Skip to main content

Tetova News

Krijues në kohën e kolerës

Rudolf Marku

1.Rastësisht, para disa ditësh lexova një shkrim të poeteshës së talentuar, romancieres dhe botueses Flutura Açka. Ishte shkruar dhe dërguar nga Holanda, ku autorja e mirënjohur jeton prej disa vitesh. Vetë shkrimi qe një shprehje respekti dhe një kujtesë për 70-vjetorin e shkrimtarit tashmë të njohur Fatos Kongoli. Shkrimi, siç dhe pritej të ishte, nisur nga emri i autores, binte në sy për nga eleganca dhe nga mirësia e jashtëzakonshme me të cilën qe shkruar, tipare këto, sidomos ai i dyti, të rralla dhe jo lehtësisht të gjetura në ambientet letrare tonat. Flutura Açka na kujtonte ne të gjithëve se 70-vjetori i një shkrimtari të mirënjohur është një çast kur kujtesa jonë duhet të qe në gjendje alerti. Gati një shekull më parë, një poet amerikan na këshillon se kur të ndeshim gjatë leximeve tona një vepër të mirë letrare, një roman a tregim, a një poezi të vetme të bukur, a kur shohim papritur një njeri të mirë në rrugë, duhet të ndalemi që të përgatitemi që të kemi kohë e të vështrojmë mirë dhe me kujdes, sepse jemi para diçkaje të rrallë.
Krijimtaria artistike dhe letrare është, para së gjithash, krijimtari shpirtërore dhe intelektuale. Dhe ajo që ka të bëjë me shpirtin dhe intelektin nënkupton një dozë më të madhe mirësie. Vladimir Myrtezaj është një piktor i talentuar shqiptar, me një emër tashmë të njohur e të pranuar si njëri ndër piktorët avangardë të post-socrealizmit. Shoh në të njëjtën gazetë ku ishte botuar shkrimi i Flutura Açkës, një përkujtimore prekëse të Vladimir Myrtezajt për përvjetorin e vdekjes së shkrimtarit humorist Paulin Selimi. E di se sa të vështirë e kanë përgjithësisht piktorët për të manovruar me fjalën, po aq sa dhe shkrimtarët për të bërë  piktura. Por shkrimi i piktorit Vladimir Myrtezaj më çudit për elegancën e frazës, për rrjedhshmërinë e sintaksës dhe për qartësinë maksimale të shprehjes. Ndoshta ngase sinqeriteti dhe ndjenja janë sintaksë dhe stilistikë njëherësh? Më vonë lexoj një tjetër shkrim të po këtij piktori për Danish Jukniun, për një piktor që gjatë gjithë jetës së vet i pat pasë në proporcion të drejtë mos-njohjen zyrtare me talentin… Nëse shkrimet  e Myrtezajt qenë një e papritur e këndshme, një shkrim analog i poetit, romancierit dhe përkthyesit Visar Zhiti për Gjosho Vasinë, njërin ndër figurat më të dashura e më të respektuara të Shkodrës, qe një shkrim i pritur, “i paralajmëruar” -siç kanë preferencë të shprehen gazetarët, duke perifrazuar titullin e një tregimi të Markezit,- sa kohë që Visar Zhiti është i mirënjohur për dashamirësinë dhe fisnikërinë e vet…Po kështu vetvetiu më vijnë ndërmend dhe shkrimet plot dritë mirësie të Mehmet Krajës për romanet e Zija Çelës dhe studimet tërë përkujdesje dhe vëmendje estetike të Ali Aliut.
