Skip to main content

Tetova News

Totalitarizmi në pushtet - Hannah Arendt


Kur një lëvizje, ndërkombëtare në organizim, e gjithanshme në sferën e saj ideologjike dhe globale në frymëmarrjen e saj politike, merr pushtetin në një vend, ajo e vë veten dukshëm në një situatë paradoksale. Lëvizjes socialiste iu rezervua kjo krizë, së pari, sepse çështja nacionale – dhe kjo do të thoshte problemi strategjik i përfshirë në revolucion – ishte neglizhuar çuditërisht nga Marksi dhe Englesi dhe, së dyti, sepse ajo përballoi probleme qeverisëse vetëm pasi Lufta e Parë Botërore e pati zhveshur Internacionalen e Dytë prej autoritetit të saj mbi pjesëtarët nacionalë, të cilët kudo kishin pranuar përparësinë e ndjenjave nacionale mbi solidaritetin ndërkombëtar si një fakt i pandryshueshëm. Me fjalë të tjera, kur erdhi koha për lëvizjet socialiste që të merrnin pushtetin në vendet e tyre respektive, ato ishin transformuar tashmë në parti kombëtare.
Ky transformim nuk ndodhi tek lëvizjet totalitare, bolshevike dhe naziste. Në kohën që lëvizja mori pushtetin, rreziku ndaj saj qëndronte në faktin që, në njërën anë ajo mund të “eshtërohej” duke marrë në dorëzim makinën e shteti dhe duke e ngrirë në një formë të qeverisë absolute dhe që, nga ana tjetër, liria e saj e lëvizjes mund të kufizohej nga kufijtë e territorit në të cilën ajo erdhi në pushtet.
Për një lëvizje totalitare të dy rreziqet janë barabar vdekjeprurës: një zhvillim drejt absolutizmit do t’i jepte fund shtytjes së brendshme të lëvizjes dhe një zhvillim drejt nacionalizmit do të pengonte zgjerimin e saj të jashtëm, pa të cilën lëvizja nuk mund të mbijetojë. Forma e qeverisjes që dy lëvizjet zhvilluan, apo, më saktë, të cilat u zhvilluan pothuaj automatikisht prej pretendimit të tyre të dyfishtë të dominimit total dhe sundimit global, karakterizohet më mirë nga slogani i Trockit për “revolucionin e pandërprerë”, megjithëse teoria e Trockit nuk ishte gjë tjetër më tepër sesa një parashikim socialist i një serie revolucionesh, prej atyre borgjezë antifeudalë tek ata proletarë antiborgjezë, që do të përhapeshin nga një vend në tjetrin. Vetëm termi vetë sugjeron “permanencën”, me të gjitha nënkuptimet e saj gjysmanarkike dhe është, po të flasim saktë, një epitet, por edhe Lenini u impresionua më tepër nga termi sesa nga përmbajtje e tij teorike. Në Bashkimin Sovjetik, sidoqoftë, revolucionet, në formën e spastriemve të përgjithshme, u bënë institucioni i pandërprerë i regjimit të Stalinit pas vitit 1934. Këtu, si në shembujt e tjerë, Stalini i përqendroi sulmet e tij mbi sloganin gjysmë të harruar të Trockit, pikërisht se ai kishte vendosur ta përdorë këtë teknikë. Në Gjermaninë naziste, një prirje e ngjashme drejt revolucionit të pandërprerë u shfaq dallueshëm dhe qartë megjithëse nazistët s’patën kohë ta realizojnë në të njëjtën shkallë. Në mënyrë mjaft të veçantë, “revolucioni i pandërprerë” i tyre filloi, gjithashtu, me asgjësimin e fraksionit të partisë, që pat guxuar të shpallë hapur “fazën tjetër të revolucionit”- dhe pikërisht sepse Fuhreri dhe garda e tij e vjetër e dinin se lufta e vërtetë sapo kish filluar. Këtu, në vend të konceptit bolshevik të revolucionit të pandërprerë, gjejmë nocionin e një “seleksioni racional që s’mund të rrijë kurrë i qetë”, që kërkon, pra, një radikalizim të vazhdueshëm të standardeve më të cilat seleksioni, d.m.th. shfarosja e të papërshtatshmeve zbatohet. Çështja është se si Hitleri edhe Stalini i vazhduan premtimet për stabilitet me qëllim që të fshehin synimin e tyre për krijimin e një shteti të paqëndrueshmërisë së pandërprerë.
