Skip to main content

Tetova News

Për dashurinë, vetminë, alkoolizmin, shpengimin dhe tragjedinë

Rogreta Shani

Joseph O’Connor është shkrimtar irlandez, fitues i disa çmimeve prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare letrare. Vitet më të bukura tëfëmijërisë dhe adoleshencës i kaloi i rrethuar mes librash, për të cilët prindërit i ushqenin një dashuri të veçantë. Përfundoi studimet e larta në University College, Dublin, dhe më pas masterin në letërsinë anglo-irlandeze. Punoi për ca kohë në Universitetin e Oksfordit dhe njëkohësisht kreu një master të dytë si skenarist filmi dhe televizioni, për t’iu përkushtuar më pas karrierës së gjatë e të suksesshme si autor i dhjetëra veprave, ndër të cilat edhe gjashtë romane. Më 1989 O’Connor u vlerësua me çmimin “Autori i Ri Irlandez i Vitit”, çmim ky që do të pasohej nga një sërë çmimesh prestigjioze letrare, dhe së fundi, më 2012, Irish PEN Award, për kontributin e tij në letërsinë irlandeze. Romanet e tij kanë kryesuar listat e romaneve bestseller, jo vetëm në Irlandë por edhe më gjerë, dhe janë vlerësuar vazhdimisht me çmime: Cowboys and Indians (1991) ka fituar çmimin Whitebread, ndërsa romani i tij Star of the Sea (Ylli i detit, Dituria, 2006, i botuar në 38 gjuhë) është cilësuar si një nga librat më të mirë, më 2003, dhe ka fituar dhjetëra çmime prestigjioze letrare, si France’s Prix Millepages, Italy’s Premio Acerbi, the Irish Post Award for Fiction, the Neilsen Bookscan Golden Book Award, American Library Association Award, Sunday Tribune Hall of Fame Award, si dhe çmimin “Litteraire Zepter” për romanin europian të vitit. Jo më pak sukses pati edhe libri tjetër i këtij mjeshtri të narracionit, Gruaja e Gjeneralit, (Dituria, 2008). Një roman epope 
rreth luftës, dashurisë dhe humbjes, me një stil të jashtëzakonshëm dhe, që shënon një nga kapitujt më dramatikë e më të begatë të historisë amerikane dhe që arriti të godasë fuqishëm në zemrat e lexuesve, edhe të atyre shqiptarë. Joseph O’Connor, i cilësuar si Autori Irlandez i Dekadës, vjen rishtazi në shqip me romanin Tregtari, i cili afirmon edhe një herë suksesin e jashtëzakonshëm të këtij shkrimtari. Një roman i fuqishëm, me një stil të shkujdesur e të zhdërvjellët, ku e tashmja ecën aq mrekullisht përkrah të shkuarës, teksa O’Conner heton me mjeshtëri rrënojat e humbjes dhe tragjedisë, duke ndërthurur faktet mizore me humorin e errët që shfaqet në prag të dhembjes. Që nga titulli enigmatik e deri në fundin befasues,Tregtari, shpalos historinë prekëse të Billi Suinit, një tregtar mesoburrë, me një martesë të dështuar, karrierë të luhatur e shtëpi të rrënuar, të cilin e ndjek pas e shkuara – jo si një fantazmë, por si një armë – dhe ai kërkon dikë ku mund ta zbrazë. Një këndvështrim i mprehtë i krimit dhe ndëshkimit nga një baba i pikëlluar, që shpalos dalëngadalë për lexuesin historinë e jetës së tij. Është vera më e nxehtë që është parë ndonjëherë në Dublin, por Billi Suini nuk do t’ia dijë për të, në mendje i vlojnë një mijë e një mendime. Pas një tentative për grabitje, vajza e tij e vogël sulmohet dhunshëm nga një grup djemsh dhe bie në koma. I dërrmuar nga pasojat e asaj nate të tmerrshme, i lodhur nga burokracitë e i zhgënjyer nga sistemi, Billi më në fund vendos ta marrë ligjin në duart e veta për të vënë drejtësi, duke gjetur kështu një pikë ku mund të shkarkojë energjitë e tij të ndrydhura. Por kur planet e tij përmbysen, rezultatet janë të tmerrshme, shpesh qesharake, dhe në fund, të paharrueshme. Edhe pse zemërimi i Suinit ndaj agresorëve të së bijës dhe loja psikologjike e maces me miun, mes protagonistit të romanit dhe Kuinit – agresorit lider, i cili arrin t’u shpëtojë duarve të drejtësisë – e bëjnë këtë roman mjaft tërheqës, portretizimi jetësor i një martese që po shkatërrohet përbën skenat më mbresëlënëse të këtij romani. Një mënyrë reale dhe e besueshme ajo se si O’Connor përshkruan një marrëdhënie që po fundoset nën presionin e parave dhe alkoolit. I shkruar në formën e një ditari, me dialogë herë të ashpër e të zymtë, herë të brishtë e gazmorë, me karaktere që qëndrojnë larg stereotipave, Tregtari shënjon mendjen dhe zemrën e çdo lexuesi. Një ditar që i adresohet vajzës që gjendet në koma, por që mbart në vetvete shumë mistere e që shërben në njëfarë mënyre si justifikim i veprimeve të së kaluarës dhe si një mënyrë për të eksploruar se si krejt jeta e Billit u përmbys krejt papritur. Në çdo faqe të këtij romani shpaloset një reflektim i mprehtë e i pakursyer i Irlandës moderne. Dublini që trajton O’Connor në veprën e tij është një vend tejet anarkik: lidhjet e gjakut janë shumë herë më të forta se ligji, dhe të dhunshmit janë ata që bëjnë ligjin. Teksa vihet në kërkim të Kuinit, protagonisti ynë përballet me një botë të ashpër e të dhunshme dhe përpjekjet e tij këmbëngulëse për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje çojnë drejt një fundi tragjik.

