Skip to main content

Tetova News

Kukullat me motive të humbura të Flutura Açkës

Nga Raimonda Moisiu
(Esse-analizë rreth romanit “Kukullat nuk kanë Atdhe”)

Shkrimtarja Flutura Açka konsiderohet ndër shkrimtaret më të rëndësishme dhe të admiruarat në letrat shqipe. Ajo është autore e një sërë romanesh, vëllimeve me poezi dhe publicistikë. Është mjeshtre e rrëfimit, me ndikim të jashtëzakonshëm në artin e të shkruarit, me frymë bashkëkohore, veçmas asaj në prozën moderne. “Kukullat nuk kanë Atdhe” titullohet romani më i fundit i shkrimtares Flutura Açka, i botuar nga shtëpia botuese “Skanderbeg Books”, 2013. Dalja në dritën e botimit të romanit, pati jehonë për mesazhin e fuqishëm përmes ndërtimit të ngjarjeve dhe personazheve me parafillesat, fillesat e mbaresat e tyre, dhe për ndjeshmërinë se si e duam dhe e dëshirojmë Atdheun e vërtetë, dhe atë të realitetit të sotëm. Bota reale e Atdheut, është bota pa konvencionet e paemërta me ngjyrimet e turbullimet dhe modelet e saj të palexueshme. Atdheu real është alegoria dhe personifikimi që përshkon udhëtimin e lumtur e të trishtë të jetës, të kuptueshmen dhe jashtëzakonisht kuptimploten në këtë roman. Mesazh, që na kujton se sa nevojë ka shoqëria shqiptare për realitetin dhe të vërtetën, të cilët autorja Açka i përcjell aq mjeshtërisht, çka e ka bërë që, sot për sot, libri të vlerësohet nga më të mirë e zërit krijues dhe guximit qytetar e intelektual femëror në letërsinë shqipe.
“Kukullat nuk kanë Atdhe” është një libër artistik, publicistik dhe melodramatik, që përshkruan histori e personazhe tronditëse nën mantelin gri, ironik, satirik, komik, provokues e rrëqethës ndaj realitetit social-ekonomik-politik të një Atdheu të asfiksuar nga moderniteti ballkanik, ku dallohet qartë dhimbja, tronditja e brendshme dhe e jashtme, lufta për pushtet, frikë, izolim, vetmi, seks, skandale, vrasje, dhunë sociale e fizike, urinë dhe tejngopjen, mjerimin e trishtimin, vlerën e antivlerën, regresin e progresin, të varfër e të pasur, të moralshmen e të pamoralshmen, pesimistë e optimistë, grotesken, dëshpërimin dhe keqardhjen, lindjen e vdekjen, jetesën e mbijetesën – bashkudhëtarë të ngjarjeve dhe situatave të ndryshme dhe të pashërueshme për ndjeshmërinë e dashurisë për Atdheun e vërtetë.
Ky libër ka një efekt unifikues mbi lexuesin dhe demonstron teknikë të shkëlqyer narrative, mendim filozofik dhe imagjinatë letraro-artistike të pazakontë të jetës, duke i përshkruar në distancë rolet e personazheve të veprës, me mendime që dallohen për ironinë delikate, impulse të pazakonta dhe parandjellëse. Atmosferën misterioze dhe shijen e përkobëshme, autorja e mbështet në imagjinatën dhe aftësitë letrare të saj, tek e lartëson dobësinë madhore të vëzhguesit njerëzor, që përshkohet në shumë nivele të rrëfimit dhe përdorimin e zakontë e të pazakontë të dialogut mes protagonistit dhe antagonistit, deviza kryesore e strukturës narrative, thriller që duket sikur del nga ekranet e “kinemasë” të farsave sociale.
