Skip to main content

Tetova News

Tefta Tashko dhe Lasgushi, Një miqësi e dëshmuar në letra

Tefta Tashko Koço dhe Lasgush Poradeci. Sopranoja dhe poeti. Ajo ishte e bukur, elegante, tejet e talentuar, ambicioze e ndonjëherë, pak e ashpër e rigoroze karshi kërkesave drejt perfeksionit. Ai ishte poeti hokatar, më i admiruari i kohës, më poeti i poetëve të vendit të tij. Çelësi i miqësisë së tyre? Pikënisja? S’mund të thuhet kurrë diçka e saktë, e prerë, në këtë rast.

Në këtë foto Ernest Koliqi, Asdreni, Lasgush Poradeci, Tefta Tashko Koço, Lola Gjoka, Mikel Koliqi, Koço Tashko

Ndonjëherë miqësitë zgjasim përtej shekujve. Ata, dy artistë të mëdhenj, jetuan miqësinë e tyre në pjesën e parë të shekullit të kaluar, por gjurmët e kësaj miqësie janë të gjalla si të ishin ende sot të gjallë, vetë protagonistët. Edhe pse tashmë prej tyre kemi vetëm kujtime, dëshmi dhe madhështinë e artit të tyre.
***
“Ishte e bukur, elegante. Nga Tefta u bëra shok me vëllezërit e saj”, - kështu thoshte poeti. Një ditë pranvere, në shtëpinë e Poradecit, (22 mars 1978), Eno Koço, djali i sopranos me famë ndërkombëtare, kërkonte gjurmë nga jeta e së ëmës. Aty janë pak prej gjurmëve të saj, pak prej kujtimeve, dëshmive të një jete të shkurtër, por të vrullshme. Në librin e tij, “Tefta Tashko dhe koha e saj”, botuar nga “Dituria”, Eno na sjell plot dëshmi, që përvijojnë jetën, karrierën, portretin njerëzor dhe atë artistik të sopranos së famshme.
Por ndalojmë dhe ndjekim një shteg nga udhët e shumta të këtij libri. Eno thotë se Lasgush Poradecit i pëlqente shumë të bisedonte për Teftën. “Mjaft kujtime nga goja e tij dhe në shtëpinë e tij, i kam mbajtur me kujdesin më të madh”, - shkruan Eno, ndërsa tregon se në një prej takimeve në shtëpinë e poetit, Lasgushi e nisi bisedën me frazën; “Dyqind vjet u bëra e më s’vuaj nga zemra”. “Kjo, - shkruan në librin e tij Eno Koço, - më tingëlloi si prelud i bisedës. Pasi zuri vend mirë në kolltukun në fund të dhomës së ndënjjes, për çudi atë çast iu kujtua i ati i Teftës dhe tha: “Thanas Tashko vinte për gjah për luanë, për pantera; shtëpinë e kish të shtruar me lëkura të luanëve”. Pas një pauze të shkurtër, në mënyrë emfatike, nisi të deklarojë: “Tefta ishte artiste që donte të bënte art, jo të ushqehej. Ajo s’e bënte kabull të hynte profesoreshë në gjimnaz, donte të jetonte me fitimet e koncerteve. –‘Do të jetoj me paratë e koncerteve Lasgush’, - më thosh… Ajo mori çmimin e dytë në Paris, sepse zërin nuk e kishte me volum të madh… Unë s’jap informata për Teftën, unë jap zemrën. Ne ishim shokë, jo miq”, - këtë sentencë të fundit, Lasgushi e përsëriste shumë herë, si refren…”.
Më tej, nga kjo bisedë Eno Koço riprodhon rrëfimin e Poradecit, që lidhej mbase me një prej fijeve më të forta të miqësisë së dy artistëve.
Poradeci i rrëfente birit të mikeshë së tij: “Në një letër që mora nga Milano-ja, ku ishte vendosur shoqëria diskografike angleze Columbia, Tefta më shkruante se kishte lidhur kontratë me ta dhe që për poezitë e këngëve që ajo kish inçizuar, deshën të më ipnin para. Për këtë gjë më dërgoi një formular për ta mbushur, por unë s’pranova ta mbush. Gaqoja insistonte që t’i merrja paratë, por unë, Poeti, ia fala paratë e poezive Columbia-s, sepse më vinte rëndë moj Teftë. Këtë ja thashë kur ajo u kthye në Tiranë”. Dhe me tej, Lasgushi përmend tekstet e tij të këngëve si dhe ata që bënë muzikën mbi to. Kujtonte se katër prej poezive të tij ishin bërë këngë me muzikë të Dhimitër Kovaçit. Ato ishin: “Të rite e vitevet të mi”, “Fryn Veriu”, “Foli nëna me vajtim” dhe “Mall’i vjershëtorit”. Dy vjersha të tjera u bënë këngë me muzikë të Kristo Konos: “Kur mu rite vogëloshe” dhe “Kroj’i fshatit tonë” , ndërsa poezia “Kush ta fali bukurinë”, u bë këngë me muzikë të Dhimitër Fallit.
Ishin pikërisht vargjet e poezive të tij, fijet më të dukshme lidhëse të miqësisë së tyre. Diku, në një moment tjetër, poeti kujtonte ato ditë marsi të ’78-ës, se “Serenadën e Shubertit - Kënga ime ndaj nat’here e kishte përkthyer Asdreni, por nuk ishte e përshtatshme për t’u kënduar dhe unë e përktheva përsëri për Teftën”. E shumë kujtime të tjera në shtëpinë e poetit, që sot nuk është më.
