Skip to main content

Tetova News

BOTA E GRUAS NE VARGJE

Nga Nasho Jorgaqi
Vargjet poetike të kësaj faqe letrare i sjell këtë herë emri i Reshida Çobës. Janë krijime të një gruaje të panjohur shqiptare që jeton e punon në mërgim prej vitesh. Ato vijnë nga përtej Atlantikut, të thurura nën diellin e nxehtë të Kalifornisë, si mesazhe shpirtërore dërguar bashkatdhetarëve të saj.

Ne atë mjedis krejt të huaj ku e ka hedhur jeta, është gjuha e nënës ajo që e bën atë të lidhet, e të komunikojë me boten shqiptare. Është fjala e shkruar ajo që e frymëzon të përjetojë identitetin e saj, që i jep kuptimin e ekzistencës njerëzore dhe qytetare.
Nisur nga gjuha amtare dhe dashuria për të, gruaja mërgimtare vë në themel të mendimeve të saj mallin, nostalgjinë, ëndrrat e zhgjëndrrat, pengjet e zhgënjimet, ditët, netët e veta në mes tokës e qiellit të huaj. Janë këto situata e momente të përditshmërisë, të pleksura me gaze e derte, të ngarkuara me mendime dhe emocione, të shprehura me zërin e një gruaje.
Një grua me personalitet e dinjitet që di ç‘thotë e di ç‘kërkon, me formim bashkëkohor, e ngarkuar me ide dhe ndjesi të emancipuara, është gruaja shqiptare që guxon, që s‘i trembet paragjykimeve dhe sfidave, që ndjehet krejt e barabartë me simotrat e saj në mjediset e botes moderne. Ajo këndon lirisht, çdo gjë njerëzore s‘është e huaj për të. Është e hapur dhe e drejtpërdrejt, e sinqertë deri në sensualitet. Një vëzhguese e hollë, delikate aq sa e bën për vete lexuesin. Shprehja e saj poetike është e thjeshtë e komunikuese, larg retorikës, spontane.
Mendimet e autores bartin filozofinë e kapshme të jetës së përditshme, që më shumë ndjehet se sa shprehet. Kjo e bën poezinë saj, lirikë me një fluiditet të këndshëm, me figura të përvijuara lehtazi, të dhëna me dashuri e dhimbje që shpesh vijnë nga larg. Heroina e dashur e Çobës është gruaja e dëshiruar, e dhënë tërësisht, pa lëkundje e pa pengje, që di ti gëzohet bukurisë dhe endjeve të saj deri në magji. Një figurë e pranishme ne vargjet e autores është ajo e nënës që rrezaton sa dashuri e mall aq dhe dhimbje.
Një vlerë e krijimtarisë së Çobës është poetika moderne, me gjuhe të thjeshtë e të rrjedhshme, me varg të lirë, me imazhe spontane e metafora të goditura. Autorja është e lidhur me proceset artistike të kohës se saj. Këtë e dëshmon qartazi lëvrimi i suksesshëm i Haikut, një lloj poetik i traditës japoneze, por që në kohen tonë lëvrohet në gjithë botën në një prizëm modern.
Në këtë rruge ecën dhe Çoba me hajkut e saj, trevargjëshe, por dhe me një varg, qe shkruhet për herë të parë ne poezinë tonë.
Reshida Çoba është padyshim një zë i ri në korin e poezisë femërore shqipe që po gjallëron e lulëzon me vlerat e saj më të mira këto vitet e fundit. Ky zë i veçantë, po i jepet lexuesit për të parën herë ndërkohë që autorja po përgatit për shtyp, librin e saj të parë.
Haiku me 3 vargje
Kërcej, këndoj
Por nuk shkruaj dot
Vjershat duan mall

***
Ra një gjethe arre
gjysma te flokët e tu
gjysma te unë

***
Pa poetin të qante
hëna
u hodh në det

***
Syri im i kaltër
përcjell me dëshirë gruaje
një re çapkëne
***
Bluja e qiellit u ndot
një re gëlltiti
majën e malit
***

