Skip to main content

Tetova News

Riza Lahi, ike dhe kuptuam sa vend bosh ke lënë tek ne!

Nga Raimonda MOISIU

Ka momente në jetën e përditshme që shumica prej nesh e ndjejnë veten të lëkundur mes mendimeve dhe ndjenjave kontradiktore në udhëtimin e lumtur e të trishtë të jetës. Shumica prej nesh pa marrë parasysh atë që ndjejmë e shprehim, janë duke ecur në paqartësitë dhe të papriturat e natyrshme në qeniet e gjithkujt,duke ecur mes dritës e errësirës, mes jetës e vdekjes. Askush nga ne nuk e di se çfarë do të ndodhë nga një moment në tjetrin, apo si e qysh do ta përballojmë e përjetojmë atë çast gëzimi apo hidhërimi. Ky është një moment i pashmangshëm për gjithsecilin nga ne. Dhe kjo është mëse e vërtetë!Ka gjëra në jetë që ndodhin krejt papritur dhe ndryshojnë rrjedhën e jetës mes të bukurës e së përditshmes njerëzore, na krijohet ndjesia e një realiteti që do të na duhet të ekuilibrojmë përpos gjendjes shpirtërore edhe përjetimin e dhimbjes, pikëllimit, humbjen e njerëzve më të dashur, të familjes e shoqërisë. E pra vijnë ato çaste në jetë që të prishin paqen shpirtërore!Kjo më ndodhi edhe mua në ditën e fundit të vitit që sapo kaloi – 31 Dhjetor 2013! Lajmin ogurzi se kolegu dhe miku im më i mirë, që në respekt të kësaj miqësie të bukur dhe eternale, të pastër e të përzemërt, e thërrisja kryemiku im, i miri e i mrekullueshmi Riza Lahi – ishte ndarë krejt papritur nga jeta duke pirë kafen e mëngjesit te lokali modest poshtë pallatit të tij,-ma dha mikja jonë e përbashkët Kozeta Zavalani. Unë, Rizai dhe Kozeta, kjo treshe e pandarë dhe simpatike që do të na shikoje gjithmonë duke ecur në rrugët e Tiranës, apo te Bar Europa, te Bar Mondiali apo te Pjaca në qendër të Tiranës -duke tymosur cigaret e duke rrufitur kafetë, bisedonim e diskutonim, ku thelbi i bisedës ishte Letërsia! Ashtu të tre krah për krah me Rizain ecnim në rrugicat me kalldrëm të Korçës, -në Kosovë, Prizren e Prishtinë, Vlorë e Durrës, Shkodër dhe Sarandë, Strugë e Ohër, Pogradec e Shën Naum, në evenimente letraro-artistike,me libra ndër duar, me sytë që na shkëlqenin, me dashurinë e respektin ndaj njëri tjetrit dhe për librat, realitetin mbresëlënës që mbart në vetvete magjinë e ndryshimit e të shpresës, surprizën e këndshme në kërkimet origjinale për të mëkuar ëndrrat e së ardhmes, që gjithsecili nga ne dëshiron të arrijë në rrugën e krijimtarisë. Ishim një kombinim perfekt që shënonte thellësisht tre intenditetet vitale e të virtytshme në personalitetin tonë: Miqësinë, Bashkëpunimin