Skip to main content

Tetova News

Visar Zhiti rrëfen: Kshnellat në internim që përsëriste Gjosho Vasija

Homazh/ Edhe Gjosho Vasinë e godisnin rregullisht. Në brinjët e tij ka shenja brirësh të demit të diktaturës. Do të doja të tregonim për të, me të folmen e tij siç do të fliste vetë ai. Që të kuptonim nga ç’thellësi vuajtjesh del humori, sa dhembje harxhohet për të qeshurën e njeriut! Kam një si dekalog të Gjoshos, të nxjerrë nga shënimet që ia ka lënë një miku, bashkëqytetarit të vet, Zef Skanjeti, “janë përplasjet me gungat e jetës gjatë atij mishmashit të kuq të tiranisë, – thoshte. Gunga i quante, kohë e shëmtisë. – …Do t’rreshtoj s’parit profesionet e egra që m’i imponoi rregjimi…”..


Sfida e së qeshurës!

Nga Visar Zhiti


Gjatë Krishtlindjeve, në prag të ndërrimit të viteve, kur bota e gjithë feston dhe përplasja e gotave me verë duket sikur krijon për një çast një si kristalierë vezulluese, ku vera edhe i ngjan të kuqërremtës së perëndimit të diellit dhe mes haresë të vjen të kujtosh atë që ikën, por gjithmonë do të gjendet dikush që do të kërkojë të thotë diçka për të qeshur. Ndodh që të na avitet tisi i trishtimit, pa e patur të qartë pse, sepse do të ndiejmë një si mungesë, mbase edhe pasiguri për të ardhmen, na fshik një ndodhi, një imazh, një shqetësim.
S’ka shumë që iku përgjithmonë nga kjo jetë aktori i humorit, Gjosho Vasija, duke lënë pas jehonën e një të qeshure të madhe e të mençur si një shteg në një si mizanskenë me maska të pikëlluara klounësh, të cilët bëjnë të shqyhen gazit të tjerë e vetë ata së brendshmi vuajnë. Po shfaqen dhe maska të tanishme me brirë demi, që dalin kërcënueshëm përtej ekranit të televizorit, që një gazetare arti i ka mbi krye e sulmon veprat.
Më vjen ky vegim, s’e di pse, nga që e kisha parë në skenë Gjosho Vasinë dhe e di që është sulmuar gjithë jetën. Humorit tradicional të fundviteve po u mungonte ai, aktori i veçantë, parodisti i shkëlqyer, i papari i estradave tona, libretist dhe regjisor ndërkohë, por dhe poet i satirave fishtiane dhe mecenat shpirtëror i talenteve të reja, kurajoz, i rrethuar me akordet e kitarës së tij si me borë shumëngjyrëshe, me atë zë të shkathët, personazh i shumfishtë në situata sa komike po aq dhe keqardhëse, pra zërat e tij kumbues, hokatarë, të beftë, të thatë, gurgullues, të alarmuar, finë, të zemëruar, duhen, ejani, prapsini me kulturë brirët e demit të së keqes…

