Skip to main content

Tetova News

Mira Meksi: Franca, ajo që “kujdeset” për shkrimtarët shqiptarë

Pas ribotimeve të shumta nga botimi i tij i parë në vitin 2009, dhe vlerësimit nga “Ballkanika 2010” si “ … proza e arrirë që e zhvendos letërsinë shqipe në drejtime të reja, larg fokusit të ngushtë që lidhet specifikisht me problemet shqiptare, dhe e fut në rrjedhën e letërsisë europiane”, libri botohet në Francë nga Shtëpia e njohur Botuese “Persee” në versionin frëngjisht, të shkruar nga vetë autorja



“E kuqja e demave” është një ikonë e madhe, një ikonë e gjallë, e mbrujtur me ngjyra të bollshme, me një vizualizëm ekspresionist dhe me një imazheri të prekshme surreale, por edhe me plot dritë-hije dhe me mister; porse, mbi të gjitha, është një ikonë vërtet e arrirë, në të gjitha kuptimet, ngjyresat dhe përftesat e këtij termi, për vetë ikonën, për natyrën dhe misterin e saj, një ikonë e përftuar nga soditja e ngulmët dhe misterike, nga bashkimi dhe shkrirja e dy universeve, e dy pafundësive, e pafundësisë së dritës hyjnore dhe asaj të shpirtit të soditësit. Pikërisht kjo befasi, këto lëvizje plot zigzage, larg çdo skeme kanonike, të cilat i hasim të pranishme edhe tek hapësira ikonografike, janë gjithë sa na mbajnë gjithhershëm në suspense në tërë rrëfimtarinë e Mira Meksit, duke na shtyrë vazhdimisht drejt leximit të saj. Madje, më tepër sesa një herë”. Ndoshta Arjan Leka, botuesi i romanit në vitin 2009 nuk kish menduar se rrëfimtaria e Mira Meksit do të shtynte drejt leximit edhe botuesin e Shtëpisë Botuese franceze “Persee”, sepse së fundmi romani “E kuqja e demave” është rishkruar në frëngjisht, që do të thotë se nuk bëhet fjalë për një përkthim të botimit në shqip, por një rishkrim i romanit në gjuhën frënge. Po ç’do të thotë “version frëngjisht” i romanit “E kuqja e demave”? Ku është dallimi nga përkthimi në frëngjisht i romanit. Do të thotë që romani është rishkruar në një gjuhë tjetër, është rikrijuar në një tjetër kod gjuhësor, atë frëng. Andaj ky roman i rishkruar i përket tashmë një kulture tjetër, asaj franceze. Në intervistë me Mira Meksin nuk ka sesi të ndodhë që të flasim vetëm për romanin e rishkruar të saj. Sigurisht që pikënisja ishte “Le rouge des toros”, por biseda shkon dhe përtej kësaj.
 Shkrimtarja Meksi: “Le rouge des toros” tashmë i përket kulturës franceze
“Ky roman është pjesë e shpirtit tim”, – do të shprehej autorja në botimin e parë të librit në vitin 2009. Pas ribotimeve të shumta nga botimi i tij i parë në vitin 2009, dhe vlerësimit nga “Ballkanika 2010” si “ … proza e arrirë që e zhvendos letërsinë shqipe në drejtime të reja, larg fokusit të ngushtë që lidhet specifikisht me problemet shqiptare, dhe e fut në rrjedhën e letërsisë europiane”, libri botohet në Francë nga shtëpia e njohur botuese “Persee” në versionin frëngjisht, të shkruar nga vetë autorja.

