Skip to main content

Tetova News

Intervistë me Rezart Paluqin, krijues letrar nga Elbasani me banim në Holandë

Sokol DEMAKU

TË QENIT NË MËRGIM TË OFRON NJË ARMË TË FORTË, SEPSE ATËHERE VENDIN KU U LINDE E VAJTON DHE GJYKON MË OBJEKTIVISHT -thotë peoti dhe mërgimtari elbasanas me qendirm në Holandë Rezart Paluqi
 
Rezart Paluqi
          Tematika ime është njeriu i ndodhur përballë pesë pushteteve: natyrës, vdekjes, politikës, fesë dhe dashurisë.
          Duhet frenuar urgjentisht nacionalizmi artificial skënderbean. Fillohet me atdhedashurinë përpara. Mbasi të kemi bërë shtet atëherë mund të merremi me nacionalizëm. Shqipëria do dalë nga balta tridhjetëshekullore vetëm nëse të keqen e kërkon tek trupi i saj, ose vetëreflektim siç quhet ndryshe dhe jo siç bëri diktatori, duke e kërkuar atë gjithmonë jasht zemrës shqiptare. Evropa duhet konsideruar jo si një çek i bardhë, por një gozhdë ku është varur pasqyra shqiptare, (e cila për momentin edhe thyer copë e çikë) të cilët duke e parë veten e tyre lakuriq në të, do të zbulojnë dhe rifitojnë vetëbesimin e humbur. Trupi dhe dheu flori, dheu pjellor, detërat tanë që na pollën janë të evropianizuar.

Një prezantim të shkurtër.

           Kam lindur në Elbasan ku edhe kam jetuar deri në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Im atë ka punuar në një fabrikë elbasanase, nëna, elektriçiste në kombinatin metalurgjik. Kam një motër dhe një vëlla.

I lindur në qytetin Elbasanit, ku edhe kaluat rinin tuaj, çfarë mundë të na thoni për atë kohë për vendlindjen tuaj?

          Rinia ime është karakterizuar nga një varfëri tipike të asaj kohe, e ngjyrosur me nostalgjinë dhe trishtimin e saj. Prindërit punonin me tre turne në fabrika, dhe çelësin e shtëpisë e mbaja në qafë. Argëtimet ishin të kufizuara. Shkoja ose të peshkoja në lumin e Shkumbinit, ose ndiqja ndonjë ndeshje futbolli dhe dy herë në muaj prindërit më dërgonin në këndin e vetëm të lojërave në atë kohë. Pjesën tjetër të kohës e kaloja në ullishtat e bukura të Elbasanit, ose duke lypur ndonjë karamele ose çumçakëz shoferëve daneze që importonin domate nga Elbasani.

Shkollimin fillore dh të mesëm keni bërë në qytetin tuaj të lindjes mund të na thuash më shumë për jetën tuaj në rini?

           Sa i përket shkollës fillore, të vetmet kujtime që më kanë mbetur, janë betimi që bënim çdo mëngjes në oborrin e shkollës ndaj Partisë dhe xhaxhit Enver; rreptësia e mësuesit të vizatimit, i cili më tërhiqte veshët ngaqë sipas tij nuk kisha fare shije për të kombinuar ngjyrat si edhe dorën e rëndë të dentistes së shkollës. Shkollën e mesme m’u desh ta braktis për shkak të rrëzimit të diktaturës hoxhiste. Si i tërë brezi im, edhe mua më fshikulloi si i marrë me vete, tufani i emigracionit.
           Ndërsa në lagje, mbaj mend shtëllungat e tymit të metalurgjisë, të cilat shpesh davaritenin aq ulët, saqë në panik kujtoja se kishin marrë flakë mbeturinat ose perdet e fqinjve të katit të parë.
           Marëdhënia ime me bashkëmoshatarët ka qenë xhunglore. Bashkëmoshatari i katit të parë, ishte kapoja e lagjes, sepse në kampionatin e mundjes, boksit mashkullor, ai rradhitej i pari. Ndërsa unë u rendita i parafundit. Arrita të hedh tuç vetëm fqinjin të katit të dytë. Para tij sillesha si gangster, ndërsa përpara të tjerëve sillesha si një pulë e lagur. Më ofendonin ose shuplakonin kur të donin, ngaqë unë nuk reagoja ndaj agresivitetit të tyre. Dhuna dhe konfliktet trupore më dukeshin të panevojshme.

