Skip to main content

Tetova News

Melankoli, fytyrë e bukur…

Rudolf Marku

1.Melancholia është një pikturë (gravurë) e mjeshtrit të njohur Albrecht Dürer (1514), njëra ndër veprat e rralla të artit që është pranuar e denjë që tëmund të qëndrojë si e barabartë me  Mona Lizën e Leonardo Da Vinci-t.  Edhe pse, në çdo pikëpamje, e ndryshme nga Mona Liza. Është njëkohësisht vepra që ka ngjallur dhe vazhdon të ngjallë diskutime të mëdha dhe sot e kësaj dite. Shkrimtari anglez me vlerat më të dyshimta të kapacitetit artistik, Dan Brown, (autori mediokër i veprës së mirëshitur Da Vinci Code) nuk ka munguar të gjejë një tjetër fushë spekulimi në interpretimin e veprës së Dürer, duke e parë atë si një kod sekret të cilin vetëm mendja e ndritur e klasit të katërt të Dan Brown mund ta deshifrojë! Njohësit seriozë të artit të Dürer ngulin këmbë se Melancholia mund të shërbejë si epitom i vetë njerëzimit. Në anijen që do të lëshohej në hapësirën kozmike si mesazh i qytetërimi tonë për qytetërimet e mundshme të kozmosit (një lloj shisheje me mesazh brenda që lëshojnë njerëzit e anijes në pragun e mbytjes), krahas formulës së hidrogjenit, skicimit të pozicionit të planetit Tokë në hapësirë, grafikës së një burri dhe të një gruaje, u këmbëngul që të përfshihej dhe piktura Melancholia. Si një simbol vetësqarues i gjendjes së qenies njerëzore. Melankolia paraqet një grua më krahë, që është e ulur në një shkallë të ulët, gati përtokë, pranë një muri. Pozicioni i saj i ulur të bën të mendosh së është e ulur rëndë, një nga ato ndejtjet që të sigurojnë se ajo nuk ka ndonjë arsye që të ngrihet shpejt. Kokën e ka të mbështetur në dorën e krahut të majtë, një dorë me gishtërinjtë e mbërthyer fort. Në dorën tjetër mban një kompas, por gruaja duket se nuk është e interesuar për kompasin. Është një mbajtje mekanike, thuajse e pavëmendshme. Një sferë që duket si pjesë e kompasit ka rrëshqitur nga prehri i gruas dhe ka rënë në dysheme. Për më tepër, gruaja mban një libër i cili është i pashfletuar. Flokët i ka të shprishur, të pakrehur, në kundërshtim me kurorën prej një perëndeshe që mban mbi krye. Vështrimin e ka të zymtë, të përhumbur, dhe fytyra i duket e errët nga hija që e mbulon. Çfarë është duke vështruar? Mendoj se asgjë. Shikimi i saj është thjesht shikimi i boshllëkut, i asgjësë. Vetëm sytë i lëvizin, por duket se fytyra dhe koka e saj nuk e ndjekin drejtimin e vështrimit. Çdo gjë duket se është shprehje e një mpirjeje, e një zymtësie të thellë dhe e një apatie të dukshme. Sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, përreth saj është një kaos objektesh. Objekte gjeometrike të shpërndara keqas, rrëmujshëm, të pashpresa, madje kërcënuese, që duken se do zhbëhen. Një qen i uritur është shtrirë në dysheme, së bashku me sferën dhe një grumbull kaotik objektesh: vizore, sharrë, gozhda, një enë për të përzier bojëra-të gjitha këto të paprekura dhe të shpërndara në mënyrën më të çrregullt. Ç’do të thotë e gjitha kjo? Një kryevepër e artit botëror? Hëm! Por në ndihmë të kaosit tonë të natyrshëm vjen një figurë mitike që shfaqet lart, në të majtë të pikturës, një krijesë e çuditshme, i ngjashëm mënjë  lakuriq nate, që mbart fjalët-Melancholia I. Në të djathtë të pikturës është katrori i famshëm, paneli i numrave në mur, në të cilën secili nga të katër kuadratet sjell të njëjtën shumë, pavarësisht mbledhjeve që mund të bëhen horizontalisht, vertikalisht apo në mënyrë diagonale. Matematika për Dürer është baza e te gjithë shkencave të tjera. Matematika dhe astronomia. Gjendja melankolike e qenieve njerëzore lidhet me planetin Saturn. Ja ku shfaqet dhe vetë Saturni. Dürer na jep shpjegimin e dy objekteve të jetës së përditshme që shfaqen në pikturë, një çelës dhe një qeskë, që varen të lidhura nga rripi i mesit që mban gruaja. Simbolizojnë pasurinë dhe pushtetin, na