Skip to main content

Tetova News

Barsoletat e rrezikshme të Sallakut për Enverin (Shkëputur nga libri i Pëllumb Kullës “Skënder Sallaku ose si qeshnim nën diktaturë”)

Aktori Skënder Sallaku

Për shumë vite, unë kisha dëgjuar për gazmoret e “xhepit” dhe, megjithëse e dija që shumë prej tyre vetëm sa i visheshin Sallakut, sikurse mbi gjysmësipërfaqen e globit i vishen Nastradinit, prapë e besoja tërësisht që ai, sidoqoftë, tregonte mjaft nga ato….
Janë vërtet përrallore rastet, kur anekdotat e pacensuruara nga komisionet partiake, ato të famshmet anekdota “të xhepit”, që përflisnin partinë dhe regjimin proletar, artistit tonë iu kërkuan që t’i tregonte në sy të të egrit ministër të Sigurimit, Kadri Hazbiut dhe vetë diktatorit Enver Hoxha.
Unë nuk kam lënë rastin pa i përfshirë këto episode interesante në fletët e këtij libri. Por para tyre, kishte pasur plot ministra e hierarkë të tjerë të partisë, të cilët, të ngrohur nga atmosfera që krijohet në prani të artistëve e ashtu gjoksshkopsitur nga pranira të tjera, disi të gjata, të alkoolit mbi tryeza, ishin shtytur deri aty sa të kërkonin këngën e sirenave:
-Hajd’ se gjithë tanët jemi tani, Skënder, na trego ndonjë nga ato të xhepit!
Kur e shfaq dëshirën më i madhi i Kuvendit, të tjerët vërviten në kor:
-Hej, Skënder, tregoji shokut Filan atë të pelës në repartin e raketave! Të lutem tregoja!
- Trego more atë kryeveprën e atij kurbetliut para Komitetit Qendror!
Dhe gjithë të tjerët hynin në garën e sugjerimeve që, për shokun filan, ministër, a i madh i ndonjë komiteti krahinor partie, nuk ish veçse një kallëzim i mirëfilltë, që Skënderi e kish parkun plot me kësilloj veturash ilegale pa targa fare.
- Jo, – u jepte fund grindjeve Skënderi, – do ta filloj me një të re! Kjo është nga më të fundit…
- Mirë more xhaxhi Skënder, – i thashë një ditë teksa pinim kafe pa njeri pranë, – a nuk e ndien se po e tepron? Unë ta kuptoj shtysën e ethshme, ta kuptoj dehjen që të sjellin të qeshurat, që ti arrin të ndezësh me këtë lloj humori. Habitem veçse, si shkon e pshurr në derë të xhamisë! Si nuk ke frikë nga paburrëria që aq shpesh e shfaqin këta lloj funksionarësh?… Një ditë ata, më tepër për të ruajtur veten se për të të bërë dëm ty, nuk është habi, të urdhërojnë të të vënë prangat.
Skënderi ra në mendime e dukej se nuk binte në to për herë të parë.
- Namin nuk ma heq më njeri! Po më mirë t’ua tregoj ato drejtpërdrejt të mëdhenjve, se t’i tregoj vetëm poshtë. Se pastaj, kur ndonjë që këtej nga poshtë rend e kallëzon lart, me demek “shikoni se ç’anekdotë të fëlliqur tregoi dje Skënder Sallaku!”, ata lart do të thonë: “e more, mirë, se e dimë! Këtë na e ka treguar dhe na!” Edhe mbyllet kapaku më mirë… Po të shkojë ndonjë spiunim për ndonjë barsoletë të panjohur për ta, atëherë kam frikë unë!
