Skip to main content

Tetova News

Një letërsi ndryshe, domosdo duhet lexuar ndryshe

Behar Gjoka

(Qasje rreth romanit, “Edith” të autorit nga Kosova Albatros Rexhaj)

Vetë titulli i romanit, “Edith” i autorit Albatros Rexhaj, e diçka më tepër kuptimet që bart emri ipersonazhit, gjithnjë sipas tekstit: “Edith – ndërthurja e dy të kundërtave, që plotësojnë njëra-tjetrën. “Ead”, që do të thotë “e bekuara” dhe “gyth”, që do të thotë “luftë”. (2013:229), bart kodin se si duhet lexuar dhe përjetuar fryma që e përshkon. Pra, “Edith”, personazhi ëndërr dhe vegim, si dhe shumica e figurave të pranishme në këtë tekst, për autorin është simbolika e të kundërtave, të cilat ende mbajnë ndezur kandilin e afrimit të qenies njerëzore, me gjasë është harmonia e tyre, që në fakt shënjon shpirtin binjak, përsëdytësin dhe përplotësuesin e qenies njerëzore. Kuptohet, se romani befasues, si rrjedhë subjektore, strukturë kompozicionale, si bashkëlidhje e prozës me poezinë, na zbulon sipërmarrjen letrare, që megjithëse ecën në dy binarë, në diskursin e shkruar të tekstit, si dhe në diskursin gojor, të kryer nga autori, në komunikim me lexuesin, në kaq shumë takime, e prandaj të dyja format e ligjërimit, sendërtojnë mëtimin autorial, në kërkim të shpirtit binjak. Hapësira e tekstit, ka rrokur pikërisht këtë makth të qenies, të hershëm sa vetë jeta, porse tani të shpërndërruar në një yll vegimtar, ku më tepër se sa gjetja e përsëdytësit, vlen rrokullima dhe këmbëngulja shpirtërore, në kërkim të tij. Pyetja e thjeshtë në dukje, se a ka një shpirt binjak, të lë pezull gjatë leximit? Vijon më tej, e shtjelluar në hapësirat e romanit, se jo vetëm ka, por janë të gjitha shanset që edhe ta ndeshësh shpirtin binjak. Shpirti binjak, gjysma tjetër, që nuk e kemi ose ka më shumë gjasa ta kemi humbur, përbën edhe shtysën thelbësore, të autorit dhe lexuesit, që ka shkaktuar këtë pritshmëri ndaj romanit, tashmë të kthyer në një libër bestseller, por edhe të lexuar me jo pak endje. Pamjen e shpirtit binjak, që e ndjejmë në atmosferën e tekstit e ka përcaktuar kështu Federica Bosco: “Kur gjen shpirtin binjak, ndjen brenda vetes një ndjenjë paqe dhe mirëqenie… dhe ke përshtypjen se më në fund arrite në shtëpi. Të duket sikur atë person e ke njohur gjithnjë, ndoshta edhe në një jetë tjetër, dhe ti e kupton se para tij nuk kishte asgjë, vetëm pritje për ta gjetur. Dhe pasi jeni takuar, mund të mos e shohësh atë për një vit dhe kjo nuk do të ndryshonte asgjë mes jush, sepse e di që mund t’i besosh plotësisht, madje edhe pa unazë dhe pa martesë; e di që ai është njeriu yt, vetëm i yti … përgjithmonë …” Ndërmjet shkaseve, nxitëse për ta shfletuar dhe shijuar si tekst letrar, dhe diç më tepër, përpos të tjerash, lidhen me një sekret shkrimi, që e bart dhe na e zbulon autori në hapësirën tekstologjike. Është fjala për pozicionin e autorit, që është dinamik dhe i lëkundshëm, madje i menduar dhe i përcaktuar enkas kështu. Autori i këtij romani, me tipare postmoderne, ku pak rëndësi ka edhe përcaktimi i tipologjisë, sepse rrekja të shkruash një letërsi ndryshe, pothuajse i shpërfill tipet e shkrimit dhe leximit, të prezantuara me ftohtësi didaktike dhe akademike, nga mësimdhënësit e strehuar në gradat shkencore, në kështjellat pa dritare, që duket se kanë humbur lidhjen me letërsinë e gjallë, që shkruhet më përtej paragjykimeve të këtij akademizmi të perënduar në marrëdhënie me tekstin dhe letërsinë si një proces i hapur. Duke qenë një letërsi ndryshe, me domosdo duhet lexuar ndryshe. Qenësia e saj si e tillë, madje jo e panjohur, që të ndërmend atmosferën e shkrimit të Coehlos, e vetiu kthjellesh se ka ecur në udhën e vetë, lidhet me “paqëndrueshmërinë” e autorit. Në hapësirën e romanit, autori e braktis veten dhe kthehet në rrëfimtar gjithditës, unik në mënyrën kundërshtuese të tregimit të ngjarjeve, si dhe të kumteve që përçon. Pastaj, rrufeshëm rikthehet kah vetja, në fund të secilit episode, me ditarin virtual të një shkrimtari, ku bashkëlidhet proza dhe poezia. Mandej, krejt si pa të keq, e braktis rrëfimtarin dhe