Emigrant në Greqi, kujtimet e juaja nga kjo kohë e rinisë suaj në punë me brezin e ri, një paralele mes punës si i ri në vendlindje dhe asaj në mërgim?

           Kanë qenë vite të ngatërrueshme. Emigrova me një eufori erotike, pak a shumë indiane, kur evropianët i dhuruan atyre copa pasqyre. Por shkëlqimi i emigracionit në Greqi u zbeh shumë shpejt, sepse atëherë sic e dimë të gjithë emigracioni zyrtar ndalohej. Kufijtë grekë i kam kapërcyer shtatë herë duke udhëtuar çdo herë shtatë ditë, pra rreth pesëdhjetë ditë në këmbë për pak liri perëndimore. Megjithatë, edhe ky emigracion primitiv, pati bukurinë e tij. Duke qenë se unë kisha statusin e skllavit, grekët reflektuan shpesh dashuri prindërore, duke na ushqyer, gatuar në një tenxhere, prej ku hanin edhe fëmijtë e tyre. Sa më i madh ishte presioni policor grek, dhuna që ata ushtronin gjatë arrestimit në lagjet e fshatit, aq më shumë ata na mëshironin dhe afroheshin me ne. Kësaj epoke barbare i erdhi fundi në vitin 1997 kur edhe u legalizuam.
          Ka qenë shumë e vështirë të kombinoja emigracionin klandestin me vendlindjen.
          Mallëngjimi që kisha për Shqipërinë, shuhej fill mbas një jave që isha kthyer në Elbasan, sepse atëherë zgjohej ankthi: si do i kapërcej përsëri malet greke? A do më zënë ushtarët grekë apo jo? A do më hajë ujku, apo vrasë a grabisë ndonjë bandë shqiptare në malet greke apo jo? Dhe nëse arrij në fushën e punës, a do më arrestojë policia në bodrumet greke ku flinim apo jo?    Këto kujtime i kam hedhur në romanin tim të parë, autobiografik, titulluar: “Deti pa dallgë”

Pas Greqise emigrim i serishëm por kësaj radhe në Holandë, cfare ju shtyri në këtë?

          Mbas vitit 1997, emigrova nga Maqedonia greke në ishullin grek të Mitilinit.
          Atje zbulova një Greqi krejt tjetër, ca grekë naivë, shpirtmirë, por edhe të evropianizuar më shumë se sa athinasit, për shkak të kontakteve të tyre me turistët nga çdo anë e botës. Atje, u njohta me shumë holandezë, gjatë punësimit tim në një restaurant grek. Më bëri përshtypje të thellë thjeshtësia dhe inteligjenca e tyre e lartë. Thashë: do jetë kënaqësi të jetoj midis këtij populli. Dhe intuita ime nuk gaboi as edhe një grimë. Mund të them, se nëse dje holandezët kanë qenë kolonizatorët më të egër evropianë, sot janë sipas mendimit tim populli më demokratik në të gjithë botën.

Qysh kur keni filluar të merreni me shkrime, cilat janë shkrimet e juaja te para dhe ku i keni publikua në atë kohë ato?

           Poezinë e parë e kam shkruar disi vonë, në vitin e tymtë, 1997, atëherë kur Shqipëria vlente më pak se një Arkë me pará. Prej andej erdhi edhe frymëzimi. Po në atë kohë kam botuar rregullisht në gazetën lokale të Elbasanit.    Kam qenë edhe korrespondenti i saj nga Greqia, ku mblidhja informacaione rreth proçesit të legalizimeve të lejeve të qëndrimit të shqiptarëve në Greqi. Disa prej poezive të mia të para, që i kam për zemër janë botuar në gazetat lokale të Mitilinit, ndërsa njëra është botuar në një ndër revistat më të njohura të asaj kohe, titulluar: Max.

