Skip to main content

Tetova News

FARIDA RAMADANI: KRIJIMTARI ME PËRMBAJTJE PEDAGOGJIKE E PSIKOLOGJIKE

FARIDA RAMADANI: KRIJIMTARI ME PËRMBAJTJE PEDAGOGJIKE E PSIKOLOGJIKE

Nga: Prof. Murat Gecaj
publicist e studiues-Tiranë


F.Ramadani-Zmijani e M.Gecaj (Tiranë, 28 janar 2014)

1.Thonë se rastësia bën çudira! Por këtu nuk e kam fjalën për ndonjë “çudi” të madhe  (ha,ha,ha)… Pra, fare rastësisht, ne u takuam dhe u njohëm këto ditë, gjatë një përurimi libri, në Tiranë.  Kështu, me kënaqësi mësova se ke shkruar e publikuar tre libra dhe tematika e tyre është interesante. A mund t’i informosh lexuesit, sigurisht shkurt, për përmbajtjen e tyre?
-Po, patjetër dhe me gjithë dëshirë…Së fundi, kam botuar librin me titullin “Pikturoj në qiell”, në shqip e anglisht dhe ai ka 100 poezi. Ato përcjellin shumë mesazhe, për një shoqëri më të ndërgjegjshme e bashkëkohore, për bashkëjetesë ndërfetare, për familje të qëndrueshme, me kërkesa ndaj rritjes së nivelit intelektual dhe vlerësim për to. Po kështu, ka mesazhe që ta vlerësojmë më shumë familjen e njëri-tjetrin, që ta duam natyrën e të kujdesemi për të etj.
Përurimi i këtij libri hapi siparin e  themelimit të Klubit të Shkrimtarëve, në Shkodër. Krahas krijuesve të këtij qyteti, më nderuan me praninë e tyre  tyre mjaft shkrimtarë e poetë, nga e gjithë Shqipëria,  anëtarë të “Pegasi- Albania”, nga Kosova  e Mali i Zi, shoqëruar me të gjithë TV-të  e Shkodrës, Lezhës dhe Koplikut. Ata e transmetuan, për  dy ditë rresht, këtë veprimtari mbresëlënëse. Po atë ditë, poetja e shkrimtarja dhe veprimtarja e njohur Kozeta Zavalani, më dorëzoi titullin “Ambasadore e Paqes”.
Libri, për të cilin folëm më lart, është ndarë në pesë kapituj. Në të parin, “Virtualitet ndjenjash”, poezitë trajtojnë ndjenja, emocione dhe pasione rinore. Disa nga titujt  e tyre janë: “Shkruajmë me ndjenja”, “Lot i lirë”, “Dashuria flet shqip”, “Të lutem, zemër!”, “Dallgët lehtëson”, “Largoj ëndrrën,  “Tatuazh në përjetësi”, “Skaner i vetëvetes”, “Më mirë, siç je”, “Sfidë ndjenjash” , “Legjenda e reve”, “Vrapon shpirti”, “Luajmë me valën”, “Takat”, “Fjalë notash”,” Melodi” etj.