Më bëjnë përshtypje të thellë këto shkrime, sa kohë që krijuesit shqiptarë kanë dhënë prova se nuk janë aq dashamirës me njëri-tjetrin, dhe se ata janë ndoshta të vetmit krijues që nuk kanë një godinë a disa godina të tyret si kolegët e vet kudo në botë, ku të mund të mblidheshin dhe të diskutonin për një vepër të botuar, a ku të mund të ekspozonin punimet më të fundit të një piktori a të një skulptori. Mendoj se e gjitha kjo ka ardhur jo vetëm nga tradita fatkeqe e stabilizuar e arrogancës dhe mospërfilljes së politikanëve dhe zyrtarëve ndaj artit, në kundërshtim me sensibilitetin që politikanët kanë ndaj biznesit dhe materies (sidomos kur materia është e personifikuar në formën e vlerave monetare), por dhe nga mosdashjet mes vetë krijuesve. Grindjet, zilitë, mungesa e një solidariteti profesional (ajo që në Mesjetë, kohë e cila sot pranohet se nuk paska qenë aq e errët sa ç’e kanë përfytyruar mendjet skematike të klasit të katërt, quhej esnafi profesional, the Charter), kanë bërë që politikanët dhe pushtetarët ta kenë patur më të lehtë qërimin e hesapeve me krijuesit e vërtetë, të cilët përgjithësisht konsiderohen si jo aq të dëshirueshëm dhe të mirëpritur në festën e madhe të politikës. Kidnap-i në mesin e ditës i Godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve dhe pafuqia e krijuesve për ta mbrojtur të drejtën e Godinës së tyre, flet jo vetëm për një përçarje mjerane të krijuesve shqiptarë, por dhe për gjendjen e tyre intelektuale po aq mjerane!
2.
Është viti 1974, a ndoshta viti 1976. Ata që kanë jetuar gjatë, mund ta dinë se këto vite janë dhe vitet më të errëta në historinë e Shqipërisë. Diktatori sheh kudo komplote kundër tij. Godet kundërshtarët politikë, të cilët në fakt i ka dhe miqtë më të mirë. Shqipëria është shtet policor. Nuk është rastësi që në Kamboxhian e Khmer Rouge dhe në Korenë e Veriut ambasadat shqiptare janë më të privilegjuarat. Ambasadori francez në Pnom Pen i lutet Ambasadorit shqiptar që t’i gjejë një pako aspirina, sepse privilegjin e blerjes së aspirinave e kanë vetëm punonjësit e Ambasadës shqiptare! Djalit të diktatorit të Koresë së Veriut, i cili  do të zëvendësojë në mënyrën më oborrtare pas disa vitesh të atin, i lejohet besueshmëria që të luajë basketboll vetëm me fëmijët e Ambasadorit shqiptar! Sadam Hussein, gjatë një interviste, i deklaron shkrimtarit anglez, Graham Green, se politikani që admiron më shumë është diktatori shqiptar dhe se nuk kalon asnjë natë të vetme pa ëndërruar që të bëhet si ai. Po t’i besojmë biografisë zyrtare të Marshallit Tito, sa herë që ai ndjehet i mërzitur dhe i stresuar, thërret në zyrën e vet Sekretarin ideologjik dhe i thotë t’i tregojë për fjalimet e fundit të diktatorit shqiptar. Qesh me lot, sidomos nga pjesët sharëse ndaj atij vetë. Është e vetmja mënyrë për t’u zbavitur, deklaron Marshalli Tito. Është i vetmi burim humori që ka mbetur në Ballkan! Por ajo që për të tjerët përbën humor, tek ne është paranojë dhe marrëzi e frikshme.