Krijimtaria juaj i përket një periudhe të gjatë kohore. Cila është tema dhe motivi ne veprat e juaja?

           Tematika ime është njeriu i ndodhur përballë pesë pushteteve: natyrës, vdekjes, politikës, fesë dhe dashurisë. Në çdo roman unë përpiqem që njeriu dhe pesë pushtetet e lartpërmendur të kalojnë relativisht paqësisht nëpërmjet të njëjte ure. Por edhe kur njeriu shpërthen në një konflikt me pesë pushtetet e përjetshme, atëherë përpiqem që ta sinjalizoj njeriun për rreziqet që i kanosen, duke krijuar personazhe që e japin shembullin e mirë se si ai mund të dalë nga ai konflikt me sa më pak plagë? Popujt unë i ëndërroj jo si qindra pemë që ndodhen larg njëra-tjetrës, por qindra gjethe të të njëjtës pemë. Ata, pra përpiqem t’i afroj sa më shumë nëpërmjet letërsisë, e cila për mua është një pemë e vetme universale.

Nga e merrni frymëzimin, çfarë është tema apo subjekti në veprat e juaja?

           Frymëzimi im buron prej teatrit tragjik të jetës. E keqja gjuan vazhdimisht penallti, dhe e bukura e plagosur rëndë përpiqet të presë topin, që shpesh janë kokat e njerëzve të vrarë, ose shpirtërat e gjakosur të njerëzve. Duke qenë i vetëdijshëm për këtë ndeshje të pabarabartë, përpiqem të inkurajoj të bukurën, dritën e lirisë ta luftojë tëkeqen me vepra letrare, ku rolet ndryshojnë: e bukura gjuan më shumë penallti... Jam shkrimtar me prejardhje ballkanike, dhe dua që Ballkani të marrë përfundimisht lamtumirë nga dramat tragjike të grekëve të lashtë. Fatkeqësisht letërsia e sotme shqiptare e më gjërë, po i riprodhon ato me forcë, dhe kjo është fatale për fatin e dritës dhe lirisë njerëzore.       
          Evropa skandinave e arriti në një shkallë të lartë të arratiset nga rrethi vicioz i dramacitetit Eskilian. Shpresoj që t’u jap dorën ballkanasve për të dalë nga gropa e zezë, të cilën helenët e lashtë e letrarizuan tragjikisht e pafundësisht.
            Tjetër burim frymëzimi është lufta ndaj monotonisë që mbizotëron kryesisht në vendet me mirëqënie të lartë, si në Holandë. Një poezi materialisht kushton pak bojë dhe një copë letër dhe një dialog disa-minutësh çdo ditë me vetveten ose natyrën përreth. Po kështu edhe lumturia e vërtetë: pak bukë, një copë djathë, një të puthur të sinqertë, dy palë çorape dhe një kuvertë për t’u mbuluar. Nëpërmjet shembujsh të tillë mund të smpraset monotonia njerëzore, e cila shpesh është më e dhimbshme se sa varfëria.

Ju keni botuar në shqip, çka ka botuar deri më tani Rezarti?

            Në shqip kam botuar dy romane: “Deti pa dallgë “ dhe “Dallendyshet pa fole”. Në sirtar fle këtu e tre muaj romani im i tretë. Kam shkruar edhe mbi njëqind poezi në shqip. Sapo kam filluar romanin e katërt në shqip, të cilin do ja kushtoj genocidit çam.

Kur kemi te bëjmë me mërgimin, ju lutem një krahasim mes atij grek dhe holandez?

