Skip to main content

Tetova News

TË RROJMË SHOQNISHT E VLLAZNISHT

At Anton Harapi

Lexime filozofike/ Lideri politik dhe shpirtëror, At Anton Harapi, në konferencën e mbajtur në Korçë në maj të vitit 1935, iu drejtua intelektualëve shqiptarë, ku për herë të parë ai rrëfeu jetën e krishterë, moralin, filozofinë, idealin, pse shqiptarët nuk arrijnë vëllazërimin


Jo se kërkohet prej shqiptarëve kristianë e myslimanë të jenë të gjithë Shenjtën a Pejgambera, por po deshëm të jemi komb e shtet, lypet me doemos të jemi në atë shkallë kulture njerëzore e fetare, sa mjafton të rrojmë shoqnisht e vllaznisht. Pa kulturën njerëzore, nuk jemi të pjekun të rrojmë si njerëz i e si shokë; pa kulturën fetare, besimi nuk na formon për jetë, por ma tepër na pengon.
Kam pa myslimanë edhe kristianë qi me vetëmohim mbërrijnë deri në heroizëm për të mbajtë ramazanin e kreshmët, por prejse nuk e kanë kulturën fetare, ata me atë vepër sado heroike, nuk shfaqin nji madhni shpirtnore të, cilën nuk e kanë, pse qindresa e tyren të shumtën e herës bazohet, thjesht në nji zakon, në nji traditë, i në nji moskuptim të jetës fetare qi e zhvleftëson motivacionin edhe veprën e tyne.
Nji kusht tjetër qi rrjedh prej kulturës së shpirtit asht nderimi për bindjet e të tjerëve. Po t’ia bajmë diagnozën shpirtit të shqiptarit në skajin ma të fundshëm, kemi për të gjetë këtë fenomen të çuditshëm: kush nuk mendon si unë, thotë, ai asht kundërshtari em. Ky paravendim antishoqnor shfaqet jo vetëm në lamën fetare, politike e shoqnore, por edhe deri në lamën ditunore. Më ka ra rasa për vjete e vjete të marr pjesë ndër shoqni, mbledhje, nisma e shkoqitje çashtjesh ndër shqiptarë, edhe do të thom se, me pak ndryshime e me forma ku ma shumë ku ma pak egoiste, si ndër njerëz me shkollë, kam gjetë e prekë me dorë se mjaft me tregue kush nji mendim a parim të kundërt apo edhe të ndryshëm, për me u shikue shtrembët e me u ba shenj antagonizmi e luftimi.
Shkakun e këtij fenomeni të paarsyeshëm prapë e gjejmë në gabimin trashanik, pse shqiptari edhe po të mbahet se ka kulturë, kujton se me ndjekë arsyen e nji tjetri asht dobsi. Historia e djeshme e trysnia e sotshme na e vërtetojnë këtë përbindsh të individualizmit egoistik. Për të rrojtë vllaznisht nuk lypet të mendojmë të gjithë me nji kokë, as nuk kërkohet të kemi të njejtat parime ase të jemi të pagabueshëm, por medoemos duhet t’ua njohim të tjerëve të drejtën e arsyetimit e të bindjes, po n’atë mënyrë si kërkojmë qi të tjerët të respektojnë mendimet tona. Do ta dimë se secili njeri, edhe pa dashtë, mund të ndjekë nji rrugë a nji parim të gabuem, prandej, sikurse nuk duem të na përbuzë kush ne edhe po të jemi në gabim, ashtu as na mos të përbuzim askend. Themeli i shoqnimit, prandej, edhe i harmonisë shoqnore midis shqiptarëve, qofshin edhe besimesh të ndryshme, asht në mbajtjen e sinqertë të parimit: Mos i ban kuj shka nuk don me ta ba kush ty; banu të tjerëve si kërkon me ta ba ata ty. As në këtë pikë besimet nuk pengojnë, por e kanë detyrë të ndihmojnë.

