Skip to main content

Tetova News

RIZA LAHI, ”POETI BOTËROR”

Nga Luan Çipi

Duke qenë i moshuar 80 vjeçar, ashtu si po ikin vitet, po marrin me vete në amshim dhe shumë nga shokët e mi të fëmijërisë, për të lënë pas, kujtime të papërsëritshme dhe mall e dashuri të pashuar.

E si mund të harrohen Minella Kostandini i gëzueshëm e tepër optimist, Llambi Kona këngëtar e buzagaz, Nuro Bodua, aq i ri dhe punëtor i palodhur, Refit Hoxha aq i mençur, Vaso Suli i ditur, Pëllumbi Çipi shkencëtar, Nexhat Mersini dijetar, Murat Bani aq i ëmbël e shoqëror dhe Sezai Hoxha i urtë e i pa fjalë. I kujtoj të gjithë dhe herë pas here flas me ta, ndaj edhe kam shkruar sa e si kam mundur për secilin, duke gdhendur si në gur me vuajtje e mundim, portrete, kujtime e ndodhi dobi prurëse.
Siç kam bërë unë për shokët e vjetër kanë bërë, me durim, dhimbje e përkushtim edhe kolegë të tjerë, paçka se dikush shkruan me nënvleftësim për ta, mandej edhe duke i quajtur vetëm “punëtorë të thjeshtë të shkrimtarisë”, kur për mua ata janë kthyer në shkrimtarë e specialistë të mirëfilltë, në historian të jetëve njerëzore e në skalitës të modeleve, që duhet ndjekur nga të gjithë. Kjo më duket e natyrshme dhe e dobishme: Të shkruash për shokët do të thotë edhe të jesh mirënjohës ndaj tyre dhe të kërkosh ndjesë qoftë dhe për gabimin më të vogël, të paevitueshëm në të gjallë.
Jo për shokët e fëmijërisë, po çdo shok i vërtetë, në jetën dhe marrëdhëniet e përditshme, shpesh bëhet si pjesëtar familje, si vëlla e si motër. Dhe duket kjo ndihet më fort kur ai, të lë.
Kështu më ndodhi mua me Riza Lahin, shkodranin më tepër se simpatik: Isha prej gati një muaj në Kanada për vizitë te Lindita, bija ime, që banon prej shumë vitesh familjarisht atje. Po aty kishte ardhur nga Amerika, për festat e fundvitit 2013 dhe djali im, Kamani me dy djemtë e tij çamarrok 7 dhe 3 vjeçar. Po lundroja në internet, kur një lajm i befasishëm, i kobshëm më thotë se, papritur në fundviti Riza Lahi vdiq. Nuk me besohej. Thash do jetë ndonjë shaka budallai, siç edhe ka ndodhur me të tjerë. Kur lajmi u konfirmua nga disa burime, mua vetvetiu më pushtoi një dëshpërim i thellë, që ma morri burrërinë dhe më mbyti në lot. Isha në katin e tretë dhe zbrita në të dytin dhe nuk po guxoja t’i hapesha gruas time, Hanëmes, që dhe ajo, mësuese letërsie, e kishte dobësi të veçantë gazmorin e këndshëm shkodran. I pavetëdijshëm, duke qarë dhe “rrahur” veten, ulem në një kolltuk i rrethuar nga gjindja që përpiqej më se e alarmuar, të më qetësonte. E mblodha veten, më së fundi, i përqafuar nga duart e Lukasit, nipit tim 3 vjeçar, që as shqip nuk di, po që më përqafonte dhe më puthte instinktivisht dhe diçka fliste pa pushuar anglisht për të më qetësuar. E pash që po përcillja dhimbje të pamerituar dhe te fëmijët e vegjël, ndaj e mblodha veten nga të qarët, për mos t’u qetuar më tej nga dëshpërimi për ditë e muaj. Pas do orësh ulem në kompjuter dhe vetvetiu me dalin fjalë e kujtime të dhimbshme për poetin e dashur:

PO QAJ PER TY, RIZA LAHI

Kam ikur larg në Kanada
Dhe po këtu e morra kobin
Poeti pilot, Riza Lahi, na la.
Unë qaj e qaj, s’e mbaj dot lotin.