           Grekët i konsiderojnë thellë në shpirt emigrantët is barbarë, ndërsa holandezët nuk i shohin vetëm si nevojë krahu pune por edhe pasurim i kulturës së tyre , sepse ata duan të mësojnë shumë prej kulturave të huaja. Grekët i shohin emigrantët si kërcënim të drejtpërdrejtë, nuk është e rastit që edhe fjala ksenofobi është greke. Holandezët dhe në përgjithësi ish vendet koloniale, kanë përfituar përvojë të madhe me popujt e huaj, ndërsa grekët kanë mbetur ende në guackën e tyre shekullore raciste, të cilën epoka bizantine e përforëcoi edhe më shumë.
           Nëse punon fort, paguan taksat rregullisht dhe nuk merresh me krime, holandezi t’i hap të gjitha dyert. Ndërsa grekun e bën mik vetëm nëse çpersonalizohesh: hedh poshtë rrënjët e tuaja: fenë, emrin, gjuhën, kulturën. Nuk është e rastit që edhe kryetari i bashkisë së Rotterdamit është me prejardhje Marokene. Imagjinoni, sikur kryetari i bashkisë se Selanikut të ishte shqiptar?

Ju keni botuar edhe në Greqi, me cilat të përditshme keni bashkëpunuar?

           Siç e thashë edhe më sipër, meqë mbas vitit 1997 emigrova ne Mitilini, shkrova rreth dyzet poezi në greqisht, disa prej tyre u botuan në disa revista greke dhe gazetat lokale. Më vonë, shkrova disa ese që trajtonin hallkat dhe problemet e bashkëjetesës shumëkulturore, të cilat u botuan në gazetën lokale, Dimokratis. Kam qenë bashkëpunëtor i kësaj gazete për disa vite, madje kryeredaktorin e gazetës, Jorgos Skufos, e kam pasur edhe mik të mirë. Ne besonim se grekët duhet të bënin një dallim midis emigrantëve nikoqirë dhe progresivë, dhe pakicës së emigrantëve kriminelë. Shpesh herë ai i bëri thirrje në gazetën e tij grekëve të distancohenin nga rracizmi gjithëpërfshirës. 


Keni botua në greqisht apo në shqip?

           Rreth botimeve të mia në greqisht dhe shqip fola më sipër. Dua të shtoj se qysh kur shkela këmbën në Holandë në vitin 2005, përvetësova në kohë rekord gjuhën holandeze, dhe fillova të shkruaj qysh atëherë poezi drejtpërdrejt në holandisht. Në vitin 2006 botova ciklin e parë me poezi në holandisht “Hoe smaken de tranen van jouw medemens”? (shqip: i ke pirë ndonjëherë lotët e fqinjit tënd?) Jam këtu e tetë vjet anëtar i klubit poetik të qytetit ku jetoj(i vetmi me prejardhje të huaj nga 14 anëtarët e tij) Marr pjesë rregullisht në aktivitetet poetike që organizon qyteti por edhe më gjërë. Kam dhënë disa intervista për gazeta të ndryshme regjionale. Një ndër poezitë e mia është përfshirë në antologjinë poetike holandeze me temë: poezitë më të bukura të të gjitha kohërave rreth “Motit”!

Sa jeni ju i kënaqur me punën në shkolla në mërgim kur kemi të bëjmë me lëndën e Gjuhës shqipe, sa është ky mësim sot efektiv tek fëmijët mërgimtar?

           Mesa di unë, zemra e komunitetit shqiptar në Holandë rreh në Roterdam dhe Deventer. Kam dëgjuar se atje shkollat holandeze disponojnë lëndën e shqipes në programet e tyre. Di gjithashtu se egziston një mësues i shqipes po në Rotterdam. Shkurt, shqiptarët nga Kosova, i japin më shumë rëndësi mësimdhënies së shqipes tek brezat e rinj, të tjerët shumë më pak, ose fare dhe kjo lë shumë për të dëshiruar. Prindërit e tyre prezantohen në publik më mirë në anglisht se sa në shqip.

Cfarë mundë të na thoni rreth integrimit të shqiptarëve këtu në mërgim?