Pikërisht në atë kohë, në Lidhjen e Shkrimtarëve, në një nga plenumet e saj, një poezi e imja e shkruar në moshën 18-vjeçare, me titullin “Lidhjet e mia me Natyrën”, kritikohet për gabime ideologjike. Dhe për asnjë lloj koincidence, në njërën ndër gazetat më të njohura, botohet një shkrim në një faqe të plotë gazete: “Tetë vargje, tetë gabime ideologjike”- një recension për vëllimin tim të parë poetik. Recensioni në fakt ishte një dacibao agresive dhe fundosëse kundër një libri poetik. Kritikoheshin këngët e muzikës së lehtë, pikturat, poezitë, përkthimet, profesorët e universiteteve. Absurdi kishte arritur deri aty saqë ushtarakët të cilët kishin studiuar në Shkollat Militariste të Rusisë staliniste të konsideroheshin liberalë. Kritika e bërë në një Plenum dhe kritika e përforcuar në një faqe gazete nuk më ndihmonin aspak. Provinca ku jetoja kishte zyrtarë të shquar për injorancën e vet agresive. Mikun tim, Ndoc Gjetjen, e kishin kritikuar në një mbledhje partie të ndërmarrjes për “paturpësinë se guxonte të mësonte gjermanisht, dmth gjuhën e nazistëve”…Ndodhesha në një gjendje dëshpërimi të thellë kur dikush më thotë se shkrimtari Ismail Kadare është ndalur në Lezhë dhe kërkon që të më takojë. Kadare pranohej si talenti më i madh i letrave dhe artit shqiptar, dhe çdo krijues e kishte ëndërr takimin me të. Vetë ai shihej si shkrimtari më problematik i letërsisë, dhe dy romanet e tij “Kronikë në Gur” dhe “Dimri i vetmisë së madhe” përfliteshin si vepra që kanë shqetësuar gjumin e diktatorit. Në Mbledhjet e Partisë emri i Kadaresë shqiptohej si blasfemi…Por dhe ata që e shanin, e pranonin me keqardhje se ishte një talent i pamohueshëm. Talent, por ç’e do, nuk ka qartësi ideologjike…Nuk ka partishmëri!.. Nuk ka hero pozitiv…
U takuam në një klub banal, buzë lumit Drin, një klub plot tym dhe britma zëlarta. Biseda u bë për letërsinë dhe për qytetin provincial ku jetoja, për librat që lexoja dhe për poezinë. Më këshilloi që të tregohesha tepër i kujdesshëm. Pas pak, Kadare më thotë se i duhej të largohej. Më la përshtypjen se nxitonte që të arrinte një orë e më parë në shtëpinë e vet, në Tiranë. Larg, sa më larg provincave Çehoviane!… Largimi i tij vetëm sa ma shtoi zymtësinë dhe vetminë. Ca njerëz që na kishin parë të ulur në një tavolinë filluan të më pyesnin për bisedën tonë. Isha mësuar me kureshtjen provinciale që përmbante së bashku ligësi, provokim, zili dhe ndonjëherë, rrallë, shumë rrallë, dhe mirëdashje, por një mirëdashje plot keqardhje… Pasdreken e po asaj dite, pranë shtëpisë sonë, më ndal në rrugë  P.Nika, që ishte dhe ndihmësi administrativ i Sekretarit të Parë të Rrethit. Ishte dhëndër i lagjes dhe kësisoj sillej me  ndjesinë e familjaritetit të njeriut të afërm. Më thotë: “A e di se Ismail Kadare ka ardhur dhe ka takuar Sekretarin e Parë, shokun M? Dhe a e di përse? Vetëm e vetëm për të mbrojtur ty…”. Dhe më tregon se si Kadare i kishte thënë Sekretarit të Parë që ta injoronte kritikën e bërë ndaj meje në shtyp, si kritikë sektare…Kishte folur gjysmë ore me fjalët më dashamirëse. Duke e ditur mirë agresivitetin e provincës, por dhe psikologjinë e nënshtrimit qyqar të saj ndaj njerëzve që vinin nga Tirana, si të thuash, nga Qendra, nga Lart, ai kishte ardhur vetëm e vetëm që të më dilte zot, që të më mbronte …Dhe ajo që më shtangu qe fakti se gjatë takimit tonë nuk më kishte thënë asnjë fjalë për qëllimin e vizitës së tij. Dhe as që ma ka përmendur kurrë as dhe më vonë, kurrë, sikur ajo mbrojtje e tij në ato kohëra të vështira të mos ketë  ndodhur asnjëherë…Dhe një fisnikëri e pa-artikuluar dhe e pathënë është një fisnikëri që peshon më shumë se çdo mirësi tjetër në këtë botë.
3.