dhe ndanim së bashku Mjedisin Krijues Letraro-Artistik, si forca e mendimit të lirë, ashtu si e ndjenim dhe e perceptonim. Jam akoma nën ethet e traumës e tronditjes shpirtërore për humbjen e vëllait tim të ndjerë Vilsonit, dhe fillimisht atë fjali nga Kozeta “motër nuk më bën zemra të ta them, por Xakja na la sot në mëngjes”, e morra si lajthitje momentale apo shaka të mikes sonë –kur unë para dy orëve pata marrë mesazhin e urimit të Vitit të Ri 2014 nga miku im i shtrenjtë Rizai. Por jo vetëm kaq! Kishte raste që me batuta të ngrohta bënim lojë fjalësh me “vdekjen” mes nesh, pra batuta lajthitje poetësh mes vedit, nën fishkëllimën e serenatave korçare e jareve shkodrane ndër buzë. Shpesh i thoja Xakes me shaka: “Kur të vdesësh ti unë do të këndoj serenatat e Korçës, dhe do t’i vendos të gjitha CD-të e Mihallaq Andreas në varr”, sepse ai gjithmonë ishte në humor, gaz, hare, këngë dhe fishkëllente serenatat korçare. Buzagazi dhe hokatari babaxhan Xakja qeshte me të madhe dhe ma kthente: “Ndërsa unë do të këndoj jaret shkodrane, do të sjell shportën e argjendtë me trëndafila dhe një kuti të madhe me unaza, me vargjet: “10 unaza po t’i nap/ që çdo gisht ta ban zap! Ne ishim aq shumë të lidhur me njëri tjetrin sa bashkëshortja e Rizait – Afërdita, sa e pa Kozetën që hyri në dhomë, vazhdoi të qarat duke i thënë Rizait; “Ngrehu ore Riza se të ka ardhur Kozeta dhe Monda…jo i thashë, Monda është përtej oqeanit në Amerikë, dhe nuk mund ta besojmë dot këtë të papritur kaq të hidhur. Ishte e para dhe e vetmja herë që Rizai qëndronte i heshtur, shtrirë, me sytë mbyllur përgjithmonë dhe nuk na priste me buzëqeshjen e shakatë e tij, që janë gdhendur në kujtesën tonë, përjetësisht”-më shkruante Kozeta në Facebook. Kur më erdhi mesazhi i dytë nga miku ynë -Dilaver Goxhaj, që më konfirmonte vdekjen e Kryemikut tim, –atëherë tronditja, hidhërimi dhe dhimbja te unë nuk njihte kufij.Mes kujës e ngashërimit me duart që më dridheshin i telefonoj mikut tonë të përbashkët, por që me Rizanë e lidhnin detyra e pilotit dhe ajo e krijuesit, shkrimtarit Agim Bacelli – të parit në Amerikë që i jap lajmin ogurzi. Mundoheshim të qetësonim njëri-tjetrin po ishte e pamundur. Ja si shprehet Agimi për atë çast klithjesh shpirti dhe therje zemre: “Ka pakë minuta që përmes lotëve e klithmës më mori në telefon Raimonda duke më dhënë lajmin ogurzi, Xakja s’është më! Për momentin s’desha ta besoj dhe e mora si një shaka apo edhe lajthitje momentale, siç lajthitin poetët. S’e besova pasi Riza