Skip to main content

Tetova News

Poezitë e Tano Banushit, ana tjetër e panjohur e aktorit human

Në poezitë e kësaj kohe, Tanoja shpreh dashurinë e tij të madhe për qytetin




Tano Banushi njihet nga të gjithë si aktor i madh i humorit. Me rastin e përvjetorit të lindjes (4 shkurt 1927- 4 shkurt 2014), po paraqesim disa nga poezitë e shumta të shkruara nga aktori i shquar  në kohë të ndryshme, për të plotësuar njohjen më të thellë të këtij artisti të gjithanshëm.

Ishte koha kur, si i ri që ishte, filloi të thur poezi. Krijimi i parë poetik që njohim shënon datën 5 maj 1945, pra  kur Tanoja sapo kishte mbushë të 18-tat. Ajo mban titullin: “Si m’vjen frymëzimi”:

SI M’VJEN FRYMEZIMI

 Ndër dej m’vlon gjaku

       me gulfa, gulfa e hove, hove.

       Do t’më pëlcasë

       zemrën që don t’buçasë

       e don si lavë përvëluese

       e nji vullkani

       të shkapërderdhet mbi pergamenë…

       Ky asht i im frymëzimi

       E zani e jehu e ushtima

       e nji zemre me flakë,

       tingëllon e shpërndan jone.

- 5 maj 1945

Po të gjykosh edhe vetëm nga kjo poezi e parë, duket në të një djalë i pjekur, një i ri që ndien hovin e shpirtit të zjarrtë rinor, që i vlon gjaku në gjithë qenien e tij e që i pëlcet zemra nga këto gulfa e hove. Tanoja i ri e quan si të domosdoshme dëshirën që këto hove të përflakura e që janë si lavë përvëluese, të shpërthejnë fuqishëm e të mos i mbysin frymëzimin i tij, që është si “…ushtima e një zemre në flakë…” .

Në këtë poezi na zbulohet një poet që premton, që i jep poezisë së vet krejt ndjenjat e shpirtit të tij të ndjeshëm, njerëzor e të fortë. Në të shihet ngrohtësia poetike, eleganca prekëse dhe ndjenjat e holla. Siç do të shihet, edhe më vonë, Tano Banushi asnjëherë nuk e la poezinë, dhe kjo mund të përbëjë një befasi për lexuesin që po e njeh më mirë jetën e Tanos.

 Në poezitë e kësaj kohe, Tanoja shpreh dashurinë e tij të madhe për qytetin e lindjes, Shkodrën. Ngjyrat e ngrohta të natyrës në perëndimin e përskuqur të diellit, që duken si ngjyrë trëndafili, bëjnë që mendimi t’i fluturojë te qyteti i tij:

LARG QYTETIT TIM

       Kur n’muzg hijerand’ perëndon dielli

       dhe kandshëm lëkuqet, o qielli

       me ngjyr’ trandafilli,

       tek ti m’fluturon fill mendimi,

       qyteti im!

              Tek ti, ku të pastra gëzimet

              sot lindin së bashku me agimet,

              më çojnë kujtimet.

              Për ty më pushton përmallimi,

              qytet  imi!

Dashurinë për qytetin e vet Tano Banushi e shpreh bukur edhe në këtë poezi:

                     SERENATE QYTETIT TIM

Sa fort të due, qyteti im,

              ti je për mue

                           punë e gëzim.

              Atë që due, ti ma kujton,

              zemra për ju

              k’të kangë këndon…

Për ty këndoj në k’të serenatë,

për ty unë këndoj gjithmonë me gëzim,

me dashuni do k’ndoj për çdo natë,

do këndoj unë për ty dhe qytetin tim.

