Skip to main content

Tetova News

Ditëlindja e nje kryevepre “…gjëma e mëkatit” e Mitrush Kutelit, rekordi i kritikës

 Koha e tretë e Mitrush Kutelit

 Granit Zela

Mbi treqind shkrime janë shkruar për jetën dhe veprën e Mitrush Kutelit përgjatë 23 vjetëve të fundit në Shqipëri. Martin Camaj ishte ndër ata që me shkrimin “Mitrush Kuteli ende i pazbuluem” tërhoqi vëmendjen për rikthimin e plotë të këtij shkrimtari në skenën e letërsisë shqipe, për të dalë nga prapaskena dhe hijedrita ku e kishin vënë pasi “Mitrush Kuteli, pseudonimi letrar i Dhimitër Paskos (1907-1967) është një ndër shkrimtarët më origjinalë të letërsisë shqiptare. Nëse merren në shqyrtim të gjitha fazat e jetës së tij, shkruante Camaj, mërgimi i gjatë kryekreje në Rumani, kthimi në atdhe, koha e luftës dhe heshtja e gjatë deri në vdekje, kemi përshtypjen se prozatori i shkëlqyeshëm pati jo vetëm dy emna por edhe dy jetë”.
Në jetëshkrimin e shkurtër për të, Camaj ka skicuar katër fazat më të rëndësishme të jetës së këtij shkrimtari: mërgimi i gjatë; kthimi në atdhe (që do të thotë burgosja pas kthimit) dhe “heshtja e gjatë (eliminimi nga kryeqendra e skenës letrare dhe nxjerrja në periferi), heshtje e cila ishte fazë e jetës edhe për Poradecin dhe shumë shkrimtarë të tjerë shqiptarë, të cilët patën pak a shumë këtë cikël jete; mërgim, kthim fizik në atdhe, heshtje e gjatë dhe eliminin apo nxjerrje në periferi të skenës letrare dhe pas viteve 1990-të,  rikthim në vendin e merituar në letërsinë shqipe.
Sipas kujtimeve të Nasho Jorgaqit botuar në 2011, Mitrush Kuteli, kishte takuar Mehmet Shehun, në tetor 1944, në rrethanat e vështira të luftës. Kur kishte dalë në zonën e lirë partizane, pas sabotimit që u kishte bërë përpjekjeve të gjermanëve për të emetuar një monedhë të re, natën e parë që kishte arritur atje e kishin çuar në një shtëpi të Priskës, ku ndodhej Shtabi. Në mes të një dhome ai kishte parë një ushtarak të përkulur mbi hartë. Ky kishte qenë Mehmet Shehu. Ai kishte ngritur dritën e petromaksit në drejtim të të porsaardhurit dhe i kishte thënw me një ton keqardhës dhe qortues “Vonë, shumë vonë”, duke nënkuptuar me këtë faktin, që ai ishte angazhuar fizikisht në luftën partizane ditët e fundit të çlirimit të Tiranës, gjë që asokohe nuk pritej prej një shkrimtari që fashistët i kishin vrarë babanë dhe i kishin djegur shtëpinë.
Për të gjitha këto, shkruan Jorgaqi, vite më vonë, unë do t’i tregoja Ismail Kadaresë, të cilit i bënë përshtypje, sidomos takimi me Mehmet Shehun dhe, kur shkroi romanin “Nëntori i një kryeqyteti”, rastin e Mitrushit do ta shfrytëzonte si prototip për të krijuar figurën tragjike të shkrimtarit”.