Lahi më thoshte shpesh duke qeshur, të qeshja që të më zgjatej jeta…”. Klithi shpirti i Merita Bajraktarit McComarck –vajzës korçare shkrimtares e aktivistes së “Vatra” që Rizai i kushtoi romanin ”Serenatë korçare në New York”: “Uau….e pamundur….e pabesueshme…nuk mund ta besoj lajmin……oh, sa keq më vjen, sa s’ka ku të vejë…jam shumë e tronditur… ngushëllime dhe lutje.. …RIP Riza …..God loves you…… Klithnim vetën klithnim! Ishte klithmë dhimbje shpirti që dukej e vështirë për ta kuptuar në brendësi të emocioneve e shpirtit tim të plagosur dy herë brenda një kohe të shkurtër. Ishte klithmë e shpirtit njerëzor, klithmë për të njohur dashurinë e trishtimin, klithmë që çau qiellin e ngriu diellin, klithmë dhimbje që kapërceu Atlantikun dhe sakaq ngriti urën jetike mes shpirtit dhe ikjes së heshtur e të lehtë të Riza Lahit dhe klithmave të bijës e djalit të tij, nipërve dhe bashkëshortes, me klithmat e dhimbjes e “shock” –ut që lajmi ogurzi të mos ishte i vërtetë, – të mijra e mijra miqve e mikeshave, kolegëve e kolegeve, dashamirësve të krijimtarisë së shkrimtarit Lahi, të njohurve e të panjohurve, të atyre që e kishin njohur realisht dhe virtualisht, në rrjetet sociale, vecmas në Facebook,-kudo në botën e ndjeshme të trojeve shqiptare. “Shok”-u ogurzi që pësuan në prag të Vitit të Ri bëri që bota ndali frymën për një çast! Gëzimi e helmi janë motër e vëlla! Gjithsecili për një çast u shkëput nga tavolina e Vitit të Ri, klithma vaji e elegjie përfshirë edhe lotët e syve të tyre mbi tastierën e kompjuterit apo të telefonit, që ishte e pamundur t’i kontrollonin, mbuloi Facebook-un, mediat online – Nuk ka mundësi të ketë vdekur poeti! Jooo nuk ka vdekur Riza Lahi! Por jo, gjëma pati ndodhur- Xakja ynë kishte vdekur- pas gjysëm ore që ai në FACEBOOK-dërgoi urimin e Vitit të Ri, gjithë miqve, kolegëve dhe dashamirësve të tij. Klithi në vaj bota e publicistikës që Rizai e donte dhe shkruante aq bukur, ndjeshëm e profesionalisht. Klithi shpirti i Dilaver Goxhaji sapo dalë nga spitali mbas dy bypass-eve, që pati kaluar: “Me vjen keq që ky vit i vjetër mbaroi duke na marrë përgjithmonë Rizanë tonë të mirë e të talentuar. Por nuk kemi çfarë të bëjmë, veç zemrën e fortë.” Veç Facebook, edhe mediat, gazetat online po jepnin klithmën për ndarjen para kohe nga jeta të mikut e kolegut të tyre të shtrenjtë që me buzagazin dhe të qeshurën, fjalën e mençur, dashurinë njerëzore, që e falte pa kursim i kishte bërë për vete të gjithë. Rizai, ai shkodrani i mirë e babaxhan, atdhetari