Skip to main content

Tetova News

ORA - IVAR LU-JUHANSON (Suedi)

Ivar Lo-Johansson (1901 - 1990)

Fshatarja plakë ishte pikur shumë kohët e fundit.
Rrinte me orë të tëra palëvizur, padashur të dinte se ç'bëhej përreth dhe vetëm ndonjë shkëndi e rrallë që shkrepte në sytë e saj, dëshmonte që ishte gjallë.
Një ditë të ftohtë nëntori ajo po bisedonte me të birin, që kishte ardhur për ta parë.
- Në ç'vit jemi tani?
- Në një mijë e nëntëqind e tridhjetë e gjashtë.
- Po muaji, nëntor?
- Po, nënë, nëntor.
- Pesëdhjetë e dy vjet më parë u martova me babanë tënd, - tha ajo papritmas.
- Ishte pikërisht nëntor, në fund të kreshmëve. Më kujtohet mirë se blemë një kofshë derri dhe dikush na dhuroi ja, këtë shandan të madh, të shkëlqyeshëm. Në mbrëmje një i njohuri ynë, argat, i ra violinës, pa erdhën edhe dy vajza nga shtëpia fqinje. Doli tamam si dasmë e vërtetë. Yt atë ka lindur në pesëdhjetë re tetën, unë në gjashtëdhjetë e treshin - dhe që të dy në prill, an në njëzet e tetë, unë në njëmbëdhjetë. Në nëntorin e tetëdhjetë e katrës u martuam - ai ishte njëzet e gjashtë vjeç, unë njëzet e një. Para se të vije ti, këto hesape po bëja...
I biri vështronte në dritare, kurse e ëma vazhdonte të tregonte për dasmën. Korbat,  pupla shpupurisur, rrinin nëpër degët e kredhura mes mjegullës. Kaçubat e jargavanit kullonin ujë. Gjithësia sikur kishte shtangur dhe diç po përgjonte.
- Po të tregoj si jetonim ne atëherë. Për një vit punë merrnim dy kilogramë miell gruri, tridhjetë kilo miell thekre, një vozë me sardele në vjeshtë dhe dy kilo cironka të tymosura në pranverë; patatet i mbillnim vetë dhe kështu e shtynim disi. Para na jepnin njëqind krona në vit, kurse disa merrnin vetëm tetëdhjetë e pesë. Thuam ti, sa para na mbeteshin në fund të vitit?
Djali e kuptonte që duhej të thoshte një shumë të madhe, se prindërit kishin qenë shumë kursimtarë.
- Po ja, pesëdhjetë krona.
Nëna i hodhi një vështrim ngadhënjyes.
- Njëqind krona, - tha ajo dhe përsëriti me zë të lartë. - Njëqind krona! Si arrinim do të thuash? Ja se si. Ne me babanë tënd punonim sa për dhjetë. Thuajse pa pushim, natë e ditë. Natën unë vegjoja, në mëngjes milja lopët, ditën punoja në fushë. Ishim të dy të rinj, të fortë sa s'kishte ku të vinte. Njëqind krona na mbeteshin në fund të vitit!
Djali rrinte e dëgjonte dhe në mendje i ngjalleshin tablotë e fëmijërisë. Një të diel ai kishte dalë për shëtitje dhe u gjend pranë shtëpisë së një pasaniku që kishte dy vajza për martesë. Aty pranë, si paqëllim, ishin ndalur dy djemtë e pasanikëve fqinjë. Nga shtëpia, po kështu si rastësisht, doli e ëma e vajzave.
- A jeni ju, Ulof dhe Bengt? Po urdhëroni, urdhëroni! Vajzat brenda janë.
Përparësja e saj e bardhë fëshfërinte tek u printe për në shtëpi. Pas pak nga dritaret jehoi gazi i vajzave.
Kurse atë nuk e vuri re njeri!
Ai kishte parë me zili skenën e zhvilluar para syve të tij atë mëngjes të bukur vere. Atë e kishte mahnitur siguria me të cilën bijtë e pasanikëve kishin vajtur në shtëpinë e huaj dhe përzemërsia e nënës së vajzave. Dhe kishte ëndërruar për ditën kur edhe ai do të ftonte në shtëpi vajzën e një pasaniku dhe pastaj, krenar për ardhjen e saj, do ta çonte nën hijen e mollës prapa shtëpisë dhe do ta zbaviste me shaka dhe muhabet. Së fundi, do të thërriste t'ëmën. E ëma nuk do të ishte më argate e humbur. Ai do ta shpëtonte atë dhe veten nga varfëria dhe poshtërimi. «Ky është djalë! - do të thoshin fqinjët. - Argat dhe diti t'ia marrë mendjen një vajze pasaniku. Ky është djalë, jo këta të tjerët...".
