Skip to main content

Tetova News

Poezia shqipe lexohet në Beograd

Serbi/ Shënime nga një koloni ndërkombëtare shkrimtarësh në Vojvodinë, vjeshtë 2013

Olimbi Velaj
Poezia mund të bëjë shumë më tepër efekt sesa çdo lloj propagande, sidomos nëse i referohet humanitetit. Qëndrimi në fund të shtatorit, në një koloni shkrimtarësh në Vojvodinë ma përforcoi këtë ide, duke ma kthyer në bindje. Shtatë ditë qëndrim në një fshat të vogël turistik, 20 kilometra larg kufirit hungarez dhe katër lexime: në Novi Sad, Loznic, Senta dhe Beograd bënë punën e tyre, duke lënë gjurmë te lexuesit e poezisë dhe te kolegët mes njëri-tjetrit. Për Lidhjen e Shkrimtarëve të Serbisë kolonitë e shkrimtarëve janë një realitet i përhershëm dhe në gjithë vendin ka aktualisht tri të tilla ku ftohen shkrimtarë vendas e të huaj për t’u dhënë mundësinë e krijimit në paqe, larg rutinës së përditshme të punës me të cilën shumë prej tyre nxjerrin jetesën. Vule Zuriç, Jelena Lengold, Aleksandër Baljak dhe Sonja Atanasijeviç ishin shkrimtarë nga Serbia, Darija Ziliç vinte nga Kroacia, Keijiro Suga nga Japonia, Viktor Kalinke nga Gjermania. Kolonia nuk ishte konceptuar tërësisht si një cep i qetë ku mund të arratiseshe nga bota për të mbetur vetëm me veten dhe me talentin tënd dhe për t’iu përkushtuar tërësisht shkrimit. Angazhimi në disa lexime, bisedat, si dhe një program i bazuar në një guidë kulturore rajonale ishin aktivitetet e tjera që ofroi kjo koloni. Në ditën e fundit secili e kuptoi se ajo nuk kishte qenë një javë e zakonshme dhe se koha e shtatë ditëve atje nuk ishte e barabartë me kohën në punën e përditshme të secilit. Komunikimi me lexues që nuk na kishin njohur më parë dhe përkthimi i teksteve në një gjuhë tjetër ishte një nga qëllimet e organizatorëve, por për secilin prej nesh kjo pritshmëri u tejkalua. Sidomos për një poet shqiptar, prania në një mjedis kulturor fqinj, por të largët në shumë kuptime, është një eksperiencë mjaft e rrallë dhe mbresëlënëse.
Në një vend të tillë, përveç përballjes me veten, një përballje e fortë ishte edhe me natyrën. Fushat e pamata në bregun më të lartë të lumit Tisza, bimësia, qetësia gati absolute dhe mungesa thuajse e përhershme e njerëzve ishin disa nga mbresat e përditshme që të shtynin më shumë drejt thellësive të qenies dhe të botës. Në diskutimet me kolegët patëm rast të flisnim edhe për rutinën e përditshme të secilit, edhe për marrëdhënien me të shkruarit. Thuajse të gjithë shkrimtarët e ftuar ishin edhe lektorë universitetesh. Profesioni i dytë në renditje ishte gazetaria. Por secili e donte fort letërsinë