Në kreun e dytë të romanit “Nëntori i një kryeqyteti”, Kadare përshkruan fundin tragjik të shkrimtarit Adrian Guma, shkrimtar që në kohën e ndërrimit të rendit, ku një klasë përmbyset dhe një klasë tjetër vjen në fuqi, i ndodhur mes dy kohëve, kohës së të përmbysurve dhe kohës së fitimtarëve, ai jeton në një kohë të tretë, në një kohë të vetën, më të përgjithshme dhe më eterne, që qëndronte sipër pasioneve dhe batërdisë, si qielli i ftohtë që rri sipër furtunave, në kohën e tij të vërtetë. I ndodhur mes këtyre dilemave, shkrimtari vendos që të kalojw në “kohën e fitimtarëve”, pasi me siguri kohë më pas do ta pyesin: “Ku ishe ti, kur gjëmonte dheu dhe rreth e rrotull bëhej bartërdia? Ku ishte ti Adrian?” Ku ishte ti Mitrush?  Dhe pasi kishte kaluar “si në ëndërr mes për mes vijës së kufirit të ndërluftuesve gjer në periferitë e Tiranës, ndërsa “ishte i vetëm, larg librave dhe artit të tij”, i braktisur në kohën e tij të tretë, mes Shilës dhe Haribdës ai vinte re, se “humnera mes tij dhe kohës sa vente e rritej”.
Kuteli ishte një mishërim i gjallë i zulmës dhe lavdisë së kohës para 1944. Gjatë kësaj periudhe Mitrush Kuteli kishte kishte bërë emër në letërsinë shqipe me shkrimet e tij kritike për dy shkrimtarë të shquar: Fan Nolin dhe Lasgush Poradecin. Ai i kishte mbledhur poezitë e Nolit, poezi të shpërndara nëpër shtypin e kohës për t’i botuar me një vështrim kritik hyrës përcaktues në fatin e mëtejmë të Nolit si poet. Po kështu kishte mbledhur poezitë e Poradecit, të shpërndara edhe ato në shtypin e kohës, duke organizuar botimin e dy vëllimeve poetike, njërën me kontributin financiar të studentëve të Bukureshtit, shoqëruar me një analizë hyrëse kritike, duke provuar kësisoj, se ai ishte i denjë dhe i talentuar për të shoshitur në mënyrë kritike veprën që ata kishin shkruar.
Quo Vadis letërsia shqipe? Kjo ishte një nga thirrjet e drejtuara në shtypin letrar të viteve 1930-të, me tone apokaliptike, një pyetje trazuese për letërsinë e një vendi që i ndërronte rendet dhe pushtuesit në trupin e tij me një ritëm të egër dhe tragjik, dhe ja pra, pikërisht në këtë vend, shkrimtari nuk mjaftonte të ishte vetëm shkrimtar, letërsia nuk mjaftonte të ishte vetëm letërsi, asaj ia kërkonim me detyrim, me pezm dhe nervozizëm madje edhe në mënyrë kërcënuese që të ishte diça ndryshe nga vetvetja, për shembull propagandë, shtizë dhe flamur, dhe shkrimtarëve iu kërkohej ose të shpërndërronin penën, duke e kthyer në penë dhe armë, ose të rrëmbenin armët dhe të dilnin në luftë.
Gjatë kësaj kohe, në një periudhë shterpësie letrare, Mitrush Kuteli kishte bërë të kundërtën, kishte botuar plot tetë libra letrarë, të cilat e kishin vënë atë, përkrah emrave më të nderuar të letërsisë shqipe, dhe ndërsa një “botë e re” po ngjizej në kulmin e ndryshimeve shoqërore në krejt Evropën. Kur shumica e shkrimtarëve ngrinin pyetje se si do të ishte kjo botë, Kuteli ishte ndër ata shkrimtarë që ngrinte pyetje për natyrën e letërsisë, funksionin e saj shoqëror, si duhej të ishte poezia, si duhej të ishte kritika. Konceptin e tij për natyrën e letërsisë e kishte shembullzuar në veprat që kishte shkruar ndërsa debatet e tij letrare i kishte botuar në një periodik letrar të asaj kohe, në “Revista Letrare”.
