Skip to main content

Tetova News

Shqipëri – kohë të vështira mbijetese për bukinistët

Ani Ruci

Për bukinistët e Tiranës kanë ardhur kohë të vështira. Ndërkohë që kriza ka tkurrur xhepat e kalimtarëve, pasigurisë për të ardhurat e ditës i shtohet edhe kërcënimi nga policia tatimore.

Nëse dëshiron të gjesh libra të rrallë, të vjetër apo që sot nuk botohen më, mjafton të shkosh në qendër të Tiranës. Në parkun “Rinia”, në rrugët, trotuaret dhe urën mbi lumin e Lanës, që lidh këtë park me lagjen e “Bllokut” gjen bukinistët e kryeqytetit. Dhjetëra- qindra libra letrarë, shkencorë, historikë, enciklopedi, metoda mësimi gjuhësh të huaja në shqip dhe gjuhë të huaja ekspozohen para kalimtarëve. Arben Kola është njëri prej bukinistëve të Tiranës që i ka vendosur librat e tij mbi njërin nga parmakët e gjerë prej betoni të kësaj ure. Nga kalimtarët e shumtë që shkojnë dhe vijnë mbi urë ka syresh që ndalojnë, lexojnë titujt, kërkojnë me durim dhe më në fund blejnë librin që duan, të tjerë largohen pa blerë asgjë.
Afrohem dhe shoh kopertinat e librave: metodë mësimi “Deutsch 1”, botuar në Tiranë në 1992, libri në gjermanisht “Helden, helfer und Genius” (Heronj, Ndihmëtarë dhe Gjeni) botuar në 1992 në Hamburg, enciklopedi, fjalorë, romani “Valë të nxehta në Berlin” i shkrimtares australiane Dimfna Kusak, botuar 1962 në Tiranë, botime të Enver Hoxhës të para 40 viteve, botime të vjetra në shqip të Balzakut, Stendalit, Gogolit, Kadaresë, Petro Markos që nuk i gjen sot në libraritë e Tiranës.
“Kam 15 vjet që bashkë me gruan time fitoj jetesën në këtë mënyrë: blej dhe shes libra të vjetër dhe të përdorur. Ka njerëz të moshuar, pensionistë që më sjellin libra për të pasur ca para më shumë se pensionet e tyre prej 100 euro në muaj, të tjerë m’i sjellin nga biblioteka të vjetra, familjar, të trashëguara brez pas brezi. Ndofta nuk kanë vend ku t’i mbajnë në banesat e tyre, ndofta kanë nevojë për para. Nuk mbetem asnjëherë pa libra të vjetër dhe të përdorur, fitoj sa për të jetuar, nuk gjej punë tjetër”, – thotë Arben Kola për “DW”.

Kur libri është i mirë dhe çmimi i lirë
Bukinistët në qendrën e Tiranës janë shtuar. Nuk gjejnë punë tjetër, nuk kanë kualifikime profesionale, por nuk mungojnë as ata që janë të apasionuar pas kësaj lloj tregtie, por edhe kur në mes futet pasioni të jesh bukinist nuk është punë e lehtë. “Më duhet të gjej libra të vjetër, të bie dakord për çmimin, të bëj parapagime për libra që mund të mos shiten, të qëndroj më këmbë nga mëngjesi deri sa ngryset për fare pak para. Ka ditë kur nuk shes asnjë libër, është kohë krize, njerëzit kursejnë për të jetuar. Fitoj 100-150 euro në muaj, me të cilat mbaj veten dhe familjen time”, – thotë Arben Kola.
Çmimet e librave në tregun e bukinistëve variojnë nga 2 deri në 10 euro, këto të fundit për enciklopedi në gjuhë të huaj dhe fjalorë. Një grua pranë meje blen për 3 euro ose 400 lekë, “Dashuri në kohë të kolerës” të Gabriel Garcia Marquez-it. Është farmaciste, quhet Marjana Krujatari, ka dy djem që studiojnë në universitetet jashtë Shqipërisë dhe që ajo i mbështet financiarisht. “Këtu gjej libra të mirë dhe me çmim të lirë. Tani në ekonominë e tregut të lirë botohen shumë, kushdo që ka para mund të shkruajë dhe botojë libra. Por jo çdo gjë që botohet ka vlera, sido qofshin ato artistike apo historike. Edhe çmimet në librari janë të kripura, sa edhe kur me pëlqen ndonjë libër i ri nuk e blej dot. Librat e rinj i shkëmbejmë mes kolegesh dhe miqsh”, – thotë Marjana.
Albani, i sapodiplomuar arkitekt, është një tjetër vizitor i rregullt i librave në parmakun e urës së Lanës. “Gjej libra shumë të mirë që nuk i gjej në librari, vij të dielave kur nuk shkoj në punë, bashkë me të dashurën time dhe gjithmonë blejmë ndonjë libër, sado që të kushtojë”, – thotë ai për “DW” Albani, i sapodiplomuar arkitekt, është një tjetër vizitor i rregullt i librave në parmakun e urës së Lanës.


Biznes pa ligj dhe rregulla, bukinistët nën kërcënimin e policisë tatimore
Për bukinistët e Tiranës kohët janë të vështira. Kriza ka tkurrur xhepat e kalimtarëve. Blerjet kanë rënë. Pasigurisë për të ardhurat e ditës i shtohet kërcënimi nga policia tatimore. Ndryshe nga vendet e Evropës Perëndimore dhe sidomos Franca ku për herë të parë, në shekullin 16-të, lindën “bouquinistet”, ku ka ligje dhe rregulla të përcaktuara për këtë biznes, në Shqipëri ato nuk ekzistojnë. Bukinistët shqiptarë nuk paguajnë taksa për hapësirën publike që zënë me librat e tyre dhe nuk gëzojnë përkrahjen e strukturave të Bashkisë së Tiranës. Policia bashkiake dhe ajo tatimore mund t’i dëbojë apo t’u konfiskojë librat për informalitet. Arben Kola nuk pranon të dalë në fotografi sepse i trembet policisë tatimore. “Mos më shkakto telashe, kam boll, më thotë, kur i them nëse më lejon t’i bëj një fotografi tek parmaku i urës, pranë librave të tij. Ndër projektet e Bashkisë së Tiranës është edhe ai për ta formalizuar tregun informal të bukinistëve. Por deri sa ajo ditë të vijë ky biznes do të vazhdojë të ekzistojë nën frikën nga tatimorët, që herë bëjnë sikur nuk i shohin bukinistët dhe biznesin e tyre, herë i dëbojnë por ata rishfaqen ditën tjetër diku në vendin publik që kanë zgjedhur për të vijuar mbijetesën të përzier me pasionin për librin./standard

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…