Skip to main content

Tetova News

Liria krijuese e artistit të sotëm

Nga Ndini R. Bardhi*

Nëpërmjet veprimtarisë krijuese të artistit, të gjitha gjetjet dhe këndvështrimet, temat, objektet, subjektet, frymëzimet etj., në hapësirën e gjithanshme të lirisë njerëzore dhe krijuese artistike, të strukturuara në sipërfaqen e kuadrit, në formë e përmbajtje, sintetizohen në vepër e produkt të shprehjes ligjësore e te pavarur të tij. (artistit).
Roli i artistit në krijimtarinë artistike është aktiv njerëzor, sepse, duke qenë pjesë e shoqërisë, natyrisht, është i kushtëzuar nga dinamika e zhvillimit të saj, por edhe në të njëjtën kohë, në aspektin krijues si vetvete, ka një pavarësi relative me të (shoqërinë). Kjo ka të bëjë me natyrën dhe karakterin e artit, që si fenomen krijues më vete, i jep artistit të drejtën e hapësirës, shkëputjes, studimit, kërkimit, interpretimit etj. në lirinë e pavarur krijuese, qoftë ajo në jetë, realitet, shoqëri, institucion, komunitet dhe kudo.
Liria krijuese e artistit në botë e në Shqipëri në fushën e krijimtarisë artistike ka funksionuar e diktuar dhe e pavarur, me realitetin, jetën e individit dhe shoqërisë e mbi të gjitha në saj të talentit, punës dhe pasionit të jashtëzakonshëm, sakrificave dhe të gjitha mundësive reale të artistit aktiv dhe idealist. Gjithçka e krijuar në veprat artistike që nga mesjeta, gotiku i vonë, Rilindja italiane në botë e në Shqipëri, ka patur në themelin krijues konceptin subjektivist të artistit fenomenal dhe hyjnor. Në sajë të këtij koncepti njeriu i jashtëzakonshëm artist ka krijuar në kushte absolute lirie, sepse arti dhe procesi krijues është një botë më vete kozmike, që kërkon pavarësi dhe liri absolute të artistit, për të interpretuar artistikisht idenë, objektin dhe subjektin krijues të tij. Artisti është i veçantë nga njerëzit e tjerë, me botë dhe psikologji komplekse, i përgjegjshëm në krijimtarinë e tij dhe produktiv ndaj vetes dhe të tjerëve. Para fushës së bardhë të kuadrit piktorik shtrihet e mistershmja, e mundshmja dhe e pamundshmja, sfilitja, tortura e shumë e shumë elementë të tjerë, që e bëjnë një njeri të mendojë, të shtrydhë energjitë mendore e fizike në mënyrë të pavarur e të lirisë së presuar brenda botës së tij dhe jashtë rrethanave ekzistuese të botës që e rrethon. Liria krijuese e artistit është liri energjish, frymëzimesh, pasionesh dhe mundësish njerëzore pa kufij, është liri e ndërgjegjshme dhe e pastër, e padiktuar apo e pandikuar nga faktorë të jashtëm të jetës së përditshme.
Ajo (liria) si hapësirë kozmike, qiellore e hyjnore e Zotit, i jep të drejtën artistit të vërtetë që ta jetojë artistikisht jetën e tij krijuese në mënyrën dhe konceptin e tij preferencial njerëzor dhe si artist e, mbi të gjitha, larg realitetit real dhe njeriut, që në këto momente krijuese në studio nuk përbëjnë interes për krijimtarinë e tij. Në këtë sens, sipas konceptit subjektivist të artistit dhe të vetë atij, ai nuk është i imponuar nga asnjë diktat politik, ideologjik, klasor, ekonomik, natyror, njerëzor etj., që do të thotë, në kuptimin më të gjerë artistik, nuk ka asgjë që ta detyrojë atë të veprojë në mënyrë të planifikuar në hapësirën e krijimtarisë artistike të tij. Ai në këtë drejtim është absolutisht  i lirë, krijon nga vetvetja dhe për vehten, krijon i pavarur nga realiteti, nga jeta aktive shoqërore dhe nga ndikimet ekzistuese artistike.
Koncepti subjektivist i artistit në lirinë e sotme krijuese është i vlefshëm edhe për artin modern të sotëm në realitetin artistik shqiptar. Koncepti në fjalë është bazë teorike e preferuar për artistët modernë në kohën e lirisë, demokracisë dhe pluralizmit artistik të sotëm shqiptar. Liria e tyre si artistë në fushën e krijimtarisë artistike moderne është një e drejtë absolute e tyre për të shpalosur vlerat krijuese në pikturën abstraksioniste, surrealiste, konceptuale, pamore, instalacione, vidio, montazhe etj., e cila është një krijimtari subjektive dhe domethënëse vizuale, pamore dhe intriguese.