***
Kohë më vonë, po në atë shtëpi, Eno kishte zbuluar një tjetër shteg të simpatisë që poeti ushqente për Tefta Tashko Koçon. Kishte ndodhur që një ditë Lasgushi nuk ishte në shtëpi. E shoqja e tij, Nafija, pasi e kishte pritur me liker e qerasjet e tjera të rastit, i kishte thënë: “Kur dëgjon Lasgushi Teftën, thotë që kjo s’këndon, por fluturon”. Më tej, magjitë dhe vështirësitë e ditëve në shtëpinë e poetit. Ajo i zbulon djalit të Teftës detaje nga ditët që mund të kalonte një grua në krah të një bashkëshorti poet si Lasgushi, me dashuri, dyshime, xhelozi, për vargjet kushtuar vajzave e grave, që ajo as i kishte parë ndonjëherë….
Po atë ditë, një miniskenë xhelozie ka zbuluar vajza e poetit, Maria. Eno shkruan në librin e tij: “Kur erdhi në shtëpi e bija, Maria, Nafija më parapërgatiti se nuk dëshironte të bisedonte për ato gjëra në sytë e vajzave. Maria, me një intuitë të çuditshme, hyri menjëherë në bisedë dhe nisi të tregojë, “se kur mamaja me babanë (Lasgushi me Nafijen) në periudhën që sapo ishin martuar dilnin në qytet dhe kur babai shihte në anën tjetër të rrugës Teftën dhe e përshëndeste, mamaja bëhej xheloze dhe i binte Lasgushit me bërryl pse e përshëndeti”. Nafija u ndodh ngushtë nga kjo deklaratë e së bijës që shkonte jo në favor të atyre që më kishte treguar rreth treçerek ore më parë dhe më shkeli syrin vjedhurazi. Pastaj, një tjetër detaj zbulon më tej fillin e miqësisë dhe atë vel xhelozie që ngrihej për të. Eno shkruan se pak më vonë, vajza e poetit, Maria, tregon për një dhuratë.
“Abazhurin që kemi në korridor dhe atë në dhomë”, - pohoi Maria dhe që Nafija e aprovoi, - “janë dhuratë e Teftës kur u martuan Lasgushi me mamanë”.
***
Në librin e tij, Eno Koço i lë këtu, në këtë pikë kujtimet që lidheshin me Lasgushin dhe Teftën. Tek e mbramja, në cindo këndvështrim, kujtimet mbeten kujtime. Herë herë subjektivizmi lë shenja ndër to. Por më e qarta dhe më e sakta e dhënë për miqësinë e poetit me sopranon, janë dy letra që Tefta Tashko i shkruante Lasgushit, në kohën kur po incizonte pllaktin e saj në Milano me kompaninë “Columbia”.
Sopranoja zbulon mes rreshtash në letrën e 14 qershorit 1937 (dërguar poetit), se ka marrë një letër prej Lasgushit, që e cilëson “letra juaj e dashur”. S’dihet cili mund të jetë sot fati i asaj letre. Por dy letrat e Teftës botuar në librin monografi të Eno Koços, ruhen me fanatizëm prej tij edhe sot e kësaj dite.
Të dy letrat i përkasin një harku kohor të shkurtër. Është periudha e qëndrimit të sopranos në Milano, ndërsa regjistronte me “Columbian”. Letra e parë mban datën 9 maj 1937.
Në të vlen të shkëpusim frazën: “...Sot mora prapë letër prej vëllait dhe më thotë se i patët propozuar që të bëni me kënaqësi përkthimin komplet të kësaj Serenate si dhe zgjatimin e këngës popullore shqiptare, “Kur më vjen burri nga stani”. Unë nga ana e jonë jam fort e prekur prej ofertës suaj dhe ju falenderoj shumë që më parë. Jam aq më shumë e gëzuar se do të jetë e para herë që do më jepet rasti të këndoj fjalët e një poeti shqiptar, që gjithë atdheu ynë e njeh dhe e admiron talentin e tij. Po ky rast është edhe më i pëlqyeshëm për mua, meqenëse poezitë tuaja do t’i këndoj për enregjistrimin e pllakavet që do të bëj fare së afërmi në Milano, gjë që më duket ngjet për të parën herë në Shqipëri”. Sopranoja e vijon korrespondencën me poetin edhe më tej. Vargjet e tij ishin shtrati ku muzika dhe zëri i saj ndiheshin më mirë se kudo.
Në letrën e dytë, që mban datën 14.06.1937, Tefta Tashko i rrëfen poetit “sekretet” e ditëve të saj në Itali. “Më parë kërkoj ndjesë për vonesën e përgjigjes sime kundrejt letrës suaj të dashur. Por shkaku ka qenë se shkova menjëherë në Milano, ku ndenja 15 ditë dhe është e tepërt t‘u them se s’pata asnjë minutë të lirë. Dje u ktheva në Romë dhe vrapoj t’i falenderoj nxehtësisht për vjershat tuaja të bukura. Veçanërisht spirituale janë dy couplet-et e “Burri nga stani”, të cilat të them të drejtën, pata pak zor t’i këndoj, se më mori një e qeshur e fortë në enregjistrim e sipër! Po ekzekutimi ka qenë i mirë për gjithë këngët dhe së shpejti dalin për qarkullim ...”.
Dëshmitë e shkruara të kësaj marrëdhënieje mbyllen këtu. Në librin e tij, Eno Koço na rrëfen momente të tjera nga jeta e Tefta Tashko Koços dhe nga shkëlqimi i saj, shumë detaje që na plotësojnë portretin e vërtetë të sopranos së madhe, që iku shumë shpejt nga kjo botë, vetëm 37 vjeç. Ndërsa për miqësinë e dy artistëve, Eno mjaftohet këtu. E këtillë ishte miqësia e tyre, delikate, e kujdesshme, me një komunikim të kulluar.

