Skip to main content

Tetova News

Mbi shqipen standarde dhe Xhevat Lloshin

DAVID LUKA

  Në “Buletinin e Shken cave Shoqërore” (nr. 63 të vitit 2013) të Universitetit …të Shkodrës “L. Gurakuqi”, është botuar artikulli me titull “Periudhat historike të shqipes”, shkruar nga prof. Xhevat Lloshi. Në okeljon, që e pasonte këtë shkrim, thuhej: “Një periodizim mbi baza bashkëkohore, në koherencë me gjuhët moderne të lëvruara të Europës Perëndimore.”
Siç ngjet zakonisht, shkrime të tilla ngjallin gjithnjë diskutime të nivelit akademik. Mirëpo, në fundin e këtij artikulli, autori i tij, jashtë çdo etike, kishte ndërkallur edhe një kapitull që nuk takonte gjëkundi me temën e trajtuar. Meqë ky kapitull kishte karakter politik të mirëfilltë, në njërën anë, e gjithashtu shtrembëronte qëllimisht të vërtetën e zhvillimit të ngjarjeve, m’anë tjetër, unë e pashë të arsyeshme e gjithashtu të nevojshme ta bëj objekt të opinionit publik.

Xhevat Lloshi

Në etapat e fundit të periodizimit të historisë së gjuhës shqipe, Lloshi rreshton edhe ngjarje në të cilat ne gjuhëtarët kemi qenë jo vetëm pjesëmarrës, por edhe protagonistë të tyre. Për fat të keq, Lloshi nuk mjaftohet me temën e ngjarjes, por nis komentet e veta, thellësisht politike e të shtrembëruara qëllimisht, duke treguar se i ka mbetur ora në vitin 1990 e, gjithashtu, duke dëshmuar se në trurin e tij ka të formatuar vetëm një program, atë të partisë së punës, duke qenë tërë kohën beniamin i saj. Sepse është pikërisht Xh. Lloshi ai që në revistën “Studime filologjike” (nr. 4, 1988, f. 27), duke folur për “Tipare të gjuhës e të stilit në veprat e Enver Hoxhës”, ka shkruar se “… gjuha e sotme shqipe ka vulën e Enver Hoxhës.”
Për të konkretizuar mendimin e mësipërm po marr dy shembuj. Autori shkruan:
b) Etapa e kontestimit të gjuhës standarde nga viti 1992. Përpjekje për ta përmbysur gjuhën standarde. Synimi i një grupi të ngushtë për të realizuar ndarjen në dy gjuhë të veçanta, siç ishte projekti serb për një gjuhë tjetër ‘shiftarski’, bashkë me krijimin e një kombi tjetër shqiptar …” (f. 28)
Pak më poshtë:
“Përpjekje për të përpunuar një variant të përgjithësuar të gegërishtes së shkruar. Orvatje për ta cenuar standardin në disa pika, që të hapet rruga për ndryshime të mëvonshme rrënjësore.” (f. 28)
Siç shihet, frazat e mësipërme të kujtojnë gjuhën e prokurorëve të partisë së punës, që shihnin kudo grupe armiqësore, që duheshin dënuar. Për të dy rastet unë do të sjell të vërtetën e zhvillimit të ngjarjeve.
1. Në vitin 1992 në Shkodër u zhvillua një tubim, që u emërtua “Tryezë e rrumbullakët”. Unë vetë kam qenë ideatori dhe drejtuesi i saj. Për këtë tubim të Shkodrës është shkruar shumë, mbarë e prapë, por unë po jap vetëm një pjesë të vogël të një artikulli, botuar në “Studime gjuhësore” VII (Shkodër, 2002) e që mban titullin “Gjuha letrare shqipe në rrjedhë të kohëve”:
“Është folur, përfolur e shpërfolur shumë këto kohët e fundit në shtypin periodik për pikëpamjet e gjuhëtarëve shkodranë ndaj ‘gjuhës letrare kombëtare të njësuar’. Ndër këto shkrime, më tepër se një analizë të mirëfilltë shkencore, ka pasur ‘luftë llogoresh’ e ‘vringëllim armësh’, natyrisht shoqëruar edhe me sharje, diku më të lehta e diku më të rënda. Po mbi të gjitha ka pasur keqinterpretime të qëllimshme. Prandaj, para se të nis shtjellimin e mendimeve të mia, dua të rreshtoj ‘disa aksioma’, të cilat do të më përligjin për qëllimin tim të mirë.
Së pari, gjatë gjithë historisë së gjuhësisë shqiptare, gjuhëtarët gegë janë përpjekur në mënyrë të ndërgjegjshme për njësimin e gjuhës shqipe. Dhe jo vetëm kaq, por ata edhe kanë punuar me këmbëngulje në këtë drejtim. Tjetër, pastaj, është rruga që kanë ndjekur për ta realizuar këtë njësim.
Së dyti, asnjë gjuhëtar shkodran nuk e ka mohuar e as kundërshtuar gjuhën letrare kombëtare të njësuar, pavarësisht se ajo ka qenë për ta pa asnjë dyshim ‘toskërishtja letrare’ e ngritur në standard. Shqetësimi i gjuhëtarëve shkodranë ka qenë e vazhdon të jetë edhe sot ‘mohimi’ i kryedialektit gegë dhe – ajo që ka dëmtuar rëndë kulturën tonë kombëtare – ndalimi i shkrimit të tij pas vitit 1972.
Së treti, në të tri institucionet kryesore të Shkodrës: në Universitet, në teatër dhe në radio shkruhet dhe flitet toskërishtja letrare.
Së katërti, pothuaj të gjithë gjuhëtarët e Shkodrës shkruajnë në gjuhën letrare të njësuar tash më shumë se 20 vjet pa u ankuar, sepse toskërishtja është dialekt i gjuhës shqipe.
Faktet e mësipërme duhet të mbahen mirë parasysh para se të vihet gojë mbi gjuhëtarët e Shkodrës edhe kur ata kërkojnë ‘debat e diskutim’. Grekët e vjetër thoshin se çdo njeri mund ta gjejë të vërtetën përmes diskutimit. Dhe ne pikërisht ‘të vërtetën’ po kërkojmë. Në fund të fundit, diskutimi i lirë e miqësor është gjithnjë shenjë qytetërimi.