Por kjo nuk ndodhi kurrë.
Ai u largua prej viseve amtare. Në jetë ai eci nëpër një rrugë të mundimshme dhe prindërit nuk e kuptuan kurrë këtë rrugë të birit të tyre dhe qëllimet e tij ishin të panjohura për ta.
Kaluan vite. Ati është përsëri pranë s'ëmës. Por jetën nuk kishte mundur ta ndryshonte.
- M'u kujtua diçka, - tha befas nëna. - Ja, e shikon orën varur atje? Nuk i kam treguar askujt gjer më sot për këtë, as tani i nuk desha, megjithëse ka kaluar kaq kohë. - Heshti për një minutë, sa mblodhi veten, dhe pastaj vazhdoi, dhe. sikur, befas, shpërtheu rrjedha e penguar prej vitesh.
- Në vjeshtën e vitit një mijë e tetëqind e tetëdhjetë e katër, në të dalë të kreshmëve, ne i kërkuam kalin fqinjit për të vajtur në Stokholm, që të blinim ca gjëra për dasmë dhe të përfundonim kontratën e punës me çifligaren. Udhëtimi zgjati dy ditë. Me këtë rast blemë edhe një orë. Me sa më kujtohet, e blemë në një dyqan të Klarabergsgatanit, pranë stacionit hekurudhor, për njëzet e një krona. Këto para i kishim kursyer për shumë kohë dhe i ruanim veçan. Në të kthyer, sipër qerres dhe orën e mbaja në duar. Por isha lodhur shumë nga rruga, më zuri gjumi dhe ora më shkau nga duart dhe ra përdhe, mu midis rrotave. Yt atë, që rrinte pranë meje, e mbajti kalin. Mua mend më pushoi zemra. Duke u dridhur e tëra zbrita në tokë dhe e ngrita orën. Ajo punonte sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Por unë isha e sigurt se, me të vajtur në shtëpi, ajo do të mbetej. Në shtëpi nuk ia ndaja sytë, as ditë, as natë. Kjo punë dhjetë vjet me radhë. Natën dëgjoja tiktakun e saj dhe gëzoheshe dhe isha e lumtur. Yt atë nuk nxori asnjë fjalë kur mua, ngordhalaqes, më shpëtoi nga dora ora e shtrenjtë. Asnjë fjalë! Dhe as e zuri në gojë ndonjëherë më vonë. I tillë njeri qe, kurse unë e shkreta jam dridhur tërë jetën nga frika se mos ajo mbetej për fajin tim. Nuk kisha guxuar t'ia thosha këtë gjë asnjeriut. Pastaj yt atë vdiq dhe mua sikur m'u lehtësua pak kjo barrë. Të paktën tani askush nuk e dinte të fshehtën time. Por tani nuk ka pse të kemi frikë më, tani mund të të tregoj ty, nuku? Ora vazhdon të punojë mirë edhe sot e kësaj dite, megjithëse kanë kaluar pesëdhjetë e dy vjet që prej asaj vjeshte, atij udhëtimi...
Djali vështronte orën e rrumbullakët të murit, të stolisur me gjethëza të zeza e të dhëmbëzuara, dëgjonte tiktakun e saj, atë tiktak që i kishte shoqëruar prindërit e tij gjatë gjithë jetës së tyre. Edhe ai vetë nën këtë tiktak kishte lindur e ishte rritur dhe aq ishte mësuar me të, sa tani nuk e vinte re.
- Njeriu nuk duhet ta mbajë kurrë në bark atë që e mundon, - tha nëna, e lehtësuar që më së fundi po shprehej.
Koha sikur e kishte humbur rëndësinë e vet. Pesëdhjetë e dy vjet vezulluan si një çast i vetëm dhe nëna po përpiqej më kot ta mbante këtë çast rrëshqitës.
Korbat e palëvizshëm ishin gjithnjë mbi degët e kredhura në mjegull.         
- Tani ti e more vesh që unë tërë jetën jam dridhur nga frika e kësaj ore. Kaq shumë trembesha, sa nuk guxova t'ia tregoja hallin askujt, - tha fshatarja plakë, dhe kjo ishte nëna, që vështronte me ankth të birin, dhe i biri isha unë. Vetëm para meje ajo e ndjeu veten më së fundi në siguri dhe vendosi të tregonte historinë e saj fatkeqe me orën.


Përktheu: Afrim Koçi

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…