Skip to main content

Tetova News

VËRTETËSIA E ARTIT TË VËRTETË

Nga Ndini R. Bardhi*

Arti në vetvete ka në thelbin e tij specifik, veç fenomeneve të tjera, edhe momentin më të rëndësishëm të tij, të vërtetën, të besueshmen, të pranueshmen, për njerëzit dhe opinionin e gjerë artdashës.
E vërteta është sintezë e njohjes së realitetit aktiv, e botës së njeriut (njerëzve) me ndërgjegjen e tij (tyre) në këtë jetë universale.
Nocioni i së vërtetës në art konsiston edhe si raport i natyrshëm i ndërgjegjes së artistit, që do të thotë se gjithçka e vërtetë në realitetin e gjallë përbën vlerën e njohjes, perceptimit, rrethanës dhe pasqyrimit në veprën e ardhshme apo të krijuar artistike. Për artistin është një përpjekje midis ndërgjegjes që reflekton dhe realitetit që evidenton, për të arritur në sinkronizimin real të së vërtetës jetësore në produktin e konceptuar prej tij.
Fenomeni i së vërtetës në art, kur ai është vlerë shpirtërore, emocionale, përgjithësuese, morale, merr karakter artistik të realitetit bashkëkohor, që do të thotë, se artisti ka përjetuar ngjarjet dhe jetën përreth tij. Në këtë mënyrë pasqyrimi të së vërtetës, arti i krijuar, merr trajtat e dyfishta të krijimit, të atij krijimi të vërtetë të artit, plus atij krijimi të harmonizuar me imagjinatën dhe fantazinë e vetë artistit. Gjithçka e krijuar në vepër merr shprehjen e unit artistik si vetvete të artistit dhe të sinqertë të tij. Duke e përjetuar realitetin bashkëkohor të jetës që jeton me intensitet dhe e interpretuar me vërtetësi, arrin të realizojë vepra artistike me shumë vlera për njerëzit, shoqërinë dhe kombin.
Veprat që krijohen nga përjetimet aktive të realitetit marrin një përmbajtje të brendshme të vetë artistit dhe si një proces në lëvizje me plotë tendenca artistike. Natyrisht, kur ato mbartin vlera të larta tematike, subjekte me interes për kohën, njerëzit dhe shoqërinë, marrin atributet e një krijimtarie me forcë emocionale, e cila në çdo moment të jetës, sistemit politik dhe ekonomik, ndryshimeve dialektike dhe dinamike qëndron e freskët, moderne e qëndrueshme dhe e vërtetë.
Rëndësia e së vërtetës në art merr karakterin e identitetit, ekzistencës dhe historisë njerëzore në gjithëkohësi të jetës, që është jetuar dhe jetohet realisht. Arti, si dhe gjithë format e tjera të ndërgjegjes së njeriut, shoqërisë dhe të vetë artistit krijues, ka qenë dhe është energjia më rrezatuese e jetës në këtë botë universale, komplekse dhe shpërthyese të realitetit të vërtetë.
Konsiderohen vepra artistike të vërteta pikërisht ato vepra me përmbajtje strukturore objektive dhe subjektive, të cilat pasqyrojnë nëpërmjet tematikës, mesazheve, ideve, emocioneve etj., të vërteta të realitetit dhe të jetës njerëzore. Arti si vetvete hulumton universin shpirtëror të njeriut në këtë botë, sepse është krijimi i së bukurës dhe i vetë ekzistencës së tij (njeriut), që do të thotë se është vërtetësia e asaj që pasqyron nga realiteti sinkron me shpirtin e derdhur në veprën artistike.
Dallime filozofike në art ekzistojnë edhe si karaktere të veçanta specifike në kuptimin më të gjerë të tematikës dhe interpretimit të tyre si krijimtari, dhe gjetje artistike. Në një vepër artistike nga artisti me shumë eksperiencë krijuese, zë vend, natyrisht të përzgjedhura nga realiteti i vërtetë, edhe tema me subjekte të trilluara, metaforike, alegorike, fantastike, të imagjinuara, që shprehin vërtetësinë e jetës, njeriut dhe objekteve aktive dhe ekzistuese, por edhe në sensin e kundërt, të atyre që krijohen nga e vërteta si shfaqje apo fenomen i padukshëm.
Në kuptimin universal të artit, vërtetësia si realitet i gjallë dhe aktiv për artistin është energjia më fenomenale krijuese, konceptuale dhe specifike, që do të thotë se gjithçka në vepër  merr karakterin e një pasqyrimi dhe dukurie konkrete, reale, jetësore. Vepra e realizuar në formë e përmbajtje artistike është e ngarkuar me frymën dhe shpirtin bashkëkohor të realitetit real dhe të vetë artistit.