Nuk do të kishte zgjidhje më të mirë për pështjellimet e natyrshme në bashkekzistencën e një qeverie dhe një lëvizjeje, të një pretendimi totalitar, si dhe të një pushteti të caktuar në një territor të caktuar, të anëtarësisë së rreme në një marrëveshje të kombeve, ku secili respekton sovranitetin e tjetrit dhe pretendon sundim botëror, se sa kjo formulë e zhveshur prej përmbajtjes origjinale të saj. Sepse sundimtari totalitar përballet me një detyre të dyfishtë, e cila së pari, duket kontradiktore tek çështja e absurditetit: ai duhet të krijojë botën e trilluar të lëvizjes si një realitet të prekshëm veprues të jetës së përditshme dhe, nga ana tjetër, duhet të pengojë këtë botë re prej zhvillimit të një realiteti të ri; sepse një stabilizim i ligjeve dhe institucioneve të saj do të asgjësonte sigurisht lëvizjen vetë dhe me të shpresën për pushtimin eventual botëror. Sundimtari totalitar duhet, me çdo kusht, të pengojë normalizimin, që të mos arrijë pikën ku një mënyrë e re jetese të mund të zhvillohet- ajo mënyrë, e cila pas një kohe, mund të humbiste cilësitë e saj bastarde dhe të zinte vendin e vet, ndërmjet mënyrave gjerësisht të ndryshme dhe thellësisht të kundërta të jetës e kombeve të tokës. Në çastin që institucionet revolucionare u bënë një mënyrë kombëtare e jetesës (ai çast ku pohimi i Hitlerit se nazizmi nuk është një mall eksporti, apo i Stalinit se socializmi mund të ndërtohet në një vend të vetëm, do të ishte më shumë se një orvatje për të budallallepsur botën jototalitare), totalitarizmi do të humbiste cilësinë e tij “totale” dhe do të bëhej i varur nga ligji i kombeve, sipas të cilit çdo komb zotëron një territor të caktuar, njerëz dhe traditë historike që e lidh atë me kombet e tjerë- një pluralitet, i cili ipso facto hedh poshtë çdo përmbajtje që çdo formë specifike e qeverisjes është plotësisht e vlefshme.
Thënë praktikisht, paradoksi i totalitarizmit në pushtet është se zotërimi i të gjithë instrumenteve të pushtetit qeveritar dhe të dhunës në një vend nuk është një bekim i pastër për një lëvizje totalitare. Shpërfillja e saj për faktet, besnikëria e saj e rreptë ndaj rregullave të një bote të trilluar, bëhet ngultas më e vështirë për t’u mbajtur, por mbeten po aq thelbësore sa edhe më parë. Pushtet do të thotë një ballafaqim i drejtpërdrejt me realitetin dhe totalitarizmi në pushtet lidhet vazhdimisht me mposhtjen e kësaj sfide. Propaganda dhe organizimi nuk mjaftojnë më për të pohuar se e pamundura është e mundur, se e pabesueshmja është e vërtetë, se një qëndrueshmëri e çmendur sundon botën; mbështetja kryesore psikologjike e trillit totalitar – përbuzja aktive e gjendjes të cilën masat kundërshtonin ta pranonin si e vetmja botë e mundur- nuk zgjat më atje; çdo pjesë e informacionit faktik që rrjedh përmes perdes së hekurt, e gjallëruar kundër vërshimit kërcënues të realitetit nga ana tjetër jototalitare është një rrëzim më i madh ndaj dominimit totalitar sesa kundërpropaganda ka qenë ndaj lëvizjes totalitare.
Lufta për dominim total të gjithë popullsisë së tokës, eliminimi i çdo realiteti konkurrues jototalitar, është karakteristikë e vetë regjimeve totalitare; nëse ata nuk e nxisin sundimin global si qëllimin e tyre të fundit, ka shumë të ngjarë që vetëm të humbin çfarëdo pushteti që tashmë kanë marrë. Edhe një individ i vetëm mund të jetë plotësisht dhe besueshmërisht i sunduar vetëm në kushtet globale totalitare. Epërsi në pushtet, pra, do të thotë së pari, krijim i shtabeve zyrtare dhe zyrtarisht të njohura (apo degët në rastin e vendeve socialiste) për lëvizjen dhe shtënia në dorë e një lloji laboratori në të cilin të zbatohet eksperimenti me, ose më drejt kundër realitetit, eksperimenti për organizimin e një populli për qëllimet e fundit, që shpërfillin individualitetin, si edhe nacionalitetin, në kushtet të cilat nuk janë pa diskutim të përkryera, por të mjaftueshme për rezultate të rëndësishme pjesore. Totalitarizmi në pushtet e përdor administratën e shtetit për qëllimin e vet afatgjatë të pushtimit të botës dhe për drejtimin e degëve të lëvizjes; ai krijon policinë sekrete si ekzekutore dhe gardianë të eksperimentit të vet të brendshëm në vazhdimësi, për ta shndërruar realitetin në trillim; së fundi, ai ndërton kampe përqendrimi si laboratorë speciale për të çuar deri në fund eksperimentin e tij në dominimin total.
Fragment nga seria Sociologji/Filozofi, “Origjinat e totalitarizmit”
Përktheu nga origjinali: Myftar Gjana

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…