dhe arratisja nga rutina e punës së përditshme perceptohej nga të gjithë si një dhuratë lirie. Të gjithë shkrimtarët e ftuar kishin njohje ndërkombëtare dhe ishin të përkthyer në disa gjuhë, ndërsa disa prej tyre ishin fitues të çmimeve prestigjioze, si për shembull Jelena Lengold, e cila u vlerësua me Çmimin Europian për Letërsinë këtë vit. Dy nga romanët e saj janë duke u përkthyer në shqip dhe në pranverë do të prezantohen para lexuesit tonë.
Lexime në katër qytete
Shkrimtarët janë shpesh po aq kozmopolitë sa edhe lokalistë, por ndonjëherë këto ekstreme fqinjërojnë deri në pamundësi për t’i shquar nga njëri-tjetri. Po aq sa individë, ata janë “përfaqësues” të një letërsie kombëtare dhe prania e tyre fizike tregon shpesh shumë gjëra përtej tekstit, përtej informacioneve që mund të kenë të tjerët, sidomos ata që vijnë nga kultura të largëta. Askush nuk e përjeton pjesëmarrjen e tij të ndarë midis përkatësisë kombëtare dhe të qenët poet, por për audiencën, poeti që vjen nga një vend tjetër është njëherësh edhe përfaqësues përtej poezisë që ai shkruan.
Në leximet e javës së kolonisë thuajse secili e provoi këtë, e sidomos unë. Në natën e leximeve në Beograd, dr. Nailje Imami, lektore dhe përgjegjëse e Departamentit të Gjuhës Shqipe atje, m’u afrua dhe më pohoi të njëjtën gjë. Ajo ishte përkthyesja në serbisht e poezive shqipe të prezantuara dhe të dyja ndamë një grimë krenarie e mirënjohjeje për njëra-tjetrën, teksa lexuesit e çmuan poezinë shqipe. Nuk e kisha njohur më parë këtë lektore dhe shqiptare të veçantë dhe nuk pata shumë kohë të bisedoja siç do të doja me të, por sidoqoftë, qe kohë e mjaftueshme për të mësuar mjaft gjëra që nuk i dija. Të nesërmen e mbrëmjes, Nailja, edhe pse pas kish lënë djalin me temperaturë, më shoqëroi e më përcolli në stacion, deri në çastin kur treni u nis. Kisha vite që nuk e kisha ndier këtë afërsi dhe sajdisje, që më ngazëllen sa herë e ndesh….
Jo vetëm koha e bisedave, leximeve dhe meditimeve, por edhe koha e vizitave në muzetë dhe zonat historike të qyteteve të vogla vojvodinase dhe në qendrën e kulturës “Vuk Stefanoviç Karaxhiç” dhe performanca jonë atje, lanë mbresë tek secili. Rashko Ramadanovski, një arkeolog i ri, mjaft erudit dhe i ndjeshëm ndaj trashëgimisë kulturore, na tregoi shumë për Sentën, Loznicën dhe gjithë Vojvodinën. Leximet na përballën me një publik shumë dashamirës ndaj poezisë. Ndërsa kur artistët lokalë na ftuan një pasdite në një nga qendrat e kulturës, patëm rastin të shijonim virtuozitetin e instrumentistëve dhe të këngëtarëve vojvodinas.
Një koloni shkrimtarësh