***
Tani edhe dy fjalë për Deklaratën e gjuhëtarëve të Shkodrës. Pikërisht kur ne morëm vesh se një pjesë e mirë e gjuhëtarëve të Shkodrës qenë mënjanuar qëllimisht nga konferenca e vitit 1992, vendosëm të bëjmë një tubim shkencor për të shpalosur mendimet tona. Këtë tubim, që u mbajt më 24 korrik 1992, ne e quajtëm ‘Tryezë e rrumbullakët’. Tema e saj qe: ‘Probleme të gjuhës letrare kombëtare’. E organizonte Muzeu Historik dhe Katedra e Gjuhës Shqipe e Universitetit ‘L. Gurakuqi’. Përveç gjuhëtarëve shkodranë, merrnin pjesë edhe tre gjuhëtarë të ftuar nga Instituti i Gjuhësisë (B. Beci, S. Mansaku e E. Lafe). I ftuar qe edhe prof. Arshi Pipa, që ndodhej në Shkodër rastësisht. Ky tubim vazhdoi pa ndërprerje plot gjashtë orë. Në fund u lexua një deklaratë. Të gjitha diskutimet dhe debatet janë incizuar. Deklarata, që paraqiste në mënyrë të koncentruar mendimet e gjuhëtarëve shkodranë për gjuhën letrare të njësuar, u botua në gazetën ‘Shkodra’ (6 gusht 1992), në gazetën tjetër lokale ‘Besa’ si edhe në një gazetë me emrin ‘Libertas’ (vjeshtë, 1992). Për këtë Deklaratë është folur e shkruar shumë, por gjithsesi a priori, sepse autorët e këtyre shkrimeve nuk e kanë njohur tekstin origjinor të botuar, siç thashë, në gazetën lokale ‘Shkodra’. Do të mjaftonte vetëm puna që Deklarata është botuar në gjuhën letrare të njësuar për të rrëzuar të gjitha ‘mallkimet’ e lëshuara kundër saj.”
Sa më sipër unë i kam shprehur edhe në një diskutim të mbajtur në “Seminarin ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare” (Tiranë, 1995, f. 748), si edhe në atë që i kam deklaruar prof. Rexhep Ismajlit për problemin në fjalë (D. Luka, A mund të zgjerohet baza dialektore e shqipes standarde, botuar në përmbledhjen “Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit”, Tiranë, 2011, f. 409).
2. Për akuzën e dytë, kemi tani si përgjigje një botim zyrtar, që titullohet: “Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit”, botim i QSA (Qendrës së Studimeve Albanologjike) dhe Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ku janë regjistruar “Aktet e konferencës shkencore, Durrës, 15-17 dhjetor 2010”
Konferenca u zhvillua në tri ditë (15-17 dhjetor) në 5 seanca, ku u mbajtën 10 referate dhe 29 kumtesa që, së bashku me fjalën e hapjes, bëheshin plot 40 copë.
Në këtë konferencë kumtuan 7 akademikë dhe 28 profesorë. Të gjithë pjesëmarrësit ishin gjuhëtarë.
Të gjithë pjesëmarrësit në këtë konferencë jo vetëm mbajtën krejt lirshëm e pa asnjë kufizim kumtesat e tyre, por edhe i argumentuan ato më tej veçanërisht ndër diskutimet e lirshme e pa asnjë kufizim.
Çfarë t’i themi prof. Lloshit, t’i fusim në burg tërë këta njerëz të ditur, sepse kështu do ti?!
Sipas prof. Lloshit, edhe anëtarët e Komisionit Ndërakademik, që po përpiqen ta përmirësojnë më tej standardin, do të kenë të njëjtin fat, sepse po “orvaten për ta cenuar standardin në disa pika, që të hapet rruga për ndryshime të mëvonshme rrënjësore.” (f. 28)

