Skip to main content

Tetova News

Luigi Pirandello, pesë drama të panjohura në shqip nga Amik Kasoruho



Botimi në gjuhën shqipe i 5 dramave të panjohura për lexuesin shqiptar të Luigi Pirandellos, është një lajm vërtet i bukur për jetën tonë letrare e artistike, mjaft të vakët, duhet thënë. Por falë punës së palodhur të përkthyesit fin Amik Kasoruho lexuesi shqiptar do të kenë në dorë këto pesë drama të mrekullueshme të Pirandelos: Mendohu mirë, Xhakomino; Limona nga të Sicilisë;  Kësulja me zilka; Kështu është (po t'ju mbushet mendja), dhe Sonte do të recitohet pa tekst.

Botimi është realizuar nga shtëpia botuese LBN editor, një ent botues i drejtuar nga Vito Stigliani dhe Luigi Nidito, dy dashamirës të kulturës dhe artit, të cilët po kontribuojnë kohët e fundit edhe në botimet në gjuhën shqipe.
Botimi i këtyre dramave të Pirandelos, është shoqëruar nga vetë përkthyesi me një parafjalë, që jo vetëm e prezanton më së miri këtë botim, por na njeh e na josh drejt zbulimit të botës së pazakontë shkrimore të Pirandelos. Më poshtë po e sjellim të plotë shkrimin hyrës të përkthyesit Kasoruho.

 Çdo dramë e Pirandello-s është gjithmonë diçka e re dhe e beftë: kaq të larme janë temat që shtjellon, kaq të ndryshme metodat, kaq të shumta pikësynimet. Sikundër edhe për disa autorë bashkëkohës të tij mund të thuhet me plot gojën, pa frikë se paralelizmi mund t'i hyjë në hak dikujt, se ishte një shkrimtar i madh. Në këte mënyrë i shpëtohet mëkatit të analizave të mërzitshme, të përkufizimeve deri diku të njëanshme, të arsyetimeve të stërholluara që mund të nisin kollaj fort nga verizmi i Verga-s për të mbërritur te psikanaliza e Freud-it me shokë: sepse mendimi pirandelian përfshin një hark kohe, një larmi mendimesh, një tërësi trajtimesh letrare që vështirë se mund të futen brenda kallëpëve të analizave kritike: ai është tepër i madh për t'u ndryrë në kufizat e një shkolle letrare a të një rryme mendimi;ai është aq i afërt me njeriun dhe e njeh aq mirë botën e tij sa mund të mendohet që ndodhet diku jashtë jetës së rëndomtë për të vërejtur ate që shpaloset në sytë e të gjithëve por që nuk jemi në gjendje ta rrokim; për të vënë gishtin mbi plagë që shpesh durohen në heshtje e pa bujë e pohë sikur njeriu ta kishte për borxh një gjë të tillë dhe për të qarë hall pa moralizuar në zbrazëti: ai s'është një gjyqtar por një njeri që e do si pak kush të vërtetën e jetës, e cila nuk është gjithnjë ajo që pandehim.

            Tregimet dhe dramat e tij janë fort të lidhura midis tyre dhe shpesh burojnë nga njera tjetra: kur drama rrjedh nga një tregim i shkruar më parë ai mbërrin një koncizitet të rrallë: dialogu i tij është i kursyer por godet në shenjë, sepse të vërtetat e mëdha din t'i transmetojë me fjalë të thjeshta. Kësisoj anormaliteti në situatat pirandeliane shndërrohet në një lloj sistemi jete krejt të natyrshëm, pa e vrarë mendjen mbi çka e lidh me botën përqark. Jeta, për Pirandello-n, nuk përmbyllet në aksiomen dekartjane "mendoj pra jam": edhe kur nuk mendohet, edhe kur pavetëdija i shtyn qeniet njerëzore të ecin gjithsesi, herë të hallakatura e herë dinakërisht, mes katrahurës së jetës,  ne bindemi se jo veç mendimi, por edhe ndjenja, jo vetëm racionalja por edhe e rastësishmja, jo vetëm logjikja por edhe fataliteti janë pjesë përbërëse e hera-herë nxitëse të jetës njerëzore.

            Krijimtaria pirandeliane si në teatrin e tij, ashtu edhe në novelistikën apo në romanet, trajton një problem të pacekur më përpara rreth qenies njerëzore: njeriu nuk është ai që mendon se është dhe as ai që të tjerët pandehin se është. Të paktën jo gjithmonë. E vërteta shpesh ndodhet diku jashtë tij Duke i vendosur heronjtë e vet në një mjedis hipokrizije, padrejtësije, dhune e mujshije shoqërore, ai ia del të nxjerrë në pah pafajësinë e njeriut të tallashitur, mirësinë e të tallurit apo të atij të fyer, shpresën e të hutuarit, deri edhe ngadhnjimin e të mundurit.

            Teatri i tij, duke kapërcyer përmasat e skenës dhe duke u bërë njësh me sallën e shikuesve, nuk është ndoshta një risi e artit dramatik (në fund të fundit a s'kishte pasë qenë kështu edhe në teatrin grek?), por me siguri e shndërron shikuesin në një element përbërës të dramës, e cila nuk zhvillohet konvencionalisht vetëm përmbi skenë, por edhe jashtë saj. Sepse drama e Pirandello-s është jetë e transpozuar, shkrimet e tij janë kronikë jete e trajtesa psikologjije, çaste të shkëputura nga jeta e njerëzve që duket se nuk kanë asnjë lidhje midis tyre, por që në të vërtetë i bashkon tragjikja e jetës apo dhe më thjesht tallja e saj.