Ç’do të thotë “version frëngjisht” i romanit “E kuqja e demave”? Ku është dallimi nga përkthimi në frëngjisht i romanit?
Dallimi është i madh midis përkthimit në një gjuhë të një teksti dhe variantit të tij në një gjuhë tjetër, përpos asaj të origjinalit, dhe që bëhet nga autori i tekstit. Në rastin e parë, përkthyesi është i detyruar t’i rrijë besnik tekstit që përcjell në gjuhën pritëse nga gjuha e origjinës; në rastin e dytë, lënda e romanit të ngjizur në gjuhën e caktuar, në rastin tonë në shqip, rikrijohet lirisht në një tjetër gjuhë, siç është frëngjishtja në rastin tonë. Dhe që do të thotë se mund të ndryshojnë skena dhe deri edhe ngjarje, pa përmendur nuancat, dritëhijet e tekstit, apo stilin ka raste, ndonëse nukli i rrëfimit, personazhet mbeten po ata. Me një fjalë: romani im është rishkruar në një gjuhë tjetër, është rikrijuar në një tjetër kod gjuhësor.
Nga sa shpjeguat më sipër, “E kuqja e demave” tani në versionin frëngjisht do të thotë se i përket kulturës franceze, apo jo?
I përket, siç thoni ju, asaj kulture në këtë version të ri, çka ilustron më së miri faktin se Shqipëria është një vend frankofon.
Meqenëse krijuesit tanë i shkruajnë veprat e tyre në një gjuhë të vogël, siç është gjuha shqipe, a përpiqen ata të gjejnë një gjuhë të madhe për t’i përkthyer veprat e tyre? Pra, a tentojnë për një treg më të madh, për të komunikuar me një numër më të madh lexuesish?
Pa dyshim që po, madje ne shqiptarët kemi një traditë të hershme në lidhje me përkthimin, me gjuhën e tjetrit, komunikimin me tjetrin dhe hapjen ndaj tjetrit; emrat e njohur të letrave shqipe, ja i kanë shkruar veprat e tyre në gjuhët e mëdha të botës, ja i kanë përkthyer ato menjëherë në gjuhët e mëdha, kur i kanë shkruar në shqip, — edhe lashtazi, përpara periudhës së rimëkëmbjes kombëtare, edhe gjatë saj, por edhe më pas. Mjafton të përmendim se Jeta dhe bëmat e Skënderbeut dhe Rrethimi i Krujës, të Marin Barletit, janë shkruar në latinisht. Po ashtu, himni kombëtar i para Pavarësisë O moj Shqypni e mjera Shqypni, i Pashko Vasës, u përkthye menjëherë në italisht prej vetë autorit. E njëjta nevojë ndihet mjaft fuqishëm edhe sot, dhe shfaqet pothuajse sipas të njëjtave tipare dhe lëvizjeve të pararendësve tanë. Kjo vlen të thuhet sidomos pas viteve ’90, të cilat, siç dihet, u shënjuan nga një mori ngjarjesh të rëndësishme politike, të kurorëzuara me rifitimin e të drejtës së fjalës së lirë dhe të krijimit të lirë të shprehjes artistike dhe letrare. Mbas ndryshimit të sistemit, dëshira dhe përpjekja e krijuesve shqiptarëve për t’u përkthyer ka qenë e madhe.
Mendoni se janë të njëjtat shkaqe dhe arsye që shpien krijuesit e sotëm drejt përkthimit të veprës së tyre, si ato të traditës sonë në lidhje me përkthimin?
Mendoj se janë pothuaj të njëjta, deri mendoj se janë të njëjta edhe shkaqet dytësore, pra  fakti që ishim dhe jemi një popull i vogël në numër, një popull që nuk ka patur ndonjëherë ndonjë ndikim të madh në zhvillimet politike të kohës, me një ekonomi pothuajse të pazhvilluar, e paaftë që të eksportojë “gjuhën”, siç vërejmë të ndodhë në kohët tona me anglishten. Dhe është e njohur sot që janë vetë shqiptarët ata që ngarendin t’i jepen përkthimit të vetvetes; kush më shumë dhe kush më pak, ndër krijuesit shqiptarë, pjesa dërrmuese është rrekur që të gjejë përkthyes nga gjuha e krijimit në gjuhë të huaj. Dhe sidomos kjo është bërë me frëngjishten, për hir të frankofonisë sonë, por edhe të faktit se është pikërisht Franca ajo që “kujdeset të lançojë” shkrimtarët.
Po i kthehem sërish debatit të herahershëm, nëse është apo jo e njohur letërsia shqipe sot në botë?
Po, është një debat që ka patur përherë “pro-të” dhe “contra-t” e tij. Por të jesh i njohur, nënkupton së pari të jesh i pranuar nga të tjerët në tjetërsinë që letërsia shqipe shpalos në rrafshin e vlerave letrare; në këtë kuptim, nuk varet shumë nga vullneti ynë, por nga vullneti i tjetrit. Çmimet letrare të marra nga shkrimtarë shqiptarë dhe sidomos marrja prej Kadaresë e dy çmimeve më prestigjioze europiane flasin për pozitivitet në këtë drejtim. Së dyti, nga këndvështrimi që lidhet me njohjen, atë shkencore, të jesh i njohur nënkupton të jesh kthyer në objekt interesi, qëmtimi, analizash dhe studimesh. Nga ky këndvështrim, të jesh i njohur varet jo aq shumë nga tjetri sesa nga performanca vetjake, nga paraqitja që i bëjmë vetvetes.
Dhe cila është performanca e letërsisë shqipe në botë?
E dobët, pa pikë dyshimi. Deri përpara viteve ’90, ndonëse letërsia shqipe lëvrohej në kushtet e diktaturës, kishte një performancë të vetvetes deri diku të kënaqshme. E kam fjalën për revistat letrare që botoheshin në vend në gjuhë të ndryshme. Ndoshta edhe për shkak të kërshërisë që zgjonte mbyllja hermetike e Shqipërisë, interesi për letrat shqipe ka qenë shumë më i lartë sesa sot, ku do të mjaftonte të sillnim ndërmend një vepër madhore si ajo e Akad. Prof. Ernest Koliqit mbi letërsinë shqipe, e botuar jashtë Shqipërisë, apo botimet e Prof. Arshi Pipës, Prof. Martin Camajt etj. Është me vend të përmend se, për fat të keq, shteti sot nuk është përfillur ende të bëjë diçka në këtë drejtim, dhe të mos harrojmë sa e rëndësishme është kjo. Ishte pikërisht një botim në frëngjisht i romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, që tërhoqi vëmendjen e Francës ndaj krijimtarisë së shkrimtarit shqiptar; eksperienca botërore është shumë e gjerë për këtë. Ende Ministria e Kulturës nuk ka një projekt për të financuar botime të kategorisë së revistave letrare të letrave shqipe në gjuhë të huaj, apo të bashkëpunojë me botuesit për përvijimin e një gjerdani botimesh të letërsisë shqipe në gjuhë të huaj, siç vepron Shtëpia Botuese Giunti, në Itali, apo Actes Sud në Francë.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…