Po, edhe dje u lidha me të
Më tha “s’ndahem nga Rumiu dot
Në Shqip po e sjell, me tjetër zë
Dhe ndjej sikur po flas me Zot”.

Dhe fët e fët dy strofa nisi
Përkthyer me mund, gjer natën vonë
“Ta dish Luan, kur ta bitisi
Rumiu do flas me gjuhën tonë”.

S’arriti dot deri në fund
Fluturoi të fliste vet me Rumiun
Si ai,”poeti i botës”, u mund
Nga dhimbja, ankthi dhe dëshpërimi.

Si bien dot më Romët trumbetave,
Po hesht këngëtari i kanconetave
Ne shokët, te Dita, si do të vemi?
Pa Xaken tonë, ne kot që jemi.

Po qan Prishtina, Prizreni, Tetova
Shkodra, Tirana mbytur në lot
Poetin botëror, e gjithë shoqata
Po e vajton, kudo në botë.

Të përkthyera në disa gjuhë,
Kudo lexojnë veprat e tij,
Ku dallohen të njëjta gjurmë:
Mall, heroizëm, respekt, drejtësi.
Otava-Kanada 31.12,2013
Po, ç’kisha unë me Riza Lahin nga Shkodra, unë, një vlonjat, si mijëra të tjerë? Po, kisha dashuri të ndjerë për një poet, tregimtar, romancier, eseist, kritik letrar e shoqëror, përkthyes, pilot, shkodran. E ku kishte tjetër si Xakja, një shok e vëlla i ditur e i shkathët, që të falte dashuri, shpirt e zemër?
Kisha vite që isha njohur në Tiranë me gjitonin e lagjes, që shpërndante buzëqeshje me çdo kalimtar, të palodhurin e lëvizjeve me biçikletën e tij dalëboje dhe që e ndaloja e përshëndetesha e bisedoja çdo ditë. Mandej e përfshiva dhe në grupin tonë prej kafepirësish vlonjatë, ku ai u lidh e u pëlqye shumë dhe që shkroi me dashuri fjalë zemre për ta, sa te Gazeta “Labëria” e gjetiu.
Rizain, e mirë, ma kishte njohur e afruar piloti tjetër simpatik, Shefi i Skuadriljes se Helikopterëve te Emergjencës se Ministrisë së Shëndetësisë, Osman Kushta. Ai më dha dhe librat e Riza Lahit, që unë i lexova shpejt dhe që më bën shumë shpejt rob të tij, për ta vlerësuar atë pa kufi. Edhe gotën e parë të rakisë bashkë, të tre, e pimë, me shumë dëshirë e krenari, se unë pilotët trima, si çdo vlonjat tjetër, i kam “dobësi”. Po, jo vetëm kjo, Rizai, kjo vlerë e madhe letrare kombëtare, i bënte “të dobët” të gjithë, deri Romët, paraplegjikët, gratë e dhunuara, vlonjatët, korçarët, struganët, prizrenasit, tiranasit dhe sidomos shkodranët. Nuk është rastësi që dhjetëra poet të emigracionit, diasporës dhe të vendit, derdhen lot të sinqerta përvëluese këto ditë që ai na la.. Qarjes së tyre të dhimbshme, me poezi, ese dhe përkushtime të rralla për nderim, vlera e bukuri, u priu Raimonda Mojsiu, Kolec Traboini, Përparim Hysi, Fatmir Terziu, Zenepe Luka, Vangjush Zyko, Kozeta Zavalani, Eleonora Gjoka, Murat Gecaj, Vullnet Mato, Namik Selmani, Xheladin Çelmeta, Luan Kalana, Luigj Shkodrani, Tereskina Pereira (Kryetarja e Shoqatës së poetëve të botës, ku Xakja ishte anëtar aktiv dhe i shquar), Maki Çanolli, Vitori Leka, Drita Binaj, Venka Capa, Mina Caushi, Lavdim Dushi, Tahir Tanushi, Agim Disku, Zyba Hysa, Kostaq Duka, Alfred Papuçiu, Fatjon Pajo, Fiqri Shahinllari, Ligor Prifti, Lida Lazaj, Ilirjan Visari e dhjetëra të tjerë, (që u kërkoj falje).
