Skip to main content

Tetova News

Kur vdes shpirti, ai bëhet njeri

Novalis
Fragmente/Nga fletorja e leximeve


Çdo lloj hiri është polen, petëlat janë qielli.
Poezia është menjëmend reale absolute. Ja bërthama e filozofisë sime. Sa më poetike, aq më e vërtetë.
Përralla është e ngjashme me kanonin e poezisë. Çdo gjë poetike duhet të jetë përrallore. Poeti i përkulet rastit.
Kur vdes shpirti, ai bëhet njeri. Kur vdes njeriu, ai shndërrohet në frymë. Vdekja e lirë e Frymës është vdekja e lirë e njeriut. Çfarë i korrespondon lartësisë së ekzistencës njerëzore? Ekzistenca e demonëve apo gjenive, me të cilët trupi është ajo po ajo gjë çka rezulton për ne shpirti.
Lulja është simbol i misterit të frymës sonë.
Çfarë është më e madhe se jeta? – Është shërbimi ndaj jetës, si shërbimi ndaj dritës.
Çfarëdo magjepsjeje – është eksitim artificial i çmendurisë. Çfarëdo pasioni – është magjepsjeje.
Një vashë e bukur nga të gjitha pikëpamjet është një shumë më magjistare nga ç’e pandehim.
Ne jemi njëkohësisht brenda dhe jashtë natyrës.
E habitshme që sinteza absolute dhe e mrekullueshme është shpesh herë boshti i një përralle – ose qëllimi i saj.
Më e mrekullueshmja për mua është të shkoj me atë që më beson dhe më kupton.
Çdo fjalë është fjalë betimi. Cilin shpirt të thërrasë – e tillë është.
Qielli është shpirti i sistemit yjor, ndërsa sistemi – trupi i tij.
Çdo gjë e dukshme priret për kah e padukshmja, e dëgjueshmja – kah e padëgjueshmja, e prekshmja – kah e paprekshmja. Ndofta dhe e mendueshmja – për kah e pamendueshmja.
Njeriu i parë – është njeri profetizues. Atij gjithçka i shfaqet në trajtë fryme. Ç’janë tjetër fëmijët përpos se njerëz të parë? Vështrimi llamburitës i fëmijës është më i begatë se ndjenja e profecisë së orakullit më të guximshëm.
Në ëndërrojmë për shtegtimet tona nëpër gjithësi; po a nuk është brenda nesh gjithësia? Thellësinë e shpirtit tonë ne as që e marrim me mend. Përbrenda nesh kalon rruga misterioze. Në ne ose askund është amshimi me botërat e tij, Të kaluarën dhe të Ardhmen. Bota e jashtme – është bota e hijeve, ajo hedh hijen e saj në mbretërinë e dritës. Tash në na bëhet sikur përbrenda ka kaq terrinë, vetmi, përçudnim. Por sa krejtësisht ndryshe do të na duket, nëse do të kalojë ky eklips dhe ky kurm i fantazmët do të flaket tej. Në do të mbërrijmë kënaqësinë që s’ka të përshkruar: se Fryma jonë nuk ka asfarë nevojash.
Çdo gjë e mbaruar shpreh jo vetëm vetveten, por edhe gjithë botërat e ngjashme. Prandaj, përreth gjitha gjërave të përfunduara ndehet velloja e Virgjneshës së amëshueshme, e cila prej përçikjes më të lehtë shndërrohet në avull magjik, që bëhet koçi e mjegullt profeti. Nuk është veç statujë e lashtë, të cilën e shohim. Kjo vello është njëkohësisht dhe qiell, dhe tejqyrë, dhë yll i palëvizshëm dhe përgjithkah – Zbulesë e përnjëmendtë.
Forma është antiteza. Përmbajtja – teza. Përmbajtja është diçka origjinale, e qëndrueshme; forma – relative, e ndryshueshme, baza e mohimit është është po njësoj si përmbajtja – baza e realitetit. Çka mundemi të shestojmë veçmas, është përmbajtje. Çfarë duhet të shestojmë në lidhje me diçka, është forma.
Vija e shtrembër është triumfi i natyrës mbi rregullin.
Jeta është liria e natyrës – liria ndjenjësore.
Çdo zanafillë jete duhet të jetë antimekanike, vrujim i fuqishëm, kundërvënie ndaj mekanizmit; materie absolute – stijia parësore e frymës = shpirt. Gjithë jeta është një rrjedhë e pandërprerë. Jeta rrjedh prej jetës dhe mandej kështu… Përmbi shpjegimin e jetës.
Poezia përthith qenësinë e huaj në tënden.
Në poemat e vërteta s’ka unitet tjetër, pos unitetit të shpirtit.
A nuk është vallë përqafimi diç e ngjashme me mbrëmjen?
Tëk të lashtët religjioni ka qenë në një shkallë të njohur po njajo gjë që për në duhet të bëhet poezi praktike.
Fryma shfaqet gjithëherë sall në trajtën e huaj të imazhit ajror.
Ne kërkojmë gjithkah të Padyshimtën, ndërsa prore gjejmë veçse gjësende.
I zoti e di se çfarë simboli i përnaltësuar është gjaku? Mefshtësia e pjesëve përbërëse organike na shtrëngon pikërisht të sosim mbi, kinse, shumë të përnaltësuarën ndër to. Ne, mu si para fantazmave, ngjethemi para tyre dhe me një lebeti fëmijnore ndjejmë në këtë amalgamë të çuditshme botën misterioze, ndërsa lipsej të kishtë qenë për ne thjesht, një i njohur i vjetër.
Njeriu: është Metafora.
Instinkti është një art pa qëllim.
Ekstaza është një fenomen i brendshëm dritësor i soditjes intelektuale.
Si po më duket mua, gjithkund në fundament qëndron mistika gramatike, e cila shumë lehtë mund të cysë habinë e parë në lidhje me gjuhën dhe shkrimin (letrën). (Popujt e egër deri më tash i quajnë shkrimet/letrat – magji).
Gjuha – është Delf.
Poeti dhe falltari (prifti i tempullit) kanë qenë dikur një, dhe vetëm kohërat e vona i kanë ndarë e veçuar. Por poeti i vërtetë gjithëherë ka mbetur falltar, sikundër se dhe falltari i vërtetë – poet. A nuk duhet vallë që Ardhmëria sërish ta kthejë gjendjen e lashtë të gjërave?
Fragmente, zgjodhi: Agron TUFA
(Marrë nga “Fjala review”)

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…