“STILLE NACHT” – MELODI PËR KRISHTLINDJET:
Ky fundviti, festat e tij duket sikur e pranojnë shumë vegimin, kanë aftësinë të na risjellin ç’iku… ja, na avitet dhe Gjosho Vasija, që dinte të bënte të qeshnin të tjerët.
Më ka mbetur në mëndje një rrëfim i tij, mjaftonte ta dëgjoje një herë, që të të kujtohet në çdo Krishtlindje. E futa në librin “Ferri i çarë”, një burgologji imja. Ja, shikoheni, ku zëri i Gjoshos përzihet me kujen krenare të një trombe:
…Ishin Kshnellat në internim, përsëriste Gjosho Vasija, në Progonat, në Grykën e Bënçit. Punonim me trungjet, i hidhnim në lumë, nga 100 shtylla për brigadë. I ndiqnim nëpër shkambinj, ku ngecnin, i shtyjshim, binim në ujë dhe vetë, vriteshim. Na kthyne me qëllim ma vonë se herët e tjera nga puna, qe ba terr i madh. Tepelenë. Sa fryn nj’atje! Flejshim poshtë kështjellës, ku kishte ken dhe Bajroni, në fushë, rrethue me tela me gjema, në çadra të çame, dyshekë kashte… Duert na dhimbshin, i kishim të vrame nga puna, përgjakeshin çarçafat, nënkresa. Çoheshin nanat, gratë, motrat me na pa, a kishim ardh përnjimend gjallë nga puna, a po flejshim dot? Ftohtë. Frynte për kjamet. Ishin Kshnellat. Nuk na merrte gjumi, as vdekja, ankth, lodhje, asnji qiri, veç na treteshim. E kishim urue njani-tjetrin na za, kur na shpërndajshin langun e groshës: “Për shum vjet kshnellat!” Kaq. Po afronte kund mesnata, ishim të xanun me kujtimet e festës, fshamje, krumje e ndoj gërhatje e mbytun… Në ket humbëtinë na bahet se ndijohet gjithë jehonë malesh nji trombë në sordinë, vajtimtare, kanga “Stille Nacht”, e famshmja, e njeh dhe e këndon mbarë bota kristiane. Ishin Kshnellat. Mos na bane veshët të tanve, halucinacion auditiv? Po nuk mund ta marrish me mend se çka ndodhi mbrenda gazermës, dridhje, ngritje koke, gulçe, biseda me frigë, ngricë e përndritun gjithandej. A thue përnjimend u ngjall ajo trombë? “Stille Nacht” Po, po, e përhapte era si pelerinën e Bajronit. Melodi engjëllore mes nesh, mes torturave tona, besoj se duhet të jetë regjistrue në faqen e parë të Qielles, aty pranë Zotit të Madh. Kjame deri në mengjes, saqi, edhe kur u gjetëm të rreshtuem në orën 6.30, i kishim sytë e ajun nga lotët. “Stille Nacht”. Paskësh kenë e vërtetë kanga! Po ç’ishte ai magjistar me trombë, nga erdhi, ku iku? Nuk e kapne? Të nesërmen mbrama, kur mrrijtëm nga lumi, na lajmëroi nji “mik polic” se ka ken Gasper Çurçija, qi asht ulë nga makina, atje nalt, brij rrapit e kalasë dhe i ka ra… burisë. Ah, ai, e dinte që ishim na, s’kishte kurrnjigja me na dhurue, veçse melodisë së famshme “Stille Nacht” në terr. Na solli nëpër erë Kshnellat e mungueme. Mandej ishte nisë për Gjinokaster, ku kishte shërbimin. Eh, nuk ia harrojshin dhe e gjetne rastin, e kapën për do faje tjera, me taman s’dihej për çka, por ai kishte futë muzikë xhazi në Festivalin XI, kje i pari dhe… e pushkatuen.

Tronditëse. Tani plagët prej Krishti të martirëve më duket sikur vezullojnë me dritat e festës. Një hare e lehtë sikur fryn mbi zhgënjimet e pritshme dhe pishat e zbukuruara gjithandej sikur duan të nderojnë qëndresën, prandaj rrinë drejt e në këmbë. Nga ekrani i televizorit dalin kërcënueshëm brirët e demit, që i ka vënë mbi krye ajo, gazetarja e arti.

