Skip to main content

Tetova News

Hamendësime fatale - Tregim nga Teodor Laço


Teodor Laço në Kremlin
Atë mëngjes qershori, ditë e kremte të Shënpjetrit, ai u ngrit në orën gjashtë. Kishte kohë që gjumi i dilte në të njëjtën orë, aqsa e bija Fjona i thoshte: lajmëro ata të radios ta hapin programin se ende nuk e kanë vënë pllakën me Hymnin e Flamurit.Vajza shkeli në 28-tat dhe të dy me të shoqen, dita ditës, i hante meraku për martesën e saj.
- Të kam nxjerrë kostumin e zi,i foli e shoqja që nga kuzhina.
- E ç'ta dua, se mos do të bëhem dhëndër?-u tall ai.
- Sot ditë e shenjtë,vishu për të qenë se s'je dokushdo.
- Harrova. Jam ndihmës llogaritar në fabrikën e birrës. Dikur kam qenë aksioner.
Midhi Gurgurlidhi, ishte trashëgimtari i vetëm i një familjeje tregtarësh të manifakturës.
I ati sillte stofra kashmiri dhe engleze, që i blinin paria e qytetit, afendikojtë dhe profesorët e Liceut francez. Në vitin e fundit të liceut klasik, Midhi zuri të shoqërohej shumë me një bashkënxënës sqimatar, të gjatë e të pashëm. Në të vërtetë, shoqërinë e kërkonte më shumë tjetri`sesa Midhi. E ëma nuk para e pëlqente shoqërinë e tyre, jo për gjë, po sepse përkrah tij, i biri, i imët e i kërrusur pak në shpatulla, dukej si i tukequr.
Rrodhi koha, Midhi mbaroi një universitet për marrëdhënie ekonomike në Padova, një vendim i pakundërshtueshëm i të atit ky,që shpresonte se kjo shkollë do t'a ndihmonte të birin të zgjeronte tregtinë. Por njohuritë e tij patën një dobi të shkurtër vetëm gjatë pushtimit italian, sepse me vendosjen e pushtetit popullor, i ati, kryeneç siç qe, nuk i shlyente tatimet e njëpasnjëshme për fitimet e luftës dhe përfundoi në burg, ku thanë se vari veten me një çarçaf në hekurat e dritares. Trashëgimtari i tij Midhi, menjëherë dha prova se universiteti i kishte vlejtur për të kuptuar se nuk i bihet malit me kokë. I dorëzoi ç'i kërkohej në monedha ari,deri në kacidhen e fundit, madje dorëzoi edhe magazinën me stofra të shtrenjta që thoshin se shkuan në Jugosllavi për t'u shkëmbyer me drithë. Sigurisht,nuk ishte aq leshko dhe i lënë sa të mbetej trokë,por e dinte se e mira e të mirave ishte të futej në ndonjë punë shteti ku,me një gur mund të vriste dy zogj;edhe të siguronte një pagë dhe triskat edhe të përmirësonte biografinë, sepse gjëja që i trembej më shumë,ishin vështrimet e vëngëra të të tjerëve si ish tregtar. Gjeti atë punë si ndihmës llogaritar në fabrikën e birrës, falë ndërhyrjes që bëri Tiri, një ish liceist ngelës, që për merita të luftës tani ishte aty shef llogarie. I mënjanuar në një kthinë të ngushtë,ai kalonte nëpër duar gjith hyrje daljet në financat e fabrikës,meqë shefi i tij Tiri,ishte i zënë me përgjegjësi të tjera në Frontin Demokratik. Aty, Midhi Gurgulidhi ndihej i patrazuar,i kënaqur e i respektuar,madje shpesh vetja i dukej i rëndësishëm. Kështu,atë ditë të kremte të Shënpjetrit, kur e shoqja nguli këmbë që ai të vishte kostumin e zi prej stofi englez, porsa hyri në oborrin e fabrikës,vuri re një lëvizje të pazakonte. Punëtorët e turnit dhe nëpunësit e administratës vej e vinin me ngut rreth e rrotull,duke larguar ambalazhe e hedhurina të mbetura andej këtej,duke u ngatërruar me njëri tjetrin sepse nuk dinin ku ti çonin dhe atë rrëmujë,e bënte ca më të zhurmshme ndërhyrja e drejtorit që herë urdhëronte të bënin një gjë dhe herë e kundërshtonte pas një grimëhere."Hiqi ato shishe të thyera!Aty,aty prapa nevojtoreve. Jo aty more, se alla sëndëk të dojë të derdhë ujët e hollë?Arkat hiq,arkat,mos u merr me hithrat. Po ç'bën ti që vërtitesh si kali në lëmë more!.."
- Çpo ndodh këtu?pyeti ai,duke marrë një krah me listela të thyera.
- Pastrim xheneral, nuk e sheh?Pritet të vijë i madhi fare,i tha puntori.
- Komandanti?
- Pse di ti ndonjë më të madh?
- Jo,jo,tha ai shpejt e shpejt dhe iu përvesh punës me zell.