          Emigrantet shqiptarë këtu shkëlqejnë edhë në drejtimin e keq dhe atë të mirë. Në Holandë egzistojnë ose super-kriminelë shqiptarë ose shqiptarë me arsim të lartë, të diplomuar në Universitetet e njohura holandeze. Egziston edhe një grup i vogël që përbën nivelin e mesëm ose te ulet profesional. Fatkeqesisht, shqiptarët kriminelë janë ambasadorë shumë të fuqishëm për Shqipërinë tonë të vogël. Shqiptarët e tjerë, që mbartin bagazhe të fuqishme artistike ose profesionale, janë të përçarë. Edhe kur shkëlqejnë, xixëllojnë si ca xixëllonja egoiste, te vetme, çka e bën të pamundur të shkrijnë errësirën që krijojnë gjestet e kampit kriminel shqiptar.

Një shkrimtar, një publicist, të jetë pothuajse për gjithçka i informuar. Kjo ka të bëjë kryesisht me natyrën e personit. Thjesht doja një përgjigje te shkurtër si është Rezarti nga natyra?

           Rezarti nga natyra është shumë kurioz të mësojë, zhbirojë arsyet e sjelljeve negative dhe pozitive të njerëzve. Rezarti është impulsiv, sarkastik, i drejtpërdrejtë, vuan nga alergjia ndaj gënjeshtarëve, puthadorësve, dhe është i cinik ndaj shkrimtarëve që tradhtojnë fjalën ose të vërtetën lakuriqe, për interesat e tyre personale.  Shpesh është i padurueshëm dhe kërkon gjithnjë e më shumë nga vetvetja. Ai nuk vrapon mbrapa turmes por edhe nuk e humbet ate nga syte. Sillet dhe jeton aq thjeshtë, saqë shpesh ata qe e njohin për herë të parë thonë: ky, shkrimtar?    

Ju jeni shkrimtar, si e ndieni veten si shkrimtar në mërgim?

           Të qenit në mërgim të ofron një armë të fortë, sepse atëherë vendin ku u linde e vrojton dhe gjykon më objektivisht. Holanda më kulturën e saj të thellë demokratike dhe respektimin esktrem të kulturave të ndryshme më bën të ndjehem më universal, dhe besoj edhe më fort se bashkëjetesa e kulturave të ndryshme është e mundshme nëse ne i respektojmë ato mjaftueshëm. Të jetuarit në mërgim sjell në vetvete për mua edhe një vuajtje të tmerrshme, kur shoh shqiptarët ose popuj të ngjashëm me të, të kërcejnë në baltë si ca bretkosa të dehura, por në fund të fundit të mallkojnë moçalin, ndërkohë që ata moçalin e kanë krijuar vetë. Dhe unë, ose çdo shkrimtar në emigracion dëshiron ta ndihmojë popullin e tij, por nuk mundet: atëherë është njëlloj sikur të të lidhin në trungun e një peme dhe keqtrajtojnë fëminë m’u para syve të tuaj. Një pafuqi e skëterrtë është kjo...

Kohëvë të fundit keni në dorë romanin tuaj më të ri për çfarë bëhet fjalë në te?

           Për këtë fola edhe më sipër. Romani i tretë që fle tre muaj në sirtar i kushtohet hapjes së dosjeve të diktaturës, ndërsa i katërti që kam në duar, i kushtohet genocidit çam.

Nëse do te kishe mundësinë te jepje ndihmësen tende në realitetin që jetojmë ne shqiptaret pa marrë parasysh se ku, ku mendon konkretisht që duhet ndryshuar diçka ne për të mirë?

