Skip to main content

Tetova News

Shkrimtari dhe politika

Nga Ilirian Dahri


Djathtas apo majtas? Një pyetje që ka vënë në mendime në fillim vetë shkrimtarët, pastaj kritikën letrare për të përfunduar me lexuesit e thjeshtë.  Njeriu i kulturës në përgjithësi duhet medoemos të jetë në një llogore apo tjetrën? I respektuar në njërën anë dhe i urryer në krahun tjetër? Edhe në vendin fqinj të Italisë këto pyetje mbi shkrimtarin dhe politikën janë ngritur shpesh, madje, përveçse në botimet e kritikës letrare apo në faqet e gazetave janë botuar dhe ribotuar libra të ndryshëm. Një prej tyre, Furio Jesi, në vitin 1979, në veprën e tij “Kultura e djathtë” shkruante për një sërë shkrimtarësh, filozofësh dhe intelektualësh duke u rrekur t’i klasifikonte sipas orientimeve të tyre politike. Për një hop, këto lloj përkufizimesh do të ishin më të sakta (por vetëm në dukje!) nëse do të kryheshin për kulturën dhe njerëzit e letrave të  vendeve të ish – bllokut komunist  sepse për vendet perëndimore kjo çështje nuk do të ishte kaq e thjeshtë dhe kjo vlen edhe për letërsisë italiane. Një letërsi që deri para pak vitesh përqendrohej në disa vlera që kishin lidhje me traditën, lirinë, drejtësinë, kulturën por edhe me revolucionin. Një shkrimtar, një filozof apo një intelektual konsiderohej i djathtë sepse në veprën e tij trajtonte të shkuarën, por vetëm disa vite më pas do të konsiderohej i tillë edhe ai shkrimtar që do të zëvendësonte të shkuarën me të ardhmen. “Një kulturë, pra, që bëhej me autoritet, me sigurinë mitologjike rreth normave të dijes, të mësimit, të komandimit dhe të bindjes” – shkruante Furio Jesi. Në shkrimet e tij, Furio Jesi fliste për një “makinë mitologjike” që ishte në gjendje të ushqente një ideologji të djathtë. Një kulturë e djathtë në përgjithësi që nga e kaluara fillonte të kthehej për t’u shndërruar në të tashme. Nëpërmjet proceseve të përpunuara të mitologjisë dhe të riteve antike, hera – herës enigmatike, gjithsesi të lidhur me mitet themelore si progresi dhe historia. Vetë Jesi e shpjegonte makinën e tij ideologjike duke cituar Osvald Spenger: “E vetmja gjë që lejon qëndrueshmërinë e të ardhmes është ajo trashëgimi e baballarëve tanë që ne kemi në gjak: ide pa fjalë”. Citohej libri “Muzgu i Perëndimit” i Osvald Spengler  sepse ai ndodhej në shumicën e bibliotekave publike dhe private të kohës, madje dhe Tomas Man në një letër që i dërgonte një mikeshe të tij (në vitin1922) kishte vënë re se: “E ndiej që rreziku i madh, magjia e madhe e një njerëzimi të lodhur nga relativizmi dhe dëshira e zjarrtë për absoluten është obskurantizëm i çdo forme, dhe unë jam besnik me mjeshtrit e mëdhenj të Gjermanisë, (si) Gëte, dhe Niçe, që dinin të ishin antiliberalë pa i lejuar sadopak  asnjë lloji obskurantizmi dhe pa ulur në asnjë mënyrë arsyen dhe dinjitetin njerëzor. Siç shihet nuk i kam kthyer shpatullat Niçes, edhe pse, natyrisht, heq dorë nga majmuni mendjehollë i tij, zoti Spengler”. Janë koncepte që qarkullonin dhe qarkullojnë ende në shoqërinë perëndimore, koncepte që kanë të bëjnë me absoluten dhe obskurantizmin dhe në të njëjtën kohë me rrezikun dhe magjinë dhe janë pikërisht “idetë pa fjalë” që kanë ushqyer ideologjinë e djathtë në një kohë kur: “ndërsa brigadat e kuqe, tashmë të izoluara, ngjallnin akoma terror në vend, Haidegger, bashkë me Junger dhe Shmitt, kishin pushtuar zemrat e komunistëve të penduar”.  