Skip to main content

Tetova News

Prof. Dr. Wilfried Fiedler - Një jetë për albanologjinë

Prof. Dr. Wilfried Fiedler është një nga albanologët më të njohur të kohës sonë, e gjithsesi më i rëndësishmi në hapësirën gjuhësore gjermane të këtij gjysmëshekulli. Ai merret intensivisht me studimet e gjuhës shqipe.

I lindur më 1933 në Oberfrohna të rrethit Chemnitz, pas përfundimit të studimeve për sllavistikë në vitin 1955 Wilfried Fiedler filloi punë si asistent shkencor pranë Institutit të Kulturës Popullore të Akademisë së Shkencave në Berlin. Në këtë kohë ai filloi të merrej edhe me gjuhën shqipe për të marrë pjesë në ekspeditën e përbashkët etnografike gjermano-shqiptare të etnologëve Erich Stockmann dhe Ramadan Sokoli që u zhvillua në vitin 1957 në Shqipëri. Pas kësaj ekspedite në Gjermani u botua studimi “Këngët e Çamëve” tekstet e të cilave, u përkthyen në gjermanisht nga prof. Fielder. Pas kësaj ekspedite gjatë së cilës Fiedler u mor intensivisht me gjuhën shqipe, ai iu përkushtua albanologjisë.
Gjithnjë me gjuhën shqipe
Në vitin 1959 Fiedler u bë docent për gjuhën shqipe në Universitetin Humbold të Berlinit dhe nga viti 1968 bashkëpunëtor shkencor i Institutit të Gjuhësisë së Akademisë së Shkencave të RDGJ-së. Ai aty drejtoi deri në vitin 1989 bashkë me dr. Oda Buchholz Sektorin e Balkanologjisë.
Në vitin 1989 ai pasoi si profesor i Albanologjisë në Universitetin e Mynihut, prof. Martin Camaj. Pas daljes në pension në vitin 1998 prof. Fiedler vazhdon të punojë si profesor i jashtëm për gjuhën shqipe pranë Universitetit të Jenës në Institutin për Studimet për Evropën Juglindore.
Prof. Fielder është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Lista e tij e botimeve përmban veç monografive monumentale për Shumësin në Gjuhën Shqipe dhe Sistemin Foljor të Buzukut edhe mbi 150 artikuj shkencorë nga fusha e shqipes dhe e gjuhësisë ballkanike.
Në fokus të vëmendjes së tij nuk ishte vetëm shqipja e sotme për të cilën ai ka shkruar së bashku me Oda Buchholz edhe një gramatikë deskriptive, por edhe fazat e ndryshme të zhvillimit të gjuhës shqipe nga lashtësia dhe të marrëdhënieve të saj me gjuhët ballkanike. Një vend qendror në studimet e tij zë edhe gegërishtja e autorëve të vjetër shqiptarë.
Gramatika e shqipes
Puna që e bëri më të njohur studiuesin Fiedler është vepra e përbashkët me Oda Buchholz Albanische Grammatik, Berlin, 1987, në të cilën sistemi gramatikor i shqipes së sotme vështrohet në tërë gjerësinë e tij: në fonologji, në strukturën morfologjike dhe në fushën sintaksore.
Prof. Dr. Rexhep Ismajli thekson se në këtë gramatikë “bie në sy qëndrimi risimtar në raport me gramatologjinë për shqipen në shumë aspekte të shqyrtimit të çështjeve morfologjike, sidomos në sistemin e foljeve. Vështrimin e morfologjisë së shqipes e cilësojnë konsideratat për format dhe varietetet në gjallninë e shqipes së sotme dhe në kompleksitetin që presupozon vështrimi i integruar formal dhe semantik, përfshirë edhe aspektet pragmatike. Në fushën e sintaksës kjo Gramatikë është gjithsesi e rëndësishme dhe prijatare për shumë aspekte. Duke u mbështetur në traditat e dëshmuara të studimeve gramatikore për gjermanishten, autorët kanë ditur të integrojnë në veprën e tyre për shqipen jo vetëm aspektet formale e semantiko-pragmatike në fushat e morfologjisë, jo vetëm në vështrimet sistematike sintaksore, po edhe rezultatet e vështrimeve teorikisht të ndryshme të studimeve linguistike nga gramatologjia tradicionale e shekullit XX nëpër vështrimet funksionale e strukturale e deri tek vështrimet e hershme gjenerative.”
Shqipja e hershme
Libri i W. Fiedler-it 'Sistemi foljor i gjuhës shqipe të Gjon Buzukut' është mo­nografi e gjerë dhe gjithëpërfshirëse dhe na çon kështu në fazat më të hershme të shqipes së shkruar. Në të janë shqyrtuar në mënyrë të detajuar të gjitha aspektet e sistemit foljor të gjuhës shqipe te libri i parë i botuar “Meshari”. Ky në fakt është hulumtimi i parë sistematik i këtij lloji i një segmenti të strukturës gjuhësore të Buzukut. Format foljore janë shqyrtuar nëpër tri shtyllat semantike-sintaksore të temporalitetit, aspektualitetit-akcionalitetit, modalitetit-emocionalitetit. Në këtë vepër kemi një trajtim të gjithanshëm për tërësinë e sistemit foljor të shqipes së Buzukut.