Kopertinat e librit të ri

Në kapitullin tjetër, “Lodrojmë me natyrën”, siç e shprehë edhe vetë titulli, tamatika është e tillë. Disa nga titujt e poezive të tij janë:  “Hëna”,”Perëndimi”, “Stinët pasohen”, “Mjellma”, “Pasqyra”, “Lodrojmë me zogjtë”, “Monolog me peshkun”, “Globi”, “Hëna dhe dielli”, “Flokët e hidhëruara, me krehërin”(fabul), “Pentagrami”, “Zog i lirë”, “Stilolapsi”, “Kukuvajka”, “Shans apo dhuratë”, “Hëna dhe dielli” etj.
Më tej, janë renditur disa poezi, në kapitullin “Ndjenja, qëkur linda”. Aty flitet për nënën, mësuesen, vendlindjen, pavarësinë e Kosovës etj. Kapitulli i katërt është “Vëmëndje dhe cilësi njerëzore,  që trajton  sjellje, cilësi dhe karaktere njerëzore. Disa nga titujte poezive janë: “Injorancë e skaduar”, “Mendjemadhi”, “Skanohu”, “Fustanbardha”, “Mania”, “ Poetët”, “Fshij mendimet”, “I pasuri”,  “Di të eci”, “Për një botë të re”, “Deti dhe njerëzia”, “Të pikturoj”, “I gjori gardh”, “S’e mbaj dot fajin”, “E pështira”, “Me jetën nuk bëj lojë”, “Ndërroni formë” etj.
Kapitulli i pestë,  “Në poret e jetës”, ka në përmbajtjen e tij  tematikë sociale. Këtë e shprehin edhe poezitë: “”Emigrimi”, “Gjakmarrja, plagë e pambyllur”, “Lypsari”, “Jetimi”, “Dhimbja nga prindërit e mi”(për fëmijët me prindër të ndarë) ose “Më lini të jetoj” (vejusha).
Ndërsa libri i parë ishte ai, që u botua në vitin 2004, “Shumë mirënjohje. Faleminderit, Itali!” (shqip-italisht”). Ai trajton çështje të emigracionit, si: “Përse ikën shqiptarët?”,“Vështirësitë e shqiptarëve për të marr vizat dhe për të plotësuar një varg me dokumentash, që të dalin jashtë”,“Opinioni i italianëve për shqiptarët”, “Një pjesë e realitetit në Shqipëri” (vitet 2000-2003) dhe “Karakteristikat e shkodranëve”.
Libri im i dytë e ka titullin "Dhimbje, nga prindërit e mi"(botuar në vitin 2007). Ndër 150 seanca gjyqësore, me detyrën e psikologes për fëmijë, pranë Gjykates së Rrethit Shkodër, janë përzgjedhur  10 nga ato. Tematika e tyre është: Si e përjetojnë fëmijët  ndarjen e prindërve; përse ndodhin ndarjet, shkaqet e pasojat dhe si duhet të reagojë shoqëria për parandalimin e tyre.







2.Je mësuese në shkollën 9-vjeçare “Pashko Vasa”, të qytetit Shkodër. Sa ka ndikuar profesioni yt, në krijimtarinë letrare?
-Meqenëse jap lëndën e gjuhës dhe leximit, është në profesionin tim krijimtaria ose njohja me krijimtarinë e shkrimtarëve të tjerë. Por, jam nxitur dhe nga situatat, zhvillimet bashkëkohore, sjelljet e njerëzve e problemet sociale. Po kështu, më ka ndihmuar puna ime e psikologes për fëmijë, prej disa vitesh, pranë Gjykates së Rrethit Shkodër etj. Pra, me shkrimet e mia e kam ngritur zërin, sadopak, ndaj dukurive të dëmshme, të përcaktuara në detaje sipas tematikave specifike, në librin tim me 100 poezi,  "Pikturoj në qiell", shqip-anglisht,  i sapo përuruar. Dëshiroj ta theksoj se, në këtë libër, çdokush gjen një pjesë të jetës së tij: problematikë, sjellje ose nxitje për ndërgjegjesim, reflektim ndaj dukurive të ndryshme, por dhe guxim për të shprehur mendim të lirë dhe për  të vepruar pozitivisht, për vete dhe mjedisin në të cilin ndodhet, për familjen dhe shoqërinë, në përgjithësi.
3.Gjatë shkrimit të librave, a i ke patur parasyshë ose objekt “frymëzimi”, fëmijët dhe nxënësit tu?
-Natyrisht, shumë tematika i përfshijnë, fëmijët e nxënësit  dhe jetën e tyre, në mënyrë që të kuptojnë dhe të ndërgjegjësohen, se virtytet e mira njerëzore vlerësohen lart, se duhet të mësojnë që të bëhen të denjë për vetën e familjen dhe për një shoqëri me kërkesa europiane. Sigurisht, dihet që fëmijet kanë një botë me mjaft tematika, kërkesa dhe risi. Jam munduar që, nganjëherë, të jem si shoqja e tyre dhe nganjëherë si prind, për t’u bërë sa më familjare me problemet e tyre.