i mirë, pasionanti i letërsisë, poeti, prozatori, publicisti, përkthyesi pasionant i poetit Iranian Xheladin Rumiut që ja kishte rrëmbyer zemrën, qytetari dhe intelektuali që mes lavdisë e penës së tij nuk harroi kurrë të vinte mjeshtërinë e krijimtarisë së tij artistike, letrare dhe shpirtërore, por edhe modestinë e një heroi të heshtur që me penën e tij përcolli vlera, kurrë nuk shkroi për vete-gjithmonë për të tjerët. Figura të shquara të letrave shqipe klithën, ngushëlluan e shkruajtën në të njëjtën kohë. Shkrimtari Fatmir Terziu shkruante që në hyrje të shkrimit: Shuhet Riza Lahi! Miku i disa krijuesve, poeti dhe publicisti Riza Lahi ka ndërruar jetë. Dhe kështu njeriu që rendi pas penës vite e vite me radhë, por edhe pas yjeve si një pilot i hershëm shqiptar, sot ka një udhë memorjeve tona..E thjeshtë, e kuptueshme, … një shportë për brezat…, vepra e Riza Lahit. Dhe sinqerisht duke njohur shpirtin, zemrën dhe karakterin e këtij njeriu-ideplotë mendoj se duhet përgëzuar e përgëzuar…I qoftë dheu i lehtë dhe me një përshpirtje të thellë ndjejmë edhe peshën e lotit për të, për poetin e fikur pa u ndjerë.” Ndërsa publicisti i njohur në dy kahjet e Atlantikut dhe Kryeredaktori i Gazetës Dielli-SHBA- Dalip Greca, ishte i pari që do të jepte lajmin e dhimbshëm në faqen e parë të gazetës:“Është një lajm tronditës për mikun tim Riza Lahi! Ngushëllime familjes!Në prag të Vitit të Ri, në Tiranë, ka ndërruar jetë nga një goditje në zemër shkrimtari Riza Lahi. Ishte vetëm 63 vjec. Riza Lahi ka lindur në Shkodër në 16. 01. 1950. Për 30 vjet ka shërbyer si pilot në Forcat Ajrore, gazetar në shtypin ushtarak, si dhe pranë zyrës së OSBE – së në Tiranë. Përveç çmimeve letrare të fituara në nivele të ndryshme në Konkursin Kombëtar 1994 ka fituar çmimin e parë të letërsisë për fëmijë. Pjesë nga veprat e tij janë botuar në SHBA, Greqi, Rumani, Maqedoni, Kosovë, Iran, dhe së fundi në Indi. Lahi është anëtar i Shoqatës Botërore të Poetëve. Ai la pas 35 vepra letrare. Redaksia e Diellit ngushëllon familjen Lahi për këtë humbje të pazëvendësueshme. Shkrimtari Petraq Risto i tronditur dhe thellësisht i hidhëruar nga ky lajm shkruante: “ Një poezi e Riza Lahit në mesazh në Facebook Tani vë re dy vargje tronditëse “Pashë që kisha marrë rrugën qorre/ Për te tabuti im. Shkrimtari e poeti Petraq Risto i dedikoi poezinë elegji. Ja disa vargje:
Gabim! Gabim Riza Lahi! Gabim!
E lamë të pimë kafe me zemra poetësh
Dhe jo me filxhanin tënd Hidhërim
Gabim! Gabim miku im! Gabim!..