Në gazetën “Tomori” të datës 8 mars 1952, Kokona i kushtoi një shkrim Mitrush Kutelit për të cilin shkruan: “Z. Dhimitër Pasko, i njohur në qarqet letrare shqiptare nën pseudonimin “Mitrush Kuteli” , është një nga ata të rinjtë tanë plot zell e vullnet, i cili nuk kursehet së punuari për pasurimin, zhvillimin dhe përmirësimin e letërsisë shqipe. Mitrush Kuteli, i cili sot e gjithë ditën jeton që prej shumë kohësh në Rumani duke u marrë me punë, me kulturën që ka fituar dhe me zotësinë e tij, ka ditur t’ia zbardhë faqen atdheut të tij”. Kokona shqyrton dy vështrimet kritike të Kutelit për dy autorë të rëndësishëm të letërsisë shqipe, Lasgush Poradecin dhe Fan Nolin, vështrime kritike që e kishin vendosur atë në qendër të debateve letrare të atyre viteve.
Në mes të furtunës së luftës, Mitrush Kuteli dhe sivëllezërit e tij të penës Arshi Pipa, Sterjo Spasse, Vedat Kokona, shkruante në “Revista Letrare (1943-1944) dhe jetonte në kohën e tij të tretë, kohën më të përgjithshme dhe më eterne, ku shtroheshin  kërkesat për një vetëdije letrare duke polemizuar me shkrimtarët e lidhur me luftën. “Kohët e fundit, – shkruante Kuteli, – ka filluar të bëhet fjalë, se arti duhet të ketë qëllime edukative, politike, etj. Mua më duket se një pikëpamje e tillë është e gabuar, se atëherë në vend të artit do të kemi moral, histori, politikë, por jo art të vërtetë. Po ta përdor artisti vullnetin e tij për të kthyer artin në një element didaskalik, po ta bëjmë artin shërbëtor të politikës, atëherë s’ka më art.”
Mirëpo, pas 1944-ës, shkrimtarët e lidhur me luftën ishin ndër fitimtarët që rrëmbejnë gjithçka, edhe të shkuarën edhe të tashmen edhe të ardhmen, dhe Kuteli ishte shumë vonë, ishte jashtë kësaj kohe, ishte një shkrimtar i një kohe të përmbysur në letrat shqipe, përmbysje e cila do ta  internonte nga letrat shqipe shumë shkrimtarë, duke e përjashtuar prej saj, ose do të nxirrej në hije, si gjysëm të gjallë e gjysëm të vdekur, duke përjetuar një eutanazi të ngadaltë shoqërore, duke u harruar dalëngadalë nga brezat e mëpasmë të lexuesve.
Sipas jetëshkrimit të Dhimitër Shuteriqit, (Feride Papleka, “Dhimtër S. Shuteriqi” 2010) , një prej kryetarëve të mëpasëm të Lidhjes së Shkrimtarëve, botuar pas vdekjes nga e bija, “Lidhja e Shkrimtarëve u formua si një organizatë “pluraliste”, e cila përfshiu përfaqësues të të gjitha bindjeve përkundrejt luftës. Dhimitri ishte qysh në krye të herës mbrojtës i kësaj linje: pavarësisht nga mendimet e kundërta që vinin nga lart, me propozimin e tij, më 1945, u bënë anëtarë të komitetit drejtues Mitrush Kuteli, ky edhe anëtarë i kryesisë, si dhe Et’hem Haxhiademi, gjithashtu edhe kryetar i degës së Lidhjes në Elbasan. Me rastin e Kutelit, për shembull, ai që nguronte ishte vetë Sejfulla Malëshova, në atë kohë anëtarë i byrosë politike të Komitetit Qendror të Partisë dhe Ministër i Kulturës.
Kur u krijua Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Shuteriqi i paraqiti Sejfulla Malëshovës kandidaturat e tij për anëtarët e LSH-sw, midis të cilëve edhe atë të Dhimitër Paskos.
Në rastin e këtij të fundit, Malëshova shfaqi disa rezerva që kishin të bënin me faktet: Kuteli kishte botuar një pjesë të veprave të tij gjatë viteve të okupacionit nazifashist dhe, se gjatë viteve të okupacionit kishte nxjerrë një revistë të titulluar “Revista Letrare”, që Malëshova thoshte se ishte subvencionuar nga qeveria kuislinge e Tiranës dhe kishte polemizuar haptazi kundër shkrimtarëve të lidhur me Luftën (Revista Letrare, 1 Maj 1944)”. (Feride Papleka, “Dhimtër S. Shuteriqi”, f 308. Tiranë 2010.)