sqaron Dürer. Duket qartë  se jo çdo njeri mund t’i zotërojë këto dy objekte. Po ashtu dhe këmbana dhe ora  si simbole të kohës e cila mund të  rrjedh jashtë kontrollit tonë (Ora) por dhe mund të komandohet nga ne (këmbana). Vetë gruaja mban këmbën mbi sharrë. Objektet që janë shpërndarë mbi dysheme nuk janë të thyera a të prera (këmba e vendosur mbi sharrë është simboli i kontrollit që ka Melankolia mbi shkatërrimin). Por mrekullia artistike nuk është tek kuptimi simbolik sesa tek aftësia e jashtëzakonshme e Dürer për të bërë të mundur që gjithë përdorimi i objekteve dhe gjithë mjetet e  formës të arrijnë që të krijojnë idenë e melankolisë. Nuk ekziston asnjë linjë predominuese, asnjë vijë vertikale a horizontale që të ketë peshën kryesore. Objektet krijojnë kundërvënie të ashpër dhe të rrëmujshme. Diagonalja e shkallës krijon një përshtypje të menjëhershme, ajo krijon harmoni të pastër. Vetë drita nuk është e koncentruar, në të kundërt, është një dritë e thyer dhe e pakët  e shfaqur poshtë tablosë. Lëvizja tonale nuk tregon ndonjë kontrast të thekët, ajo shkon përmes pasazheve kromatike…
2.
Interpretimi i pikturës së Dürer, ashtu siç ndodh me artin e madh, është ndër debatet më të hapura madje dhe për opinionet më kontradiktore. Madje dhe për opinionet spekulative të shkrimtarëve mediokër të tipit Dan Brown, shkrimtarë që e kanë kuptuar se teoritë  konspirative të bëjnë të pasur e të njohur brenda një dite të vetme…
Në kuptimin shkencor, pedant, mjekësor, Melankolia është një gjendje e çrregullimit psikik që paralizon njeriun duke i ngritur pengesa në rrugën e logjikës. Por, njëkohësisht Melankolia është njëri ndër katër temperamentet njerëzore. Në kuptimin e temperamentit, njeriu melankolik nuk është njeri i sëmurë. Aristoteli i sheh njerëzit melankolikë si njerëz që kanë dhuratën e punës intelektuale dhe sidomos dhuratën e krijimtarisë artistike. Dhuratën e ndjeshmërisë. Dürer duket se me veprën e vet përfshihet në debatin e madh të përkufizimit të Melankolisë. Po ashtu si dhe Hamleti melankolik i Shakespeare-it, i cili është i paralizuar nga mosveprimi. Po ashtu si dhe Migjeni ynë në skicën “Sokrat i vujtun, a derr i knaqun?” (kërkoj të falur për gegnishten e Migjenit!). Në kohën e  Dürer, në kohërat e Leonardo Da Vinci-t dhe të Dante Aligierit, ndryshe nga kohërat tona moderne, artisti krijues është njëkohësisht dijetar, filozof, shkencëtar, sepse arti fatmirësisht shihet si sublimimi i dijes njerëzore. Dürer është i njohur me veprën e Ciceronit (“omnes ingeniosos melancholicos esse”- gjithë njerëzit që kanë shkëlqyer në art kanë qenë melankolikë”). Melancholia e Dürer-it ka krahë, ajo është një perëndeshë që është e aftë ta marrë qenien njerëzore përtej, në lartësitë fluturuese; melankolia për Dürer është një gjendje shpirtërore dhe psikike e lartë sepse është personifikimi i ndjeshmërisë, i sensibilitetit, dhe kësisoj Melankolia për Dürer-in është e rëndësishme po aq sa dhe dija për Leonardo Da Vinci-n…
Por Melancholia e Dürer-it më bën të mendoj në mënyrën më melankolike për krijuesit e shekullit tonë që e kanë harruar konceptin e melankolisë. Krijues të lumtur në mënyrën më të frikshme, të dhjamur, të shëndoshë, spekulativë, të vetëkënaqur, që dhunojnë hapësirat tona dhe shqisat tona me praninë e tyre të përhershme në kanalet televizive dhe në faqe gazetash dhe librash, duken se  janë e kundërta e Melancholia së Dürer. “Sokrat i vuejtun, a Derr i kënaqun?” pyeste një shkrimtar shqiptar andej nga fillimi i viteve ’30 të shekullit të kaluar: “Njeriu melankolik është inteligjent, dhe inteligjenca pakkujt i solli lumturi”, – vëren ky mësues  fshati, duke iu qasur pikturës së Dürer-t më pranë nga të gjithë kritikët dhe studiuesit spekulativë, madje pa e ditur kurrë se ekziston kjo pikturë. Një shkrimtar i ndrojtur, i