Dhimbje e mall pikëllim e hidhërim për shkrimtarin me fytyrë nga dielli i të gjithëve e më këmbë në tokën e Atdheut, do të shkruanin miku  ingushtë shkodrani tjetër poeti i shquar i vargjeve lirike shqiptare Kolec Traboinime pyetjen e dhimbshme: SI MUND TË IKET KREJT KËSHTU? Ja disa nga vargjet e poezisë elegjike:
Si mund të iket krejt kështu
pyesin të gjithë në këtë Vit të Ri
nuk shtyhet festa pa buzëqeshje
buzëqeshjen që na e sillje ti…

Vargjet elegjike do të shkruanin, shkrimtari Përparim Hysi, poeti i njohur i vargjeve lirike shqiptare, Prof. Vangjush Ziko, Poeti Luan Xhuli, mik i ngushtë i Rizait do e vajtonte me vargjet:
Flamur i shpirtit tënd të zjarrtë,
që të shpuri në qiell,
do të të zbresë prapë
në aeroportin e zemrës,
që na e le të zbrazët.
Me trishtim e dhimbje shprehet  poeti e shkrimtari çam, Namik Selmani, në një shkrim të gjatë, që ai ka publikuar, Dhimbje pikëllim e mall nëpërmjet vargjeve dhe ngushëllimeve do të shprehnin anëtarët e Forumit të Klubit të shkrimtarëve korcarë-Bota e Re, për humbjen e ndarjen parakohe e të papritur të Riza Lahit, si Kostaq Duka, Alfred Papuciu, prof Murat Gecaj, Fatjon Pajo, Fiqiri Shahinllari, Ligor Prifti, Lida Lazaj,Lirjan Visari Edmond Shallvari e dhjetra e dhjetra të tjerë.
“Ajo e panjohura, Vdekja, si duket nuk falka kërrkënd…
Le të jesh njeri i mirë sa të duash!
Ja, Rizai zemërmadhi iku, Xakja i të gjithëve iku…papandehur u iku të gjithëve, menjëherë…
Atyre që e kanë njohur u duhet kështu të bëhen edhe më njerëzore seç ish padyshim Ai…!
E vështirë ta kapërcejmë dhimbjen në elegjinë e Përparimit…U prehtë në paqe!-do të shprehte dhimbjen e tij shkrimtari Faruk Myrtaj. Shkrimtari shqiptaro-amerikan nga Qeparoi Petraq Pali do të vargëzonte dhimbshëm:
“Do të kujtojmë Riza, se do të na kujtojë kënga
 Do lexojnë brezat në Prozat e Tua, të ëmbla…
Gjallë do të jesh, në breza në vite…
Edhe poetesha dhe publicistja Iliriana Sulkuqi mike e Xakes për 40 vjet –pësoi një “shok” tronditje shpirtërore e mes lotëve e ngashërimeve gjithmonë me fjalët: “Nuk e besoj, nuk është e vërtetë të ketë vdekur ai hokatari babaxhan ai eruditi dimensional! Ngushëllim, Ngushëllim ……Ja si u shpreh Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve vlonjatë, ”Petro Marko”, shkrimtari Myrteza Mara: Tek Riza Lahi të gjithë do shikojnë pasqyrën e dijeve, guximit, kulturës, artit dhe letërsisë, miqësisë dhe dashurisë për njeriun, punën! Ngushëllime familjes, duke iu lutur të mos harrojë se këtë dhimbje e ndan edhe me ne, miqtë e njohur e të panjohur nga afër të Rizait! Dhe vazhdon gjatë gjatë me qindra, qindra mesazhe ngushëllimi, nga tërë bota shqiptare, kudo në botë ku ka shqiptarë, që nga toka mëmë e deri në Skandinavi e Australinë e largët, mesazhe ngashërimi e ngushëllimi nga Luigj Shkodrani, Mihal Puleri, Agim Kelmendi, Agron Shele, Riza Pajollari, Miltiadh Davidhi, Vasil Tabaku, Qazim Myska, Viktori Xhako, Gëzim Ajgeraj, Albert Zholi miku i tij i ngushtë që nuk reshtte së shkruari për Xaken tonë, Vladimir Bizhga, Eleonora Gjoka, Neil Ruci, Mimoza Selimi, Kleopatra Skarco Dokle, Mark Simoni, Genci Cobani, Luan Kalana, Jorgjeta Gjanci, Thoma Duka, Ibrahim Egriu, Laureta Petoshati, Baxhul Merkaj, Xhemajl Rudi, Bashkim Kozeli, etj,etj, etj,.