Koncepti subjektivist i lirisë krijuese të sotme në fushën e krijimtarisë artistike moderne është themeli i artit abstraksionist, surrealist, formalist etj., që do të thotë se gjithçka e krijuar nga çdo njeri dhe artist, qoftë edhe modern, përbën një të drejtë të lirisë dhe shpalosjes së ideve konceptuale të botës universale të artit. Arti, si fenomen shpirtëror dhe njerëzor, është kompleks gjithëpërfshirës, filozofik, e pse jo, edhe shumë i ngatërruar për shijet, konceptet, botëkuptimet e çdo njeriu në këtë botë. Le ta respektojmë ashtu siç vjen dhe shfaqet në realitet para syve tanë, sepse çdo gjë e krijuar është në startin e konkurrencës dhe seleksionueses më të mirë, kohës dhe opinionit të njerëzve, të djeshëm dhe të sotëm! Gjithçka artistike, qoftë ajo realiste, impresioniste, moderniste e rryma të shumta arti, kalojnë në sitën e kohës, interesave të njerëzve, dëshmive historike, logjikës së tregut, zhvillimeve politike dhe ekonomike etj., natyrisht në hapësirën e lirisë dhe konkurrencës e, mbi të gjitha, në precipitimin e tyre si vlera shoqërore dhe kombëtare, në njësinë e hapësirës së lirisë dhe demokracisë krijuese artistike.
Pra, për gjithçka të krijuar në fushën e artit na lind e drejta tjetër për të bërë pyetjen: A ka liri të vërtetë artisti? Eksperienca krijuese artistike në botë dhe në Shqipëri ka dëshmuar se artisti, për arsye fetare, politike, ekonomike, objektive e subjektive etj., nuk mund të jetë i pavarur nga realiteti jetësor, njerëzor, ekonomik e fenomenal, sepse, në veçanti e në tërësi, ato përbëjnë objektin e artit dhe subjektin e artistit. Që në lindje të tij arti ka ecur dhe është zhvilluar si një formë specifike e ndërgjegjes shoqërore, që ka pasqyruar artistikisht në një mënyrë krijuese realitetin e gjallë dhe ekzistues. Arti si fenomen shpirtëror ka në vetvete një përmbajtje të ndërgjegjshme të artistit, që është interpretim i objektit dhe subjektit të tij, i dukurive dhe rrethanave të realitetit, të natyrës, njeriut, shoqërisë dhe jetës së gjallë. Arti, si liri krijuese dhe artistike aktive e ka nxjerrë dhe e nxjerr brumin e tij nga realiteti. Në këtë vijimësi krijuese artisti është i varur nga realiteti dhe i privohet e drejta për të qenë absolutisht i lirë dhe i pavarur nga ai (realiteti) dhe jeta. Krijimtaria artistike edhe në lirinë krijuese të vetë artistit, në një mënyrë apo në tjetrën, në një tematikë apo në një rrymë tjetër arti, në një gjetje apo këndvështrim tjetër, përsëri është i varur nga objekti real, që përbën subjekt krijues për të. Njeriu artist, që merret me art, në lirinë e tij krijuese, ekziston në botën reale, objektive dhe aktive dhe si e tillë, varet prej saj dhe nëpërmjet tyre përcakton tematikën, mesazhin dhe vlerën e veprës së krijuar artistike.
Tjetër. Çdo artist, për hir të vërtetës, në procesin e krijimtarisë artistike si vetvete dhe me të tjerët, s’mund të ekzistojë e të përjetojë vlerat e tij të krijuara, kur ato nuk vlerësohen nga kolegët e opinioni artdashës i tij e aq më tepër, s’mund të jetë i kënaqur e i lirë, sepse është qenie njerëzore, që jeton, krijon, kontribuon së bashku me shoqërinë përreth e më gjerë.
Natyrshëm, çdo njeri që i thotë vetes krijues vlerash artistike e letrare, është i lidhur me shoqërinë dhe për këtë është i ndërgjegjshëm.
Përderisa artisti është pjesëtar i shoqërisë, edhe liria e tij e të jetuarit e të krijuarit është e kushtëzuar me marrëdhëniet e caktuara shoqërore.