kthehet në lexues, të dukshëm dhe të padukshëm, që gajaset dhe tallet me autorin dhe rrëfimtarin. Dinamika e pranisë së trefishtë, autor-rrëfimtar-lexues, në vatrën tekstologjike, të shpie tek një pikë reference, e përputhjes së vetëdijes shkrimore, pra të vetjes së autorit, me vetëdijen e narratorit, të vetjes së rrëfimtarit, që na mundëson shijimin e misterit shkrimor, shpesh herë, aq sa dëshiron autori, duke e bërë të pashmangshëm diskursin gojor. Po ashtu, prania e dy shenjave mbizotëruese dhe të parapëlqyera, të jetës virtuale dhe dashurisë, që në jo pak raste vjen si ngasje seksologjike, ka krijuar shansin e një tërheqje të fortë ndaj romanit “Edith”. Jeta virtuale, për njeriun e sotëm, pavarësisht moshës dhe seksit, grupit shoqëror dhe rangut, është bërë tepër e rëndësishme, madje në disa pikëpamje, po synon që të zëvendësoj jetën reale. Automatizimi i qenies, tashmë është një fakt, por që ka mundësuar zbulimin e jo pak të fshehtave, ndonëse ka përtheksuar vetminë e qenies në marrëdhënie me njeriun e rrokshëm. Ndërkaq, në debatin se kush ka vlerë, dashuria apo seksi, autori jo rastësisht e lë të hapur, megjithëse formalisht mbron dashurinë, por kaq tërheqje ka edhe ndaj aktit seksual, duke ndikuar që lexuesi të ketë një interes tjetër, po kaq shtytës. Libri i Rexhajt, edhe i të tjerëve, detyrimisht na shtyn edhe të kundrojmë situatën e gjallimit të letërsisë në kontekstet e reja, kur jeta virtuale po bëhet thelbësore. Libri në përgjithësi pra edhe ai letrar, tashmë gjenden para sfidash të gjallimit në një kohë të re, absurde dhe vegimtare. Madje, pa drojë mund të thuhet, që libri është në zgripin e vetë ekzistencial, a mbase edhe në një moment tjetër, që ka jo pak gjasa, do të duhet të përcaktojë një udhëtim tjetër. Pra, letërsia ka përpara një betejë të shumëfishtë, e përsëri do të ketë letërsi, e ajo sërish do të shijohet, siç na e sugjeron Harold Bloom, teksa shkruan: Ne nuk lexojmë se s’arrijmë të njohim shumë njerëz, por sepse miqësia është shumë e brishtë dhe fluide, e gatshme për t’u tkurrur a për t’u tretur, e përpirë nga hapësira, koha, dashuri të papërkryera e nga trishtimet e një jete familjare dhe pasionale. (2008: 11) tek libri “Si dhe përse të lexojmë”. Beteja e shumëngjyrtë e letërsisë, pamëdyshje që zë fill me të parën, e cila bart edhe kahjet e jetës moderne të saj, por edhe shenjat se po formësohet si një realitet virtual, mbizotërues dhe përthekues, që e bën jetën e vetëm në hapësirat e pamatshme të internetit. Nga ana tjetër në rrjedhat moderne dhe postmoderne, të mbijetesës së librit dhe të letërsisë, ka kohë që edhe në mjediset tona, ndikon hapur në praninë e librit edhe koncepti i librit më të shitur, prandaj edhe më të kërkuar. Pa asnjë dyshim, se në këtë vorbullë të një jetë të re, qysh në krye në garë të letërsisë, duan a po nuk duan, janë përfshirë të gjithë ata që shkruajnë, ndonëse këtë betejë jo në të gjithë rastet e kanë fituar librat me vlerat më të rrokshme estetike. Ama, kjo betejë reale, e rrokshme në të gjitha përmasat e veta, që ndërkaq përbën edhe një ngasje të fortë, para së cilës joshen të gjithë, ka zbehur jo pak distancën në mes librit serioz dhe atij komercial, librit letrar dhe joletrar, shkurt kreativa letrare gjendet e rrezikuar nga të gjitha anët, madje edhe nga vetvetja. Fundja të gjithë format e librave ekzistojnë dhe është zgjedhja e lexuesve apo e vizitorëve të rastësishëm, që të ndalen tek njëri libër dhe tjetrit të mos ia hedhin sytë. Dy betejave të mësipërme pra të jetës së librit, si formë virtuale dhe të librit bestseller, natyrshëm u shtohet edhe beteja e tretë, niveli i lexueshmërisë, që është edhe më i hershmi, por edhe më unikali, në gjasat e zbulimit të vlerave të një libri, varësisht të shenjave estetike në një tekst letrar. Këto pikëpyetje, mbi fatin e librit, larminë ekzistenciale të letërsisë, natyrshëm t’i sjellë në mend, romani “Edith” i autorit Albatros Rexhaj. Konceptimi i librit, me rrokjen e jetës shpirtërore, në atë trazim postmodern dhe vagullimtar, të krijojnë përshtypjen se autori, me vetëdije