Në librarinë e Chelsea-it lexoj një libër, botim i shekullit 18, i satiristit të njohur romak, Aulus Persius Flaccus, një botim me një përkujdesje të jashtëzakonshme, me gërmat sikur të qenë piktura në vetvete, me hapësirë mes gërmave dhe me një teknikë printimi që ka humbur në ditët tona ku përkushtimi i tepërt ndaj librave quhet bjerrje kohe. Parathënia është bërë nga përkthyesi i autorit romak, William Drummond, që në kohën e vet ishte një njohës i shkëlqyer i latinishtes dhe njëkohësisht anëtar i Parlamentit anglez (asokohe në Europë tolerohej gabimi i pafalshëm sot, që anëtarët e Parlamentit të njihnin latinisht dhe greqishte të vjetër)…Siç dihet, Persius është një poet satirist që jetoi në kohërat e turbullta të perandorit Neron, dhe shpesh edhe admiruesit e tij të mëdhenj (siç është Casaubon) ankohen për stilin e tij të errët dhe sidomos për kompozicionet poetike  fragmentare dhe ndonjëherë për fjalitë dhe vargjet e lëna përgjysmë. Por ja që Drummond, një njeri i shekullit 18, përpiqet në çdo fjali të veten ta justifikojë duke e kuptuar poetin romak. “Të mos harrojmë, – shkruan ai, - se Persius jeton në kohën e Neronit, dhe megjithatë ai guxon që të tallet me krimet dhe marrëzitë e Neronit. Nuk është pak. Ndonjëherë duke i bërë një elozhe taktike diktatorit, me qëllim që të fitojë lirinë për ta ekspozuar më shumë krimin. Po ta vësh re, Persius bëhet i errët dhe retiçensionist vetëm atëherë kur shkruan për Neronin dhe kur ekspozon marrëzitë e tij. Në shkrimet e tjera është i qartë dhe fluid. Persius-it i duhet që të flasë me gjysmë fjalish që t’i shpëtojë vëmendjes së despotit të çmendur”. Lexoj fillimin e Persius-it- O curas hominum! Quantum est in rebus inane!- dhe më duket poeti me shpirtin më bashkëkohës. I kthehem prapë parathënies së Drummond dhe më godet arsyetimi i tij në shekullin 18: Është e vërtetë se poezia e Persiusit, ne lexuesve të kohës sonë na tingëllon ndonjëherë e vrazhdë, vargjet e tij nuk e kanë qartësinë dhe limpiditetin maksimal, dhe ai vetë nuk është Horaci…Por të mos harrojmë se një monedhë e vjetër, e gjetur në një gërmim arkeologjik, duhet që të pastrohet e të lëmohet me kujdesin më të madh që ta rifitojë shkëlqimin e parë…Poezia e Persius-t i ngjan një përroi që është i rrëmbyer dhe i vrullshëm, kështu që ajo që na duket fragmentarizëm tek poezia e tij është vetëm përthyerja e ujit, spërkatja e ciklave të ujit në zbritjen e përroit të rrëmbyeshëm”.
Prekem nga kjo përkujdesje e një autori jo aq të njohur anglez, William Drummond, për një autor tjetër, romak, që ka jetuar të paktën nja 2000 vite më parë nga ai vetë. Por distanca kohore nuk e pengon që Drummond të përpiqet që ta kuptojë e ta justifikojë kolegun e vet 2000-vjeçar. Prekem sidomos kur ai shkruan në fundin e parathënies: Nuk mund ta përfundoj këtë parathënie, pa u ankuar për vdekjen e parakohshme dhe mizore të Poetit romak. Vdekja duhej ta kishte kursyer poetin, veprën e të cilit sapo e kam përkthyer, edhe për një arsye tjetër veç asaj njerëzores, që t’i jepte kohë atij vetë që të shkruante dhe t’i jepte një përsosmëri më të madhe veprës së vet”. Prekem nga ndjesia e solidaritetit mes dy njerëzve të ditur me një humnerë kohore dymijëvjeçare. Anglezi Drummond flet për vdekjen e Persius-it sikur të qe fjala për vdekjen e një djaloshi në Londër, me të cilin ai ka bërë shkollën dhe kanë ndarë ditë përditë së bashku të njëjtat vlera intelektuale dhe njerëzore. Dhe nuk kam se si të mos mendoj, në mënyrën më të pashmangshme, gatishmërinë e gjykueshmërisë së rreptë për shkrimtarët tanë, atë gatishmëri kokëforte për të mos i kuptuar ata dhe kohën e tyre kur kanë jetuar, madje edhe kur kjo kohë është e njëjta kohë edhe e atyre, gjykuesve të rreptë. Mendoj në mënyrë të pashmangshme për mungesën e thellë dhe fyese të solidaritetit mes krijuesve shqiptarë, për hakërrimin dhe kthetrat që i tregohen shkrimtarit me shpifje dhe përbaltje dhe moskuptim të qëllimtë. Aq sa dhe një fjalë e vetme e mirë për një shkrimtar, madje dhe për një shkrimtar si Kadare që është i pranuar botërisht si njëri ndër shkrimtarët më të mëdhenj të kohës, dhe i cili duhej të qe aq i pandjeshëm ndaj fjalëve të mira, sa ç’është deti ndaj piklave të shiut, na bëjnë që të ndalemi dhe të shohim përreth, sikur të kishim parë një fenomen të rrallë e të jashtëzakonshëm. Fenomenin e mirësisë në një kohë shqyerjesh, të denjë për portrete të natyrës së Hieronymus Bosch./mapo

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…