Skip to main content

Tetova News

E sikur të ekzistoja vetëm unë në botë?

Borges, transkript i një intervistë të vitit 1976: solipsizmi, labirinti, rrënjët filozofike të tregimeve të tij

Nga Lawrence I. Berkove, Denis Dutton dhe Michael Palencia-Roth

«Enciklopeditë kanë qenë leximi kryesor i jetës sime. Prore kam qenë i interesuar për enciklopeditë. Në Buenos Aires shkoja në Biblioteca Nacional dhe, meqë isha i druajtur, nuk guxoja ta kërkoja ndonjë libër apo t’i avitesha ndonjë bibliotekari, kështu që e kërkoja nëpër rafte Enciklopedinë Britanike. Natyrisht, pastaj e merrja librin në shtëpi. Zgjidhja një vëllim kuturu dhe e lexoja. Një natë u shpërbleva bukur mirë, ngase lexova gjithçka mbi Drusi, mbi Dryde \ dhe mbi Druidi, e gjitha në të njëjtin vëllim, në të vërtetë, ‘DR’. Pastaj më erdhi ideja e një enciklopedie të një bote të vërtetë e pastaj të një, natyrisht më rigoroze, bote imagjinare, ku gjithçka do të lidhej. Ku, për shembull, do të ekzistonte një gjuhë, pastaj letërsia, pastaj historia, e kështu me radhë. Pastaj kam menduar ta shkruaj një histori të enciklopedisë fantastike. Natyrisht do të duheshin shumë persona të ndryshëm për ta shkruar, të cilët do t’i diskutonin gjumë gjëra – matematikanë, filozofë, njerëz të letrave, arkitektë, inxhinierë, e edhe narratorë apo historianë. Mandej, pasi që më lypsej një botë absolutisht ndryshe nga jona – nuk mjaftonte të sajoja emra ekstravagantë – i thashë vetes, pse jo një botë të bazuar mbi idetë e Berkeley-t?». 

Një botë në të cilën Berkleley paraqet sensin e përgjithshëm, e jo Cartesio?


“Po, pikërisht ashtu. Atë ditë shkrova Tlön Uqbar, Orbis Tertius. Natyrisht e tërë historia bazohej mbi teorinë e idealizmit, Idenë se nuk ka gjëra por vetëm ngjarje, se nuk ka emra por vetëm folje, se nuk ka gjëra por vetëm perceptime...”.

Tlön është një shembull i tregimit ku, sido që të mbarojë historia, lexuesi është i inkurajuar të vazhdojë t’i aplikojë idetë e veta.


“Mirë, shpresoj të jetë ashtu. Mirëpo, pyetem nëse janë idetë e mia. Ngase, përnjëmend, unë nuk jam mendimtar. Kam përdorur idetë e filozofëve për qëllimet e mia letrare, ama bash nuk ma ha mendja se jam mendimtar. Mendoj se mendimi im është bërë për mua nga Berkeley, Hume, Schopenhauri, ndoshta nga Mautheri”.

Ju thoni se nuk jeni mendimtar...
“Ajo që mëtoj të them është se nuk kam një sistem filozofik timin. E kurrë s’kam menduar ta krijoj. Jam sall një njeri i letrave. Në të njëjtën mënyrë – paj, mbase s’do të duhej ta zgjidhja këtë shembull – në të njëjtën mënyrë qysh Dante e përdorte teologjinë për qëllimet e poezisë së tij, apo Miltoni teologjinë për poezinë e tij, pse unë s’do të duhej ta përdorja filozofinë, para se gjithash idealizmin – filozofia që më tërheq – për ta shkruar një tregim, një histori? Mendoj se është e lejueshme, apo jo?”.

Ju bashkëndani pa mëdyshje një gjë me filozofët: fascinimin nga habia, paradoksi.
“Po, natyrisht – supozoj se filozofia rrjedh nga habia jonë. Po qe se i keni lexuar ato që do të mund të isha i autorizuar t’i quaj ‘punimet e mia’, do të keni parë se aty brenda ka në vazhdimësi një simbol evident të habisë: labirintin. Labirinti dhe habia shkojnë bashkë, apo jo? Një simbol i hutisë do të mund të ishte labirinti”. 