           Duhet frenuar urgjentisht nacionalizmi artificial skënderbean. Fillohet me atdhedashurinë përpara. Mbasi të kemi bërë shtet atëherë mund të merremi me nacionalizëm. Shqipëria do dalë nga balta tridhjetëshekullore vetëm nëse të keqen e kërkon tek trupi i saj, ose vetëreflektim siç quhet ndryshe dhe jo siç bëri diktatori, duke e kërkuar atë gjithmonë jasht zemrës shqiptare. Evropa duhet konsideruar jo si një çek i bardhë, por një gozhdë ku është varur pasqyra shqiptare, (e cila për momentin edhe thyer copë e çikë) të cilët duke e parë veten e tyre lakuriq në të, do të zbulojnë dhe rifitojnë vetëbesimin e humbur. Trupi dhe dheu flori, dheu pjellor, detërat tanë që na pollën janë të evropianizuar. Na mbetet për të evropianizuar vetëm mendjen. Duhet gjithashtu kultivuar humanizmi. Evropa e sotme karakterizohet për natyrën e saj sociale, prandaj nëse duam të bëhemi evropianë duhet të mendojmë për shtresat e  pafuqishme, duke  i ofruar secilit një portofol elegant.  

Çka mendoni mbi gjendjen politike shqiptare në përgjithësi, parë në prizmin Shqipëri-Kosovë dhe trojet tjera shqiptare?

           Politika shqiptare vuan nga dy sëmundje, ose thënë ndryshe: është një bishë grabitqare që vuan nga kanceri hoxhist. Duhet filluar më hapjen e dosjeve së diktaturës dhe pastaj terapinë anti-hajdute. Ndërsa ajo kosovare vuan vetëm nga një sëmundje: pirateria shqiptare tridhjetëshekullore.
           Sa i përket Kosovës dhe Shqipërisë, është fat i madh që Kosova u çlirua nga zgjedha sllave. Por udhëheqësit kosovarë duhen të përkujdesen për mirëqënien e kosovarëve, dhe të mos e detyrojnë atë të pyesë vetveten çdo mëngjes fatalisht: a ishim më mirë nën rregjimin millosheviçian apo sot nën rregjimin shqiptar?
           Momentalisht jam kundra bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Është sikur dy doktorë të panvarur, të vendosin që operacionet në të ardhmen t’i bëjnë së bashku, ndërkohë që ata, pra doktorët, u vjedhin serumin pacientëve të tyre. Doktorët duhet të bëjnë një terapi ndaj grabitjes së serumit, dhe më pas të bashkohen për të operuar sëbashku. Përndryshe turpi i dështimit do të ishte më i madh, nëse dy doktorë nuk janë në gjendje të operojnë me sukses një pacient.
 
Përveç artit te të shkruarit, publicistikes, si e kalon kohën e lirë Rezarti?

          Më pëlqen të shëtis nëpër parqe, ngas biçikletën, lexoj vetëm titujt e gazetave, ndjek dokumentarë historikë, t’i qëndroj bashkëshortes dhe fëmijve sa më pranë, qesh dhe qaj me oji me marrëzinë shqiptare dhe popujve të krahasueshëm me të.

Çka ju benë të lumtur dhe çka ju mundon më së shumti në jetë?

           Në jetë më lumturon kur njerëzit buzëqeshin më shumë, aq më tepër kur atyre ua dhuroj unë buzëqeshjen nëpërmjet letërsisë ose ndihmës time materiale.  Ajo që më mundon më shumë është gropa e zezë ku njerëzimi ka rënë me dhjetëra herë dhe mund të bjerë edhe në të ardhmen. Në rastin më të keq, shpresoj që ta vesh gropën me një batanije, dyshek letrar, me qëllim që njerëzimi të thyejë sa më pak gjymtyrë të trupit. Unë shkruaj sepse kjo botë nuk është shfarosur ende. Për aq sa kohë ajo nuk do të jetë shfarosur unë dotë shkruaj, duke shpresuar që datën fatale të shfarosjes të tij, ta shtyj sadopak, disa ditë, muaj, vite apo shekuj...

Ju faleminderit për këtë intervistë, ua shpërblefsha me letërsi dhe humanizëm!

Rezart Palluqi

Amsterdam, 31 janar, 2014

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…