GJURMË DHE DHEMBJE:
Edhe Gjosho Vasinë e godisnin rregullisht. Në brinjët e tij ka shenja brirësh të demit të diktaturës. Do të doja të tregonim për të, me të folmen e tij siç do fliste vetë ai. Që të kuptonim nga ç’thellësi vuajtjesh del humori, sa dhëmbje harxhohet për të qeshurën e njeriut! Kam një si dekalog të Gjoshos, të nxjerrë nga shënimet që ia ka lënë një miku, bashkëqytetarit të vet, Zef Skanjeti, “janë përplasjet me gungat e jetës gjatë atij mishmashit të kuq të tiranisë, – thoshte. Gunga i quante, kohë e shëmtisë. – …Do t’rreshtoj s’parit profesionet e egra që m’i imponoi rregjimi…”..
1- Arsimtar dhe i internuem. Jemi në vitin 1949, isha gadi 18 vjeç. Shteti bani thirrje kush don të hyjnë arsimtar. U rregjistrova dhe ndoqa nji kurs 6 mujor. Më emnuen në rrethin e Rrëshenit, në fshatin Fang të Bulgjerit… Në nandor të atij vjeti, në mjes me trokiten dy polis, më lidhen me nji tel çelikut dy durët mbrapa dhe më hodhen mbi nji kamion ngarkue me gur mali… Ishte arratisë vëllau dhe familja duhet të njifte Kalvarin e diktaturës. Mjerisht tortura e parë filloi me gjakun që derdha mbi ato gur, kur më perplasen si nji kafshë e ngordhun.
(Dhe s’pati Krishtlindje dhe as Vit të Ri, kur bota festonte mbarimin e gjysmës së parë të shekullit dhe do fillonte gjysma tjetër.)
2- Hamall dhe druvar në kampin e përqëndrimit të Tepelenës Ngarkojshim spatat dhe litarèt në krah dhe merrshim rrugen per në malin e Turanit. Pritshim dru, i ngarkojshim mbi shpindë me litarè, tue e fut në fyt njenen pjesë dhe dy ansoret terhiqshin barren nalt…
(Edhe pemët persekutohen, por durojnë në heshtje, na i mësuan dhe ne…)
3- Hapës kanalesh dhe mbledhës pambuku.. Në Myzeqe, me thà këneten e Terbufit, norma 5 meter kub, buka 400 gram… 15 orë punë në ditë, norma 20 kg pambuk, e pa mundur të bahej.
(Pastaj nga ai pambuk ngjitej dhe xhamave të dritareve të shkollave, të dyqaneve, imitacion i borës së Vitit të Ri, por a dallonte ndokush në to mollëzat e gishtave të mardhur të atyre që mblidhnin pambukun?)
4- Shtrues shinash. Në hekurudhë, në Villas t’Elbasanit. Punojshim me tre turne, aksidente vazhdimisht. Un kam në kokë nji alamet shejit të nji plage të marrun naten n’sa vinte treni me traversa.
5- Punë me vdekjen dhe dashuria. Na kthyen përsëri në kampin e Tepelenës… Të vramë, të vdekun… (Aty do të njihej me Blerinën, i kishin pushkatuar babanë me ata 20 vetat e tjerë për bombën e hedhur në ambsadën sovjetike në Tiranë, kishte kaluar festa e Vitit të Ri 1951… Ajo, ajo do të bëhej e dashura, gruaja e tij, nuk do t’i ndahej gjithë jetën.)
Puntor llaçi në Skrapar, Çorovodë, për të ndertue Degën e Mbrendshme, që na dënonte regullisht… Më pas dhe në Berat… Pa vite të rinj… Puntor në fabriken e tullave, Kamëz, tre turnesh.
U lirova ma s’fundit, – na vjen zëri i Gjoshos… Kthehet në Shkodrën e tij dhe e të vetmet punë që i lejuan të bënte ishin ato të krahut.
6- Sportist. E marrin për futbollist, portier në skuadrën e të rinjve të “Vllaznisë”, por sa marrin vesh “biografinë” e largojnë. E provon në kërcim së larti e në Spartakiadën e parë Kombëtare, merr titullin Kampion, por Sigurimi i Shtetit ia mori medaljen dhe diplomën dhe e futin 20 ditë në burg…
7- Kitara e fatit. Punëtor duhani në Shkodër. Mëson kitarën fshehurazi sikur të ishte armë. Koncert në pjacë të qytetit, guxon dhe futet… interpreton një kuplet, e harron frikën, vazhdon… po flitej për të rrugëve të Shkodrës, po e kërkonin…


