Skip to main content

Tetova News

Histori e Shqiptarëve të Veriut

Abdullah Konushevci

Përkthyesi Abdullah Konushevci ka sjellë në shqipe veprën e albanologut Milan Shufflay, "Histori e Shqiptarëve të Veriut", botuar në Kosovë.


U ekzekutua në shkurt 1931 kur sapo kishte lidhur një kontratë në Shqipëri për vazhdimin e punës në Acta Albaniae.

Shkrimin e kësaj parathënieje po e nisim me disa shënime të rëndësishme biobibliografike për historianin, albanologun dhe autorin e romanit të parë fantastiko-shkencor në letërsinë bashkëkohore kroate, Milan Shufflay, që është njëkohësisht edhe martir i çështjes shqiptare dhe kroate.

Milan Shufflay lindi më 9 nëntor 1879 në Lepoglavë. Konsiderohet si njëri nga historianët më të mirë kroatë dhe si albanologu më i madh i çerekshekullit të parë të shek. XX. Shufflay ishte poliglot, që njihte gjuhët, si: gjermanishtja, hungarishtja, latinishtja, greqishtja, frëngjishtja, hebraishtja, sanskritishtja, i të gjitha gjuhëve sllave, i greqishtes mesjetare dhe të re, si dhe i gjuhës shqipe.

Më 1897 mbaroi Gjimnazin klasik të Zagrebit, kurse më 1901 Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku ligjëruan profesorët e spikatur, si: N. Nodilo, V. Klaiq, T. Smiçiklas, A. Musiq, I. Bojniçiq, I. Krshnjavi, G. Manojloviq dhe Gj. Arnold. Po këtë vit mbrojti doktoratën nga bizantologjia: Kroacia dhe dëshirat e fundit të perandorisë lindore nën skeptrin e Komnenëve (1075-1180).

Kjo vepër e tij ribotohet në broshurën: Dr. Milan Shufflay - dijetar, luftëtar dhe martir me rastin e 60-vjetorit të atentatit në të 1931-1991, Zagreb, 1991. Pas mbrojtjes së doktoratës dhe përurimit të saj një vit më vonë, Shufflay fillon të përshkruajë me mija dokumente të ndryshme në Zagreb, Split, Trogir, Shibenik dhe Hvar për Buletinin diplomatik të profesorit dhe mentorit të tij, T. Smiçiklas.

Në shumicën e dokumenteve të përshkruara të Akademisë së Zagrebit ai ndreq dhe korrigjon datat e tyre. Se ç'respekt gëzonte, flet më së miri fakti se atij i besohet trashëgimia dorëshkrimore e V. V. Makushevit, ku gjendeshin shumë kopje të Arkivit të Venedikut për historinë e Dubrovnikut.

Me 1902 Shufflay e mbaron në mënyrë shembullore punën e besuar, duke botuar si 'përgatitës' veprën: Dokumente për marrëdhëniet e Dubrovnikut ndaj Venedikut. Në të gjejnë vend treqind e njëzet e gjashtë dokumente në harkun kohor prej shek. XIII deri në shek. XVII.

Fredo Shishiq, një kritik profesionit, e lëvdon punën e tij. Po këtë vit, profesori i tij, Smiçiklas jep rekomandimin e tij për specializimin e Shufflay-t në Österreichische Institut für Geschichtsforschung (instituti Austriak për kërkime historike) të Vjenës.

Aty ai specializon paleografinë dhe diplomatikën latine, kronologjinë dhe dokumentin privat mesjetar. Edhe pas specializimit, ai nuk pushon së punuari në Buletinin diplomatik të Smiçiklasit. Pas kërkimeve në fondet e pasura të arkivit të Budapestit, të Venedikut dhe të burimeve të tjera të huaja, përshkroi një numër të pamatë dokumentesh të reja.

Vëllimi i shtesave të Shufflay-t në Buletini Diplomatik i Mbretërisë së Kroacisë, Dalmacisë dhe Sllavonisë 1101-1399, 2-18, Zagreb, 1904-1990, nëse krahasohen me mija dokumente të përshkruara dhe të përpunuar të Shufflay-t me numrin e përgjithshëm (7610), mund të vihet re lehtë ndihmesa e tij.