Në këtë kontekst krijues artistik, artisti i vendosur në kushtet, rrethanat shoqërore, brenda të cilave jeton e krijon, është i imponuar dhe i diktuar nga rregullat morale të saj, që do të thotë, se në këto raporte njerëzore, si njeri dhe krijues nuk është i lirë. Shoqëria e çdo kohe, e aq më tepër shoqëria e sotme moderne shqiptare, influencon mbi krijimtarinë artistike dhe vetë artistin në mënyra të ndryshme ekonomike, konceptit e mentalitetit për artin, politikës dhe kulturës materiale e shpirtërore. Kushdo artist që përpiqet të krijojë vlera artistike në realitetin e sotëm shoqëror, nuk mund ta mendojë veten si njeri dhe artist i lirë, i pavarur dhe i zoti nga jeta shoqërore pa ndihmën dhe përkrahjen institucionale qeverisëse, kulturore dhe dashamirëse. Ndryshe do të jetojë e krijojë në iluzion, e më tej, do të humbasë energji të kota e do të gënjejë veten, sepse gjithçka që pretendon, është e pamundur për t’u realizuar në lirinë dhe iniciativën e tij krijuese. Pra, ai dhe vepra e tij e krijuar do të pësojnë dramë dhe fatalitet njerëzor dhe artistik.
Në realitetin e sotëm krijues artistik, konkurrencës, shpalosjes së vlerave, të lirisë dhe pluralizmit, të së drejtës së artistit që krijon vepra për shoqërinë dhe kombin, që preokupohet për artin dhe mjeshtërinë artistike, për tematikën dhe kërkesat e kohës dhe ligjësinë e krijimtarisë së sotme, edhe në këtë drejtim artisti s’është në kushtet e lirisë së plotë, por i kushtëzuar nga ingranazhet e kohës së sotme e moderne, të lirisë dhe demokracisë.
E megjithatë, artisti i vërtetë dhe shumë punëtor, e gjen veten në një hapësirë universale lirie, sepse është një qenie individuale e shoqërore aktive, që krijon në mënyrë të vetëdijshme, të pavarur e në liri krijuese e produktive të plotë.
Liria krijuese artistike është mëvetësi që ecën e fluturon, është iniciativë e ndërgjegjshme, është faktor aktiv që vepron në rrethana të ndryshme, është sakrificë energjish mendore e fizike, e sintetizuar në vepër dhe produkt, është vlerë shpirtërore dhe emocionale e, mbi të gjitha njeriu me simbolin emëror, artist. Ai bëhet i lirë kur njeh vetveten, tjetrin, jetën, realitetin, dukuritë e natyrës e të shoqërisë, e të gjitha këto i interpreton në vepër. Njohja e gjithanshme e jetës, e njeriut dhe realitetit e kompleton si njeri dhe artist për të krijuar vlera artistike shpirtërore dhe jetësore.
Artisti, që të jetë i lirë në krijimtarinë artistike dhe kompetent në atë që bën, sidomos në realitetin e sotëm të lirisë dhe demokracisë, të përpiqet në mënyrë aktive që të njohë rregullat e krijimtarisë artistike, përvojën artistike të bashkëkohësve dhe të paraardhësve, historinë e artit dhe të ketë aftësi në  mjeshtërinë artistike.
Tjetër. Liria krijuese e artistit merr vlera kur krijimtarinë e tij e lidh me shoqërinë dhe kombin e vet. Sa më me vetëdije, me shpirt e zemër e vë krijimtarinë e tij në interes të popullit, aq më e madhe është liria dhe lumturia e dëshiruar krijuese artistike.
Në kushtet e zhvillimit të sotëm të demokracisë shqiptare, artisti i vërtetë dhe idealist në fushën e krijimtarisë artistike solidarizohet në mënyrë të ndërgjegjshme me përpjekjet e individit, shoqërisë dhe mbarë popullit shqiptar për ndërtimin e vlerave të vërteta njerëzore dhe demokratike në Shqipëri. Përvoja e derisotme e zhvillimit të vendit tonë demokratik në ekonomi ka krijuar premisa të favorshme për vlerësimin e gjithanshëm të kulturës artistike demokratike dhe në të njëjtën kohë ka dhënë shanse të shumta të lirisë edhe në fushën e krijimtarisë artistike. Në shoqërinë tonë demokratike të sotme, liria krijuese, vepra artistike dhe vetë artisti janë në altarin e konkurrencës produktive dhe shpërthimit konceptual bashkëkohor modern. Sot artisti, në fushën e krijimtarisë artistike gëzon hapësirë të lartë lirie, i cili me talentin dhe aftësitë e tij krijuese, luan një rol aktiv, përmes të cilave ai e afirmon veten në krijimtarinë artistike si qenie produktive e gjithëkohshme shqiptare.
*Piktor, studiues arti

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…