trishtuar, melankolik, çuditërisht me një fytyrë të ngjashme me një shkrimtar tjetër edhe ky i panjohur dhe i ndrojtur, një shkrimtar austriako-çeko-çifut i quajtur Franz Kafka…Të dy shkrimtarë të zymtë, të vetmuar, të fshehur nga vëmendja e kritikës letrare, të lindur në një botë kur fjala-celebrity- nuk është dhunuar ende semantikisht; të lindur në një kohë fatlume kur televizioni nuk është shpikur dhe as kompjuteri, facebook, twitter dhe derivatet e tyre shkatërruese të përqendrimit psikik dhe shpirtëror të qenies njerëzore…Shkrimtarit dhe njeriut të ditur asokohe i shkon melankolia, sepse ekzistojnë me miliona arsye që qenia njerëzore të jetë e trishtuar, të jetë melankolike, të jetë një Sokrat i Vuejtun…
Por ja që jetojmë në  kohën e Festave të Mëdha. Njerëzimi ka harruar të jetë i trishtuar. Melankolia është një gjendje shpirtërore dhe psikike e dalëmode, e harruar, e hedhur mënjanë. Sidomos tek ne, në Shqipëri, ku ekzistojnë me mijëra arsye të shëndosha që njeriu të ishte më melankolik se kudo gjetkë. Njeriu melankolik shqiptar nuk është se nuk ekziston, por ai ekziston i margjinizuar, i hedhur mënjanë, i fshehur pas perdesh, si një turp i familjes a si idioti i fshatit. Varfëria materiale dhe ajo shpirtërore, arroganca nëpërkëmbëse e pushtetit dhe e administratës, ritmi zvarritës i jetës, pasiguria përballë krimit brutal të mbrojtur shpeshherë nga pushteti, dhe, në të kundërt, pandjeshmëria proverbiale ndaj njerëzve të pambrojtur- të gjitha këto duhej ta bënin krijuesin shqiptar dhe intelektualin shqiptar të paktën Melankolik, të trishtuar, të zymtë, të menduar, të vetmuar…Por ja që nuk ndodh kështu. Intelektuali shqiptar, analisti politik, shpeshherë gazetari i Mass-Medias, krijuesi shkrimtar a krijuesi i artit figurativ, akademikë dhe profesorë universitetesh, mjekë të rëndësishëm dhe politikanë të njohur, gjykatës (ah, sidomos gjykatës!), parlamentarë dhe ministra kabinetesh qeveritare, shfaqen si njerëzit më të lumtur dhe më të vetëkënaqur. Narcisistë dhe snobë provincialë të stërkënaqur nga jeta. Dhe sidomos të kënaqur nga injoranca e cila u sjell siguri në jetë. Një injorancë që i bën të besojnë se dinë gjithçka. Një injorancë e mbështjellë mirë,shumë mirë, me sigurinë materiale dhe financiare. Ç’lidhje mund të ketë Melancholia e Dürer-it me pushtetin, politikën, pasunarët e sotëm shqiptarë?Me krijuesit euforikë dhe narcisistë? Me snobët pozues provincialë që besojnë sinqerisht se janë në vëmendjen e Botës?Me të vetëkënaqurit derrësisht- siç mund ta thoshte ai shkrimtari mësues fshati i viteve ’30?
3.
David Grossman është një shkrimtar izraelit i njohur për notat e trishtuara. Në vitin 2006 shkruan romanin “Në fundin e vendit” – historia e një nëne izraelite, djali i së cilës është duke bërë shërbimin ushtarak, dhe vetë ajo vrapon gjatë gjithë kohës, duke ikur larg shtëpisë së vet, sa më larg, pa drejtim dhe pa qëllim, e bindur se, po qe se nuk do të jetë në shtëpi në çastin kur postieri do sjellë lajmin e vrasjes së të birit, djali i saj prapë do mbesë i gjallë…Ironikisht, i biri i shkrimtarit, Uri u vra gjatë ditëve të fundit të Luftës në Liban, kur vetë shkrimtari po mbaronte kapitullin e fundit të romanit…Është e kuptueshme përse vepra e tij letrare e mëvonshme është e ngjeshur me trishtimin, melankolinë, por dhe me dhimbjen e papërshkrueshme dhe të pakuptueshme të prindit që humbet të birin. Lexoj romanin e tij të botuar ditët e fundit, atë me titullin “Duke rënë jashtë kohës”, vendosur në një fshat europian. Është historia e një burri i cili pesë vite pas vdekjes së të birit,kohë gjatë së cilës nuk ka pranuar që të flasë qoftë dhe një herë të vetme për vdekjen e të birit, ngrihet befas nga tavolina dhe i thotë së shoqes: Më duhet të shkojë atje! Të shkojë e të gjejë të birin! Të shkojë pranë tij e të gjejë vibracionet e humbjes së tij!