Ndjehesha e përkëdhelur
pashë qiellin
flinte ngjitur me mua

***


Vdiq nëna
mëngjesi i pare me la
një kuti me errësirë
***
Nën brinjët e të ftohtit
zogjtë ruanin këngën
për pranverën
***
Zbritën lotët
nga sytë
tek zemrat
***
Burri që adhuroja
Puthi cepin e buzës
mu duk më puthi shpirtin


***
Kthehem nga Korca
shoh në shojet e këpuceve
kalldrëmet e vjetra
***
Gjurmët e nënës në dëbore
me çojnë
te shtëpia e lindjes
***
Nën qiell
frutat binin në tokë
vjeshta qante
***
Gjeta shtizat e mamasë
mu vesh ne trup
triko e ngrohtë
***
Era frynte ëmbël
ruante rimën
e poezisë sime
***
Lexoj lirikat e tua
ah të isha fjalë
të flija aty
***
Dyqan bizhuterie
varset vrapojnë
në ëndrrat e grave
***
Në dhomën e nënës
era e ftoit
qan
***
Floket e mij në erë
luajnë
me hijen e tyre
***
Mendohem si nuk digjen
mendimet e mia për ty
nga zjarri i dashurisë
***
Biem në dashuri
vuajmë kur ikën
prapë duam te biem
***
Brenda në anije
midis ujit e qiellit
kisha humbur tokën
***
Mos ma fik dritën xixëllonjë
dhe një varg kam
të mbaroj këngën
***
E besoj se drita
është i vetmi sy
qe nga universi na sheh
***
Mesoja kinezçe atë kohë
kur qava një ditë
lotet më dolen si heroglife
***
Hap perdet e dhomës
e djeshmja ikën
e sotmja me buzëqesh
***
Sa shumë pika shiu
humbën rrugën sot
perzjerë me lotët e mi
***
Fjali e pambaruar
një pike lot në letër
vuri pikën dhe iku
***
E shtrirë në mal
kuptova pse mali
e mban kokën lart
***
Nje yll në qiell
moshatar me mua
gjithmonë ndjek rrugën time
***
Ti je duke lënë
mbi sytë e mi të kaltëer
pa dashje dy sytë e tu
***
Natë apo ditë ishte
kur rrugët harruan
rrugën nga erdhën
***
Tek dera e nënës
Me kanë ikur sytë
e ruajnë kur të kthehet



HAIKU ME NJE VARG

E ndrojtur erdhi një pyetje, kish qenë e virgjër
***
Shkund ombrellën dhe pse shiu nuk ra
***
Kur shoh shigjeta, kthehem shikoj nga erdha
***
Liqeni pret në rruge kur kalon poeti
***
Lëkundje tërmeti, vazhdoj flas me gravitetin
***
Prisja perëndimin jashtë, kish perënduar nga dhoma ime
***
E sata bore bie e s’fola dot me të
***
Dashuria kthen kokën, sheh nga erdhi, ta dijë kur të kthehet
***
Gjithmonë pyes kur bien yjet, ç’moshë kishin
***
Shpejtësia e dritës s’e tregon kurrë dritën
***
Ç’do ditë ka ditëlindjen, ndaj do një këngë
***
Në çeljen e luleve asgjë nuk ndodh gabim

POEZITE

MË KOT
MË kot më fshihesh
unë do të të shoh
në mos në rrugë
në ëndërr domosdo

***
MË SHUMË SE NJË PUTHJE
Më e plote se një puthje ish
me më shumë kuptim
më drithëruese
më me jetë
mbështetja e dy gishtave te mi
mbi buzët e tua të ngrohta
për të ndaluar
një puthje

***

LOTI
Nuk është ujë
Nuk del i zhveshur kurrë
Ka gjithmonë një brengë
Një mall, një pendim
Një humbje, a një faj
Loti është kuptim

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…