Skip to main content

Tetova News

Isabel Alende: Komunizmi, bashkon Shqipërinë me Kilin

Nga: ENTELA SULA PRIFTI



Vetëm mendimi që do të shihja Isabel Alende live në prezantimin e librit të saj më të ri, më krijonte flutura në stomak. Portretin e saj të ngrohtë e kam ndeshur për herë të parë në foton mbi kopertinën e librit “Shtëpia e Shpirtrave” të cilin e kam lexuar diku në adoleshencën e herët, në shqip. Por as në ëndërrat më të largta se kisha menduar që po këtë portret të ngrohtë gruaje do ta ndeshja sërish, këtë rradhë të jetësuar, të gjallë, vital, në tempullin e dijes, Universitetin e Harvardit. Përtej gjithë hamendësimeve të mia ajo ishte trupvogël, e imët aq sa dhe podiumi ku do të referonte nuk e ndihmoi të shquhej në atë sallë të madhe, të mbushur plot me miq të librave të saj. Teksa e shihja e magjepsur duke bindur veten që ishte ajo dora vetë, salla shpërtheu në të qeshura, sepse kjo grua për habinë time kishte një humor të jashtëzakonshëm, a thua se përpara kishim një komediane. Prezantimi i librit “Ripper” (Rrjepësi) ishte fare i shkurtër. Ajo zbuloi pak detaje dhe jo pa qëllim, ku një prej tyre ishte zhanri. Këtë herë ajo u kishte shpëtuar magjistarëve dhe magjive, duke i lënë ata në një tjetër botë. Romani “Ripper” (Rrjepësi) sipas autores ishte një thriller, në qendër të të cilit është vendosur personazhi Amanda Martin, një adoleshente që në imagjinatën e Allendes do të demaskoj një vrasës serial në San Francisko. Të provuarit e një tjetër zhanri i pat kushtuar asaj ditë të tëra debat me bashkëshortin Willie Gordon, një shkrimtar muza e të cilit janë pikërisht historitë thriller. Ai e quajti të dështuar romanin e saj që në faqet e para, por gaboi! Romani i fundit i Allendes njohu një sukses të jashtëzakonshëm në Spanjë e Itali që në ditët e para të botimit dhe së fundmi ai po prezantohej në gjuhën angleze pikërisht në Boston! Duke “prekur” nga afër atë forcë humori dhe energjie të kësaj gruaje trupvogël tashmë 71 vjeçare, kupton se fjalimet e gjata dhe të mërzitshme nuk janë prerja e saj. Ndaj rrufeshëm i kërkon publikut pyetje ku si një surprizë për mua pyetja e parë vjen pikërisht nga një shqiptare. M’u përkëdhel sedra. 


Qindra lexues të Allendes dhe vetë ajo po mësonin prej Valbonës se librat e shkrimtares së madhe flasin dhe shqip. Altoparlantët kumbonin emrin e vendit tim përpara një publiku anglisht dhe spanjisht folës. Pak largësia nga vajza shqiptare që në këmbë formulonte pyetjen e saj dhe pak përhumbja në kujtime, pikërisht atëhere kur e vogël lexoja “Shtëpia e Shpirtrave” më bëri të dëgjoj vetëm fraza të shkëputura të pyetjes. Gjithë ç’kuptova ishte komunizmi, leximi fshehurazi i librave të ndaluar dhe që vajza në fjalë kishte dhënë puthjen e saj të parë në moshën 14-vjeçare, fill pasi kish kthyer faqen e fundit të librit “Shtëpia e Shpirtrave”. Ky detaj e bëri Allenden të qesh fort por njëkohësisht të ndjehej e gëzuar që librat e saj janë përkthyer edhe në shqip krahas gjuhëve të tjera klasike. “Më vjen mirë të dëgjoj këtë nga një lexuese sepse shpesh herë më kap frika lidhur me përkthimet e librave të mi. Ata mund të kenë emrin tim në kopertinë ndërsa në brendi një subjekt që ka të bëj fjala vjen për edukatën seksuale”. Në përgjigjen e saj për Valbonën ajo përmendi se komunizmi ishte një pikë e përbashkët mes dy vendeve të origjinës, Shqipërisë në rastin e Valbonës dhe Kilit në rastin e Allendes, ndaj të lexuarit fshehurazi ishte një fenomen që as ajo vetë si kishte shpëtuar që në fëmijërinë e hershme. 
Një tjetër pyetje e ktheu Allenden në fillimet e karrierës së saj dhe pikërisht në librin e parë! Për çudinë time, ndryshe nga sa isha mësuar të dëgjoj, Allende nuk ka nisur të shkruajë që në moshë të re. Përkundrazi romani i saj i parë “Shtëpia e Shpirtrave” i cili i dha famën u shkrua kur ajo ishte 40 vjeç, në një kohë kur martesa e saj e parë kishte humbur formë dhe përmbajtje. “Suksesi i dy librave të parë shënoi dhe momentin vendimtar, të hiqja dorë nga çdo marrëdhënie tjetër pune dhe t’i përkushtohesha totalisht të shkruarit” Dhe kur dikush tjetër e pyet a është e lehtë të shkruash ajo përgjigjet prerë, jo! “Të shkruarit është njësoj si sporti, ku ti duhet të stërvitesh çdo ditë, të djersitesh dhe të lodhesh për të marrë në fund rezultate të mira. Edhe në letërsi një shkrimtar shkruan me dhjetëra drafte, pushon, rikthehet, korrigjon për të përftuar një faqe të vetme”. A është i lodhshëm të shkruarit? “Sigurisht” thotë ajo.”Madje lodhja shpesh herë dikton dhe fundin e librave të mi. Kur e shoh që jam e lodhur me personazhet dhe fabulën aty kuptoj se libri i rradhës duhet të ketë një fund, një mbyllje”. Pa dyshim që Allende është një model botëror, modeli i shkrimtares, modeli injë gruaje të suksesshme! Por nëse formula e modelit do të përmbysej a do të gjenim te Allende modele frymëzimi që kanë ndikuar e formësuar procesin e saj të të shkruarit? “Autorët rusë por mbi të gjitha libri ‘1001 Netë’ thotë ajo. Kaq u desh që shkrimtarja të nxjerrë nga sënduku i kujtimeve ditën kur për herë të parë i ra në dorë pikërisht “1001 Netë. “Atëherë jetonim në Beirut pasi njerku im ishte diplomat në këtë vend. 