Në faqet e “Revista Letrare”, (1 maj 1944) Kuteli kishte polemizuar haptazi kundër shkrimtarëve të lidhur me Luftën çka do t’i përmendej dhe ndikonte në fatin e tij letrar kur këta shkrimtarë të ndiheshin zotër të Republikës (Socialiste) të Letrave.  Në Kongresin e Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve (1949), konferencë e imponimit të doktrinës së letërsisë së realizmit socialist, ndër akuzat që do të realizonin përjashtimin e Kutelit nga organizata e shkrimtarëve ishte fakti që “Mitrush Kuteli për të mbjellë konfuzion në radhët e letrarëve të luftës shkruante më 1 maj 1944 “Për t’u quajtur shkrimtar ose poet kombëtar nuk duhet medoemos shtizë, dyfek a mitraloz. Mjafton që të shkruash bukur në gjuhën e pastër të kombit, për vepra e ndjenja fisnike”.
Në vitin 1947, shkrimtari Mitrush Kuteli burgoset, si një shkrimtar i një kohe të përmbysur.
Në botimimin “Tjetërsimi i veprës intelektuale gjatë komunizmit në Shqipëri: 1944-1990” me autor Leka Ndojën, shpjegohet mekanizmi i asgjësimit, shpërdorimit, sekuestrimit dhe tjetërsimit institucional të pronës intelektuale në letërsi, arte dhe arkitekturë, nga intelektualë të priviliegjuar të kohës, apo shfrytëzues të fondeve të intelektualëve të persekutuar  në organet e prokurorisë dhe heutesisë,  dhe përmendet edhe rasti “Mitrush Kuteli” dhe dorëshkrimet e tij të sekuestruara nga Sigurimi i Shtetit. Me sekuestrimin e dorëshkrimeve të tij, Kuteli u bë një tjetër “humbës i madh” në letërsinë shqipe. Një nga dorëshkrimet e humbura ishte romani “Njerëz dhe ujq”, me temë nga qëndresa dhe vuajtjet e të dënuarve në kampin nazist të Prishtinës, vepër që nuk njihet pasi humbi pas arrestimit.
Drama e Mitrush Kutelit, sipas kujtim-shkruesit Jorgaqi, e ndjekur në kohë, do të niste nga fundi i vitit 1946, kur ai, pas konflikteve politike-profesionale që pati me palën jugosllave në mbrojtje të interesave shqiptare, dha dorëheqjen si një nga drejtuesit e Bankës Kombëtare dhe vendosi t’i kushtohet shkrimtarisë. Bëri kështu një hap të guximshëm, ndonëse ra kryesisht pre e iluzioneve, se mund të merrej kryesisht me letërsi, pra, i lirë nga vartësia e shtetit. Tamam në këtë pozitë, dhe në këtë gjendje shpirtërore, ai shkruan në shkurt 1947, novelën “E madhe është gjëma e mëkatit”. Degdiset në kohët e lashta të Ilirisë dhe rrëfen për tundimet dhe mëkatet e një prifti ortodoks. Është drama e fuqishme dhe cfilitëse që ndodh brenda shpirtit të priftit Ilit, i dyzuar mes njeriut të perëndisë dhe njeriut tokësor, që e dënon ashpër veten për mëkatet që ka bërë. Aq e madhe është gjëma e mëkatit të tij. Nuk dimë, se cilat kanë qenë shtytjet e brendshme që autori trajtoi këtë temë, dhe në çfarë shkalle pasqyrohen elemente autobiografike, por dimë se koha kur u shkrua ishte një nga më të vështirat e jetës së tij. Koha kur ai kishte tentuar të bënte divorc me të dhe që prej kësaj e pësoi keqazi, kur pas pak muajsh e arrestuan, në maj 1947. Ndodhi katastrofa e jetës së tij që i hapi një dramë të thellë, e që nuk u mbyll asnjëherë. Pasojat e saj do t’i ndjente derisa mori frymë. Gjithë krijimtaria e tij, që erdhi më pas, do të mbante vulën e gjëmës që i ndodhi. “E madhe është gjëma e mëkatit, ishte kulmi që ai arriti në prag të kalvarit që e priste, një krijim që për nga niveli artistik nuk u përsërit më vonë. Veprat që do të shkruante dhjetë vjet më pas, do të qenë fluturime të një zgalemi me krahë të plagosur në hapësirat e letërsisë shqipe”.