Në fakt për një poet, mënyra e shprehjes është poezia dhe ai e mbaron “misionin” me shkrimin dhe performimin e saj. Mënyrat e tjera të shkrimit thonë gjithmonë më pak dhe ai nuk do të donte të zgjidhte asnjërën prej tyre në këmbim të një audience më të madhe se ajo e lexuesve të poezisë. Por për shumë arsye ndoshta një reportazh mund të thotë gjëra që vlejnë. Për mua ishte eksperienca e parë në një koloni shkrimtarësh. Kisha dëgjuar shpesh kolegë të mi që më tregonin për eksperienca të tilla, por tjetër gjë ishte rrëfimi i tyre dhe tjetër gjë përjetimi i njëmendtë. Një fshat i vogël, Gornji Breg, në të cilin të gjeje ndonjë gur ishte ndoshta po aq e vështirë sa edhe të kërkuarit e ujit në shkretëtirë, kishte vite që priste shkrimtarë dhe artistë nëpër shtëpizat e vogla tipike hungareze, zhytur mes pemëve, që në fund të shtatorit po rrëzonin kokrrat prej tejpjekjes dhe të vreshtave, që janë me emër. “Keni ardhur në sezonin më të mirë” – thotë Mile Stanishiç, i cili së bashku me të shoqen kujdesen për gjithë kompleksin e vogël turistik, të cilin e kanë pagëzuar “Mbretëresha e frutave”. Ata gatuajnë vetëm sipas menysë hungareze dhe në të gjitha stinët shtëpizat janë të zëna ose prej artistëve, ose prej njerëzve të pasionuar pas natyrës e sporteve. Gjatë qëndrimit tonë në fshat erdhën disa polakë me qentë e tyre, me të cilët do të garonin në një konkurs në Beograd. “Edhe në dimër ka plot mysafirë”, thotë Mileja, duke na treguar nëpër mure trofe gjahu nga grupet që vijnë aty dhe piktura e skulptura nga artistët e arteve vizive. Mejhaneja e tij është diçka midis një muzeu të vogël etnografik vojvodinas dhe një ekspozite jo aq modeste të artistëve dhe të gjahtarëve. Qeramikat: pjatat, kupat, orenditë prej druri me motive autentike hungareze nuk kanë si të të mos mbeten në mendje. Duke qenë në kufi të kulturave, Mileja di të zgjedhë më të mirën nga secila dhe te pijet ai është i kujdesshëm që të servirë të gjitha llojet e rakive, që nga shlivovica e deri tek rakia e arrës. E në trapezat e tij, më shumë se kudo tjetër krijohej atmosfera më e mirë për biseda të vërteta, joformale. Edhe pse jetojmë në një botë, e cila përditë e më shumë unifikohet prej globalizimit, përsëri të veçantat janë dominante dhe secili mund të tregojë diçka të ndryshme për vendin e tij. Por nëse disa zakone, disa veshje kombëtare, muzika popullore dhe kuzhina duket se po i mbijetojnë disi globalizmit, letërsia perceptohet si një terren ku e veçanta nuk identifikohet dot më si lokale. A mund të gjykosh dot më se nga vjen një autor, vetëm bazuar në tekstet e tij? Kjo duket se nuk është më e mundur në pjesën dërrmuese të shkrimtarëve dhe të poetëve të sotëm.
Udhëtim
Rruga për në Beograd kushton shtrenjtë, nëse je shqiptar që jeton në njërin prej kryeqyteteve shqiptare në Ballkan. Shumëkush e di se çmimet e transportit ajror Tiranë-Beograd ose Prishtinë-Beograd janë mjaft më të larta sesa linjat e tjera me kryeqytetet fqinje. Kësisoj një zgjidhje e mirë mbetet transporti tokësor. Rruga nga Mali i Zi ofron shumë, sidomos në mot të ngrohtë dhe treni mbetet një mundësi e parapëlqyer. Nga Tivari në Beograd të duhet të udhëtosh për më shumë se 10 orë, por kurdo që ta zgjedhësh kohën e udhëtimit, ai nuk të zhgënjen…
