Skip to main content

Tetova News

Të shpëtosh shoqërinë

RUDI EREBARA




Kur nisa të përkthej një autore si Joanne Rowling, e njohur për sagën e jashtëzakonshme “Harry Potter”, tashmë të 7 librat edhe në shqip nga “Dituria”, isha i prirë të mendoja se libri që po përktheja, “Rastësisht një vend bosh” (jashtëzakonisht i shitur nëpër botë, ashtu si të gjithë librat e kësaj autoreje), do të ishte një libër përrallor, mbushur me magji shumëngjyrëshe. Në fakt, sigurisht edhe pasi lexova shkrime e opinione të ndryshme në internet, libri doli ashtu siç në të vërtetë është: një libër realist. Realist në kuptimin e ngjarjes që trajton, përmbajtjes dhe, sidomos, të formës. Autorja angleze edhe në librat e parë e ka një qëndrim pa simethënie në formën me të cilën na hedh magjinë. Madje, fare lehtë mund të thuhet se për gjendjen në të cilën ka shkruar librin e saj të parë “Harry Potter” (“Harry Potter dhe guri filozofal”, “Dituria”, 2001) dhe përvijimin e sagës, ajo sigurisht që beson në këtë magji të rrëfimit më tepër se vërtet në magjinë e magjistarëve. Por ajmé, qoftë edhe nëse beson në magjinë e magjistarëve si Harry Potter e fëmijët e tjerë të shkollës, gjithmonë e ka parasysh edukimin dhe edukatorët. Si me thënë, një magji të kontrolluar nga një metodikë arsimore, në një vend tjetër të ndryshëm, ku ndodhin gjëra më të këqija se në jetën e përditshme, të realitetit brenda të cilit ajo jetonte, por ndaj të cilave, sigurisht, ashtu si në rastin e shkollimit e kulturimit, ekzistonin armët e duhura mbrojtëse, të rrezikshme në vetvete, por të nevojshme nëse njeriu ushtrohej me rregull; u mësonte përdorimin dhe i përdorte, pak a shumë si një fëmijë shqiptar në kohën e diktaturës komuniste mësonte armën model 56, si armë të fuqishme në duart e nxënësit, studentit dhe ushtarit… Synimi i autores këtë herë, nëpër faqe pa fund që shkruan për të, në të gjitha (besoj) gjuhët e botës, ishte të sillte një roman për të rritur. Në fakt, unë personalisht, sagën “Harry Potter” e di ende një gjë shumë fort për të rritur, por se çfarë e si e di unë, kjo nuk ka fort rëndësi. Përrallorja në librin “Rastësisht një vend bosh” ekziston ende në figurën e Berri Ferbradherit, i cili vdes në faqet e para të librit, pa bërë asnjë akt heroik që ta dimë ne. Megjithatë, duket hapur se me vdekjen në moshë fare të re, ende pa filluar mirë libri, Ferbradheri prek shumë njerëz e fate. Tragjikja e vdekjes për një autore, e cilësuar gabimisht, sipas meje, me modesti si për “fëmijë”, ndoshta është lënë me kast që në fillim të romanit, për ta bërë lexuesin të vetëdijshëm ndaj realitetit. Pra, ngjarja nis si me një formë klasike e joteatrale, fjala vjen si me përftimin e sagës Harry Potter, ku çka ka ndodhur, ka ndodhur jashtë nesh, dhe ne do të merremi si lexues e personazhe me atë që do të bëhet. Apo atë që ndoshta duhet bërë, njëlloj si Berri Ferbradher, por mundësisht pa fatin e tij. Autorja na mban, na lidh e na lë pezull deri në fund të leximit me përzgjedhjen mjeshtërore që i ka bërë titullit të veprës, “Rastësisht një vend bosh”. Rastësisht një vend bosh është një kuotë e shpjeguar nëpër kapitujt e librit si një rregull i rregullores së komunës së shkruar nga një Arnold Baker kohë më parë, ku vendosen kufizimet e zgjidhjet e problemeve administrative, me një formulim të shkurtër e të thatë. Ashtu siç mund të jetë një formulim rreth jetës, ashtu siç është realisht një formulim rreth zgjidhjeve që duhen dhënë për raste “administrative”, i thatë e jo i vërtetë. Rastësisht një vend bosh, jemi ne. Ne dhe autorja vetë, sot njeri shumë i pasur, shkrimtarja më e pasur në botë, dje, ajo vetë ishte në kërkim të shkopit magjik që Harry Potter e kishte trashëguar nga i ati, nga magjia e jetës që përfaqësonte e