Skip to main content

Tetova News

TEMPULL BLATIMI POETIK PËR TË BUKURËN DHE BUKURINË

Nga Hyqmet Hasko
(Rreth vëllimit poetik “Dallëndyshet e erës” të poetit Pëllumb Gorica)

Kur lexon poezinë e poetit PëlLumb Gorica, të duket sikur ndjen së brendshmi trokun e melodive të një shpirti të pasur, të mbushur me ndjesi, përjetime, mbresa, emocione, gjendje, dehje të unit dhe dehje kozmike, thënë ndryshe, ke përshtypjen e ballafaqimit me një akt poetik mbresëlënës. Përmbledhja poetike “Dallëndyshet e erës”, nga vetë titulli metaforik dhe simbolik, të ofron një udhëtim shpirtëror, plot mbresa dhe emocione të bukura në përditshmërinë e poetit, në tentativën e tij për të ngritur një “tempull blatimi”, siç thotë në një nga poezitë e tij, në magjinë e universit të bukurisë njerëzore. Pëllumb Gorica në vargjet, strofat dhe poezitë e tij duket sikur pikturon me ngjyra të forta kumte dhe ndjesi, gjendje dhe mesazhe, duke na dehur me temporitmin e vrullshëm të aktit poetik, në tentativën për të na ofruar dimensionet e një ëndrre, tek e cila beson vetë dhe në të cilën na josh që të besojmë dhe neve lexuesit e tij.
Tematika e poezive të Goricës është e gjerë dhe e larmishme, ka brenda mallin, flirtin, idilin, moskuptimin, pritjen, ikjen, “të dielën që flarton me krahë malli”, poetin, që “për kohën është rilindje”, “zërat e vendlindjes”, sythet që “shkruajnë kronikat” e dëshirës së papërmbushur, “pranverat e përgjakura”, që vijnë si jehonë nga e kaluara e afërt apo e largët etj. Poeti “flirton” me ëndrrat, iluzionet, vjeshtërat pa kthim, dallëndyshet e erës, enigmat e mbetura në hije, “lumenjtë e mallit”, mugëtirat e largëta, ku “dhimbja fle në horizont”, “kalamendjet veguese”, duke na përcjellë gjendje, jehona dhe imazhe të papërsëritshme. Poeti, ndërkohë që i ngre kult bukurisë së trupit dhe mbi të gjitha të shpirtit njerëzor, mirësisë, dashurisë, fisnikërisë, stigmatizon dukuritë negative të individit dhe shoqërisë, ironizon dhe demaskon veset, cenet dhe maskat e kohës dhe të bashkohësve. E bukura dhe e shëmtuara, virtyti dhe vesi, fisnikëria dhe maskarada, dukja dhe thelbi, e vërteta dhe mashtrimi, çiltërsia dhe hipokrizia janë në antipode dhe vihen përballë njëra-tjetrës në poezinë e Goricës, duke na përcjellë mesazhin e luftës së njeriut modern në shoqërinë globale për t’u vetëpërsour në shkollën e madhe të bukurisë dhe të pasionit për vepra të drejta humane. Pamja vidhet në hapësirën e ngjyrosur, Po kërkoj të shoh pakëz kaltërsi, Qielli, letër e zhubrosur, Shi rigon në sytë e mi. (Poezia “Kohë me shi”, faqe 13)
Gorica është poet i gjetjeve të imëta dhe delikate, por dhe i pasazheve të vrullshme të jetës njerëzore, është një kërkues në shpirtin e natyrës dhe të njeriut, në unin e tij dhe ndërvartësinë e marrëdhëniet e këtij uni me të jashtmen, me mbresat dhe përjetimet e botës që e rrethon poetin. Ndonëse poezitë e tij kanë impresione burimore, të nxitura nga folku i krahinës, ai i rikrijon strukturat poetike me mjete moderne, duke e tejkaluar objektin e frymëzimit dhe të impresionit të parë, me nëntekste të reja, gjendje dhe impresione të befta. Kemi të bëjmë me një poezi dinamike, që rrok hapësira jete në lëvizje dhe zhvillim, një verb atdhetarie që përndizet në vatrat e përflakura të metaforës, ku e dukshmja dhe e padukshmja, e thëna dhe e nënkuptuara rrinë së bashku në të njëjtin vektor dhe shprehin një botë ideo-emocionale plot thyerje, siç është vetë jeta njerëzore. Uni poetik, kryeprotagonisti i lirizmit të poetit është