…Ne jepnim përshtypjen se e trajtonim seriozisht e në harmoni të plotë këtë situatë të veçantë, tamam besa, si dy mendimtarë të karatit të lartë. Megjithatë, çapkënëria e Skënder Sallakut e nxirrte vetullën si hëna prapa malit e nuk vononte të më vinte në pozitë të pakëndshme. Një mbrëmje dhjetori ishim duke punuar mbi një skeç të shkurtër me disa personazhe, që përgatitej për koncertin e natës së Vitit të Ri 1978 në televizion. Aktorët ishin kthyer nga një pushim i shkurtër. Unë u ula në tryezën e drejtuesit dhe, sa desha të pyesja, përse po vonohej Skënderi, ai u duk te dera. U fut me nxitim duke qeshur, pa edhe një herë në korridor para se të mbyllte derën mirë dhe u afrua te ne të tjerët, pa e ndalur gazin.
- U vonova se po u tregoja dy shokëve, nuk di a jua kam treguar dhe juve, atë për Plenumin e fundit të Komitetit Qendror, – filloi të rrëfejë Sallaku. E vazhdoi:
Në mes të punimeve të Plenumit, shoku Enver e kishte ndier veten keq. Vrapuan mjekët, e hoqën me urgjencë dhe punimet e plenumit u ndërprenë. Por asnjëri nuk largohej nga salla. Meraku për shëndetin e shokut Enver ishte i madh.
Në një farë kohe hyri mjeku personal i shokut Enver dhe u vendos një qetësi absolute.
- Vend për panik nuk ka, – kish njoftuar  mjeku, – por shoku Enver është tepër rëndë. Ekipi ynë i mjekëve mendon se i duhet vënë një zemër tjetër. Tani ne atë zemër nuk e kemi këtu, por nga kartelat e secilit prej jush e dimë se që të gjitha zemrat tuaja janë të përshtatshme. Kush del vullnetar e të na japë zemrën e tij për komandantin?
Si me sustë, gjithë anëtarët e plenumit në sallë kanë ngritur duart. Ishte një shfaqje prekëse, emocionante. Byroja Politike e përlotur kish bërë një konsultë dhe kish marrë një vendim që pat dalë ta komunikonte Mehmet Shehu.
- Të gjithë ne duam t’i japim zemrat tona. Të gjithë duam të vdesim për të, – kish thënë Mehmeti, – por vetëm njëra nga zemrat tona kërkohet, se një zemër bën punë. Ne si udhëheqje mendojmë të fikim dritat e sallës së Plenumit dhe të lëshojmë një pëllumb, i cili është mësuar që, kur të lodhet, t’u ulet njerëzve mbi supe. Hapim dritat, shohim mbi cilin sup është ulur pëllumbi, ai shok apo ajo shoqe do të ketë fatin, nderin, lavdinë të falë zemrën dhe, që nga ky çast, edhe jetën për udhëheqësin tonë të ndritur.
Shpërthyen duartrokitjet. U fikën dritat e u lëshua pëllumbi.
Filluan të dëgjohen llapashitjet e krahëve të tij. Pastaj befas, kur pëllumbit i erdhi koha të ulej e po kërkonte ndonjë sup, në errësirë dëgjoheshin pëshpërima të çjerra e zëra të ndryshëm: “Shsh! Yha! … Plaç!.. Hiqmu shejtan! ..Shshsh!… Ç’m’u qep mua ky dreq!”
Skënderi mbaroi barsoletën dhe, tok me aktorët e tjerë, me të njëjtin ndriçim djallëzor në buzëqeshjet e tyre, u kthyen të shikonin si do të reagoja unë. Ishin që të gjithë artistë të Estradës së Tiranës dhe unë që drejtoja provat isha mysafir.
U ngrita në këmbë. Nuk dija çfarë të bëja. Në një ambient humoristësh rrezikoja të dukesha qesharak. Për të mos u dukur qesharak, thashë të qesh tok me të tjerët, thjesht për të lënë përshtypjen se “ne merremi me humor, ne kemi nivel të lartë perceptimi, ushqimi humoristik në tavolinat tona artistike është vazhdimisht i pranishëm dhe është tjetër gjë, nuk është aq banal sa ajo supa e holluar që i japim publikut”…


(Shkëputur nga libri i Pëllumb Kullës “Skënder Sallaku ose si qeshnim nën diktaturë”)

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…