Më 1913, së bashku me K. Jireçek-un dhe L. Thallóczy-n, nxjerr në dritë përmbledhjen e burimeve Acta Albaniae I, kurse më 1918 edhe librin II. Parathënien për që të dy fletoret e shkruan Shufflay, kurse është e ditur se ai i kishte përpunuar të gjitha burimet, që Jireçek dhe Thallóczy ia kishin dhënë t'i përshkruante.

Botues i këtyre përmbledhje qe Akademia e Vjenës. Shufflay nuk pushoi së kërkuari në burime të ndryshme për historinë e shqiptarëve, ndaj më 1915 botoi librin III me titull Die Kirchenzustände im vortürkischen Albanien.

Die ortodoxe Durchbruchszene im katolischen Damme (Gjendja e kishës në Shqipërinë paraturke. Skena e depërtimit ortodoks në ledhin katolik).
Më 1920, me pseudonimin Alba Limi, Shufflay boton romanin e parë historik të tij me titull Konstandin Balshiq (1382-1402), Zagreb, 1920 dhe që u ribotua po në Zagreb më 1994.

Arrestohet në dhjetor të vitit 1920 për shkak të lidhjeve me Komitetin e Emigrantëve Kroatë në Budapest dhe dënohet, si i akuzuari i parë, në procesin politik më 1921 me 3 vjet e 6 muaj burg. Por, pasi mban gjysmën e dënimit, lirohet, po nuk e gëzon më pensionin.

Me pseudonimin Eamnom L'Leigh boton në "Obzor" (23 prill - 1 gusht 1924) romanin e parë fantastiko-shkencor Në Pacifik 2255 - roman metagjenetik në katë libra, i cili u botua si libër në Zagreb vetëm më 1988.

Në mesin e veprave albanologjike, në botim të Akademisë së Vjenës, bien në sy: Städte und Burgen Albaniens hauptsächlich während des Mittelalters, Wien-Leipzig 1924 (në shtyp që nga viti 1918), pastaj studimi sociologjik Povijest sjevernih Arbanasa (1924), të cilin e përkthyem këtë radhë, dhe Srbi i Arbanasi, njihova simbioza u srednjem vijeku, Beograd 1925, e cila zgjoi interesim të madh dhe u përkthye në gjuhën shqipe (Tiranë, 1926), kurse botimi i Beogradit u rishtyp më 1990 në Sarajevë dhe më 1991 në Zagreb. Sipas disa informatave që kemi, besohet se kjo vepër do të botohet sivjet, me rastin e 130-vjetorit të lindjes, edhe në gjuhën angleze në SHBA, kurse ne do të përpiqemi të bëjmë një përkthim të ri të saj po këtë vit.


Gabimet e Shufflay-t


Më 1926, me rastin e një bisede në Zagreb me historianin dhe politikanin serb Jovan Radoniq, Shufflay "i dha pa e zgjatur lëndën që e kishte, sidomos atë nga arkivi i Milanos dhe Barcelonës" për nevojat e paraqitjes së marrëdhënieve ndërmjet Skënderbeut dhe Mehmetit II.

Shufflay në artikullin Acta Albaniae, Si të vazhdohet botimi i tyre?, Arhiv za arbanasku starinu, jetik i etnologiju, 1926, thotë: "Për vazhdimin e AA, nuk ka nevojë të bëhen kërkime në arkivat e Barcelonës, Milanos, Mantuasë dhe Palermos. Unë i kam kopjet përkatëse nga këta arkiva deri në vitin 1501".

Nga parathënia e përmbledhjes së lëndës e Radoniqit Djuradj Kastriot Skenderbeg i Arbanija u XV veku, Spomenik SKA II/74, Beograd 1942, f. 10 dhe krahasimit të telegramit që është ruajtur nga tetori i vitit 1930, vihet re se me gjithë lutjen e tretë për t'i kthyer kopjet që i duheshin për vazhdimin e punës, përkatësisht për blenin III të Acta Albaniae, Radoniq nuk ia ktheu kopjet, sepse pas katër muajsh Shufflay u vra.

