Skip to main content

Tetova News

Duke lexuar Haruki Murakamin, autorin e ndritur të errësirës

I cilësuar si një nga novelistët më madhështor që jeton në të gjithë botën, Haruki Murakami ka sjellë një tjetër dritë në thellësinë e letërsisë së vlerësuar
Nga Ivana Dervishi


Letërsia japoneze është shumë pak e lexuar në Shqipëri, ndaj të marrësh ndër duar një libër prej një autori kaq të largët, natyrisht që përcjell emocione të reja. Tepër i thjeshtë në stil, por me personazhe që mbartin psikologji të ngarkuar, Murakami i afrohet lexuesve nga një tjetër këndvështrim.
Kur lexon prozën e këtij shkrimtari japonez, të vjen ndër mend Kafka, mbase prej dilemave që transmeton ose ndoshta prej personazheve kompleksë që kanë gjithçka dhe asgjë. Mes surealizmit dhe realizmit magjik, shpesh citohet se ai shkruan atë që çdo lexues kërkon të lexojë, pra librat e tij janë të hapur për shumë ndjesi dhe përjetime.
Pyetjet që torturojnë personazhet e tij janë tepër interesante dhe të vështira, në mos të pamundura për të marrë një përgjigje. “Kush jam unë? Në cilin krah të vetes jetoj? Çfarë ka përtej meje? Cila është rruga që duhet të ndjek?” dhe të tilla si këto, janë mundimet kryesore.
Nëse do të krahasohej me G. G Markezin, Murakami mund të cilësohet si më sipërfaqësor nga ana e realizmit magjik, por shumë më i thellë për sa i përket analizës psikologjike që bën. Vendet ku zhvillohen ngjarjet e linjave kryesore të romanit janë tepër realiste, por në momentin më pikant, autori di ta transformojë skenën dhe ta veshë atë me realizmin magjik për të cilin ka nevojë.
Sipas Haruki Murakamit “kush lexon librat që kanë lexuar të gjithë, do të mendojë ato që mendojnë të gjithë” dhe pikërisht këtë i ofron ai lexuesit të tij, një tjetër histori, një tjetër interpretim të botës së jashtme dhe të brendshme. Për shkak të thjeshtësisë së mënyrës sesi personazhet e tij komunikojnë në disa raste, ai mund të duket si një autor që nuk ka asgjë të veçantë. Por veçoria e japonezit kandidat për Çmimin Nobel është pikërisht tek fakti që ai di të shprehë me fjalë të thjeshta gjërat më të vështira.
Ai di të pyesë dhe është aq i zoti, sa ta ndërtojë historinë dhe të përcjellë mesazhet që dëshiron, edhe kur i lë personazhet e tij pa përgjigje.  Anonimiteti për Murakamin është një detaj që nuk bie në sy, por që bën një punë të fshehur tek lexuesi që ngre pyetjen se përse duhen lënë personazhet vetëm me iniciale apo përse nuk tregohen emrat vendeve ku ndodhin ngjarjet.
Në vend të trillimit, autori përdor fshehjen e së vërtetës dhe kjo është një nga cilësitë e realizmit magjik tek ai.  Haruki Murakamit nuk i duhen lapsa me ngjyra për të ndërtuar një situatë magjike, e cila do ta tërheqë lexuesin. Përkundrazi, atij i mjafton vetëm një gomë që do të fshijë disa detaje nga e vërteta.
Mund të themi se japonezi i stërvit lexuesit e tij të shohin në errësirë, të shohin atë që është, por që nuk duket. Duke ia ngulur sytë asaj që nuk mund të vështrohet, ai që ka vendosur të bashkudhëtojë me të mrekullueshmin Murakami, mëson të ndjejë, të arsyetojë dhe të shohë thellë brenda vetes për të gjetur dritën.  Pasi ta ketë gjetur ndriçimin e duhur, atëherë lexuesi do ta ketë shumë të thjeshtë të japë përgjigjet e pyetjeve tepër enigmatike.
Murakami e di se nuk ka nevojë ta shkruajë atë që lexuesi mund ta plotësojë vetë me historinë dhe përvojën e tij. Ai i lë lexuesit ta interpretojnë errësirën si ngjyrën që duan. Dyzimi i personazheve të shkrimtarit japonez, jo vetëm që shtron shumë pyetje në lidhje me ekzistencializmin, por gjithashtu shkund nga personaliteti i cilitdo pluhurin që bie nga jeta e përditshme. Personazhet e tij arrijnë “të shohin” atë që janë në të tashmen dhe janë në gjendje “të ndjejnë” atë që janë në një të tashme tjetër paralele.