Dy letrat e sopranos

Romë, 9 maj 1937 (Drejtuar Lasgush Poradecit)

Fort i nderuem zotni,
Me anën e vëllait tem Gaqos, mora couplet-in e Serenatës të Shubertit që patët mirësinë ta shkruani, dhe ju falenderoj tepër.
Sot mora prapë letër prej vëllait dhe më thotë se i patët propozuar, që të bëni me kënaqësi përkthimin komplet të kësaj Serenate si dhe zgjatimin e këngës popullore shqiptare “Kur më vjen burri nga stani”.
Unë nga ana e jonë jam fort e prekur prej ofertës suaj dhe ju falenderoj shumë që më parë. Jam aq më shumë e gëzuar se do të jetë e para herë që do më jepet rasti të këndoj fjalët e një poeti shqiptar, që gjithë atdheu ynë e njeh dhe e admiron talentin e tij.
Po ky rast është edhe më i pëlqyeshëm për mua, meqënëse poezitë tuaja do t’i këndoj për enregjistrimin e pllakavet që do të bëj fare së afërmi në Milano, gjë që, më dukjet ngjet për të parën herë në Shqipëri.
Po të jetë se dispononi dhe pak kohë më shumë, mund t’ju lutesha për përkthimin e operetës lexhere franceze “Le coer et la main”,...
Për gjithë këto përsërit falenderimet e mia, duke i pritur sa më shpejt. Pranoni ju lutem, zotni, të falat e mia të sinqerta,
Me mirënjojtje,
Tefta Tashko

Romë, 14.6.1937

I dashur z. Pogradeci, (dërguar Lasgush Poradecit)
Më parë kërkoj ndjesë për vonesën e përgjigjes sime kundrejt letrës suaj të dashur.
Por shkaku ka qenë se shkova menjëherë në Milano, ku ndenja 15 ditë, dhe është e tepërt ‘u them se s’pata asnjë minutë të lirë. Dje u ktheva në Romë dhe vrapoj t’i falenderoj nxehtësisht për vjershat tuaja të bukura. Veçanërisht spirituale janë dy couplet-et e “Burri nga stani”, të cilat të them të drejtën, pata pak zor t’i këndoj, se më mori një e qeshur e fortë në enregjistrim e sipër!
Po ekzekutimi ka qenë i mirë për gjithë këngët dhe së shpejti dalin për qarkullim.
Do t’u lutem, pra, të keni mirësinë të më dërgoni dhe autorizimin për fjalët e Serenatës si dhe ato të “Burri nga stani”, dhe unë do ja komunikoj shoqërisë “Columbia” për të cilën këndova.
Duke pritur përgjigjen tuaj të shpejtë, ju lutem pranoni falenderimet e mija si dhe të falat e sinqerta.
Tefta Tashko

Milosao

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…