Në rezidencën tonë diplomatike një prej dollapëve ishte më i veçanti për të dhe gjithmon qëndronte i kyçur. Gjithë ç’ka dija ishte se në atë dollap kishte puro, wisky, revista playboy dhe katër volume të mëdhenj librash. Isha vetëm 13 vjeç në atë kohë dhe sigurisht revistat playboy më ngacmonin kureshtjen, por më tepër se ato të qetë nuk më linin katër volumet e librave. Një ditë teksa njerku merrte pjesë në koktelin e rradhës gjeta mënyrën për të hapur dollapin e ndaluar. Me një elektrik dore fillova të shfletoj librat. U mrekullova! Nxitoja të lexoja sa të mundja, kapërceja faqe të tëra dhe historitë m’u ngatërruan e m’u bënë lëmsh. Pikërisht nga këto histori të bëra lëmsh të librit “1001 Netë” fillova të krijoj në imagjinatën time, përbindësha, magjistarë dhe magji të cilët më pas do t’i ktheja në personazhe librash”. Ajo përkrah lëvizjet feministe dhe kjo nuk është e vështirë për t’u kuptuar sidomos po të shfletosh librat e saj. Këtë do t’ia sillte në vëmëndje një prej të pranishmve në sallë dhe sipas saj, të qenit feministe ishte e pritshme jo vetëm sepse ajo u rrit me shumë femra rreth vetes por sepse donte të thyente tabunë që një femër duhet të jetë e përulur ndërsa burrat të gëzojnë çdo të mirë. “Unë nuk dëshiroja të isha si ime më, një grua e bindur dhe e përulur ndaj familjes, burrit dhe kishës. Për më tepër besoj se bota do të jetë më e mirë po të drejtohet nga gratë por kjo s’do të thotë që nuk i dua burrat”. Në mbyllje të sesionit të pyetjeve, përpara se ajo të niste nënshkrimin e autografeve një meso-grua me ngulm kërkonte të drejtonte pyetjen e rradhës, një pyetje që do t’i përlotte të dyja, shkrimtaren dhe gruan për shkak të historive të ngjashme. Përlotja buronte nga dhembja e madhe e nënës që humb vajzën e vet. Libri “Paola” do të ishte çlirimi i Allendes nga kjo dhembje, një katarsis siç do e quante ajo. “Të shkruarit e librit ‘Paola’ ishte shpëtimi vetëm nga dhembja që më kishte pushtuar. Unë nuk kisha më jetë. Lehtësimi vetëm ishte të shkoja në varreza dhe të qendroja pranë sime bije për orë të tëra. Sot jam e lumtur që e kam shkruar atë libër. Nuk e ekzagjeroj nëse them se çdo ditë marrë mesazhe nga çdo vend i botës, ku njerëzit më tregojnë përjetimet e tyre pasi kanë lexuar ‘Paola’. Kjo më bën edhe më të lumtur sepse kuptoj që Paola jeton, dhe ajo prek zemra njerëzish kudo ata ndodhen”. Nuk do të kishte mbyllje më të bukur takimi me Isabel Allende! Duartrokitjet ishin të gjata! Teksa e shoh që rrethohet nga dhjetëra admirues për të dhënë autografin e rradhës ashtu siç zakoni e do, e ndjej veten me fat! Me atë lloj fati që vetëm njëherë vjen në jetë. Jo vetëm sepse kam takuar një prej shkrimtareve që me librat e saj më rrëmbeu për netë të tëra gjumin por mbi të gjitha kisha takuar një grua që më frymëzimin e saj do të prekë zemra te tjera si ajo e imja! 


(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…