Në procesin e krijimtarisë artistike, nëpërmjet gjetjeve nga realitetit, zë vend dhe peshë edhe portreti i njeriut të kudondodhur, i cili me botën dhe psikologjinë e tij është identik me pamjen e njeriut konkret, që ekziston në jetën njerëzore. Artisti i vërtetë dhe me eksperiencë të gjatë krijuese realizon harmonishëm elementet e portretit artistik të pasqyruar në vepër sinkron me vetë njeriun në botën reale. Vepra që lind nga përjetimet aktive të realitetit merr vlera aktive të një procesi në lëvizje e zhvillim të artistit dhe si një angazhim i brendshëm dhe i jashtëm i tij. Natyrisht, që të realizohen vlera emocionale dhe artistike nga krijuesi, kërkohet kulturë, ligjësi dhe logjikë konceptuale për të konvertuar në një të vetme vërtetësinë jetësore me vërtetësinë specifiketë artit të vërtetë dhe fenomenal. Në këtë kontekst krijues, çdo artisti i duhet elementi konvencional në veprën artistike për të motivuar bindshëm vërtetësinë jetësore me vërtetësinë në artin e tij. Vepra artistike, e realizuar me forcë shpirtërore në tematikë, brendësi e përmbajtje emocionale, merr karakter dinamik të interpretimit të realitetit dhe për ndryshimin e tij në njësinë e kohës dhe jetës njerëzore të vërtetë. Si vijimësi krijuese, gjithçka e krijuar artistike shfaqet si një unitet i së vërtetës jetësore dhe vlerës universale të artit, që pretendojmë të bëjmë. Atë e sintetizojmë në pikturë dhe në figurat e objekteve reale të vizatuara në sipërfaqen e bardhë të kuadrit piktorik dydimensional edhe si ekzistencë hapësinore tredimensionale, perspektive dhe konvencionale.
Konvencioni në pikturë, skulpturë etj. është një mënyrë e përgjithësimit artistik të realitetit. Në art, në gjithëkohësi krijuese, jo vetëm në botë, por edhe në Shqipëri, janë përdorur dhe përdoren edhe sot në realitetin e kohës dhe artit modern,mënyra, koncepte të larmishme të trajtimit të realitetit, të interpretimit artistik të tij. Në vendin tonë, në sistemin e realizmit socialist, kryesisht në gjininë e portretit, temat e historisë dhe të luftës antifashiste është diktuar metoda e krijimit të figurave artistike, në të cilat,realiteti është pasqyruar me atë pamje të jashtme, që është identike e ngjashme me pamjen e objekteve të modeluara artistikisht. Krahas kësaj metode të njohur në pesë dekada është e njohur edhe metoda e përgjithësimit artistik të realitetit, në të cilat realiteti nuk pasqyrohet sipas formave të jashtme të objekteve, që modelohen në figurat artistike, nëpërmjet procesit krijues të veprës. Në këtë drejtim, përvoja e historisë së artit në Shqipëri e botë, e sidomos atij realist, të vërtetë e tematike të diktuar, ka vërtetuar se konvencioni është trajtuar në procesin e krijimtarisë artistike nga artisti, për shfaqjen e jashtme të objekteve të realitetit, njeriut dhe jetës së gjallë aktive.
Konvencioni artistik është përdorur si një mënyrë e sintetizuar e idesë, konceptit këndvështrimit e vetë artistit, me qëllim që të depërtojë në thelbin e fenomeneve të realitetit dhe botës shpirtërore të njeriut.
Nëpërmjet portretit të njeriut të vizatuar artistikisht, artisti shpreh konvencionin e pamjes fizike të njeriut objekt dhe subjekt të vërtetë dhe modelimin e përgjithësimit artistik të realitetit. Ky konvencion sintezë merr  atributet e një mjeti artistik të përqendruar në fytyrën e njeriut, që shpreh një botë e shumë ndjenja, emocione, mendime, psikologji e mbi të gjitha portretizon karakterin e njeriut që ekziston dhe vjen nga realiteti. Pra, vjen si një model artistik i unifikuar me ngjashmërinë dhe pamjen e ngjashme të këtij njeriu objekt të krijuar nga realiteti dhe vetë artisti. Gjithçka e hedhur në veprën artistike me konvencion merr vlera arti dhe forca të brendshme të realitetit njerëzor.
E, megjithatë, në këtë sens krijues artistik është me interes të theksojmë faktin se konvencionale mund të jetë paraqitja e pamjes së jashtme, fizike të njeriut të realitetit, ndërsa shprehja e botës së brendshme shpirtërore të tij edhe nuk mund të ishte konvencionale.
