Skip to main content

Tetova News

Ragnarök - Horge Luis Borhes


Imazhet në ëndrra, shkruante Coleridge, figurohen që nga impresionet që intelekti ynë do t’i quante shkaqe; ne nuk e ndiejmë tmerrin sepse na është fanitur një sfinks, ne ëndërrojmë një sfinks me qëllim që të shpjegojmë tmerrin që ne ndiejmë. Nëse kjo gjë është e vërtetë, si mundej një kronikë e thjeshtë e formave të saj të transmetojë shtangien, triumfin, panikun, tmerrin dhe gëzimin që ndërthuren së bashku në ëndrrën e natës? Unë do të orvatem të plotësoj atë kronikë, megjithatë; ndoshta fakti që ëndrra përbëhet veçse nga një skenë e vetme mund të fshijë ose zbutë vështirësinë thelbësore.
Vendi ishte Kolegji i Filozofisë dhe i Letrave; ora, ndajnatë. Çdo gjë (siç ndodh shpesh në ëndrra) ishte paksa e ndryshme; një zmadhim i lehtë i shndërronte gjërat. Ne zgjodhëm autoritetet; unë do të flisja me Pedro Henríquez Ureña, i cili në jetën e zgjimit kishte vdekur para shumë vitesh. Papritur, ne ishim të shtangur nga një zhurmë e fuqishme e demonstruesve ose e muzikantëve të rrugës. Që nga Nënbota ne dëgjuam thirrjet e njerëzve dhe kafshëve. Një zë klithi: Ja ku po vijnë! dhe më pas: Zotat! Zotat! Katër a pesë persona u shfaqën që prej turmës dhe zaptuan podiumin e auditorit. Çdonjëri duartrokiste, duke qarë; ishin zotat, duke u kthyer pas një syrgjynosjeje prej shumë shekujsh. Duke u përvijuar më të mëdhenj sesa jeta ndërsa qëndruan mbi podium, kokat e tyre të hedhura nga pas dhe gjokset e shtyra përpara, ata me arrogancë e morën homazhin tonë. Një prej tyre mbante një degë (e cila i përkiste, pa dyshim, botanikës së thjeshtë të ëndrrave); një tjetër, me një gjest gjithëpërfshirës, zgjaste një dorë e cila ishte një putër kafshe; një nga fytyrat e Janusit shihte mosbesues nga sqepi i përkulur i Thoth-it. Ndoshta të emocionuar nga duartrokitja jonë, një prej tyre, nuk mund ta kujtoj se cili, shpërtheu në një kakarisje triumfuese, çuditërisht të hidhët që ishte gjysma gagaritje e gjysma fërshëllimë. Nga ajo pikë, gjërat ndryshuan.
E gjitha filloi me dyshimin (mbase të tepruar) që zotat ishin të paaftë për të folur. Shekujt e një jete të egër fluturimi e kishin atrofizuar atë pjesë të tyre që ishte humane; hëna e Islamit dhe kryqi i Romës kishin qenë të papajtueshëm me këta ikanakë. Vetullat enxjerra, dhëmbët e zverdhur, mjekra e rrallë e një mulati ose e një kinezi dhe lafshët kafshërore ishin testamentet për degjenerimin e linjave Olimpiane. Veshjet që ata kishin nuk ishin prej atyre të një varfërie të hijshme dhe të ndershme, por më së shumti të një luksi kriminal të një strofulle kumari të Nënbotës dhe të shtëpive me reputacion të sëmurë. Një gjak ngjyrë karafili rrodhi nga vrima e një kopse; nën një xhaketë të shtrënguar dikush mundi të dallonte konturet e një thike. Menjëherë, ne e ndjemë që ata po luanin trompën e tyre të fundit, që ata ishin dhelparakë, injorantë dhe mizorë, si grabitqarë të rritur, dhe nëse ne do të lejonim veten të dridheshim nga frika ose keqardhja, ata do të mbaronin duke na shkatërruar ne.
Ne nxorëm revolverët tanë të rëndë (papritur në ëndërr na u shfaqën revolverët) dhe me ngazëllim i vramë zotat.
Përktheu:Neli Naço

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…