4. Megjithëse fole diçka më lart, a po na tregon pak më gjerë, për familjen?
-Kam një familje të qendrueshme dhe dy fëmijë, tashmë në moshë madhore. Jam përpjekur që t'u jap atyre më të mirën e mundshme, qoftë në sjellje dhe në komunikimin me njerëzit, t’i edukoj me dashurinë për punën dhe profesionin. Po kështu, kam treguar kujdes të vazhdueshëm që ata të kuptojnë se njerëzit me nivel intelektual janë të nderuar dhe të respektuar, se puna vlerësohet shumë, krahas të ardhurave, që siguron secili pjesëtar i familjes dhe, më gjerë, të jenë të mbarë në marëdhënie me shoqërinë. Pra, edhe në këtë pikë, them se ia kam arritur qëllimit, pasi fëmijët e mi dinë ta vlerësojnë siç duhet punën dhe përkushtimin tim, ndaj tyre.

5.Praktika e jetës dëshmon se, kur hyn në udhën e krijimtarisë, nuk shkëputesh dot lehtë prej saj…Pra, çfarë planesh ke ose, më mirë, cilët libra i ke në dorëshkrim a po shkruan dhe me çfarë tematike?
-Tani për tani, kam thjesht disa ide, por ende në letër. Siç e theksova më lart,  sapo kam përfunduar një libër voluminoz me poezi, të cilat janë relativisht  të gjata dhe puna për to më ka kushtuar mjaft kohë. Besoj se, pas një pune të lodhëshme krijuese, duhet pak pushim, për t’i qartësuar idetë dhe për të mbledhur materiale rreth asaj, që kam në mendje. Pra, kërkohet kohë e durim, pse jo, dhe kosto monetare, për të cilat, ne shkrimtarët dhe poetët, e kemi një pikë mjaft të dobët. Dihet, gjithashtu, se nga kjo punë e jona e lodhëshme, frytet monetare janë shumë të pakta.

6.Së fundi,  a dëshiron të shtosh ndonjë gjë tjetër, rreth çështjeve, që biseduam bashkë ose për diçka tjetër?
-Po shprehem pak edhe rreth përmbajtjes së teksteve shkollore. Meqenëse jam mësuese e leximit, dua të bëj një vërejtje për shtëpitë  botuese ose për ata, që krijojnë kurrikulat mësimore. Mendoj se është mirë që  t’i shtrijnë kërkimet e tyre për tematika të reja, kryesisht në copat e leximit dhe të jenë më të theksuara ato me paraqitje drejtshkrimore, nga ato me strukturë dialektore, të cilat mund të them se tani janë të bollshme. Njëkohësisht, në kurrikulat mësimore të shtohen temat për marrëdhënie të mira dhe respekt për njëri-tjetrin, për familjen e mësuesit, për më të moshuarit dhe për ata me probleme sociale, për rritjen e nivelit intelektual dhe dashurinë për punën etj. Krahas të mirave, koha e internetit po bën një shoqëri mjaft sedentare, pa veprimtari fizike dhe sikur po i mbështjell fëmijët në një “kornizë” të mbyllur, që çdoherë e më shumë po i frenon dhe largon ata nga gjallëritë e veprimtaritë, në familje dhe në shoqëri.  Sepse pasiviteti, të qëndruarit shumë orë pranë internetit dhe në kafene, sikur po i humbasin dhe ato vlera të moshës shpërthyese të rinisë. Sigurisht, një gjë e tillë nuk i shërben ardhmërisë së tyre, as mbarë shoqërisë shqiptare.
-Faleminderit për  përgjigjet e dhëna, Farida, që janë me korrektësi e profesionale dhe nga zemra të urojmë gjitha të mirat, si në punë e në  jetën e përditëshme, sigurisht  dhe në krijimtarinë letrare! Me këtë rast, shprehim besimin që, me përvojën e fituar, nga ti, lexuesit do të kenë ndër duar libra të tjerë, gjithnjë e më të arrirë!

Tiranë, 2 shkurt 2014

Popular posts from this blog

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…