Dhe nuk shkon larg. Vërtitet duke qarkuar përreth shtëpisë ku banon, rrethi më i fundit ca më i madh se ai i mëparshmi. Tek ecën përreth, prindër të tjerë që kanë humbur fëmijët e tyre i bashkohen në ecjet e vet qarkore: një Dukë, një Vajtojcë Qyteti, një Centaur, një Grua që thur rrjeta peshkimi. Secili prej tyre ka përjetuar humbjen e fëmijës së vet. Dhe kanë preferuar të jetojnë  të vetmuar. Por ja tek bëhen bashkë, mësojnë të flasin prapë dhe mësojnë të ecin prapë, dhe arrijnë që të kthehen prapë në shtëpitë e tyre (të dhimbjes?)…Grossman nuk ka folur kurrë për vdekjen e të birit, duke mbetur një njeri tepër protektiv i tragjedisë së vet, dhe ky roman është artikulimi i parë i dhimbjes së shkrimtarit…Gjej një ngjashmëri tronditëse në tërë këtë histori me një shkrimtar tjetër shqiptar, me shkrimtarin e talentuar Zija Çela, humbja tragjike e të birit, përkthyesit të njohur e aq premtues, Dritanit, mbetet një histori aq personale e shkrimtarit, por dhe aq pjesë e letërsisë. Në romanet e Zija Çelës, ashtu si në librat e Grossman, nuk ke se të mos ndjesh të fshehur tensionin e përhershëm mes dëshirës për të rrëfyer hidhërimin tragjik dhe dëshirës për të heshtë. Librat e Zijait, ashtu si librat e Grossmanit, janë një betejë kundër dëshirës së eskejpizmit, ikjes nga realiteti, nga vetvetja dhe guximit për t’u përballë me tragjedinë. Vetë Grossman thotë se në librin e fundit ai e ka kuptuar se, në fund të fundit, ka qenë me fat që jeta e ka hedhur në këtë ishull të hidhërimit tragjik, që të mund ta përshkruajë tragjizmin me anë të  fjalëve…Jam i sigurt se vetë Zija Çela do të na japë romane të tjera të mrekullueshme rreth tragjizmit të njeriut shqiptar,tragjizëm që në realitetin tonë bashkëjeton me groteskun dhe absurdin…
Trishtimi në Shqipëri duhej të qe gjendja normale e jetës njerëzore. Si e kundërta e banalitetit të jetës. Si një antipod, një antikorp i banalitetit të shplarë. E atij banaliteti që duartrokitet dhe çmohet. E atij banaliteti provincial dhe mjeran që bën që në ceremoninë e vdekjes së Vaçe Zelës, të këndohet në anglisht dhe që lamtumira e fundit t’i thuhet po në anglisht. E atij trishtimi që të bën të ndjehesh i pashpresë tek lexon se dhe parlamentarët  mendojnë seriozisht se dialekti gegë bëhet pengesë për karrierën diplomatike të njërit ndër intelektualët më të njohur të vendit tonë. Ndjehesh i trishtuar tek mendon se profesor Ardian Ndreca, me komandën e latinishtes, greqishtes së vjetër, gjermanishtes, italishtes, frëngjishtes, anglishtes, duhet të diskutohet nëse është i denjë që të jetë ambasador i vendit të vet në Vatikan, ngase di dhe gegnisht…Gjë që do të thotë se dhe Luigj Gurakuqi, padër Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Migjeni, at Zef Pllumi do të ishin të përjashtuar nga nderi për të qenë ambasadorë të vendit tonë për shkakun e mëkatit të gegnishtes. Trishtimi dhe melankolia tek mendon se si, në të kundërt, injorantët e sotëm dhe ngatërrestarët e sotëm që mbushin ambasadat shqiptare nëpër botë, madje me gratë e tyre të mbuluara me ferexhe në pritjet diplomatike, ndjehen të sigurt dhe të patundur dhe të përjetshëm në postet e tyre. Në  Festën e madhe euforike të Shqipërisë. Ku poetët e trishtimit, Ndoc Gjetja, Preç Zogaj, Bardhyl Londo, Visar Zhiti, Sadik Bejko, Arian Leka e Agron Tufa, dhe romancierët e melankolisë, Zija Çela dhe Fatos Kongoli, dhe sa e sa të tjerë,  janë të përzënë. Ajo Festë që e bën dhe Melankolinë e Dürer-it të duket një vepër e pakuptimtë.
Melancholia nga Albrecht Dürer (1514)

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…