Italiani Jesi ishte i vetëdijshëm për këtë kur shkruan se: “Pjesa më e madhe e pasurisë kulturore, madje edhe për atë që sot nuk kërkon që të jetë i djathtë, është tepricë kulturore e të djathtës”. Po pjesa tjetër ishin ata që në letërsinë italiane njihen shpesh edhe si shkrimtarë që shkruanin për mos të thënë asgjë? Kishim të bënim me një zhvillim të politikës kulturore të drejtuar nga Partia komuniste italiane? Ja seç i shkruante një i ri italian, në vitin 1962, njeriut të letrave, Pier Paolo Pasolinit: – “Jam 30 vjeç. Prej kohësh ndiej nevojën të veçohem nga komuniteti, të jetoj gjithmonë dhe më shumë larg nga njerëzit; madje të arrij deri aty, sa të urrej, dhe brenda meje të vuaj. Vuaj edhe sepse e di që e gjitha kjo nuk është e drejtë. Por sidoqoftë, unë jam një komunist, një njeri që beson tek progresi dhe ëndërroj një botë civile dhe moderne. Pse më  ndodhin të gjitha këto? Dhe, mbi të gjitha, si të shërohem?” – përfundonte letrën e tij 30 vjeçari italian nga qyteti i Lukas.  “Të jesh marksist, - përgjigjej njeriu i letrave, Pier Paolo Pasolini - sot, në një vend borgjez, do të thotë të jesh akoma borgjez. […] Fëmijëria e tyre, formimi i tyre, kushtet e tyre të jetës, raporti me shoqërinë, janë akoma dhe objektivisht borgjeze. ‘Ekzistenca’ e tyre është borgjeze, edhe pse ‘ndërgjegjja’ e tyre është marksiste. Ndërprerja e raporteve normale me të tjerët, lindja, si mit, e vetmisë dhe e urrejtjes: janë të gjitha simptomat e kësaj sëmundje borgjeze. Sidoqoftë nëse komunizmi nuk kufizohet së qeni vetëm si një ide e thjeshtë, një zgjedhje politike, një shpresë, një besim, por shndërrohet edhe në kulturë në kuptimin e plotë  dhe integral të fjalës, atëherë mund të jetë me të vërtetë edhe terapeutik, madje edhe parandalues, kundër sëmundjeve, të llojit tënd: kundër sëmundjeve mendore të mëdha apo të vogla”. Në një tjetër letërkëmbim, të titulluar “Fashizmi si drogë” i përfshirë gjithashtu në librin “Flamujt e bukur” (të botuar nën kujdesin e Xhan Karlo Ferretit, në Romë botim i vitit 1996), një i ri nga qyteti i Xhenovës shkruan se: “Unë doja të vija në dukje se parimet, Zot, Atdhe, Familje, që ju i quani ‘tabu’ janë themelet në të cilat mbështetet çdo shoqëri njerëzore, përfshi edhe atë komuniste. Ka të ngjarë që dikush t’i shfrytëzojë këto vlera, por ato ekzistojnë pavarësisht Fiatit, Pirelit, apo ku ta di unë. Fashisti që ka rënë për idealin e tij të atdheut nuk ra për Fiatin, Montekatinin, Pirelin, kështu si nuk dua të besoj që komunisti rus i rënë për atdhe ka vdekur vetëm për t’i shërbyer interesave të një klike sunduese. Duke arsyetuar në këtë mënyrë, nga ana tjetër, mbërrijmë në përfundimin llogjik se nuk ja vlen të vdesësh për asnjë ideal”. Në përgjigjen që kthen përsëri njeriu i letrave, pasi jep “këshilla” mjekësore, pasi shkruan se tashmë është kthyer në një antistalinist, përgjigjet se: “Dhe shiko se askush nga ne nuk është kundër atyre që ju i quani parime themelore dhe që ekzistojnë në çdo strukturë. Vetëm se ne  duam një Atdhe ku mos të ketë shfrytëzues dhe të shfrytëzuar, ku klasa drejtuese mos të drejtojë në emër të hipokrizisë dhe të cinizmit, në korrupsionin më të madh administrativ; ne duam një familje ku të drejtat e burrit dhe të gruas të jenë të barabarta”. Në këtë rast kemi të bëjmë me shkrimtarë që shkruajnë për të mos thënë asgjë apo me njerëz të letrave që ndihmonin në politikat kulturore të partive komuniste të Europës Perëndimore?

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…