dhe moskokëçarje ua ka mësy të tria betejave, të gjallimit të letërsisë në këtë periudhë. Vihet re, madje se materia e librit ta ofron këtë shans se beteja ekzistenciale e gjallimit të librit, është shpërndërruar në përqafim të sfidave, që ka marrë përsipër që t’i shpie gjer në fund. Veprën e tij, debatet dhe diskutimet e hapura, por edhe vetë komunikimin me këtë libër, një pjesë të përfillshme të krijimtarisë, Rexhaj i ka hedhur në hapësirat e komunikimit virtual, madje duke realizuar, me rezultate të habitshme, atë që të gjithë ëndërrojnë, komunikimin me hapësirat e pafundme të jetës virtuale, pandarazi me komunikimin e hapur me lexuesit, në ligjërimin e shkruar me libër. Ndërkaq, me dëshirë marroke dhe një vetëdije të rrokshme në çdo fjalë dhe gjest, libri “Edith”, dhe veprat e botuara, janë përfshirë edhe në vorbullën e librave më të shituar, një përmasë që të gjithë e duam, po kaq shpesh herë, e vëmë edhe në dyshim, ndonëse në mendje e dëshirojmë, kaq fort. Shitshmëria e librit është një tregues sasior, por kur është letërsi, sikur po ngjet me romanin “Edith”, ke një lloj ngasje, se po rizgjohet interesi për letërsinë, sepse këtë garë, së paku në rastin e librit në shqip, po dukej se ia kishin mësy analistët dhe politikanët, duke përfituar nga niveli i njohjes në këto fusha, pra më shumë nga pozicioni jashtëlibror. Libri “Edith”, i Albatros Rexhajt, të bind më në fund se letërsia ia ka mësy seriozisht që ta udhëheq këtë garim, fiktiv dhe interesant. Ajo që preka dhe shijova, në hapësirat e librit dhe që për mua përbën interes, ishte shkrimi i tekstit, figurimi i personazheve, ku shkëlqen fytyra e gdhendur e Dianës, i rrëfimtarit dhe të gjithë pranive të tjera, dhe po kaq vetë sendërtimi i tipologjisë së romanit, pra duke përmbushur kështu edhe rrafshin e tretë ekzistencial të vlerës së librit, lexueshmërinë. Librin nisa ta lexoj, me idenë se kemi provokimin e radhës, ku shitshmëria e një libri është një shtysë për të vajtuar tek autori dhe teksti, por që megjithatë mbetet i hapur diskutimi, a përfaqëson shenjën e parë dhe më të rëndësishme, ky tregues dhe nivel komunikimi? Kapja e momentit, rastësisht a me vetëdije, për të rrezikuar shumë, në përpjekjen sizifiane të pikëpërputhjes se ekzistencës së librit, pra edhe të romanit “Edith”, në të tre nivelet e komunikimit, të jetës virtuale, të shitshmërisë dhe të lexueshmërisë, ka qenë ngasje dhe sfidë e madhe e autorit, e cila në lidhje me procesin kreativ është e hapur. Nga ana tjetër në lidhje me romanin “Edith”, kam përshtypjen se këto rrafshe, gati-gati janë përputhur, ose jemi në një nga herët e garimit të tillë, që i është afruar shumë, përputhjes së të tre kulmeve, përpara të cilëve gjendet letërsia dhe çdo libër tjetër. Them, gati janë përputhur, duke lënë të hapur procesin e diskutimit mbi këtë aspekt, por edhe mbi vlerat e tjera të librit, duke sjellë si argument disa nga treguesit estetik, që i përçon romani i A. Rexhajt, pavarësisht se cilit lexues i pëlqen dhe kush e lexon më tepër. Madje kur të lexon rinia, të cilës i drejtohet më së shumti, është për t’u gëzuar, sepse jemi përpara një rrengu autorial, se po tentohet për endur kodin, e kthimit tek leximi, përmes librash që zgjojnë interesin e lexuesit. Parashtrimi i jetës së një njeriut, në kufirin e jetës reale dhe virtuale, i jetës së tanishme, pra të brezit të kësaj kohe, sidomos të rinisë, që ka rrokur po këto aspirata, si dhe i lojës së bukur dhe trazimsjellëse me dashurinë, në kërkim të atij që njeriu e ka shpallur si shpirti binjak, ka bërë që realitet paralele, të ekzistencës së librit, të mos jenë larg, pavarësisht ndonjë reminishence të pranishme, në strukturë apo shprehësi, madje ka bërë që shtysat për të komunikuar me autorin që e njohim virtualisht, të nxitemi për të shkuar tek libri, jo si kopertinë dhe famë, por si problematikë e shtjellimit të kundërshtive të kësaj bote, që paraqesin të sotmen me shkëlqim gri, dhe të nesërmen edhe më të mjegulltë, si fat i qenies dhe letërsisë. /mapo

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…