E nëse vitit 1947, ishte një vit ziplot për jetën e Dr. Paskos, në mënyrë krejt ironike, ky ishte një vit fatbardh për veprën e tij prej shkrimtari, pasi do të shkruante në këtë vit novelën “E madhe është gjëma e mëkatit”, e cila jo, se ishte e vetmja vepërz e dorëz së parë që mjeshtri kishte shkruar, porse edhe ajo ishte një nga të mbijetuarat prej humbjes fizike të atyre që ai kishte shkruar, gjatë kohës kur ai dergjej brenda mureve të qelisë së burgut derisa të botohej në një përmbledhje antologjike me titullin apokaliptik, “Quo Vadis?”
Ndër to veçohen botimet e veprave të tij, vepra të ndaluara më parë, ndër të cilat shkëlqen si margaritar novela “E madhe është gjëma e mëkatit- Tat Tanushi i Bubutimës”, vepër për të cilën janë shkruar mbi 30 shkrime, më shumë se për çdo vepër të tij pas viteve 1990-të, duke shërbyer si tema doktoratash dhe ligjëratash akademike, duke e parë atë edhe në rrafsh krahasimor, dhe madje duke ngjallur edhe polemika letrare për interpretimin e saj. Kjo novelë, e përkthyer edhe në rumanisht dhe e vënë edhe në skenë, kjo novelë pra, është shqiptuar se është kryevepra e tij prej shkrimtari, vepra qw mishëron më së miri fuqinë e tij prej shkrimtari, njëfarë libri i librave, megjithëse është vetëm 60 faqe.
Ndoshta Mitrush Kuteli, do të kish dashur, apo kishte menduar, se “Në një cep të Ilirisë së poshtme” duhej të kishte qenë kryevepra e tij, pasi, që aty ai kishte shkruar një vepër për lashtësinë iliriane, për shpirtin e parardhëve të vet. Por letërsia, ka orën e saj, tiktaku i veprave të një shkrimtari rreh papushim i kurdisur prej një dore të padukshme, dhe në rastin e Kutelit, kjo orë, ora e veprës që të grish ta lexosh gjithaq sa dëgjon emrin e saj, ka gjasë të ketë ardhur mu në vitin 1947, bash atë vit kur jeta e tij po merrte rrokullimën drejt humnerës dhe dora e tij kishte shkruar veprën që ku e ku sa vjet më vonë, atëherë kur ai të ishte tashmë fizikisht mes të vdekurish, duke ngjitur emrin e tij, prej shkrimtari, në zenitin e letërsisë shqipe, si një nga shkrimtarët madhorë të saj.
Vepra “E madhe është gjëma e mëkatit” u botua për herë të parë si pjesë e antologjisë “Quo Vadis Albania” 1993, pasi kishte mbetur e pabotuar në dormë dorëshkrimi që prej 16 shkurtit të vitit 1947, datë të cilën Mitrush Kuteli e kishtë vënë në fund të saj. Në shënimin hyrës të Atalanta Paskos, shkruhet se “Ekzistencën e kësaj novele, sa ishte gjallë babai, e dinin vetëm familja, Petraq Kolevica dhe ndonjë i afërm tjetër. Tat Tanushi-ky është emri familjar i novelës-mbeti ashtu siç ishte shkruar në 1947. Babai nuk e mori në dorë ta përpunonte më tej, siç e kishte zakon: në ato vite terrori, as që mund të mendohej që një libër i shkrojtur me kaq dashuri për dashurinë, do shihte dritën e botimit. E la diku të harruar, pothuaj të vdekur, e vazhdoi të luftojë përditë me kohën dhe sëmundjet, që të mund të hidhte në letër, “ato që i zjenin në kokë”.
