëshirës- më shumë të nervave- për t’iu rikthyer një bote së cilës ngutej t’i largohej, zoti Kurti iu nënshtrua instinktit, të zhytej për të nxjerrë nga uji gurin e budallait. Ky vërtet nuk jepte as emrin e vrasësit, as viktimën, për këtë të fundit thuhej se qenkej një VIP, e kjo e ngatërronte punën.

Aktualisht kategoria e VIP-ave shtrihej që nga këngëtarët e këngëtaret e klubeve të natës, folëset apo folësit televizivë, deri te politikanët e lartë, gjithandej përballeshe me VIP-a. Një ekuacion me shumë të panjohura, njëlloj si të kërkoje gjilpërën në një mullar me kashtë. Mirëpo “Shifra” jepte kyçin e zgjidhjes, vendin e krimit, hotelin “Elsinor”.

Në një nga ditët apo netët e dhjetëditëshit të parë të shtatorit atje, e njihnin apo nuk e njihnin njëri-tjetrin, do të përballeshin të dy, vrasësi dhe viktima.

Shifra mund ta dinte, mund edhe të mos e dinte se ç’përfaqësonte fjala “Elsinor”, pra që kështu Shekspiri ka quajtur një kështjellë mesjetarë në Danimarkë, sot e kthyer në hotel, kështjellën Kronborg, në breg të detit, ku vendos ngjarjet e tragjedisë “Hamleti”.

Zotit Kurti nuk i hynte në punë niveli i tij kulturor.

Ai njihte mirë diçka tjetër, e kjo ia ngriti mendjen qysh në fillim. Njihte legjenden e hotelit karikaturë “Elsinor”, diku në bregdetin shqiptar.

“Vend simbolikisht ideal për kryerjen e një krimi, – i tha bashkëshortes, – po kush të jetë VIP-i i shenjuar?”

*fragment nga romani
Standard

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…