Skip to main content

Tetova News

Nga ditari i poetit; Kur qante Lasgushi?!

Aida Tuci

Historia njeh plot raste të dashurisë dhe përkushtimit të njeriut ndaj kafshëve. Raste të pabesueshme, të çuditshme hera-herës, por që kanë frymëzuar shkrimtarë e poetë. Poeti, dramaturgu dhe shkrimtari skocez Sir Walter Scott i fliste shpesh qenit të tij dhe i bënte atij pyetje njësoj sikur të ishte duke bërë një bashkëbisedim me një qenie njerëzore. Lord Byron kaq shumë u hidhërua nga vdekja e qenit të tij Boatswain, sa u ul e shkroi poemën “Epitaf për një qen”, dy vargjet e fundit të së cilës janë shkruar edhe në pllakën e varrit. Kafshët dhe veçanërisht qentë janë përshkruar shpesh në veprat e Dickens-it; Sike tek “Oliver Twist”, Diogjeni te “Dombi dhe i Biri, Jip-i te “David Copperfield”, janë frymëzuar nga kafshët që mbante vetë Dickens-i në shtëpinë e tij. Për shkrimtaren Emily Bronte, lidhja me qenin e saj të quajtur Keeper ishte aq e ngushtë, sa shpesh për të thuhej se merrej më mirë vesh me kafshët sesa me njerëzit. Po aq e njohur është dhe historia e Mark Twan me macen “Bambino”, humbja e së cilës për tri ditë me radhë pushtoi faqen e parë të News York Times. “Rrëfenja e një qeni”, është ajo çka më së miri shpreh marrëdhënien e shkrimtarit me kafshët. Nobelisti Eugene O’Neill shkroi elegjinë e famshme “The Last Will and Testament of Silverdene Emblem O’Neill” (Dëshira e fundit dhe testamenti i Silverdene Emblem O’Neill) për qenin e tij. Ndërsa në shtëpinë-muze të Hemingway-t, vizitorët nuk habiten kur nëpër këmbë u sillen një mori macesh, të gjitha pasardhëse të maces së tij të preferuar, të quajtur Snowball (Top dëbore).
Në momentet e humbjes, secili e shpreh në forma të ndryshme, dhembshurinë e vet. Në këtë rast, për një shkrimtar apo poet është gjithmonë fjala ajo që shpreh çdo dridhje shpirti. Ndër shkrimtarët dhe poetët shqiptarë është e njohur lidhja e ngushtë e poetit Lasgush Poradeci me qenin e tij Cuci. Histori nga më të ndryshme tregohen për poetin dhe qenin e tij besnik, nga miqtë e tij të ngushtë. Por se çfarë ndjente vetë poeti për qenin e tij besnik, e zbulon Ditari i pabotuar i Lasgushit, i bërë publik nga vajza e tij, Maria. Siç do lexoni në këtë pjesë të shkëputur nga Ditari, për Cucin poeti zuri të qante me psherëtimë, ashtu si kohë më parë kish qarë edhe kur i “vdiq” Klara, macja e tij e dashur.