Postscriptum

Riza Lahi është shkrimtar tejet i rëndësishëm e shumëprodhimtar në fushën e krijimtarisë; prozë, poezi, tregime, esse, përkthime e publicistikë. Riza Lahi ka dalë nga radhët e forcave ajrore me gradën e nënkolonelit, pilot, gazetar në shtypin shqiptar dhe zyrën e OSBE-së Tiranë. Pjesë nga veprat e tij janë botuar në SHBA, Greqi, Rumani, Maqedoni, Kosovë, Iran, dhe së fundi në Indi. Riza Lahi i paarritshmi, erudit e intelektual e guximtar i fjalës së lirë jepte ngado shëmbullin më pozitiv-duhet të konsiderohet e kujtohet gjerësisht si një prej shkrimtarëve më të njohur, i cili në sajë të erudicionit të tij shumëdimensional do të bëhej një nga figurat më të shquarat ë letërsisë e publicistikës Shqiptare të gjeneratës së tij. Krahas punës së pilotit, shkrimtari, poeti dhe eruditi Riza Lahi u përqendrua plotësisht në aspiratat letrare e pasionin e tij për letërsinë, publicistikën e përkthimin. Libri që është konsideruar si një nga kryeveprat letrare të kohës është romani mediatik “Vorri i Ashikut” (600 faqe) që pati një vlerësim të jashtëzakonshëm nga kritika e kohës dhe u ribotua disa herë, në të cilin autori ka vazhduar linjën e tij të të shkruarit – atë klasike, me personazhe të gjallë, karaktere të vizatuar mjeshtërisht, duke shpalosur jetë sa më shumë. Shpalosja e menjëhershme dhe shpeshherë brutale e skenave nga realiteti shqiptar, i ngjan breshërimave të një arme zjarri që vetëm godet në shenjë dhe nuk të lë të marrësh frymë – siç do t’i pëlqente ky krahasim autorit. Është autor i romanit “Serenatë korçare në New York”, librave me publicistikë “Marathonomaku nga Shkodra libër që trondit me Lavdinë Shkodrane”, monografinë “Piloti i katër Presidentëve”, autor i disa vëllimeve “Donosaurët e Fundit”, libra me poezi, tregime, publicistikë, essedhe letërsi për fëmijë. Riza Lahi është përkthyesi pasionant që ka sjellë në shqip që më pëlqen ta krahasoj densitetin e tij të përkthimit të perlave të poezisë botërore asaj persiane e iraniane të Xheladin Rumiut, të Forugh Farrokhzad dhe Lirika Dashurie të Sulltanëve, me puthjet pasionante të një dashnori të përlotur.Ka përkthyer Francis Ledvige edhe shumë poetë bashkëkohorë nga më të njohurit në ditët tona. Në një vështrim të përgjithshëm 35 veprat e botuara të tij evidentojnë personalitetin e shkrimtarit, poetit, publicistit, eruditit dhe intelektualit Riza Lahi, ku gjejnë vend e hapësirë personazhet, jeta jonë e përditshme, sfida dhe absurdi i jetës, dashuria dhe paradokset sociale, pra bashkëjetesa e udhëtimit të lumtur e të trishtë të jetës.
“Muzgu, i zbehur nga dashuria, po përkëdhelë krrelat e kaltra të Bunës, ndërsa ajo nuk e ka mendjen; ajo po mërmërin duke perënduar sytë, jare Shkodrane… Kushedi se ç’ka parë brigjeve të veta gjatë vajzërisë së përjetshme kjo Bunë …!Është e vetmja që di të ruajë intimitete shpirtërash; nuk ia tregon askujt, vetëm Rozafës, askujt tjetër më. Buna po shkon anës këmbëve tona e bollshme, e qetë. Ajo di të marrë me të mirë ëmbëlsisht sy njerëzish të dërrmuar nga streset… Ke dëshirë këto minuta vetëm të vështrosh ujërat … Vetëm të heshtësh. Fërshëllima shumë e lehtë e ujërave, ngjan si një korale engjëjsh. Sigurisht që engjëjt kanë zërin e tyre. Ky zë duhet të ngjajë shumë me mërmërimën e ujërave të Bunës nëpër muzg. Është zëri i birit të Shkodrës Loce që e donte aq shumë Atë dhe Bunën, Atë dhe Rozafën-Është zëri i të pavdekshmit Riza LAHI –që prej 1 Janarit 2014 –ë, ai prehet në Amëshim! U prehsh në Paqe Kryemiku im! Ike dhe kuptuam sa vend bosh ke lënë tek ne.
Amen!