Por filozofët nuk duken të kënaqur që thjesht të vihen përballë habisë, duan përgjigje. 
“Kanë të drejtë”.

Kanë të drejtë?


“Paj, mbase asnjë sistem nuk është krejtësisht i arritshëm, por kërkimi i një sistemi është shumë interesant”.

A do ta definonit ju punën tuaj kërkim i një sistemi?

“Jo, s’do të isha aq ambicioz. Do ta definoja jo fantashkencë, por tregim filozofik, ose tregim onirik. Jam shumë i interesuar edhe për solipsizmin, që është pastaj një formë ekstreme e idealizmit. Është e çuditshme se si të gjithë ata që shkruajnë për solipsizmin, e bëjnë për ta ngatërruar. S’kam parë një libër të vetëm në favor të solipsizmit. E di atë që do të donte të ma thoshte: meqë ekziston një ëndërrimtar i vetëm, pse shkruaj libër? Por nëse ekziston një ëndërrimtar i vetëm, pse s’do të mund ta ëndërroja se po shkruaj një libër?”. 


Çka mendoni për solipsizmin?


“Se në kuptimin logjik është i pashmangshëm: nuk lejon ngatërrim dhe nuk shkakton bindje”. 

Në përfundim, ju mendoni se një histori mund të reprezentojë një pozicion filozofik në mënyrë më efikase se argumentet e një filozofi? 


“Nuk e kam menduar këtë kurrë, ama supozoj se po. Mendoj për diçka sipas fjalëve të Jezu Krishtit. Nëse më kujtohet mirë, kurrë nuk ka përdorur argumentime, përdorte stilin, i përdorte ca metafora. Përdorte fraza që bënin jehonë. Nuk thoshte: nuk kam ardhur ta sjell paqen por luftën, përkundrazi: nuk kam ardhur ta sjellë paqen por shpatën. Krishti mendonte me anë të parabolave. Blake thoshte se një njeri, po qe se është një i krishterë, nuk do të duhej të ishte vetëm inteligjent, do të duhej të ishte edhe artist, ngase Krishti na e ka mësuar artin përmes mënyrës së tij të predikimit, ngase çdonjëra nga frazat e Krishtit, nëse jo secila fjalë në vetvete, ka vlerë letrare dhe mund të merret si metaforë ose si parabolë”. 

Po atëherë, çka e dallon qëndrimin filozofik nga ai letrar, nëse bashkëndajnë kaq shumë gjëra?


“Filozofi ka një mënyrë shumë rigoroze të mendimit, ndërsa shkrimtari është i interesuar edhe për narracionin, rrëfen histori, i përdor metaforat”. 

Ju mendoni se një tregim, para se gjithash një tregim i shkurtër, mund të jetë rigoroz në kuptimin filozofik?


“Do të thosha se po. Natyrisht, në këtë rast do të ishte parabolë. Mbaj mend një frazë të lexuar në biografinë e Oscar Wilde të Hesketh Pearson, në lidhje me të paracaktuarën dhe vullnetin e lirë, e ai përgjigjet me një histori të gjilpërave dhe gozhdëve që jetonin pranë një magneti dhe thoshin: duhet të shkojmë ta gjejmë, pa i rënë në të se po përfundonin në magnet, i cili buzëqeshte ngase e dinte se po shkonin ta kërkonin. Në këtë mënyre Wilde po e jepte mendimin e tij: ne mendojmë se jemi aktorë të lirë, por, natyrisht, nuk jemi... Do të doja megjithatë të sqaroja se, nëse duhet të gjenden ide në atë që shkruaj, ato ide arrijnë pas shkrimit. Dua të them se unë filloj të shkruaj, filloj me historinë, me ëndrrën. E pastaj, ndoshta, futet ndonjë ide. Nuk filloj me moralin, për ta shkruar pastaj një tregim që ta dëshmojë atë”. 

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…