O dashuri, në zemër je ndrye,

o serenatë fluturo për të dy,

       Në kët’ natë të qetë,

       porsi jehonë,

       të endesh lehtë,

       mbi Shkodrën tonë…

                           12 shkurt 1960

Ishte krejt e natyrshme që Tanoja edhe të mërzitej gjatë kohës që ishte ushtar. Thellë në shpirtin e tij shfaqet një pesimizëm dhe një mosbesim i dukshëm për të ardhmen. Edhe pse në të vërtetë, në marrëdhënie me të tjerët ai është gjithmonë i gëzueshëm e gazmor, në shpirtin e tij të trazuar nga një realitet krejt i ndryshëm nga ai që do të dëshironte, shpërthen, në këto vargje:

TUJ PERENDUE

       Mbas Taraboshit disku i artë asht tue perëndue,

       mbi liqen t’qartë asht pasqyrue qielli violetë,

       e lundra e lehtë mbi valë të qetë amblas lëkundet,

       e mbi te zemra ime e shkretë n’djep t’fantazisë,

                                         n’andrra përkundet.

       I them prej s’largu e shprehun si vajë

                                  “Kitarra ime”

       dhe psherëtimë nga shpirti i saj shgulen

                                  t’pangime.

       A thue do të lindë dielli përsëri

       me ngrohë këtë shpirt?

       Pse janë këputë telat tash kitarrës sime,

       e n’të rënkimet kanë heshtë e flejnë të mekuna,

       sikurse shpresat që fikë n’zemër time,

       enden si hije t’vdekuna.

 – 1947

Më vonë Tanoja u transferua në Vlorë

Në vitin 1949 u bë një mobilizim i përgjithshëm i ushtrisë, si pasojë e provokacioneve greke të 2 gushtit. Tanon e thirrën për të shkuar atje, në vijën e frontit. Ndërsa bëhej gati të nisej, shkroi një poezi të bukur e me ndjenjë, një nga më të arrirat e ciklit të tij të poezive. Ajo titullohet “Kitarës sime”. Pasi tregon bukur lidhjen e pandashme të tij me kitarën, pasi i kujton kitarës se si, së bashku, i bënin serenatë vashës së re shkodrane,

KITARËS SIME

( Mbas marrjes së urdhrit për t’u nisë në luftë

kundër provokacioneve greke të gushtit 1949)

Kohët që kanë kalue,

              e lanë kanë veç kujtime,

              me ty i kam jetue kitara ime.

              Gjithkund ke qenë me mue,

              kitara ime e mjerë,

              që sot po flen heshtue.

              Kur zemrën time vaji,

              ndojherë e pat mërtisë,

              ti, gazin e rinisë,

              në zemër m’pate kthye.

              Si lulet që bie mali,

              së bashku me mue, kitarë,

              je endë ndër serenata,

              dhe vashës së re shkodrane,

              së bashku i kem këndue,

              si kish kalue mesnata…

 - Vlorë, gusht 1949

Tano Banushi asnjëherë nuk i botoi poezitë e tij të para, por i mbajti të ndryrë në vetëdijen dhe në…arkivin e vet sekret. Mendimet që shfaqte në to ishin ngandonjëherë “tronditëse”. Ndoshta e kuptonte se ishte në kundërshtim me kohën dhe kërkesat e saj?! Tano Banushi ishte shumë i ndjeshëm ndaj familjes së tij. Djali i madh, Moisi, sapo ka filluar të ecë. Çdo prind ndjen kënaqësi të veçantë në raste të tilla. Me finesë dhe ndjenjë, ai e shpreh këtë moment, duke e lidhur bukur me ardhjen e pranverës.

ERDHI PRANVERA

                           ( Kushtuar djalit të madh, Mojsit)

Në kopshtin e kojshiut tim bajami çeli

lule të bardha

dhe iku mardha,

pranvera erdh pa ardhun ende prilli.

       Sa t’bukura këto lule kur lind dielli

       me rreze ari,

       margaritari,

       si sytë e djalit tim asht i kthjellët qielli.

Këte kangë, o pranverë, gjithkah përhape,

plot gaz përherë,

se bashkë me ty pranverë,

sot djali im po hedh të parat çape.


-      1957


Gazeta Telegraf

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…