Edhe nëse arti realist do ta riprodhonte në një mënyrë konvencionale botën e brendshme shpirtërore të njeriut, atëherë nuk do të na e jepte të vërtetën artistike të jetës, nuk do të ishte njohje e realitetit në konvencion.
Në këtë drejtim, në çdo epokë të artit në Shqipëri dhe në botë, janë përpunuar dhe aktivizuar sisteme të ndryshme konvencionesh si mjete të shprehjes së vërtetësisë së realitetit. Metodat e ndryshme krijuese dallohen nga tipi i konvencioneve dhe nga shkalla e përdorimit të tyre. Dinamika e kësaj metode konvencionale qëndron në hapësirën e gjerë që ajo i kushton njeriut të ngarkuar me një tipizim të veçantë konvencional. Konvencionet artistike kanë qenë dhe janë për çdo artist shprehje e kapërcimit nga njëra traditë në tjetrën, që do të thotë se në çdo fushë të realitetit dhe artit krijimi i konvencioneve të reja përbën një pohim absolut të të gjithë konvencioneve të shkuara.
Nga tërësia e bagazheve konvencionale të së kaluarës krijuese artistike,artisti i vërtetë dhe me shumë eksperiencë ruan në vetvete shumë elementë, që i vlejnë edhe sot e në çdo kohë si metoda të reja, aktuale dhe produktive, që fitojnë përherë një lloj vlere pavarësie nga koha,që i pat lindur dhe që i përshtaten një lënde të re reale, jetësore dhe bashkëkohore.
Arti, në gjithëkohësi krijuese për artistin, ka qenë një element konvencional i përhershëm në ide, tematikë dhe teknikë realiste, moderne bashkëkohore.
Përdorimi i konvencioneve të traditës së kaluar krijuese në kushtet e sotme të artit modern është rezultat aktual dhe efikas për një metodë të re krijuese artistike, natyrisht në përshtatje me sistemin e ri të konvencioneve dhe vërtetësisë reale të artit specifik të kohës.
Konvencionet e përdorura në kohë të shkuara dhe të sotme në art dhe nga vetë artisti (artistët) kanë qenë dhe janë një mënyrë, metodë dhe shprehje për të arritur te vërtetësia reale e jetës, njeriut dhe fenomeneve universale të botës.
Në artin realist, ndryshe nga artet e tjera, konvencioni është përdorur e përdoret edhe sot si mjet i shprehjes së vërtetësisë artistike për jetën, njeriun, dhe shfaqjeve të jashtme të objekteve, që ekzistojnë në realitet. Në artin e realizmit figurativ, konvencioni është një mjet i shprehjes specifike të vërtetës artistike dhe një mënyrë e përgjithësimit artistik të realitetit dhe më gjerë. Koncepti i realizmit është shumë më i gjerë sesa koncepti i konvencionit artistik dhe krijues. Por, dhe këtu, pra, në artin realist ka një hapësirë rregullash në përdorimin e konvencionit, i cili, ky i fundit, është i dobishëm për sa nuk e dëmton funksionin e tij artistik dhe lidhjen e figurës artistike me objektin që ajo pasqyron. Në të njëjtin sens, konvencioni ka vlerë për sa nuk e gjymton natyrën emocionale të përvetësimit artistik të realitetit, të vërtetën artistike për jetën, njeriun dhe gjithçka në këtë botë.
Në antipod me të gjitha, kur konvencioni zbehet si vlerë, shndërrohet në qëllim në vetvete, humbet çdo lidhje me fenomenet e realitetit, nuk mund të ketë më asnjë vlerë dhe bëhet i panevojshëm në krijimtarinë dhe veprën artistike.
Një gjë e tillë i shkon konvencionit në artin modern, në pikturën abstraksioniste, në teatrin absurd dhe në antivlerën krijuese artistike. Në këto krijime artistike konvencioni merret si diçka e pavarur nga objektet e realitetit, nga njohja e tyre, nga veçoritë specifike të pasqyrimit të realitetit në art. Ato e kalojnë çdo masë në përdorimin e konvencionit deri në shkatërrimin e realitetit dhe vlerës së vërtetë artistike.
Të gjithë artistët seriozë e ndiejnë kërkesën e përhershme që ta përjetojnë sa më shumë vërtetësinë e realitetit ku ndodhen dhe thithin lëngun e shëndetshëm të jetës universale njerëzore në këtë botë.
*Piktor, studiues arti

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…