O’Connor, ky rrëfimtar i shkëlqyer, arrin me mjeshtëri ta shndërrojë një subjekt fare të zakonshëm, në një mjaft interesant e mbresëlënës. Një nga befasitë e këtij romani kaq prekës, është se autori nëpërmjet forcës së të shkruarit arrin të na bëjë përkrahës të dëshirës së zjarrtë të Billit për hakmarrje, të urrejtjes së tij të pakufi. Zemërim dhe falje parë nga një nivel krejt intim – se si falja, krejt papritur, lëshon rrënjët në tokën e zemërimit.
I shkruar me një stil gati xhojsian, plot ngjarje e të papritura, Tregtari është një roman për dashurinë, vetminë, alkoolizmin, shpengimin dhe, natyrisht, tragjedinë – një roman që do t’ju befasojë. Herë si një triller psikologjik, herë si roman i ndjenjave njerëzore, Tregtari konfirmon sërish talentin e O’Conner-it si një prej shkrimtarëve më të mëdhenj irlandezë.
“Gjëja e parë që përpiqem të bëj me një roman është ta bëj atë të bukur. Në botë ka kaq shumë gjera të shëmtuara dhe një pjesë e detyrës së të qenit shkrimtar është të përpiqesh sadopak t’i kundërvihesh këtij fakti. Nëse arrin ta bësh këtë, atëherë libri do të mirëpritet nga lexuesi dhe do të mbetet në mendjet e tyre. Nuk mendoj se romani duhet detyrimisht të përçojë një temë apo ide politike, unë shkruaj që romanet e mia të lexohen dhe të përjetohen si të tilla. Prandaj edhe zgjedhim të lexojmë letërsi. Nuk duam që një roman të na thotë se çfarë duhet të mendojmë, duam thjesht të na prekë e të na befasojë. Pavarësisht nëse ngjarjet e një romani vendosen në ditët tona, apo para 200 vjetësh, ne dëshirojmë që ky roman të na thotë diçka për jetët tona sot. Ky është edhe testi që duhet të kalojë çdo roman”- thotë autori, dhe me bindje mund të themi se Tregtari e kalon më së miri këtë test, duke na befasuar.
*përkthyese e librit “Tregtari”, me autor Joseph O’Connor/ Shtëpia Botuese Dituria
Mapo

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…