Shiu i parë i shtatorit i kishte trembur turistët dhe nëpër stacionet e afërta me detin dyndja e pasagjerëve të kujtonte kohën e dikurshme kur edhe në Shqipëri lulëzonte transporti hekurudhor. Serbët dhe malazezët nuk ngurrojnë të bëjnë pak humor me gjendjen e kabinave dhe ngadalësinë e trenit. Bisedat vijojnë pandalshëm në të gjitha stacionet afër plazheve, por mesnata i rrallon fjalët dhe pasagjerët përshtasin ndenjëset për të marrë një sy gjumë deri në mëngjes. Në një nga stacionet e vogla, dy gra të moshuara nga Beogradi hyjnë në kabinë dhe më pyesin nga jam. Unë nuk e flas gjuhën e tyre, megjithatë merremi vesh. Afër mesnatës njëra prej tyre më zgjat një batanije të hollë dhe më thotë të mbulohem, sepse janë ende shumë orë përpara dhe mund të dremis pak deri në mbërritje. Në kabinë është edhe një vajzë e vogël dhe babai i saj. Kur atë e zë gjumi, ai e rehaton në ndenjësen e vet dhe të sajën e për vete del në korridor. Afër mëngjesit këmbejmë çokollatat e korosanët. I lë mbi ndenjëse dy çokollata “Rafaelo” vajzës së vogël dhe ajo lumturohet kur zgjohet dhe i gjen atje. Së fundi në Beograd ka një reklamë për këtë produkt dhe fëmija lumturohet duke e treguar reklamën, që çuditërisht ngjan me të papriturën e mëngjesit të vogëlushes. Treni mbërrin pak vonë në stacion, ndërsa Bojani, koordinatori nga Lidhja e Shkrimtarëve është duke pritur. Nuk humbasim kohë dhe minutat nga stacioni deri në Selinë e Lidhjes i kalojmë duke bërë pak guidë në atë pjesë të qendrës së Beogradit të vjetër. Një nga ndërtesat e hershme më të larta të metropolit fqinj e ka emrin Albanija. Në fund të qëndrimit në koloni, Jelena Lengold, një mike dhe kolege me të cilën ishim njohur dy vjet më parë në Francë, më tregon “flesh”, por plotësisht Beogradin. Ajo më propozoi një shëtitje me makinë nëpër gjithë qytetin, me ndalesa të vogla në vendet që ishin më interesante. Dhe kështu bëmë, në katër orë i ramë kryq e tërthor Beogradit të vjetër e të ri, pamë lagjet rezidenciale dhe shumë nga zonat me të cilat ky qytet identifikohet.
Fonde lokale për shkrimtarët ndërkombëtarë
Paralel me krijimin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Serbisë ka nisur të funksionojë edhe kolonia ndërkombëtare e shkrimtarëve në Gornji Breg, Vojvodinë. Ideja e krijimit të saj lidhet pikërisht me mundësinë e kontakteve të drejtpërdrejta mes shkrimtarëve vendas e të huaj si dhe me mundësinë e leximeve të shkrimtarëve përballë një audience më të gjerë. Gjatë këtyre viteve, kolonia ka pasur asistencë nga Ministria e Kulturës e Republikës së Serbisë, nga Bashkia e Stari Gradit në Beograd dhe nga Sekretariati për Kulturën në rajonin e Vojvodinës. Ndërsa kriza ekonomike theksohet vit pas viti, edhe ndihma nga këto institucione po zvogëlohet. “Ky ishte viti i parë në të cilin kolonia nuk mundi të siguronte mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës, por një e papritur e këndshme e këtij viti ishte mbështetja nga Bashkia e Sentës, një qytet i vogël në veri të Serbisë, në Vojvodinë, një qytet shumë pranë kufirit hungarez”, këtë ma pohoi në fillim kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Serbisë, Vule Zuric. Ky vullnet i mirë mëton të krijojë një mundësi të re bashkëpunimi midis shkrimtarëve dhe përkthyesve në rajonin e Sentës, me botuesit dhe sponsorët në Hungari dhe me Lidhjen e Shkrimtarëve në Serbi. Gjatë ditëve të qëndrimit në Vojvodinë patëm rast të bisedonim dhe të merrnim më shumë informacion për të ardhmen e kësaj kolonie afër Sentës. Istvan Besedesz, përkthyes; Atila Juhas, zëvendëssekretar në Sekretariatin për Kulturën në rajonin e Vojvodinës; Hajnal Jeno, president i Qendrës së Kulturës Hungareze në Senta na treguan më tepër. Ata pohuan se dëshironin që kolonia të mbetej permanente për çdo vit, por ndërkohë ishin duke u angazhuar për botimin e punëve që shkrimtarët do të realizonin gjatë qëndrimit në koloni, ose pas këtij qëndrimi. Leximet në publik në qytetin e vogël, si dhe fillimi i botimeve të secilit autor pjesëmarrës, njëkohësisht edhe në hungarisht ishin ndër qëllimet e autoriteteve të kulturës vendase dhe pritet që për vitin 2014 ato të realizohen.

Popular posts from this blog

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…