Ndërsa rrekesh së lexuari nëpër faqet e romanit, e kupton se e gjen veten në çdo rrëfim apo histori dhe e studion me kujdes atë që ndodh në rrjedhën e veprës, përfytyron dhe kupton gjithçka që rrëfyesja përshkruan me vërtetësi çfarë ka ndodhur, ekzistuar dhe ekziston. Autorja Açka mjeshtërisht artikulon idetë e trajtuara me veprimet e personazheve dhe implikimet e pasojave të tyre, peshën e konfliktit dhe kontrastet në vetvete për nga vlerat njerëzore dhe vështirësitë, që vjen më tepër nga diferenca e kulturës, profesionit dhe horizontit të personazheve. Në “Kukullat nuk kanë Atdhe”, shkrimtarja Flutura Açka na paraqet kronologjinë e mendimeve, rreptësinë e parimeve me përqasjen e objektivit bazë. Nëpërmjet tyre autorja shtjellon botën reale në disa etapa: parafillesa, fillesa, pragje (kapituj) edhe mbaresa -eksperimente të denja; paragrafë gjallërisht bindës në shumë aspekte të jetës së përditshme të personazheve që janë mirëvendosur me hollësitë dhe nuancat e tyre, nën efektin vital të përvojave jetësore, mes psikikes e shpirtërores.
Aftësitë letrare, mendimi filozofik dhe pena publicistike e Açkës penetrojnë në vetëdijen e farsave sociale të realitetit prej rëre të shoqërisë.
Duke pasur parasysh se sa shumë personazhe do të hasim në krejt kapitujt paraardhës, autorja që në fillesë bën një paraqitje të shkëlqyer të personazhit kyç, Matronës, personazh dashamirës e mbresëlënës, dhe më e ndikuara në shtjellimin e rrëfenjës. Matrona, grua e vetmuar, e shëndetshme, plot virtyte njerëzore, ndershmëri e sinqeritet, humane, tradicionale, butësi shpirtërore e brishtësi femërore, e hijshme dhe interesante, herë pesimiste e herë optimiste, me kuriozitetin e humbur dhe spontan, guxon dhe jeton brenda kontrastit dhe përplasjes mes dy realiteteve. Jeton brenda botës në apartamentin e saj, atij kontrastit fanatik të një bote të përciptë, patetike e spekulative, virtuale dhe reale, dhe dhunës verbale nga T, prej nga ku media, politika e shoqëria ekspozojnë dhunën fizike e sociale, njerëzore, ngjethëse dhe e padurueshme, amorale dhe e qetë. Bota jashtë apartamentit të saj – në rrugëtimin e jetës, përballimin e rezonancave dhe lidhjet të panumërta psiko-emocionale mes kukullave të Matronës – peng i dy realiteteve brenda botës reale, “kjo është arsyeja pse Matronën me atë – botën jashtë – nuk e lidh veç dritarja e hapur. Të paktën këtë mbrëmje”.Dy realitete këto që e bëjnë rrëfimin mëse tronditës dhe të nënkuptuar në shumicën e situatave të kronikës së jetës së përditshme.
Autorja Açka me mjeshtëri letraro-artistike, filozofike dhe përshkrime publicistike zhdërvjellese, vendos lidhjet mes Matronës dhe kukullave, pjesëmarrjen e tyre amatore me kuriozitetin e humbur në teatrin e madh jo harmonik të realitetit social-politik dhe shijeve “përzgjedhëse” të shpërfilljes shoqërore; “Ajo, Matrona e lodhur, po i nxjerr nga jeta e saj. Në jetën e lirë. T’i bëjë pjesë të Atdheut të saj. Nëse Atdheu do të dijë t’i pranojë, nëse do të ketë bujari t’i pranojë. Nuk dëshiron të mendojë se kukullat nuk kanë Atdhe. Dilni, dilni, paçi fat! Fat-mira a fat-nxira!” Me kënaqësinë, virtuozitetin dhe inkoshiencën e saj, në formën dhe ndikimin e konsiderueshëm, nëpërmjet monologut dhe dialogut rrëfyes dramatik, provokues  dhe dizajnit narrativ satirik, Açka krijon edhe lidhjet e mundshme e të pamundshme, të përballueshme e të papërballueshme, misteret dhe intrigat mes kukullave dhe protagonistëve realë, ngjarjeve bashkëkohore dhe mënyrës si drejtohet shoqëria shqiptare, të cilat morfemojnë njëra-tjetrën dhe pikëpamjet e mprehta mbi realitetin me piroteknikën intelektuale, qytetare e guximin njerëzor.