Në shënimin hyrët të botuesit të antologjisë theksohet, se “botuesi krenohet veçanarisht me pjesën e tretë të antologjisë. E dimë se letërsia jonë fsheh nën cipën e hollë të botimeve pasuri krejt të panjohura, megjithatë na duket fat jo i vogël të bashkojmë në të njëjtin libër një novelë si,  “Tat Tanushi”, të Kutelit me Dhiatën e Re në shqipërimin e Atë Donat Kurtit…”.
Në shënimin që Petraq Kolevica e titullon “Pak fjalë për një shkrim që thotë shumë”, pasi “E madhe është gjëma e mëkatit” botohet më pas si libër në vete, Kolevica shkruan, se “ky shkrim i rrallë del pas gjysëm shekulli në dritë thekson se “nën vellon e tejdukshme të legjendës, nën dritën vezëlluese të shkrimeve të shenjta, nën jehonën sensuale mikluese të “Këngës së Këngëve” të Solomonit dhe grishjes tunduese të Eksleziastit, tek ky rrëfim, që është një diamant me shumë faceta, kumbon madhërishëm himni i dashursë së pastër, i jetës së dlirë bashkëshortore, i përsosmërisë morale, të kurorëzuara me butësinë e fesë së krishterë të cilat, së fundi, triumfojnë mbi prapësitë frenuese e deformuese të botës materiale”.
Pasi tërheq vëmendjen, se “në çdo fjalë, në çdo rresht dhe në çdo faqe të rrëfimit, ndihet zëri i butë e i shtruar i pelqve të urtë të fshatit, shihet se si vjen e mbufatet brumi i bardhë i fjalëve, gatuar në magjen e stërlashtë të Shqipes”, Kolevica heq menjëherë paralele në rrafshin krahasimtar në letërsitë e vendeve të tjera duke sjellë në vëmendje faktin, se “dënimi i mëkatarëve nga Zoti me dënimin më të rëndë, pavdekësinë, haste në legjenda të hershme. Ky motiv, i shkruar nga pendë mjeshtrash, prej kohës zuri vend në letërsi. Kështu mund të përmendim rapsodinë lirike “Der Ewige Jude-Çifuti i përjetshëm apo i pavdekshëm, të shkrimtarit gjerman të periudhës “Sturm und Drang, Daniel Shubart) 1739-1791.
Në një shënim fare të shkurtër Kolevica skicon hullitë studimore në të cilat do të thellohen paskëtaj një aradhë e madhe studiuesish të kësaj vepërze të shkëlqimtë:  natyrën orale të rrëfimit; legjendën si pikënisje e rrëfimit artistik mbështetur në dy legjenda të dëgjuara në Pogradec, dhe kësisoj përqasja krahasuese me vepra të ngjashme në letërsinë botërore si dhe së fundi; motivin e marrë nga librat e shenjtë, atë të dënimit për shkak të mëkatit dhe rruga e gjatë për shlyerjen e tij në kërkim të përsosmërisë morale; figurën qëndrore të rrëfimit, “një prift ortodoks ilir, i zbutur dhe i lartësuar shpirtërisht nga mësimet e shkrimeve të shenjta, por i mbetur me karakter të fortë e të papërkulur të fisit ilir, sa ka guxim t’i kundërshtojw edhe Zërit të Zotit tri herë”, si dhe gjuhën e lashtë të përdorur në vepër.
