Skip to main content

Tetova News

Revista letrare kineze, çmim për Ndue Ukaj

Ndue Ukaj, për KultPlus ka thënë se ky çmim i ka sjellë një ndjesi të mirë. “Ishte ndjenjë e mirë, për faktin se ky vlerësim vjen nga një vend i largët, si Kina, në një konkurrencë ndërkombëtare dhe tjetra, për arsye se e gjithë kjo bëhet pa ndonjë konkurs. Në mesin e poetëve tjerë, kishte emra të mëdhenj të poezisë botërore, prandaj emri im krahas tyre, më bëri të ndjehem sigurisht mirë”, ka thënë Ukaj

Revista letrare ”The International Poetry Transation And Research Centre”, që botohet në Kinë, në shumë të gjuhë të botës në ndarjen e çmimeve për poetët më të mirë, përkthyesit, kritikët..., në kategorinë e poetëve më të mirë ka përzgjedhur edhe poetin kosovar, Ndue Ukaj, në mesin e shumë poetëve botërore si: Athanase Vantchev de Thracy (France) Fakhira Batool ( Pakistan) Spiros K. Karamountzos (Greece) Ndue Ukaj (Sëeden) Nan Ou (China) Shujaat Hussain (India) Helen Bar-Lev (Israel) Changming Yuan (Canada) Tariel Chanturia (Georgia) dhe Nnamdi Desmond Asiegbu (Nigeria).
Në këtë përzgjedhje të poetëve më të mirë në nivel botërore, poeti shqiptar, Ndue Ukaj, paraqitet si shtetas suedez, pasi autori është shtetas suedez.

Ndue Ukaj, për KultPlus ka thënë se ky çmim i ka sjellë një ndjesi të mirë. “Ishte ndjenjë e mirë, për faktin se ky vlerësim vjen nga një vend i largët, si Kina, në një konkurrencë ndërkombëtare dhe tjetra, për arsye se e gjithë kjo bëhet pa ndonjë konkurs. Në mesin e poetëve tjerë, kishte emra të mëdhenj të poezisë botërore, prandaj emri im krahas tyre, më bëri të ndjehem sigurisht mirë”, ka thënë Ukaj. 
Përzgjedhja e poezive të Ukajt si poezitë më të mira në vitin 2013, në këtë magazinë letrare, ku janë përfshirë edhe 9 poetë të tjerë, ka rezultuar, pasi që autori ka publikuar përgjatë vitit poezi në dy numra të kësaj reviste, në kinezisht, anglisht dhe suedisht. 
“Nuk ka pasur ndonjë konkurs, por editorët e revistës, për çdo vit bëjnë përzgjedhjen e poetëve, kritikëve dhe përthyesve më të mirë, që botohen paraprakisht në revistë”, ka thënë Ukaj, që për të e bënë edhe më të fuqishme çmimin, për faktin se nuk ka konkurruar por është përzgjedhur nga vetë editorët e revistës. 
Më poshtëm disa poezi të Ndue Ukës të botuara dhe të shpërblyera në revistën letrare ”The International Poetry Transation And Research Centre”,/KultPlus

Ndue Ukaj

Odiseu modern

Përmes ëndrrës bën dashuri me Penelopën, 
Rruga për në Itakë është me e gjatë se distanca
Mes ëndrrës e realitetit...aty ku shpërthen 
Shikimi i lodhur n’kërkim të Itakës
Dhe fjalës: u ktheva në folenë e traditës 
Tek këneta plotë kujtime 
Të cilave ju bien lulet e njoma 
Dhe marrin ngjyrën e vjeshtës. Dhimbshëm.
Shkelet nëpër to, si nëpër humbëtirë.
Pa pushim i zgurdullon sytë e zvogëluar 
Sytë e lodhur, t’venitur nga kërkimi i përjetshëm. 
I molepsur zbret shkallëve të kujtesës
Dhe shpalos faqet e nostalgjisë. Sa mall!
Rrugëve të botës i kryqëzohet kërkimi i hutuar 
Teksa i mallëngjyer kërkon një cep tokë për shlodhje
I tërbuar nga barka e jetës që tundohet
Valëve të kujtesës, e i tretet si bryma n’diell
Odiseu s’vdiq në antikë. 
Në prehrin e Penelopës prehet 
Me malin e kujtimeve që i veniten, 
Sa herë që Troja digjet. 
Dhe Penelopa në dritare vizaton pritjen 
Pritjen e madhe sa përjetësia.
Dhe shkronjat e kësaj poezie 
Që zgjatin klithmën deri në qiell.