Kur u dha urdhri që të gjithë të formonin një rresht,ai vuri re se manshetat e këmishës së bardhë, i qenë bërë pis. Mirë që i kishte krahët të holla që t'i ngrinte më lart e ti fshihte. Hyri në zyrë, hoqi xhaketën e përveshi mëngët. Pas ndonjë ore,u dha urdhëri i dytë:të gjithë duhej të rreshtoheshin në oborr se komandanti donte ti përshëndeste një për një."Që ta mbajmë mend dhe të kemi ç'të tregojmë",u tall Midhi brenda vetes. Komandanti zbriti nga makina që në rrugë, nderoi me grusht, dhe fill zuri të përshëndetej faqe më faqe tri here, sipas traditës popullore,pavarësisht mundimit që bënte duke u përkulur,meqë ishte më i gjatë se të tjerët Në këtë rast, shkurtanët u ndien më të lumtur,sepse ai ua mbështeste kokën në gjoks. Kur mbërriti përballë Midhit,i mbajti hapat,madje bëri një hap pas si me habi dhe tha:
- Edhe ti Midhi qenke këtu?
- Këtu. Në zyrën e llogarisë, pëshpëriti ai. Desh të shtonte edhe "si ndihmës llogaritar",por ai bëri një hap më tej, pa e takuar.
Të nesërmen,shoku Gafurr,thirri në një takim urgjent gjithë udhëheqjen e fabrikës.
- Vizita e komandantit,vajti mirë, më porositi t'ju përgëzoj për realizimin dhe tejkalimin e planit. Do të kishte qenë ideale fare sikur ju,udhëheqja e partise dhe e pushtetit në fabrikë,të mos na nxirrnit aty përkrah kllasës një surrratqen të deklasuar si ai Midhi Kukulidhi,tha.
- E ka Gurgurlidhi, ndërhyri butësisht shefi i llogarisë,Tiri. E nuhati menjëherë që Midhit po i rrinte mbi krye gjëma,që i prishte punë edhe atij vetë.
- Ca më keq!Mos është grek,monarko-fashist?-tha shoku Gafurr.
- Jooo,origjinën e ka nga Opari, mbiemri u mbeti se ishin ustallarë për mur, demek gur…gur…lidh,sqaroi shefi.
- Gurgurlith a Kukulith,ne jemi në gjendje të hamendësojmë se qenia e tij aty,nuk i pëlqeu komandantit,tha shoku Gafurr.
- Tamëm!,foli sekretari i fabrikës,komandanti asqë ia dha dorën,e pashë mire unë.
- U mburr se punon në llogari,pale!,tha një tjetër.
- Gabim,ndërhyri drejtori,duhej të thoshte që është vetëm ndihmës-llogaritar.
- Hamendësimi ynë është i saktë. Ne e dimë si t'a zbatojmë luftën e kllasave. Të verë thembrat nga majat që nesër,e mbylli shoku Gafurr.
Mbetur si peshku pa ujë,ai mendoi se s'i mbeteshin veçse dy rrugë:ose do të pranonte lopatën në Ndërmarjen Komunale për ku i dhanë një fletë pune,ose do të përpiqej të hapte ndonjë tregëtizë të vogël,të shkërbente pra trashëgiminë e tet që kishte filluar me një tezgë varur në qafë. Sigurisht,nuk ishte më koha e tezgës, por tregu i zi dhe dyqankat e vogla private,ende nuk e kishin provuar mërinë e pushtetit popullor. Gjeti një kthinë pranë një shkolle të periferisë, ku vinte një bylyk me nxënës, bleu një thes me sheqer dhe ia nisi me shitjen e kallamave të sheqerit. Pak ditë më vonë, sajoi ca forma prej teneqeje që dukeshin si gjela që u bënë gëzimi i kalamajve dhe u pëlqyen edhe nga prindërit sepse nuk ua rendonin xhepin shumë. Tregtiza po vinte mbarë,punonin bashkë me të shoqen. Herë pas here, ndizte një qiri në kishë për shpirtin e tet. Kaluan dy vjet. Megjithse dyqanet e tregut çdo ditë ndryshonin emrat e pronarëve me ca emra të çuditshëm me germa të mëdha si NTSHAP,NTSHFZ,NTL e të tjera,për tregtizën e tij, askush nuk po kujtohej..Por edhe pse pushteti hë për hë nuk kishte gjë kundër gjelkave,kjo nuk do të thotë se e kishin harruar edhe ustain e tyre.Një pasdite maji,teksa po dremiste pas lodhjes prej një tregtie të mbarë, meqë shkolla po mbyllej,e shoqja e përmendi. Zgjohu,të ka ardhur për vizitë shefi yt, tha. Vizita ish fare e papritur, ish shefi i tij Tiri,kur e shikonte,mezi e tundte kokën. Por prej fytyrës së tij të qeshur,ai e kuptoi se shefi po vinte për mirë. Ai priti që ta qerasnin dhe çoi gotën.
- Mirse të gjetëm,shef,-uroi.
- Shef i gjelkave,qeshi Midhi.