Kush ishte Riza Lahi

RIZA XHEVDET LAHI
16.10.1950 -31.12.2013
Lindur në Shkodër më 16.10.1950, ndërroi jetë më 31.12.2013 në qytetin e Tiranës.
1998 – 2007 ka punuar në OSBE–ODIHR
2000 – 2002 Gazetar profesionist në shtypin ushtarak
1970 – 2000 Oficer – pilot i klasit të dytë në FA
1977–79 Shkollë filozofie
1968–1970 Shkolla ushtarake e aviacionit
-Ka kryer disa kurse kualifikimi brenda dhe jashtë vendit gjatë kohës që ka qenë pilot. Autor i 31 librave dhe publicist. Është ftuar disa herë jashtë atdheut si shkrimtar dhe gazetar.
-Ka dhënë kontribut të pandërprerë në çështjen e romëve duke mos patur asnjë lidhje gjaku me ta apo interesa materiale.
-Ka qenë anëtar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë”, i Bordit drejtues së “Shoqatës Botërore të Poetëve” (World Poet Society – WPC)dhe i Anëtar I Kongresit të “IWAA” (Shoqatës Botërore të Shkrimtarëve dhe Artistëve)
-Ishte anëtar i “Albanian – American Academy of Arts and Sciences“. Krijimtaria dhe shkrime të tij janë botuar në Sllovaki, Greqi, SHBA, Indi, Iran, Itali, Kosovë, Ceki, Zvicër, Koreja e Jugut, Maqedoni e ndokund tjetër.
-Fitues i disa çmimeve të niveleve lokale dhe kombëtare, zv President i ansamblit folklorik “Shqiponjat” dhe në stafin drejtues të revistës kulturore “Obelisk”.
-Shkruante pandërprerë në shtypin e përditshëm dhe ruante me kujdes pozicionin e shkrimtarit të pavarur.
-Në vitin 2102 është çertifikuar me diplomë nga IWAA – Shoqata Botërore e Shkrimtarëve dhe Artistëve
-Kontributet në letërsi – Poezi për të rritur dhe fëmijë, tregime për të rritur dhe fëmijë, shqipërime poetike , artikuj kritikë , esse dhe romane.
-Riza Lahi ka punuar për tridhjetë vite pilot në Forcat Ajrore të vendit, dy vite gazetar në shtypin ushtarak, si edhe, disa kohë në OSBE. Tematika që ai ka rrahur më shumë në prozë dhe publicistikë është ajo e aviacionit, ngjarjeve heroike, dramave të njerëzve të ndershëm e të dëshpëruar dhe e çështjes kosovare. Në poezi ushtronte më shumë lirikat, poezinë meditative dhe atë luftarake; operonte me vargje të rregulla dhe të lira. Ka mbajtur gradën ushtarake të nënkolonelit.

Veprat e botuara

Tregime, përralla për fëmijë
“Legjenda e Zerdelisë”, 1985
“Ledia në një natë me hënë” 1995
“Aventurat e rosës Monda” (Shqipërim nga E. Bosse) 2001
Vëllime me poezi gërshetuar me tregime
“Kosova, e fejuara ime”,1994
“Drenica, qeleshja kosovare”, 1998
“Trëndafilë” 1996
“Trëndafila nga Tirana”2009
“Hannibal Antes Portas” – poems and stories in English and 8 other languages – Tirana, 2011
Tregime
“Engjëjt me krahë duralumini”, 2000
”Fluturime mbi qilimin persian”, 1998
“Nën hënën e Ulqinit”, 2001
“Ylli që sheh mbi sheshin “Skënderbej”2001
Romane
“Të shtunën në mesnatë në një yll”, 1997 – roman për fëmijë
“Vorri i Ashikut”, në katër volume – 2005
“Serenatë korçare në Nju Jork” 2009
Biografi artistike
“Një violinë në Panteonin e Orfeut”2008
“Dinosaurët e fundit” 2003
“Maratonomaku nga Shkodra”, 2008
“Piloti i katër presidentëve”
Shqipërime
“Poezi për fëmijë nga vendet anglishtfolëse“(dy vëllime) – 2006
“Në shiun e argjendtë” (vëllimet e mësipërme, botuar në një të vetëm, në Republikën e Maqedonisë) 2005
“Mbrëmë i pëshpërita një Ylli” – Poezi të zgjedhura nga Xhelaludin Rumi 2002
“Fluturoi qielli nga cepi i velit tim” – poezi të zgjedhura nga F Forughazd 2006
“Golgota shqiptare” nga Leo Freundilch, 1990
“Ikja masive” nga Hans Peter Rulmann 1997
“Engjëlli i Mostarit” nga Sally Becker 2000
“Nuk ka engjëj në këtë botë” nga Sally Becker 2007

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…