Libri është i frymëzuar nga ngjarjet e vërteta të çdo aspekti të mundshëm të jetës dhe rizbulimin e brengave dhe traumave që gëlojnë brenda skenarit klishe e pushtetit të dështuar dhe ndjenjës naive të degradimit me vetëdijen e farsave sociale në realitetin prej rëre të shoqërisë. “Tirana është tereni ku rehatohet Liria prej gati njëzet vjetësh. Shtrihet edhe më përtej, por në Tiranë shquhet. Por ka ca kohë që ka filluar të shqyhet prej shtriqjes së tepërt. Tërheqja nga akrobacitë e shpeshta. Parodi e madhe e lirisë po na bën të ndihemi pa Atdhe, pasi po heshtim nga cënimi i lirisë, mu prej ngopjes nga liria. Liri do të thotë edhe të mos heshtësh, duke heshtur ndërtojmë një Atdhe të frikshëm,” shkruan Açka që në krye të Pjesës 12, në faqen 222. Me lojën e bukur e të thjeshtë të sarkazmës e marazit, groteskes e anekdotave, ironisë therëse, autorja të 100 kukullave të saj “iu ngjyros numër në kurriz”, dhe në heshtje tre T-të – Trupin, Talentin dhe Trurin – Kukulla nr.6 (gazetare), nr.13 (pianiste), nr.24 (juriste), nr.30 (bisnezmene e modës), nr.31 (shkrimtare), nr.33 (stiliste), nr.66 (Biodance), nr. 69 (gazetare e pavarur) nr.71 (modele), nr. 107 (gazetare e pavarur), etj., duke iu përshtatur profesionet brenda mjedisit të realitetit shqiptar, duke prekur në mënyrë të qartë personazhe befasues në jetë, rrëfim për njerëz të zakonshëm, shkrirjen e disa grave të vërteta për të gjetur zërin e tyre të jetës. Gra-kukulla, dhe liria që ato synojnë shpesh duket si e çoroditur për jetën e me jetën mbi kuptimin dhe arsyen, logjiken dhe psikologjiken, veçmas inferioritetit maskilist. Kukulla me motivet e humbura në jetë, janë pjesëza të njerëzores dhe të universit social, ekonomik e politik. Personazhe që sjellin kënd-vizione pikërisht aty në Tiranë ku mpleksen vlera e antivlera, kotësia e shpresa, dhimbja e dashuria, dhuna e shtypja seksuale, që lindin çdo çast polemika, thashetheme, frika nga pasojat, debate me butësinë dhe agresivitetin e rotacionit të koncepteve dhe përmbysjeve të dogmave në përshpirtje të tranzicionit të lodhshëm, të stërmunduar e të stërzgjatur i kohës dhe i realitetit që jetojnë.
E guximshme, e vullnetshme, e hekurt, inteligjente, e talentuar, idhnake, e qartë dhe e kthjellët në atë që shkruan e shpreh, Flutura Açka guxon – përtej guximit të marrëzisë, gënjeshtrës, falsifitetit e hipokrizisë, prek plagët e dhimbshme e të ndjeshme të dramës social-ekonomike dhe politike të ngërthyer nga veset, gjykon atë realitet që rrallëkush guxon ta thotë mbi çdo vullkan urrejtjesh, etjes dhe rrezikut për hir të pushtetit, pasurisë dhe histerisë klanore, me një prekshmëri të pamohueshme mbi politikën që ngrihet syhapur lehtësisht, ngushëlluese e triumfuese ndaj diversitetit, ambicieve, bindjeve e principeve njerëzore dhe kockës qytetare e intelektuale. Historia është më shumë për shtresat sociale të shoqërisë. Nuk janë stereotipe “shpëtimtarë” të zotit – politikanë e deputetë të përfaqësuar në roman nga Vokërr Delia, oportunistë, aventurierë, mashtrues dhe provokatorë të drogës dhe krimit, besnikëria e të cilëve është e gjithëpranueshme, ideokracija e tyre bazë: skllavëro të tjerët për të sunduar! Personazhe banalë dhe figura të përbuzura për moralin e personalitetin e tyre të dyzuar, por që gdhihen të varfër e ngrysen milionerë në këtë realitet të dhimbshëm.