Brenda një personazhi Murakami ka kamufluar qindra ide dhe personalitete të tjera. Për këtë arsye romanet e tij nuk janë të mbushur me një numër të madh karakteresh. Dialogu është i paktë dhe kjo për shkak të botës së gjerë që fsheh secili prej krijesave të tij. Ngjarjet më të mëdha ndodhin brenda natyrës njerëzore dhe bota e jashtme shërben si mjet për të arritur qëllimin e qartësisë mendore pasi të jenë marrë përgjigjet e duhura.
Nëse do të mund të krahasoheshin me një kohë të ditës, personazhet e Murakamit do të ishin muzg, ata e dinë nga vijnë, por para tyre shtrihet një natë e gjatë e cila pret të zbulojë të vërteta mjaft interesante. Shkrimtari bën një punë të shkëlqyer në përshkrimin dhe analizën e një personazhi, i cili fsheh brenda tij një tjetër personazh, një analogji e kukullave ruse që futen brenda njëra-tjetrës. Në këtë mënyrë personazhet janë të ngecura brenda vetes dhe u duhet të luftojnë me veten për të arritur tek vetja. Më shumë se një lojë fjalësh, kjo është një torturë ekzistenciale sa kafkjane, aq edhe origjinale e autorit.
Në ndryshim nga Kafka që pëlqen t`i transformojë personazhet si tek “Metamorfoza”, Murakami zgjedh një rrugë më të thjeshtë dhe më pak të diskutueshme. Pa dhënë shumë shpjegime ai i zhduk personazhet e tij, duke i hapur rrugën analizës së mëtejshme të psikologjisë së një karakteri, jo vetëm përmes vetanalizës, por edhe përmes gjykimit e mirëkuptimit nga ana e të tjerëve. Letërsia e shkrimtarit japonez është e hapur ndaj realizmit magjik dhe surealizmit, por edhe ndaj së vërtetës. Atij nuk i pëlqen të jetë as paragjykues, as hetues i bezdisshëm, as edhe i shoqëruar aq sa të mungojë privatësia.
Kultit të vetmisë Murakami i jep një trajtim tepër interesant, pasi duket se personazhet e tij e shohin të qenurit vetëm si një mënyrë e mirë për ta shijuar botën dhe veten. Për sa i përket dashurisë, ajo nuk i ka humbur aspak vlerat për japonezin, i cili e shpall atë, së pari si ndjenjë afërsie dhe më pas e trajton si dëshirë seksual kundrejt një personi tjetër.
Dashuria i bën karakteret e Haruki Murakamit të veprojnë, ndërsa vetvetja i bën ata të ekzistojnë dhe të mendojnë. Skema e librave të tij ka në qendër njeriun të rrethuar nga elementë magjikë, shpesh herë edhe surrealist, ndërsa në njërin cep qëndrojnë dashuria dhe e vërteta, të dyja tepër të rëndësishme, por në një shkallë më të ulët sesa kuptimi i vetes.
Shkrimtari dhe novelisti i njohur japonez ndër të tjera cilësohet një nga legjendat e gjalla të letërsisë. Ai ka hapur një dritare të re për lexuesin në të gjithë globin. Kjo dritare ka dy funksione të rëndësishme, së pari nëpërmjet saj cilido mund të shohë botën dhe së dyti ajo është një pasqyrë, ku cilido mund të shohë shpirtin e tij.

Biografi
Haruki Murakami ka lindur më 12 janar të vitit 1949 në Japoni. Ai është një shkrimtarbestseller në vendin e tij, por edhe në të gjithë botën.
Punët e tij kanë fituar kritika tepër të vlefshme dhe shumë çmime të rëndësishme, që përfshijnë Çmimin Franz KafkaÇmimin Ndërkombëtar Frank O`Connor për Novelat dhe mes të tjerave edhe Çmimin e Jeruzalemit.
Fantazia e Murakamit, shpesh e kritikuar nga bazat themelore të letërsisë japoneze, është sa humoristike, aq edhe sureale, e përshkruar nga një notë kafkjane e shtjetërsimit dhe vetmisë. Ai cilësohet si një figurë e rëndësishme e letërsisë postmoderne.
Prestigjiozi “The Guardian” e vlerësoi Murakamin për punën dhe arritjet e tij si “një nga novelistët më madhështor që jeton në të gjithë botën”. Murakami ishte një nga favoritët për Nobel në letërsi për vitin 2013.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…