Emigranti
Ai ka vetëm pyetje, përgjigjet i ka të ndrydhura 
Në gjepat e ndotur me nostalgji të betonuar. 
Ai ka vetëm kujtime që i sillen rreth qafës
Si guri i mullirit e tundin një hapa para e disa mbrapa.
Në ujëvarën e rrëmbyeshme e frushkullon kujtesa 
Dhe ja rrëmben kohën që s’e sheh kurrë.
Kohën që vetëm e ëndërron netëve pa fund.
Ai s’është njëri nga ata, nën qiellin plot furtuna, 
Ku ec, ku ha, ku bën dashuri e lutet.
Atdheu i shpendëve është qielli
I peshqve deti
I emigrantit është pikëllimi
Që i shumëfishohet si retë kur tërbohet qielli.
Në rrugët e panjohura, përkund nostalgjinë
Dhe kërkon njëshin në zerot e pafundme. 
Testamenti i Odiseut i digjet në dorë, 
E gacat i kallin flakë si rrezet tropikale.
Në Itakën e munguar hedh shikimin 
Mbrëmje e mëngjes rropatet.
Ai shtegton rrugëve të pikëllimit
Dhe mbulohet me jorganin e Tokës së Premtuar, 
Dhe çdo natë ëndërron të njëjtën ëndërr. Kthimin në njësh. 
Teksa oaza e shkretëtirës ja thith dëshirat, kujtimet.
Emigrantit kjo dhembje e madhe.
Me thesin e pikëllimit bredh rrugëve të shpresës.
Pret vendime mu ba njësh, në zerot e pafundme 
Çdo ditë e presin të panjohurat në pyllin e dëshirave
Ku i prehet shikimi i butë dhe pritja e thellë. 
Si zog i mërdhirë kërkon folenë e shpresës. 
Dhe mbulohet me jorganin e Tokës së Premtuar.
(Frymëzuar nga Romani i Milan Kundera-s: “Injoranca”)
 
Godo nuk vjen

Është furtunë, rruga nga Irlanda është e pakalueshme
Deti nuk kalohet me hapa të vegjël, netëve me shi
Kur vetmia t’ përpinë si toka e plasaritur nga tërmeti 
Kur dhembja s’ka kohë as deshifrime shkencore. 
Godo nuk vjen, është vonë...pritja e ka molepsur
N’ gjumë të rehatshëm, përkund ëndrrat e mia, ëndrrat e tua. 
Ai s’vjen nën Pemën e Jetës as në teatrin e çudirave
Bën gjumin e pritjes që se kupton koha jote... koha jonë.
Ti e pret, si nusja dhëndrin në shtratin e braktisur, 
E ëndërron krahëhapur me ta sjell thesin e mbështjell me ëndrra
Ku ti fut duart butësisht, si nëpër flokët e dashura... prehesh aty
Dhe lyp ëndrrën tënde, që ngatërrohet nëpër gishtërinjtë e gjatë. 
Papritur një pickim ta shtang trupin, dora fluturon nga thesi.
Ti fshin ballin dhe kupton: Godo s’erdh, as shikimi i tij enigmatik.
Prapëseprapë s’ bindesh se ëndrra jote u fut në thes.
U lidh nyje e përjetshme si ardhja e Godosë.
Si vetëtima kalon përtej lumit të fjalëve që ec furishëm 
Si hapat e tu nëpër ëndrra plotë çudira. Aty ku janë rojet e kohës
Që bajnë zhurmën e jetës në ëndrrën e pritjes. 
E ti kultivon shpresën se Godo megjithatë do të vjen. 
Jo, Godo nuk vjen, jo...!
Ti qanë, qanë furishëm sa lotët të çelin një përrua
Mes mollëzave tua dhe rrjedhës së tyre pa cak. 
Ku tiktaket e zemrës ndjehen sikur hapat e të panjohurit
Në natën e zezë si futa kur troket hidhërimi
Në të cilën edhe Godo do të merrte në thua dhe përplasej keq.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…