Pas vdekjes së Radiqit, Shufflay nxori në dritë librin me ese politike Hrvatska u svjetlu svjetske historije i politike, Zagreb 1928 (Kroacia në dritën e historisë dhe të politikës botërore). Kjo vepër u ribotua në tërësi në broshurën Dr. Milan Šufflay o 60. godišnjici atentata (Dr. Milan Shufflay në 60-vjetorin e atentatit), Zagreb, 1991.

Një gabim po aq të rëndë bëri, kur përqafoi mendimin e Cvijiqit dhe të historianëve të tjerë serbë për gjoja shpërnguljen e madhe serbe të vitit 1690 nën patriarkun Arsenije III dhe shtrirjen e shqiptarëve në kinse territoret serbe.


Vrasja e Shufflay-t


Duke parë se Beogradi nuk qe i interesuar për vazhdimin e punës në Acta Albaniae, Shufflay i drejtohet Tiranës dhe ia del të marrë fletë-udhëtimin dhe më 1931 të lidhë kontratën në Shqipëri për vazhdimin e punës në Acta Albaniae. Pak kohë punon në arkivin e Dubrovnikut, kurse me t'u kthyer në Zagreb, vdes nga pasojat e atentatit politik më 19 shkurt 1931.

Është e vërtetë se ndihmësit e drejtpërdrejtë dhe të tërthorët të rrahjes së kobshme qenë njerëz të afërt të policisë ose në shërbim të policisë.
Si kryes të drejtpërdrejtë të krimit janë identifikuar: Lubomir Bellosheviq, Stevo Veçerinac dhe Branko Zwerger.

Jehona e vrasjes së tij qe e madhe. Për të njoftojnë: "Tribuna", Romë (21 shkurt), "Berliner Tagblatt" (26 shkurt), "New York Times" (6 maj), "Chicago Herald" (14 qershor), "Frankfurter Zeitung" (10 korrik) e të mos flasim për gazeta dhe revistat vendore.

Apel Lidhjes Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut
Shumë të nderuar miq!

Nuk mund të rrimë pa i tërhequr vërejtjen Lidhjes Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut për ngjarjet që më 18 shkurt (1931) sollën vrasjen e dijetarit kroat dr. Milan Shufflay.
Kur ky dijetar ditën e caktuar shkonte në shtëpi, u godit pas shpinës në një rrugë të Zagrebit dhe, sipas njoftimit tonë, u mbyt me shkop hekuri.

Ditën tjetër ai nuk i përballoi më lëndimet dhe më 22 shkurt u varros në Mirogoj, krahas martirëve kroatë.Profesor Milan Shufflay qe një njeri i njohur me punimet dhe veprat e shumta shkencore.

Megjithatë, gazetat zagrebase nuk guxuan të raportojnë për veprimtarinë e këtij dijetari, madje edhe kartë-mortalja u grabit, kurse telegramet ngushëlluese nuk u lejuan të shpërndahen.

Nuk u lejua të kumtohej koha e varrimit, kur u ndalua të shpalosej flamuri i zisë në ndërtesën e Universiteti. Rininë shkollore, që merrte pjesë në funeral, pushteti policor e përndoqi nga Zagrebi, kurse trobojnicat popullore kroate, me të cilat qenë zbukuruar kurorat, i larguan.

Emri i kriminelit, Branko Zwergel, qe i ditur. Qe e njohur edhe organizata së cilës i takonte vrasësi ("Mlada Jugoslavija"). Është e ditur se vrasja u planifikua në natën prej 11 deri më 12 shkurt në banesën e komandantit të qytetit, gjeneralit Belimarkoviq.

Në këtë marrëveshje kanë marrë pjesë anëtarët e organizatës "Mlada Jugoslavija": Bërkiq, Godler, Marçec dhe vrasësi Zwerger. Me gjithë këto fakte, policia e Zagrebit deklaron zyrtarisht më 19 shkurt se kryesi i veprës është i panjohur.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…