Pasi përvijon këto pasqyra të kundrimit të mundshëm të këtij “shkrimi të rrallë”, Kolevica e mbyll shënimin e tij hyrës me besimin e tij fatthënës, se “të tjerë do të thonë më shumë e më mirë për këtë rrëfim të pashoq në letërsinë tonë”, si dhe duke iu drejtuar paskëtaj autorit të kësaj kryevepre me fjalët e shkëputura nga “Libri i Shërbesave të Shenjta të Kishës Ortodokse”: Asnjë gojë që flet, sado fjalëëmbël, nuk mund të të lëvdojë siç të ka hie.”
Këta të tjerë, ishin shkrimtarë, poetë, studiues të rinj dhe të vjetër, të njohur dhe të panjohur, të gjithë të grishur nga magjia e një vepre, e cila në fund të saj, 16 shkurt 1947, kishte shënuar jo thjesht datën e përfundimit të një shkrimi të zakonshëm, por datën e një kryevepre letrare.
Ndër to, bien në sy studimet që e vendosin në rrafsh krahsimtar me kryevepra të letërsisë botërore. Shkrimtari Sadik Bejko në studimin “Përmbi disa veçori të veprës “E madhe është gjëma e mëkatit…” të Mitrush Kutelit (2007), mbajtur në konferencën shkencore organizuar nga Akademia e Shencave e Shqipërisë “Mitrush kuteli në 100 vjetorin e lindjes”, Sadik Bejko vëren, se “ky tregim i gjatë i Kutelit, (disa e quajnë novelë) është kryevepra e tij, është shkruar më bukur se gjithçka para dhe pas saj”. Bejko e vendos në rrafsh krahasimor me tregimin “Atë Sergej” të Leon Tolstoit, pasi të dyja këto rrëfime trajtojnë jetën e dy klerikëve ortodoksë: të Stephan Kasatskit, me emrin fetar Atë Sergi, në tregimin e Tolstoit, dhe të priftit Tat Tanushi në tregimin e Kutelit. Bejko i vëren se vëmendjen më të madhe autorët e kanë përqendruar mbi raportin e një kleriu me mëkatin dhe mbi rrugët e shpëtimit të tij, pra, trajtojnë temën e përsosjes së njeriut.
Në sythet e studimit me tituj “Dy klerikë mëkatarë”, “prova apo hiri e shpëtojnë njeriun?”, “femra, ajo që ia përmbys jetën një burri”, “humanizmi si ta përsosim njeriun”, studiuesi Bejko shpërfaq edhe dallimet mes këtyre dy rrëfimeve, të cilat janë dy: njëri e pranon hierarkinë kishtare si të vetmen strehë shpëtimi, tjetri e mohon atë krejtësisht, njëri mendon, se me prova mund të rifitosh devotshmërinë, tjetri thotë se shenjtëri arrihet më shërbime të përulura dhe me dashuri ndaj njerëzve”.
Studimet krahasuese të Sadik Bejkos dhe Flamur Malokut, përkatësisht studimet, “Njeriu dhe mëkati, Tolstoi dhe Kuteli përballë” dhe “Modelet letrare: esencat tematike në relacionin e interkomunikimit të dy novelave”, të cilat gjejnë pikëtakimet dhe dallimet mes këtyre dy veprave si dy studime që thellojnë analizën krahasuese mes tyre. Nga ana tjetër, studimi karahasues i shkrimtarit dhe studiuesit Ag Apollonit me titull: “Tata vjen nga Transilvania, analizë krahasimtare për novelën “E madhe është gjëma e mëkatit” e Kutelit me romanin “Drakula” të shkrimtarit irlandez Bram Stoker”, ndryshe nga dy studimet e para, ngjalli debat në skenën letrare si dhe shkrimin polemizues të shkrimtarit dhe studiuesit Behar Gjoka me titull “Kuteli i keqkuptuar: në përpjekje për të shjeguar Kutelin shfaqet një sprovë e dështuar e thellimit të keqkuptimeve të prozës së tij. Rrekja për ta lidhur novelën “E madhe është gjëma e mëkatit” me mitin rumun apo romanin “Drakula” është e pamundur”, çka tregon se megjithëse një vepër vetëm 60 faqe, ajo mbetet një vepër “e pambaruar” në aspektin e interpretimit, veti kjo e veprave të cilësisë së epërme.