- Shef i llogarisë në fabrikën tone.
- Si?Po ti?-pyeti ai vetvetiu.
- Unë do jem shef i tregtisë në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit.
- Po si?Ç'ka ndodhur?Kush e vendosi?Mua s'më ka pyetur njeri.
Gjithë habinë e tij, ai e rrokullisi me një frymë.
- Kush e vendosi,thotë. Ama pyetje!Ne që e kemi në dorë e vendosëm. Sepse dje,vetë komandanti pyeti për ty. E pritëm si herën e parë,në rresht për një dhe kur i kish takuar të gjithë,pyeti;Ku e kam Midhin se s'ma zuri syri..Ç'ti thoshin/Mbetën si të dhjerë,se herën e shkuar,kur iu thashë që kanë qenë shokë klase,nuk m'a varën fare. Ne mund të hamendësojmë që një si ai,nuk duhet të punojë në administrate,thanë. Sot i thirrën mendjes. Kemi bërë gabim që një shok të aftë si shoku Midhi, e larguam, thane, lajmëroheni të vijë menjëherë, të ngrihet edhe në përgjegjësi. Ja kështu punërat, mik i dashur. Nesër me mëngjes herët,eja të të bëj dorëzimet,tha shef Tiri.
- Falemnderit shumë, por nuk pranoj,tha ai. Ky qe një kundërshtim që sesi i çau muret e nënvetëdijës dhe e mposhti frikën nga zyrtarët.
- Eeeee,s'pranon!Lëri hatërmbetjet,-i thonë vendim partie këtij.
- Nuk e bëj nga inati,por nuk i kam kushtet,dredhoi ai. Por atypëraty, iu ngrit prapë delli i rebelit. Po kur s'dua,s'dua!Me zor a si u bëkërkam shef?,tha.
- Se të del më mire me gjelkat dhe kallamat,u dhe pas parasë. E ke në gjak, po ne ,shteti domethënë,kemi në dorë edhe gurin edhe arrën. Do të dale për hundësh kjo,do kujdesem vetë.Oj!,-u nxeh tjetri
- Iu ngjallën morrat dhe don të kruhet,po ka për të më parë, kërcëlliti dhëmbët ai duke dale. Ditët që pasuan,ndërsa i bënte dorëzimet shefit të ri,ai pati kohë t'a mendonte më thellë kundërshtimin e Midhit. Sa më shumë e bluante në mendje aq më i rrezikshëm i dukej. Domethënë armiqësor..Vendosi ta bisedonte drejt për drejt me shokun Gafurr. Ky nuk e mori me aq zemërim. Epo,kur s'do, s'na prishet gjiza, tha. Por shef Tiri e kish menduar hollë atë që do t'i thoshte..
- Ai po merr nëpër gojë vetë komandantin.Kur më pyeti shoqërisht,se shokë kemi qënë,këtu qënke edhe ti Midhi,ata hamendësuan ç'kërkon ti këtu dhe më vunë drunë.Kur ai pyeti ku ma kini Midhin,,s'kishin më nevojë për hamendësime dhe më ngritën në përgjegjësi.
Ai e përdori dy here fjalën "hamendësim"që shoku Gafurr e kishte si pronën e vet dhe ai e kuptoi këtë siç duhej,pra si një përgojim që i bëhej atij vetë. Por nuk u ngut të merrte ndonjë masë derisa të mësonte se ç'mendim kishte vetë komandanti për të ardhmen e Midhit. Rasti mbërriti shpejt. Në një mbledhje të gjerë partie për ekonominë, ku diskutohej për ngushtimin deri në zhdukje të tregut privat,ai e përmendi Midhin si një shembull të mbeturinave të kapitalizmit,që edhe kur iu ofrohen detyra me përgjegjësi,nuk shkëputen dot nga fitimet prej tregut të zi.
-Domethënë,kështu na bëkërka Midhushi…Miushi,u tall komandanti. Por befas,qëlloi tavolinën me grusht dhe bërtiti;Po ju ç'bëni? Sehir? Pse nuk i këputni një tatim fitim të mire, që t'ia shtrembëroni kurrizin?Kurrizon,vetëm varri e ndreq. E ka thenë Stalini këtë.
Pasi mori pëlqimin që i duhej, shoku Gafurr urdhëroi ti pritej 'fatura"për gjelkat, i sigurt që Midhi do të vazhdonte të molloiste nëpër kafenetë, do t'a lëshonin nervat dhe do t'a shthurte gojën. Ashtu ndodhi,madje më keq se ç'e priste. Midhi zuri të mburrej me shoqërinë e vjetër me komandantin dhe të priste çdo ditë që ai ti përgjigjej letrës që i shkrojti dhe t'ua mblidhte oputat atyre që bënë namin për gjelkat e tij. Por letra,ra si gur në pus. Kaq mjaftonte dhe ishte tepër. Midhin e akuzuan për spekullim në tregun e zi për blerjen e sheqerit dhe për përgojim të udhëheqjes, elementë të agjitacionit e propagandës dhe i dhanë një pesëvjeçar internim.. 

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…