një krijesë e dashuruar me jetën, që lëviz të kapë ritmet e humbura, kohën e shpërbërë, kujtesat dhe retrospektivat, ëndrrat dhe iluzionet. Në thelb, është një tentativë për ta shkrirë ritmin e hazdisur të jetës në ritmin poetik, në trajat e metaforave, rimave dhe ritmeve që rrotullohen si në një karusel, duke na përcjellë botën e përndezur nga qindra vatra ndjesish të autorit. Aventura poetike e Goricës është një aventurë e bukur, në një rrugëtim të natyrshëm drejt vetvetes së tij, drejt miqve, të dashurës, vendlindjes, një udhëtim në thelb autentik drejt vetvetes së pjesëtuar e së shumëzuar me zërat e jetës që e rrethojnë. Kësisoj poeti konfiguron një peisazh të thyer të shpirtit njerëzor, na jep tablo në lëvizje, si vetë jeta e tij dinamike, në kërkim të gjërave të bukura, për të cilat ia vlen të jetosh.
Poeti Pëllumb Gorica, ashtu si poetët e brezit të tij, të çliruar nga konformizmi dogmatik dhe shtampat letrareske, ndihet një misionar i lirisë dhe emancipimit, një mesazhier i kulturës sonë të rilindur iliriano-dardane. Të rrugëtosh me poezinë, të identifikohesh me të, do të thotë të jesh i pushtuar nga magjia e fjalës, nga thellësia e figurës dhe imazhit, nga ndjenjat dhe mendimet më të fuqishme, që mbartin botën e gëzimeve, hidhërimeve, dashurive, iluzioneve, duke flakur çdo çast të keqen nga vetja dhe nga të tjerët, në emër të një sistemi vlerash tek të cilat beson dhe të cilat janë kthyer në një kredo të jetës dhe artit tënd. Duket se kjo është në fakt kredoja poetike e Pëllumb Goricës, një dashuri e pamasë për jetën dhe njerëzit, një dashuri e pastër, natyrale, gjenetike, fluide dhe njëherësh e prekshme. Poeti duket se ka një etje për të rilindur në çdo fije bari dhe në çdo qelizë të gjallë të tokës, për hir të gjërave për të cilat ia vlen të luftosh dhe të ëndërrosh. Gorica e përvijon individualitetin e tij poetik në vijim të traditës më të mirë të poezisë lirike, me rimë dhe ritëm të shtruar, të ëmbël e të ngrohtë, fine e të magjishme. Afresku i gjendjeve, imazheve, mbresave, përjetimeve, kujtesave të ridimensionuara në artin e shkrimit poetik, ideve dhe mesazheve, që na sjell ky poet, përfshin prirjet dhe tendencat më serioze të poetikës bashkëkohore mbarëshqiptare, sharmin dhe elegancën e vargut, freskinë dhe modernitetin e figurës, spontanitetin dhe natyrshmërinë e gjetjeve. Poeti “luan” me gjërat, në dukje, të imëta e të vogla, por që në fakt, përbëjnë përditshmërinë dhe raportet e tij me vetveten, me unin dhe jashtëunin, me ata që e rrethojnë, duke na sjellë kështu hapësira të ndjesive dhe përjetimeve, ku ai gjen trajtat dhe modelet e procedimit modern të aktit të shkrimit të poezisë. Autori shkruan një poezi ku gërshetohet tradicionalizmi poetik me risitë e modernitetit; megjithëse zakonisht përdor vargun me rimë, asonanca dhe ritme të matura, në asnjë rast nuk bie në thjeshtëzime dhe folklorizëm, siç ndodh me një duzinë të vetëshpallurish poetë, që thjeshtë rendisin vargje.
Në thelb poezia e Pëllumb Goricës është një poezi e gjendjeve të kontestuara emocionale, e mozaikut të ndjesive, e zhvendosjeve në kohë dhe hapësirë të trillit dhe fiksacionit poetik, e kërkimit spontan e të vetvetishëm në dukuritë që ai i njeh mjaft mirë, dhe që duket se janë pjesë e kameras së saj vëzhguese e interpretative poetike, duke na dhënë kështu një poezi shpërthyese dhe me nivel estetik, të denjë për poezinë më të mirë të botës shqiptare që shkruan brezi i tij.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…