Trajtimi pavetësor i verizmit, në tërë krijimtarinë e Shkrimtarit, dhe veçanërisht në teatrin e tij, ia la vendin ndërhyrjes ironike e kritike të dramaturgut. Humorizmi grotesk e hera herë therrës i temave të tij në vijimësinë e ndërvarur shkak-efekt krijon gjendje e situata të paparashikueshme. Tërë shkrimet e tij i përshkon "sensi i të kundërtës" siç pat thënë vetë Autori. Nënshtrimi i njeriut ndaj fatit të vet në vështrim të parë mund edhe të krijojë përshtypjen e pafuqisë së individit, por në dramën e tij nuk është vështirë të dallohet shkëndia e rebelimit, sepse nëse gjithçka mund të bëhet problematike, të gjitha rrugët janë të mundshme, pikërisht sepse jeta është e paparishikueshme.

            Bash në dritën e kësaj të vërtete ne mund të vlerësojmë veprën pirandeliane brenda suazës të krizës së qytetërimit, që u bë lëmë interpretimi nga të mëdhejt të cilët u duken më vonë në botën e letrave: Proust, Musil, Kafka,, Joyce e të tjerë. Në këte vështrim njeriu i Pirandello-s i lënë vetëm përballë valëve të jetës  është krejt pranë personazheve të Kafka-s, Uliksit të Joyce-it apo njeriut pa cilësi të Musil-it. Ndoshta me ndryshimin që personazhet pirandeliane janë më pranë nesh: po të tregohemi të vemendshëm padyshim një pjesë syresh do t'i vërejmë krejt pranë nesh. Në mos jo brenda vetvetes sonë.

Në këte vëllim përfshihen pesë drama:  Mendohu mirë, Xhakomino; Limona nga të Sicilisë;  Kësulja me zilka; Kështu është (po t'ju mbushet mendja), dhe Sonte do të recitohet pa tekst. Janë zgjedhur, pra, tri drama të periudhës së parë dramaturgjike të Luigi Pirandello-s, (Mendohu mirë, Xhakomino - Limona nga të Sicilisë dhe Kësulja me zilka.).  Të tjerat i përkasin periudhave të mëvonshme të krijimtarisë së shkrimtarit siciljan.           
          
            Mendohu mirë, Xhakomino   trajton dramën e Agostino Totit, profesorit shtatëdhjetëvjeçar që është një nga figurat më jetike e njerëzisht interesante të veprës Pirandeliane. Në këte komedi gjejmë tërë polemikën pirandeliane kundër formalizmit, hipokrizisë, krenarisë kallpe të rendit shoqëror si dhe shprehjen e një solidariteti që përmbyll një nevojë të flaktë për të sjellë pak dritë në jetën e tjetrit.

            Limona nga të Sicilisë   është një tregim i brishtë por plot humanizëm, ku pastërtia e një ndjenje që ka mbetur e virgjër nga ndikimet e jetës moderne, i kundërvihet zbrazëtisë së një jetë që konsumohet mes argëtimeve e kotësisë që shpesh lind suksesi.

            Kësulja me zilka trajton motivin psikologjik e shoqëror për të cilin Pirandello ka shkruar shpesh: shpëtimi i "nderit të sipërfaqshëm të jashtëm" që paguhet me rrënimin e ngadalshëm të ndërgjegjes së njeriut të kredhur midis mashtrimit. Nën një maskë moraliteti bëhen përpjekje për të fshehur një situatë mjerane dhe poshtëruese.
            Kështu është (po t'ju mbushet mendja)  paraqet përpjekjen e ethshme për të nxjerrë në shesh një të vërtetë që duket e pakapshme dhe kontradiktore, të fshtjellë nga një mundim i sinqertë njerëzor. Dhe pikërisht atëherë kur e vërteta ngjan se po del në shesh, zen e lind një dyshim edhe më therrës dhe e vërteta mbetet përsëri një farë tymnaje: sikundër shpesh herë ndodh në jetën e përditshme.

            Sonte do të recitohet pa tekst (bashkë me Gjashtë personazhe kërkojnë një autor  dhe Secili sipas kokës së tij ) përbën trilogjinë që Pirandello e pat cilësuar "teatri brenda teatrit" Sipas frymëzimit më të mirëfilltë pirandelian sajimi skenik dhe njimendja njerëzore janë të lidhura aq ngushtë e aq të ngërthyera njera me tjetrën, sa drama vetjake e aktorëve  është një kontrapunkt i pjesës teatrore që u imponohet nga regjisori.
         

            Dramat që paraqiten në këte përmbledhje ndriçojnë pra vetëm disa anë të asaj çka ka proponuar Pirandello në lëmin e letrave dhe mund të themi pa pikë droje se ajo çka ka thënë ai, plotëson njohjen tonë të jetës, mbase në një mënyrë të re e shpesh herë të pakapshme qysh në ndeshjen e parë, por që, pa u kujtuar, ze e ngulitet brenda nesh e na pasuron, në mos tjetër, me vetëdijen se njeriu është zot dhe njëherit viktimë e fatit të tij: midis këtyre dy caqeve endet, herë e qetë e herë tragjike jeta e secilit nesh. Sepse ne, shpesh pa u kujtuar, jemi personazhet e një drame të madhe që e quajmë jetë e që Pirandello dijti ta rrokë e ta shtjellojë mjeshtërisht si pak kush ia ka dalë ta bëjë. Ndoshta ky është nderi më i madh që na ka bërë dhe për të cilin ne duhet t'i jemi mirënjohës. Si ndaj cilitdo që ka ndriçuar, sado pak, shtegtimin tonë në jetë./ Shqiptarja/

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…