ëma; dhe tani ajo e kthen ëndërrimin e saj “të rreptë” mbi një komunë me sherre shoqërore, me probleme jetike, financiare etj., etj., me qëllim që të gjithë bashkë të gjejmë me kë ta plotësojmë vendin bosh, dhe kjo kërkon një vendim. A mund të jetë, dhe a është, dashuria zgjidhja e problemit? Këtë e shtron me mjeshtëri Rowling. I zbraz të gjitha mjetet në këtë libër, me thjeshtësinë e një farkëtari me qymyr që bën gozhdë, patkonj dhe shpata lufte. A mjafton vërtet dashuria, apo duhen edhe ligjet e komunës për të zgjidhur problemet mes shoqërisë? A është, në fakt, jeta kaq e fortë sa të mbijetojë si në personazhet e saj, që jetojnë në mizerjen e infektimit nga droga, me ndihma sociale, në vende me një traditë e cila nuk i pranon, ndaj u duhet të gjejnë një traditë të vetën, ku shoqëria nuk i pranon, si në rastin e Kristalit, vajzës kampione në jetë e heroinës me fat të paracaktuar tragjik, e cila vdes nga heroina, drogë të cilën e urren se e ka të trashëguar si “trashëgimi”...Kemi një roman për këshilltarin e vdekur. Kemi librin e një anglezeje që me këtë po na thotë se vendi bosh jemi ne. Ne që përditë e kemi nga një vend bosh sish. Ku edhe mund të hyjmë e ta ndryshojmë, por edhe nuk na lënë; edhe po na lanë, na e kanë me të futur...Realizmi në këtë roman është i frikshëm për çdo vend jo europian. Dhe është një gjë e jashtëzakonshme të ndodhë që shkrimtarja më e pasur e botës mbarë, të shkruajë një vepër kaq të thjeshtë e të prekshme për të gjithë ne së bashku. Arsimimi është një gjë e pashmangshme në botën moderne. Arsimimi i mirë është një kosto më shumë, një detyrim i paraardhësve për pasardhësit. Por a e shpëton arsimimi shoqërinë? Nënshtrojë e shtruar nga Rowling. Pas Harry Potterit, kjo vepër është sigurisht dorë e një autoreje, e cila ka pasur dhe ka si synim jetën. Gjatë gjithë librit, lëngu i jetës shkon ndoshta me metaforën e lumit, ndoshta me urën, por shpresa qëndron aty poshtë në guvën e gërryer nga lumi. Guva ku personazhet e gjalla të librit kanë shpresën se do t’i nxjerrë përmbi, ku ndodhet piktoreske abacia e rrënuar në majë të kodrës. Dhe sidomos kur një nga personazhet nuk e di ende se është kopil i dhimbjes. Ujërat rrjedhin në librin e Rowling, janë të rrëmbyer e marrin jetë aksidentalisht. Por, edhe jeta vetë shkon e rrjedh aksidentalisht me ujëra. Nëse përmenda dashurinë me lart, dashuria në librin e Rowling nuk zgjidh më shumë sesa rregullorja e administratës së komunës. Pas një suksesi të jashtëzakonshëm, autorja e kthen veprën e saj në një shërbim tjetër, me një gjuhë letrare krejt tjetër. Lexuesi do të gjejë në të një gjuhë simbolike. A është besimi në Zot ai që na shpëton? Abacia në majë të kodrës, e vjetër dhe e rrënuar, na miklon me pamjen e vet, por rrugë nuk na tregon në kishën ku Berri Ferbradher varroset me një arkivol ekologjik, thurur prej thuprash tunxhi, as kur arkivolet me ngjyra të zgjedhura nga shoqëria, rozë dhe të bardhë, mbyllin rrëfimin. Çdo gotë verë e personazheve peshon tragjedinë sa herë ata e kapërdijnë, duke thurur intrigën për të pushtuar vendin bosh që la këshilltari i devotshëm në një sistem shtetëror social por të padevotshëm. Pasaktësia, në këtë roman është një mrekulli. Për çdo herë një pasaktësi ndodh. Një pasaktësi e përkryer ndodh. Ndodh nën një rregull që duan ta prishin të gjithë herë me, e herë pa arsyetim, por rrugët të gjitha të çojnë në një kishë të vjetër që e kanë edhe komunë, në kufij zonash, ku disa e kanë e disa e marrin me dhunë të drejtën e një diçkaje, ku ka racizëm financiar brenda racës, dhe ku heronjtë vdesin si nëpër ëndrrat tona të këqija me pushkë model 56 pa fishekë. Ky është një roman i shkëlqyer!


(* shkrimtar, përkthyes) 

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…