HUMOR ME KUNDËRSHTARËT:
8- Aktor… Hapet një sipar i ri për Gjosho Vasinë, por nga pas si hije i vinte “biografia”, vetëvetja tjetër. Unë e kisha parë në estradën e Lushnjës, isha fëmijë, dhe luante së bashku me tim atë, Hekuranin. Na mrekullonte e folura e tij shkodrançe, duartrokitjet e shumta që korrte. Ka ardhur nga internimet, thoshin. Nga ku, sa do rrijë? Po edhe im atë kishte qënë në burg ca kohë e i përndjekur. Kurse dirigjenti dhe themeluesi i orkestrës, maestro Filipeu, sapo kishte dalë nga burgu i Burrelit. Së bashkua ata zbuluan këngëtaren Vaçe Zela. Nga internimet, nga Savra, vinte dhe trompisti i ri i estradës, Franc Pali, kishte babanë të arratisur, kurse kitaristi, Shahin Hrushiti, kishte patur babanë në burg, etj. Te SMT-ja pranë punonte dhe inxhinieri-shkencëtar Mërgim Korça, i lindur në Austri, por i ati, intelektual i lartë, patriot dhe ministër dikur, i dha fund jetës me grevë urie në burgun e Burrelit, etj, etj…
Estrada e Lushnjës, e qytetit të dhimbjeve, kishte gjithë këta të dënuar, aktorë e spektatorë. Duheshin, shfrytëzoheshin. Partia bënte propagandën e saj me kundërshtarët, me armiqtë. Dhe kishte një vijë të kuqe për ta, nuk lejohej ta tejkalonin, aq sa donte Partia. Ankth, absurd, që të bën të qeshësh tani, por më shumë të qaje atëhere.
Gjoshon e kisha parë dhe në skenat e Shkodrës, në qytetin e humorit, më gazmori në Ballkan ndoshta, prodhuesi i barcoletave “kundër”, më pikantet në të gjithë perandorinë komuniste.
Në mes të syrit të atij cikloni të qeshurash dhe duartrokitjeve, ai, Gjoshoja, i gjatë, i hollë, me kitarën e tij, hidhte batuta të befta, humor i mënçur, latin, me një si trishtim të fshehtë siç është humori i vërtetë, duartrokitje, akorde, drita, ngjyra, zëri i veçantë, zërat e tjerë të tij, shkërbime fantastike, ironia, talljet… afër rrezikut… agjitacion dhe propagandë kundër… neni 55 i Kodit Penal… jo, jo… Gjithsesi la pas dhe mbi 60 melodi, edhe një dyzinë këngësh, që i këndojnë, ndoshta pa e ditur se janë të tijat.
Dhe në çdo Vit të Ri në humorin e festiv, skenave, në radio e televizor më pas, do të kishin patjetër pjesë të Gjoshos. Po dhe brirët metaforikë të monstrës ideologjike, demi i së keqes…
9- Medalja e Arit. Lufta e klasave e përplasi në Vaun e Dejës, frynte shumë atyre grykave, minator në digë të hidrocentralit dhe ai, nuk iu ndejt, krijoi grupin e estradës, që për çudi, zë vendin e parë në festivalin e estradave. Iknin njerëz në Vaun e Dejës të shikonin shfaqjet e tij. Ditën punëtor dhe natën artist. Natën vetvetja, i dëshpëruar, i zhgënjyer, i vrarë, i trembur, ditën – qytetar, korrekt, aktor.
I jepet Medalja e Artë trupës së Vaut të Dejës në konkurrimin kombëtar, kulti i klasës punëtore, kur çdo punëtor shtypej, por nuk ia dorëzuan atij, krijuesit të asaj trupe, regjisorit, libretisit dhe interpretuesi kryesor, Gjosho Vasisë, ai s’e pa kurrë atë medalje.
Shqiptarët i duan humoristët e tyre, sidomos në diktaturë, se ata mes mynxyrave kolektive shpikin atë, më të vështirën, të qeshurën. I gëzojnë njerëzit, edhe atëherë kur ishte e vështirë, i bënin të qeshnin mes ashpërsisë dhe dimrave, kur ndërroheshin vitet, por jo sistemi, vuanin me të vuajturit, krijonin një si ndjesi lirie të brendshme, kur liria ndalohej gjithandej. Por virtytet mund të ruheshin dhe e qeshura, në fund të fundit është kulturë.
Me të qeshurën u sfiduan dhe vështirësitë e jetës, goditjet e rënda, persekutimin. Nuk sfiduan vetëm fatin, por si artistë – dhe kjo është më e rëndësishmja, – pasi arritën të bëhen personalitete në kulturë, e tejkaluan humorin e zbrazët të socrealizmit, të asaj komedie banale e propagandistike, vrastare do të thosha, etj, kur shumëçka ishte në rrezik, përveç rrezikut.
Dhe dhanë shembullin pararendës të bashkëjetesës me kundërshtarin e vrazhdë, me armikun e jetës së tyre.
Por brirët e demit metaforik shpërfaqen gjithandej, edhe tani. Në formën e shkronjës E-”enver”. Ca si mbeturina të andejshme, mefistofelë ordinerë, trashanikë shijesh e ligatina shpirtrash, të të dy sekseve, kanë aftësinë të ndjellin veç keq, rithërrasin urrejtjen, s’i gëzon asgjë. Me mendjet e tyre të gjymtuara, nga që s’kanë qënë kurrë të bukur, shpifin përditë me dëshirën që të fyejnë shumëçka, që nga libri deri tek institucionet. Edhe pse kanë mbiemra kafshësh të pafajshme, si të burrave të deleve e lopëve, asgjë nuk kanë mësuar nga thelbi, nga puna, mundi e heshtja e kafshëve, veç vjellin në media ligësi, të vetmen gjë që kanë brenda vetes.
Ëndërroj kitarën e Gjosho Vasisë mbi kryet e tyre, por jo, thyhet kitara, meritojnë shumë e më shumë.