Ç’ka është edhe më shumë dhimbje e peng për mua, si mik e koleg i Riza Lahit, me të cilin kam korrespondencë të bollshme të rezervuar, është se ne komunikuam (edhe pse ato ditë isha shumë larg), deri në ditën e fundit të jetës së tij, më 30 Dhjetor 2013. Ai, ndihej sa i lodhur edhe i entuziazmuar për punët e fundit në përkthimin e Rumiut, po edhe ngaqë preokupohej e shqetësohej njëkohësisht për shumë funksione e detyra të tjera studimore, organizative e deri redaktoriale, që patjetër e mbingarkonin dhe njëkohësisht e stërmundonin.
Ditët e fundit të dhjetorit 2013 unë i dërgova një punën time, “kritikë për një kritik”. Personalisht kisha disa vërejtje për një “kumtesë shkencore” të një simpoziumi shqiptarësh në Amerikë. Rizai që u prononcua e ish dakord me mua, mandej edhe më i avancuar në debat, me urtësinë dhe zemërgjerësinë e tij më përgjigjet: “Jo vetëm unë, që kam detyrime personale dhe të rekomanduara për “shkencëtarin”, po edhe për ty, nuk jam dakord të shkruash. Ai, si njeri me vlerë që është, do ta kuptoj vetë që është nxituar…Dhe unë nuk shkrova dhe kundër natyrës time të ngurtë, mbajta dhe mbaj amanetin e tij.
Komunikimi i fundit, ku këmbyem urimet për vitin e ri 2014 ishte data 30 dhjetor 2013. Ku e dija unë se e nesërmja ishte vetëm në pak orë, dita e fundit e jetës së tij plot veprimtari e krijimtari?
Në atë ditë të fundit, kur unë komunikoja direkt në Facebook, nga Kanadaja dhe nga dritarja shihja vetëm bardhësi bore, u puqa së fundi me shpirtin e bardhë të mikut tim të pazëvendësueshëm 63 vjeçar (i mbushte vetëm pas 15 ditësh).
Ai pikërisht datë 30 dhjetor 2013 kishte lexuar një poezi timen, botuar te “Fjala e Lirë” ku i këndoja mjedisit me borë, që kishte pushtuar si asnjë herë tjetër gjithë Kanadanë dhe Xakja i ëmbël përgjigjet, po me vargje kështu:
Nga dëbora që ka plasur
paska qarë kanadezi
këndej, vera është qasur,
këndon pula nga qymezi.

Andej ruspa dhe traktorë,
pëllëmbë toke s’duket kund,
këndej – burra me xhaketa
dhe vajza me minifund.

Atë që benë qeveria
Pa pushim për kanadezët
e benë dielli i natyrës
dimrin, verë për albanezët.

gëzuuuuuuuuuuuuuuuuaaar
XAKJA
30 Dhjetor 2013

Kështu e donte gëzimin dhe harenë (gëzuuuuuuuuuuuuuuuuaaar) Xakja ynë i dashur, të zgjatur, për të gjithë, po ja që na hidhëroi dhimbshëm me vdekjen e tij të parakohshme, të gjithëve, përjashtuar organet shtetërore dhe shumë organe të shtypit e televizive, që duket u gjetën të befasuar dhe ndofta me preokupime të tjera, po gjithsesi, jo në vendin dhe lartësinë e duhur.
Qoftë i paharruar kujtimi i “poetit të botës”!

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…