Skip to main content

Tetova News

Një vepër kolosale

(Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha, Programet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare 1878 - 1990), botoi Instituti i Historisë, Prishtinë, 2013, 429 faqe)
 
Shkruan: Prof. Dr. Jusuf Osmani


 
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha është emër i njohur e i respektuar si intelektuale dhe veprimtare e çështjes sonë kombëtare, por edhe protagoniste e transformimeve të rëndësishme në aspektin e zhvillimit të historiografisë sonë të kohës më të re në kontekst të kontributit për çështjen kombëtare shqiptare, veprimtaria e së cilës shtrihet edhe përtej hapësirës sonë kombëtare.
Duhet theksuar se kujtesa njerëzore, të predikuarit e tyre të cilat bartën nga brezi në brez, kanë rëndësi të madhe shoqërore dhe vlerë historike. Mirëpo pjesë e të predikuarit të tyre njerëzit me kohë e harrojnë. Kur njerëzit i shpjegojnë dhe i shënojnë vlerat deskriptive në formë të shkruar, atëherë ato më gjatë mbesin në formën materiale, prandaj edhe vetëdija njerëzore mund ta reprodukojë dhe ta ruajë përherë. Për këtë qëllim është angazhuar autorja e shumë librave shkencorë prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha, duke përfshirë edhe këto dy të fundit, të cilat ditë më parë i ka promovuar: Programet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare 1878 - 1990 dhe Veprimtaria atdhetare ilegale në Anamoravë 1945-1968, libri i parë.
Studiuesja dhe krijuesja Sabile Keçmezi-Basha me punën e saj hulumtuese dhe shkencore, gjithnjë me vështrim kritik, u nënshtrohet fakteve dhe ngjarjeve të kohës nëpërmjet të dhënave faktografike për dy librat e saj të fundit për programet politike të Lëvizjes Kombëtare dhe veprimtarinë atdhetare ilegale në Anamoravë. Të dhënat u japin veprave një shkëlqim në aspektin shkencor, duke e futur autoren në rangun e studiuesve seriozë që veprat e saj kanë vlerë të veçantë. Prandaj, konsideroj se autorja me këta libra ka arritur të japë kontribut të rëndësishëm në fushën e studimeve e botimeve të burimeve me të dhëna të reja.
Përkitazi me veprën e parë - Programet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, autorja në parathënie të librit thekson se organizatat e shumta kombëtare-politike patën dhe luajtën një rol të rëndësishëm në çlirimin e vendit. Ato në frymën patriotike edukuan dhe ngritën vetëdijen kombëtare dhe armatosën masat e gjëra me ndjenjën e përgjegjësisë për realizimin e qëllimit suprem që, tokat shqiptare, të cilat kishin ngelur nën okupimin jugosllav, në një të ardhme jo shumë të largët, të çlirohen dhe të bashkohen me shtetin amë. Organizatat patriotike ilegale që u formuan në trojet shqiptare dhe në mërgatë (1945-1990), sikurse edhe veprimtaria ilegale gjatë atyre viteve, dalloheshin me frymën kombëtare dhe me angazhimin për të dalë nga ajo gjendje. Mjeti më i fuqishëm i lëvizjeve organizatave ilegale kombëtare, si në vend ashtu edhe në mërgatën shqiptare, për të mbajtur gjithnjë idenë e bashkimit kombëtar, ishin programet politike.
Rëndësia e programeve politike të organizatave ilegale, të cilat u hartuan nga atdhetarët më në zë të kohës, është e madhe: ato kishin karakter kombëtar; njoftonin opinionin e gjerë shqiptar dhe atë ndërkombëtar për qëllimet e tyre dhe për luftën shekullore dhe për përpjekjet e pareshtura të popullit shqiptar për të fituar dhe vetëvendosur për fatin e vet, si dhe frymëzimin për domosdoshmërinë e organizimit të rezistencës kundër robërisë.
Vepra “Programet politike...” e shkruar nga Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha ka strukturën, parimet dhe metodën shkencore të njohjes e të konkludimit, gjakftohtësinë dhe drejtpeshimin e arsyetimit, që i duhet një studimi me karakter të mirëfilltë shkencor. Është një studim voluminoz që i paraprinë parathënia dhe shtjellohet e ndarë në dy pjesë, ndërsa ato në kapituj të cilët secila paraqet tërësi në vete. Në pjesën e parë paraqiten programet politike të lëvizjes kombëtare shqiptare 1878-1945, duke filluar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878 e deri te Konferenca e Bujanit. Ndërsa pjesa e dytë e përbëjnë programet politike të organizatave ilegale atdhetare në Kosovë 1945-1990, duke filluar nga formimi i Organizatës Nacional-Demokratike Shqiptare më 1945 e deri me formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nga e tërë ajo që është shkruar, autorja me këto dy vepra ka bërë një shërbim të vlefshëm studimeve të historiografisë shqiptare. Veprat në fjalë padyshim se janë fryt i punës së gjatë dhe të jashtëzakonshme të studiueses dhe hulumtueses së mirëfilltë, znj. Basha. Botimi i këtyre veprave është edhe një dëshmi se historia e Kosovës, si dhe figurat dhe ngjarjet më të rëndësishme që e karakterizuan periudhën të cilën e trajton dhe ndriçon autorja, zgjon interesimin dhe vazhdimisht janë në fokus të studimeve të shumë veprimtarëve, publicistëve dhe shkencëtarëve të periudhave kohore.
Thuhet se një ngjarje ka ndodhur vetëm nëse shënohet. Një popull i cili nuk e njeh historinë e vërtetë të tij, një popull ende i mashtruar, që nuk njeh vetveten, identitetin dhe aspiratat kombëtare, nuk mund të jetë plotësisht i lirë, i qytetëruar dhe i vetëdijshëm për t’i përballuar sfidat e sotme e të nesërme, për të dalluar miqtë nga armiqtë dhe për t’u integruar denjësisht e kombëtarisht në bashkësinë e madhe demokratike. Popujt pa kujtesë dhe qartësi historike, por edhe pa identitet e të ardhme kombëtare, janë të destinuar të asimilohen e tretën. Që mos të harrohet e kaluara historike për tematikën e caktuar ka kontribuar profesoresha Sabile.
Në fund theksojmë se veprat në fjalë si për nga përmbajtja që shtjellon, nga thellësia kohore që trajton si dhe mbarështimi i mbështetur në parimet e metodologjisë së punës shkencore, jo vetëm se përbëjnë një arritje të pakontestueshme të autores, gjithashtu janë vepra me vlerë historike e shkencore të pamohueshme. Në tërësi fryma e librit është pohuese. I dendësuar në informacion, do të shërbejë për ta forcuar kontributin e atdhetarëve tanë dhe personaliteteve të kohës që kontribuuan për çështjen kombëtare shqiptare. Mendoj se për këtë libër padyshim do të kenë interes shumë gjenerata dhe studiues të çështjes sonë kombëtare në Kosovë dhe më gjerë. Këto janë një bankë të dhënash për shumë studiues të së ardhmes.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…