Lasgush Poradeci: Zura të qaj dhe shkrojta këto radhë për Cucin t’im shumë të dashur
 Sytë Cuci i kishte shumë të bukur, shumë të dashur, njerëzit theshin kur e baresnja Cucin, rrugëve: “sa i bukur”, edhe fëmija, edhe nuset, edhe burrat theshin sa i bukur. Cuci është leshator, i bardhë në roza, të gjithë theshin sa i bukur. Më vjen të pëlcas për dhimbjen e Cucit, po s’kam ç’bëj.
Tiranë, e Djelë 30/III/75
“Më vdiq “Klara”, macja ime e dashur. E gjeti të vdekur Maria jashtë shtëpisë së Jani Janaqit, në rrëzën e avullisë së tij perëndimore. Vajta shpejt t’a marr, ish e ngrirë e vdekur, duhet të kish vdekur natën (29 dyke gëdhirë 30/III/75). Kish disa ditë që as hante as pinte (as qumësht). Me dhembje të madhe e mora e solla në shtëpi, sapo ardha në shtëpi, në kuzinë, zura të qaj me psherëtimë, edhe Maria qau. Dje, pardje, “Klara” nuk më ardhi në kuzinë, po as hante, as pinte. Ia bëra varrkën rrëzë manit të shtëpisë (në kopësht), ngjitur me murin perëndimor të shtëpisë. Më ndihmonte Maria. Maria më ndihmoj edhe dyke i-a bërë varrkën. I shtrova një shtresë në fund të varrkës, 1 faqe jastëku si të kuqe, të paqme, të larë. Mi atë faqe jastëku e vura dje dhe pardje të rrijë, të flerë. E futa në varrkën me kujdes të math, e putha me mallëngjim, e mbulova me 1 copkë të butë të trashë stofi të zezë, e mbulova bashkë më Marien me dhe, përmi dherin e sipërfaqes së varrkës vura copat me bar të njomë të vëndit ku i-a bëra varrkën (që të mbijë bari përmi varrkën). Kokën e “Klarës” e vura ngjitur me murin e shtëpisë. Qava prapë (pasi e putha trupin e “Klarës”) dhe u këtheva në shtëpi në kuzinë, ku prapë qava. Shumë m’u trondit shpirti për humbjen e “Klarës” (Klara ishte shumë suave, e butë, e qetë, e dashur, e ëmbël).
Shënim: Kam, si kujtim për “Klarën”, të bijën e saj që quhet “Laert”. Laertin e lindi “Klara” në Tiranë në muajin Maj 1973. Edhe Laert-i është i urtë, i butë, i dashur, është suav si “Klara”.”