SHKAQET E DASISË
Mbasi vumë kushtet pa të cilat nuk ka si mbahet jeta shoqnore e fetare, vijmë ndër parime; E parimisht secili besim ka dogmat e veta, por dogmat nuk ndërrojnë, prandej, sikurse besimet janë të papërshkueshme me njeni-tjetrin për shkak të dogmave, ashtu besimtarët, në themel të dogmave, nuk kanë si afrohen e puqen njeni me tjetrin. E ja se dasia asht e detyrueshme, shqetësimi i domosdoshëm. Nuk ka si shkohet jeta vllaznisht. Kështu arsyetojnë ata qi besimet i kanë ferrë në sy.
Problemi i vërtetë asht i vështirë, por zhvillimin e vet e gjen të plotë ndër tri parimet qi janë:
1. Intoleranca dogmatike. 2. Toleranca shoqnore qytetare dhe 3. Toleranca shoqnore politike. Nuk e kemi shqip fjalën tolerancë por i afrohet kuptimit, me bartë, me durue, si bie fjala na durojmë e bartim (kemi tolerancë) kur na fyejnë fëmijët, i dejuni, i marri, i gabuemi, por nuk bartim, as nuk durojmë kurrsesi (jemi intolerantë) kur ndokush me të mendueme, na merr nderin.
Parimisht lypet ta kemi e ta mbajmë intolerancën teorike-dogmatike, due me thanë qi në punë të besimit secili ta mbajë bindjen për atë dogmë qi ndërgjegjja ia urdhnon për të drejtë, as mos të durojë t’i thotë tash zi e tash bardhë nji parimi, të cilin e ka për ideal të parë.
Intolerancë! Fjalë e fortë, fjalë qi nuk bartet as nuk durohet, pse nuk ban as nuk duron as sa të zit e thonit. Fjalë qi me të parën përshtypje tregon fanatizëm, mentalitet të ngushtë, regres, mosafrim në kurrnji mënyrë. Por edhe fjalë e sinqertë, e arsyeshme, e drejtë: e vetmja fjalë e mënyrë për me zhvillue problemin shoqnor-fetar. Ja edhe arsyeja e thanies seme: Nji besimtar, i cili lavdohet se besimi i tij asht i vërtetë, po nuk desh me mohue veten edhe besimin e vet kundrejt nji çfarëdo kredoje tjetër, do të përgjigjet me nji “jo” kategorike të preme.
Indiferenti fetar, prejse ai vetë nuk mban kurrnji besim përmjimend, thotë se besimet janë njinji të vërteta, si t’ishin besimet etiketa e kostume të ndryshme, të cilat vlejnë njinji për ta plotsue nji nevojë të jetës. Po qe si njena dogëm tjetra, edhe pse të kundërta, atëhere asht njinji si e vërteta si e kundërta, e po qe se Zoti i dha e i dau besimet e kundërta, atëhere Zoti asht hartuesi i gabimit, i rrenës dhe i përçamjes.
Duen me thanë se kjo intolerancë dogmatike nuk baret, nuk durohet në nji shtet, në nji popull, pse asht tepër refraktare, e ngushtë e fanatike. Për nji herë ashtu po e zamë, edhe po e vejmë për bazë të kundërtën, due me thanë tolerancën dogmatike. Në këtë themel, bie fjala, Krishti qe a s’qe Zot, Muhamedi qe a s’qe Profeti i Zotit, në këtë rasë për mue do t’ishte njipërnji; unë bart e toleroj të thohet në daç kështu, në daç ashtu: si Krishti e Muhamedi të kenë pasë punë me Zotin, si të kenë punë me djallin, si të kenë i qenë hipokritë e mashtruesa, si të kenë qenë të ndershëm e të drejtë.
Kush nuk e sheh këtë dobësi mendore e morale? Njeriu të cilit i vjen era njeri, mosbinden kurrë nuk e tregon për bindje, dhe atë për shka asht i bindun se t asht gabim, kurr nuk e pranon për të vërtetë. Kjo nuk asht vetëm nji detyrë e fetarit, por nji detyrë e secilit njeri të ndershëm e t’arsyeshëm.
N’emën të së vërtetës, pra e për hir të sinqeritetit, luftë çdo gabimi, kudo qi ta gjejmë, edhe ndër kërkimet shkencore, edhe ndër interpretimet e dogmave. Për këtë intranzigjencë ideale, shpirtnore, teorike, jemi të paditun na besimtarët, sidomos na katolikët, ndërsa këtë intolerancë e gjejmë edhe ndër njerëzit e ditunisë, t’artit e të politikës, për shka u përket parimeve të tyne., Këta, e dijmë të gjithë, se as sa çon miza në krah nuk lëshojnë në sistemin e vet porsi bazë. Këtë po e thomi në lamën parimore e ideale, pse mandej tjetër gja asht praktika si për shkencëtarë, si për besimtarë./standard

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…