LAJMI I MBRAMË:
10 – Emigrant. Pas shembjes së Murit të Berlinit dhe rënies së perandorisë komuniste, për rrjedhojë dhe të diktaturës në Shqipëri, pas eksodeve të mëdha të shqiptarëve, edhe Gjosho Vasija ikën në Itali në vitin 1991, me gruan dhe dy fëmijët, kërkon strehim politik, vendosen në qytetin verior të Triestes dhe fillon një jetë të re, me vite të rinj, ato të emigrantit.
Shëtitje buzë detit me mallin për Shkodrën. Hapat e çonin përpara, vegimet e kthenin pas. Kalendari rrëzonte datat e vitet ndërroheshin. Gjethe që binin dhe dallgë që prapseshin, që sikur sillnin një kitarë nga atdheu i tij, të çarë nga brirët e demit metaforik, ja, ja e kanë gazetat e atdheut…
Megjithatë, në vitin 2010 Presidenti i Republikës në Shqipëri i jep Gjosho Vasisë titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Talentit dhe krijuesit të rrallë të skenës së humorit, që, falë personalitetit dhe karakterit të fuqishëm, jo vetëm diti t’i rezistojë me fisnikëri përndjekjes së egër të diktaturës komuniste, por me humorin e tij u dha gëzim, dritë dhe shpresë njerëzve të thjeshtë dhe bashkëvuajtësve në të gjithë vendin”.
Do të donim ta kishim përsëri në këto Krishtlindje e Vit të Ri, humori i tij mbase do të zbuste disi klimën e ligësisë që krijojnë ata që s’i gëzon asgjë, vetëm urrejnë, por më parë mbërrin lajmi i zi që Gjosho Vasija ndërroi jetë. U shua në moshën 84-vjeçare. Në këmbë ishte, vital, plot humor dhe mall.
E qeshura ngrin, bëhet maskë. Sytë e përlotur vezullojnë si llambushka të vogla në pemën e Vitit të ri. Krishtlindjet janë dhe rikthim i atyre që na duket se s’janë më. Viti i Ri përsërit shumëçka nga viti i vjetër. Dhe ai do prehet në Trieste. A ngjajnë varret atje me ato të Shkodrës, të qytetit të tij, ku ai nuk pati dot një shtëpi të veten?
Nga të gjitha gjallesat mbi fytyrë të dheut vetëm njeriu di të qeshë, ndërsa kujtesa spraps vdekjet. E qeshura jeton dhe më pas që të vazhdojë misionin e saj. Na duhet të forcojmë kulturën e të qeshurës.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…