Nga ana tjetër, “E madhe është gjëma e mëkatit” ka ngjallur debate edhe për zhanrin të cilit i përket. Në studimin e tij, Sadik Bejko vëren, se “E madhe është gjëma e mëkatit” është tregim i gjatë i Kutelit, pavarësisht se disa e quajnë novelë, ndërsa shkrimtari Mehmet Kraja, në fillesë të studimit të tij në të njëjtën botim me Bejkon diskuton për llojin e zhanrit në të cilën përfshihet rrëfimi i Kutelit duke vënë re, se “sapo ta marrësh në dorë për herë të parë veprën e Mitrush Kutelit “E madhe është gjëma e mëkatit…”, më shumë duke parë vëllimin, të krijohet ideja se bëhet fjalë për një novelë” porse “ky përkufizim mbështetet tek koncepti tradicionalist i zhanreve letrare, të cilin, edhe nëse nuk e pranojmë plotësisht, shpesh i nënshtrohemi sipas incercisë.
Por “E madhe është gjëma e mëkatit” e bën roman, në konceptin modern të zhanrit diçka tjetër, që nuk ka të bëjw me subjektin, as me temën, as me ndodhinë, as me personazhet, por thjesht me një komponente të brendshme të veoprës: me dendësinë e madhe të rrëfimit. Është plotënia e rrëfimit ajo që e bën “E madhe është gjëma e mëkatit” një roman në kuptimin e plotë të fjalës. Është ky një rrëfim aq i kodensuar, aq i ngjeshur, sa që, pas leximit sado të shkujdesur, lexuesi e heton plotëninë. Lexuesit nuk i duhet më shumë se kaq rrëfim, as për Tat Tanushin, as për trazimet dhe dilemat e tij shpirtërore dhe mendore, as për përjetimet dhe pësimet e tij, madje as për vendin dhe kohën e ndodhisë.  Pra, te kjo prozë e Kutelit, ndryshe nga prozat e tjera të tij, hetohet një plotëni dhe koncizitet i njëhershëm, që në përgjithësi arrihet vështirë tek proza e gjatë”.
Pas shqyrtimit të elementëve të mistikës dhe premisat meditative, subjektin rrëfimor të vendosur në kontekstin fillim e fund fetar, rrëfimin e mbështetur fort te situate biblike e “Këngës së këngës” të Solomonit, Kraja argumenton, se “E madhe është gjëma e mëkatit” mbetet vepra më e arrirë e Mitrush Kutelit dhe një nga veprat më të rëndësishme të prozës shqipe.
Po u mor për bazë, data kur është shkruar kjo vepër, sot do të mund të pohonim pa shumë hamendje, se proza moderne shqipe fillon shumë kohë më parë, se ajo të promovohej nga diskurset kritike dhe studimore të letërsisë tonë”.
Të këtij mendimi janë pjesa më e madhe e studiuesve të veprës letrare të Kutelit, të cilët pas viteve 1990-të, duke nisur qysh në 1993, me botimin e “E madhe është gjëma e mëkatit” secili në mënyrën e tij ka argumentuar, se novela “E madhe është gjëma e mëkatit” është, “një ndër krijimet më të bukura e më të thella në krejt prozën shqiptare të shekullit XX”, dhe ne do të përfundonim se Mitrush Kuteli është ndër prozatorët më shquar të prozën shqiptare të shekullit XX, dhe kjo ngase ky shkrimtar, sikurse disa shkrimtarë të shquar shqiptarë falë talentit të tyre të fuqishëm, pavarësisht nga regjimet, rendet dhe gjuëmat nëpër të cilat kaloi vendi i tyre i vogël ku liheshin tragjedi të mëdha, zgjodhën të jetonin në kohën e tretë të shkrimtarit, në kohën “që qëndronte sipër pasioneve dhe batërdisë, si qielli i ftohtë që rri sipër furtunave”, në kohën e  artit të vërtetë, e kësisoj të përjetshëm!/standard

Popular posts from this blog

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…