“Morali është diktaturë”, shkruan shkrimtarja Marta Marti, që do të thotë: triumfi i moralit të pistë merr kuptimin e tij gradual, të frikshëm e të politizuar, urë zjarri feminist për të kontrolluar gjithçka. Ngopja e mosngopja për seks e para, liria e femrës dhe hija e famës: “Fama dhe femra, i kujtohet Lolita, janë dy motra siameze”! Kukullat ballafaqohen me lirinë dhe rolin e tyre në shoqëri, zakonet dhe moralin e ngritur prej shoqërisë dhe me autoritetin e urisë mashkullore, dhunës e shtypjes seksuale, që politikisht është larg dhe i sofistikuar në monotoninë e shoqërisë dhe pikëpyetjes së vërtetës faktike.
Një nga virtytet më mjeshtërore e Açkës me përkushtimin krijues si qenie njerëzore, është simpatia diskrete për personazhet e saj. Autorja u jep role të forta disa kukullave të saj me kryeneçësinë dhe delikatesën femërore të tyre, dilemën e gjinisë e seksualitetit në audiencën e mundshme e të paparashikueshme, metaforë e përkryer kjo e metamorfozës së jetës në Tiranë dhe në realitetin e ashpër social të mbuluar nga krizat ekonomike e sociale. Personazhe si kukulla nr.6, nr.13, shkrimtarja Marta Marti dhe poeti Mond Shpali në hije, Ed Zagoria në mërgim, Vokërr Delija me arrogancën e veset e tij, janë përzierja imagjinare e figura intriguese në roman. Kukullave nr.6 dhe nr.13, Açka u ka dhënë perfomancën serioze mes guximit e ankthit, që simbolizojnë portretizimin e konstruksionalizmit social-ekonomik-politik të shoqërisë së sotme. Janë personazhe të admirueshme e të besueshme, njëra artiste dhe tjetra gazetare, që përveç përgjegjësive familjare e bashkëshortore, pranë e larg, janë pjesëmarrëse të kudogjendura dhe krijojnë besimin në rritje për kauzën e tyre. Kukulla nr.6 me syrin e mprehtë të gazetares, e ndërgjegjshme për atë që shikon e kupton ç’ndodh rrotull, me editorialet e saj, nxjerr në pah episode e ngjarje të rëndësishme në jetën e përditshme të qytetit e të shoqërisë; që nga sektet fetare që nuk dihen nga vijnë e shkojnë dhe pastrojnë paratë e krimit të organizuar, njerëzit e korruptuar të politikës të kastës në fuqi që privatizojnë e grabisin pasurinë kombëtare, nën emrin e patriotizmit – koncept korrupsioni unik ky, arrogantë e vrasës si Vokërr Delija të veshur me pushtet, famë e para, krim e ndëshkim. Me një stil të mrekullueshëm dhe balancues mes letërsisë e publicistikës, me figura letrare të goditura e të mirëvendosura në strukturën narrative letraro-artistike-publicistike, gjuhë të pastër e drejtshkrim të admirueshëm, monologje, meditime, dialogje e biseda, Flutura Açka përshkruan personazhe, figura pozitive e viktima sociale dhe nëpërmjet tyre apelon revoltën dhe zemërimin kundër arrogancës, pangopësisë, përfitimit moral e material, krimit e dhunës fizike, seksuale e sociale të pazakontë në gjendjen sociale të sotme.
Gjatë leximit të romanit hasim zhargonin bulevardesk, larg ndrojës dhe të guximshëm të shkrimtares, por që shprehin artistikisht moralin e shoqërisë, kritikën ndaj lirisë së çoroditur -shthurjes morale – dhe qëndrimin qytetar e intelektual, psiqik e njerëzor të autores, brenda përkushtimit krijues të rrëfenjës. Romani “Kukullat nuk kanë Atdhe” i Flutura Açkës, me doza të forta interesante në përjetimin e situatave e përvojave jetësore, ka prekur dhe ngritur gishtin ndaj çështjeve më të rëndësishme e jetike, libër që tronditi muret socialë dhe mjegulloi horizontin e shoqërisë politike shqiptare, por që ndihmoi ndryshimin historik në formë e në përmbajtje –rrotacionin. “Kukullat nuk kanë Atdhe” e Flutura Açkës është vepër e shkëlqyer e portretizimit të shoqërisë shqiptare.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…