***
Përfundimisht mund të themi se shkrimi i prof. Xhevat Lloshit me titull “Periudhat historike të shqipes”, vlerësohet si një punim diletant, deklarativ, pa një bibliografi serioze e pa një dokumentim të argumentuar. Ndarjet që ky i bën historisë së gjuhës shqipe, janë arbitrare, pa kurrfarë mbështetjeje gjuhësore, sepse autori, duke mos e njohur sa e si duhet historinë e gjuhës shqipe (përkat. strukturën e saj, me ndryshimet që ajo ka pësuar gjatë kohëve), punon e argumenton “me vesh”, pa na thënë se ku mbështetet në këto argumentime. Duke i dhënë përparësi kryesisht arkeologjisë e më pastaj historisë, e gjithashtu dukurive të tjera jashtëgjuhësore, punimi degjeneron në një renditje të rëndomtë datash e faktesh, që nuk japin asnjë ndihmesë për temën në fjalë. Punimi me këtë mënyrë merr karakter enciklopedik shkollor, ku mungon dokumentimi i saktë i çdo dukurie gjuhësore të marrë në shqyrtim, që në një punim shkencor të mirëfilltë është imperativ. Ndarja e historisë së gjuhës shqipe në tri periudha: e vjetër, e mesme, e re paraqitet jo vetëm naive, por edhe e thjeshtëzuar e tepër shkollore. Kjo ndarje, e kopjuar nga greq. e vjetër, në shqipe nuk zbatohet dot. Në greq. i kemi të dokumentuara të tria këto periudha, ndërsa në shqipe dokumentimi nis me “Mesharin” e Buzukut (viti 1555). Prof. Lloshi nuk përfill as traditën shqiptare në këtë fushë të dijes dhe as literaturën e shumtë vendëse. Duke menduar, siç thotë edhe vetë ai, se po bën “Një periodizim mbi baza bashkëkohore në koherencë me gjuhët moderne të lëvruara të Europës Perëndimore”, ai na ka servirur një katrahurë të vërtetë faktesh e datash, një amalgamë dukurish gjuhësore, të shumtën e rasteve të pakontrolluara e pa adresa të sakta.
Po të shtohen këtu edhe ndërhyrjet e koncepteve të tija politike, të cilat veçanërisht në shkencat shoqërore janë jo vetëm të papranueshme, por edhe të dëmshme, vlera e punimit të prof. Lloshit i afrohet zeros.
Po diçka nuk po e kam të qartë, përse e ka sjellë këtë artikull për ta botuar në “Buletinin shkencor” të Universitetit të Shkodrës “L. Gurakuqi”?
Ndërkaq, desha të vë në dijeni prof. Lloshin, si edhe ata që mund të jenë të interesuar për çështjen në fjalë, që shkrimin e plotë për artikullin përkatës, unë do ta dërgoj për botim po në “Buletinin shkencor” të Universitetit të Shkodrës./panorama

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…