“Monografia e W. Fiedler për foljet në veprën e Buzukut pasqyron shkallën më të lartë të njohjeve për këto çështje në fushën e albanologjisë dhe, pas veprës themelore të E. Çabejit, më të rëndësishmen në këtë fushë. Me të begatohet ndjeshëm buzukologjia dhe studimi i sistemit foljor të shqipes në tërësi.” – vlerëson prof. Dr. Rexhep Ismajli.
Në Kosovë është botuar në vitin 2006 vepra 'Die Pluralbildung im Albanischen', që paraqet versionin për mbi tri dekada të ripunuar të disertacionit të tij të doktoratës, e që është në fakt përshkrimi më i plotë i shumësit në gjuhën shqipe. Këtë studim të gjerë, sistematik e të gjithanshëm e shoqërojnë mbi 70 harta dialek­tologjike për tërë hapësirën e shqipes në Ballkan. Mund të thuhet se kjo vepër paraqet një model studimi nga ky aspekt i vështrimit të çështjeve të strukturës së sotme të shqipes, një vepër që studimet albanologjike nuk do të mund ta anashkalojnë në të ardhmen.
Vështrimi ballkanistik
Studimet e profesor Fiedlerit për aspektet tipologjike të shqipes kanë vlerë të dorës së parë si nismëtare në këtë fushë. Sa i përket vështrimit ballkanistik, mund të thuhet po ashtu se atë e shquajnë ide të reja, sidomos me zhvendosjen që synon të bëjë nga vështrimi areal drejt syzimit tipologjik.
Njohës i thelluar i shqipes së sotme, profesor Fiedler me bashkëpunëtorët e tij të zellshëm, ndër të cilët shquhet Buchholz, ka bërë dhe vepra shumë të dobishme për komunikimin midis dy kulturave: bashkë me Oda Buchholz dhe G. Uhlisch, ai bëri Fjalorin shqip-gjermanisht, i cili, me 30.000 fjalët dhe me pasqyrimin kryesisht të shqipes pas normimit të vitit 1972, me shumë shprehje idiomatike e begatime të natyrës stilistike, të shoqëruar me një gramatikë relativisht të plotë, që pati katër botime në ish-Republikën Demokratike Gjermane. Pas bashkimit gjerman ai u botua në serinë e Langenscheidt. Prof. Fiedler ka hartuar në bashkëpunim me Adrian Klosin edhe një fjalori gjermanisht-shqip me 45.000 fjalë dhe me rreth 20.000 frazeologji botuar në vitin 1997.
Studime të dorës së parë
Profesor Fiedler dhe Oda Buchholz kanë dhënë ndihmesë thelbësore jo vetëm për studimet e gjuhës shqipe por edhe për bashkëpunimin kulturor gjermano-shqiptar. Kështu përveç veprimtarisë si gjuhëtarë, ata kanë edhe meritën e përkthimit në gjermanisht të një sërë veprash të letërsisë shqipe nga Shqipëria dhe Kosova, ndër të tjera “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” dhe Novelat e Ismail Kadaresë, romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, poezi të Ali Podrimes, Tregimet shqiptare dhe Antologjinë e poezisë shqipe të Kosovës. Vetë Fiedleri ka përkthyer në gjermansht edhe Palimpsestin e M. Camajt etj. Në këtë mënyrë prof.Fiedler dhe Odda Bucholz janë edhe nga ndërmjetësuesit e rëndësishëm të kulturës shqiptare në Evropë. Prof. Fiedler është marrë gjithashtu edhe me përkthime në gjermanisht nga gjuhët sllave, baltike dhe nga hungarishtja.
“Me kundrimet frymëgjatë, me gjerësinë e njohjeve gjuhësore – nga gjuhët gjer­manike tek sllavet e baltiket, tek romanet e greqishtja e hungarishtja, me thellimin në hulumtimin e fenomeneve, me këmbënguljen në respektimin e realiteteve gjuhësore, ai ia ka dalë të na japë një sërë studimesh të dorës së parë” – vlerëson prof. Rexhep Ismajli.
„Fiedler shquhet edhe me tiparin e bashkëpunuesit të zellshëm me të tjerët. I urtë, pu­nëtor i heshtur, miqësor e kërkues në punë, profesor Fiedler i ka lehtësuar kontaktet në bashkëpunimet kulturore midis dy popujve tanë dhe në situata të vështira të Gjermanive të ndara e të Shqiptarive të ndara.“ – thekson prof. Rexhep Ismajli.
Aktualisht prof. Fiedler po punon për një studim të krahasuar të sistemit gramatikor të gjuhëve ballkanike, në qendër të së cilës është gjuha shqipe në raportet e saj me gjuhët e tjera të Lidhjes Gjuhësore Ballkanike./dw

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…