Tiranë, e Mërkurë 2 Prill 1975

Sot nga ora 1 pas mesdite, ardhë m’a muar me zor, konkën t’ime shumë të dashur dhe shumë besnike, “Cucin” që të m’a vrasin (pushkatojnë). Ishte sekretari i Këshillit të Lagjes nr 1 me një polic dhe dy të tjerë me pushkë. Thanë: “Kemi urdhër t’i vrasim qentë!” Unë ju luta me 1000 të lutura të m’a lënë 2-3 ditë, të marr lejë të mos m’a vrasin. Ata nuk pranuan në asnjë mënyrë. E mbanja Cucin siç ish i lidhur, me rrypin e tij poshtë shkallëve, m’a rrëmbyen egërsisht…Passi m’a rrëmbyen “Cuci-n” në këtë mënyrë kaq të egër, zura të qaj, sbrita poshtë shkallëve ku e mbanja lidhur me rrypkën e tij elegante dhe m’u shkreh zemra dhe zura të qaj me lot për “Cuci-n”, puthnja peronën ku kapnja rrypin, puthnja safkën e ujit ku i shtinja ujë të freskët, putha 2-3 herë dhe shumë herë enën ku i shtinja të hajë “Cucit” dhe qanja me psherëtimë. Kaq shumë m’u dhemb “Cuci”. Passi m’a muarr Cucin dhe e vunë në karrocë dhe u larguan 60-70 hapa prej meje, u vesha shpejt dhe ju vajta pas dhe i gjeta në një rrugicë pranë shtëpisë s’ime, iu luta me shumë të lutura përsëri, të m’a lenë pa e vrarë, iu thashë të vete ne Sekretari i Komit. të Partisë së rrethit Manush Myftiu, do vete ne Sekretari i Kom, Ekz. të Rrethit, do vete në Seksionin e Shëndetsisë të marr leje për konkën (Cucin), por ata nuk m’a pranuan lutjen. Ardha menjëherë në shtëpi, dhe megjithqë jam i sëmurë prej 17 Janarit gjer më sot i shtrirë në shtrat, u vesha dhe shpejt mora Marien me mua, vajta me autobus gjer në Kom. Ekz… E mora shpirtin nër dhëmbë dhe u nisa i shoqëruar prej Maries, që po të rrëzohem rrugës i sëmurë siç jam, t’a kem pranë. Vajta me Marien në Kom. Ekz. Më thanë Sekretari i Partisë (Manush Myftiu që është antar i Byrosë së Komitetit Central) nuk vjen këtu në zyrë, Kryetari i Komitetit Ekzekutiv (Ndue Marashi) nuk priste, Zëv-kryetari (janë 4 zëv-kryetarë) nuk kish pritje. Poeti Pano Taçi, që ish poshtë në parterë, më tha, të vete në Seksionin e Shëndetsisë, po inspektori i Seksionit nuk kishte pritje sot të Mërkurën, kishte pritje të Martën edhe të Premten prej orës 1-2. Ika i dëshpëruar jashtëzakonërisht. Ardha në shtëpi… Kur ardha në shtëpi, sbrita të shoh vëndin ku e mbanja Cucin poshtë shkallëve; atje m’u mbush shpirti dhe shpërtheva në qarje e vajë, putha dyke qarë peronën ku lithnja Cucin me rryp, e putha peronën 3 herë dyke qarë, putha safkën ku i shtinja ujë të freskët e putha 3 herë, putha 3 herë edhe enën prej alumini ku i jipnja Cucit të hajë, edhe u ngjita prej shkallëve të Cucit për në kuzinë, ku kam shtratin tim. Hyra në kuzinë dyke qarë, mezi pushova. Pastaj mora Marien, vajta me Marien në rrugët ku nxirrnja pak Cucin që më vinte keq t’a mbaj vetëm lidhur. Përshkova me Marien rrugën prej shtëpisë s’ime gjer buzë lumit Lanë, shkova buzë Lanës, siç shkonja me Cucin kur e nxirrnja, vajta me Marien nëpër rrugët dhe rrugicat ku e nxirrnja Cucin, nja 20 ose 30 ose 60 minuta për dita, që të çmallem me rrugët ku shkonte Cuci. U këtheva pastaj në shtëpi, prapë zura të qaj se m’u mbush prapë shpirti dhe shkrojta këto rradhë për Cucin t’im shumë të dashur, shumë të dhemshur dhe shumë besnikSytë Cuci i kishte shumë të bukur, shumë të dashur, njerëzit theshin kur e baresnja Cucin, rrugëve: “sa i bukur”, edhe fëmija, edhe nuset, edhe burrat theshin sa i bukur. Cuci është leshator, i bardhë në roza, të gjithë theshin sa i bukur. Më vjen të pëlcas për dhimbjen e Cucit, po s’kam ç’bëj. Po rri këtë ditë me shpresë për nesër, që të vete nesër ne Ministri i Shëndetsisë, dhe të shoh a mos më pranojë inspektori i Shëndetsisë, me anën e ndonjë miku, ndonjë shkrimtari që t’a njohë inspektorin. Lasgush. 

Tiranë, e Ente 3 Prill 1975:

Megjith që jam i sëmurë që prej 17 Janarit (kur ardha prej Poradeci), prapë i dhashë kurajë vetes dhe dola për të parën herë nëpër Tiranë, t’i bje pas punës së “Cuci-t”. Vajta në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku, që në mëngjes gjer në ora 1.30’ pas mesditës mezi takova atje Dritëro Agollin, Kryetar i Lidhjes. Dritëroj, pas lutjes sime, i telefonoj Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv (Ndue Marashit) që të më pranojë “për 1 çështje”. “Le të vijë” i tha Kryetari i Kom. Ekz. Lasgushi. Vajta, pas urdhërit të tij, portieri më la të hy. Atje më thanë se puna e “Cucit” (që m’a muarr dje të m’a vrasin) mvarret prej Seksionit të Shëndetsisë (që i ka zyrat brenda në Kom. Ekz.). Në zyrën e inspektorit të Seksionit më priti me respekt inspektori Shpëtim Gjebréa, kështu m’a tha mbiemrin Dritëro Agolli, emrin s’m’a tha inspektori, më dha cigare, më tha që ay më njeh: “kemi folur” tha “prej 2 vjetësh” etj. Shpëtim Gjebréa më tha: “do t’ju japim lejë prej Seksionit” dhe doli prej zyrës me mua të vemi në zyrën e veterinerit, që e ka zyrën brenda në Kom. Ekz., “t’ju them” tha “t’ju japin lejë për të mbajtur qenin” (konkën time). Veterineri s’ishte. “Ecni t’i thoni” më tha “Sekretarit të Lagjes nr 1 të mos e vrasin qenin, se nesër, kur të jetë këtu veterineri, do t’ju japim lejen për mbajtjen e qenit”. Vajta te Sekretari i Lagjes nr 1 (Lelem Haxhia) i thashë ç’më tha Inspektori Gjebréa. Elemi e mori Inspektorin në telefon, i tha Lelem-it “do t’i japim Lasgushit lejë për qenin, nesër, se sot nuk është veterineri. Unë u shqetësova shumë që s’u mbarua puna (sepse termini i vrasjes së Cucit është vetëm 3 ditë, dje 1 ditë, sot shkoj dita e dytë).

Tiranë, e Shtunë 5 Prill 1975:

U ngrita shpejt që në mëngjes (ora 5 para mëngjesit, të vete në Kom. Ekz. më ora 7 (përpara se të hyjnë nënpunësit) t’i them inspektorit të Shëndetsisë (Shpëtim Gjebréa) t’i thotë veterinerit të Kom. Ekz. të mos m’a vrasin “Cucin”. I tha po s’desh. I vajta dhe unë veterinerit (në zyrë) po s’pranovi. U dëshëprova shumë, po veterineri ish i pashpirtshëm. Thashë t’i them Kryetarit të Kom. Ekz., Kryetari s’ish. Komiteti ka 4 zëvëndës-kryetarë. Trokita te njëri, s’isht. Trokita në derë të tjetrit, tha “hyrë”. Ky quheshe Hektor Konomi. J’u luta t’i thotë veterinerit të urdhërojë mospushkatimin e qenit (konkës s’ime). Hektor Konomi passi më pranoj dhe më dëgjoj me shumë kujdes, u ngrit, vajti vetë në katin poshtë ku është zyra e doktorit veterinar dhe ardhi më tha: “ecni poshtë të merrni Lejen prej veterinerit që të mos ekzekutojnë konen tuaj”. Vajta mora Lejën, që atje vajta në Repartin e Komunales së Tiranës, mora prej përgjegjësit të Repartit, njoftimin me shkrim që i bënte përgjegjësi (Ferik Pilkati) mbajtësit të qenve të kapur: “Shokut Riza Gjini ose jevgu. Shoku Riza jepi Profesorit qenin e tij mbasi ka marrë lejë nga Kom. Ekz. i K. P. Rrethit. 5/4/1975” Në kulmin e gëzimit vajta (1 orë larg) mora “Cucin” prej jevgut. Cuci sapo më pa iu shkëput jevgut prej krahëve dhe u vërsul drejt meje, si e përkëdhela 2-3 sekonda, i dhashë 1 qofte t’a hajë, Cuci, prej gëzimit, nuk e hante qoften, pastaj, si i dhashë prapë, e hëngri, i dhashë edhe qoften e dytë, s’desh t’a hajë prej gëzimit që më pa përsëri, pas disa sekondash përkëdheljeje, i dhashë prapë t’a hajë, i dhashë edhe të tretën, të tretën s’e hëngri nga gëzimi, e mora qoften në letër dhe u nisa me “Cucin” për në shtëpi (¾ orë larg). Isha i lodhur, i këputur. Rrugës për në shtëpi i-a dhashë prapë qoften edhe Cuci e hëngri./mapo

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…