Skip to main content

Tetova News

Raporti histori-letërsi në romanet e Sulejman Krasniqit (Prijësja e komitëve, Pushka top, Bajram Curri! dhe Oso Kuka)

Albert S. Mustafa

Sipas Ag Apollonit relacionet histori- letërsi, dallimet ndërmjet këtyre dy fushave  shkencore janë debatuar qysh në Antikë. “Relacioni mes historisë dhe fiksionit debatohet që në Antikë.”[1] Aristoteli në veprën  Poetika shkruan “… puna e një poeti nuk është të tregojë atë që ka ndodhur, po atë që mund të ndodhte, d.m.th gjërat që mund të ngjasin simbas gjasës ose nevojës. ”[2]
            Binomi histori-letërsi në veprën e Krasniqit është i pandashëm. Autori iu kundërpërgjigjet edhe kritikave të atyre të cilët mendojnë se veprat e Krasniqit kanë tematikë të tepruar historike, duke thënë se populli shqiptar i Kosovës ishte popull i pushtuar  me shekuj dhe nuk kishte se si të mos shkruante për tema kombëtare.
      Atdhetar i pandalshëm për çështjen kombëtare, lexues i devotshëm i librave historike merr guximin që ato të cilat i kishte dëgjuar nga më të vjetrit nëpër Oda, ato të cilat i kishte përjetuar vet, ato të cilat i kishte lexuar nëpër libra historik, t’i ringjallë dhe t’i bëj romane me vlerë dhe lexueshmëri. Bajram Krasniqi në veprën e tij “Poetika e romanit historik shqiptar”, shkruan “Për këtë arsye romani historik nuk shkruhet me qëllim që t’ia bëjë të njohura lexuesit ngjarjet dhe faktet pozitive nga e kaluara, sepse atë e bën  më mirë dija e historisë, por do t’ia zbulojë artistikisht  atë që ai ka mësuar nga historiografia.”[3]
            Autori ka paraqitur fatin e popullit shqiptar si individ, e nëpërmjet tij si kolektiv, bëmat e tij, vuajtjet, gjendjen e rëndë ekonomike e sociale, duke ngritur në piedestal luftën dhe bëmat heroike të Mic Sokolit, Bajram Currit, Oso Kukës, Ymer Prizrenit, Sylejman Vokshit, etj. Në romanin “Pushka top, Bajram Curri!”, paraqitet figura e personazhit historik, Bajram Curri,  që nga lindja e tij, pagëzimi i tij, bëmat historike të tij, po me një stil  tjetër me stilin letrar.
            Populli shqiptar është ndër popujt më të vjetër të Ballkanit, një popull i cili me shekuj ishte i pushtuar nga perandori të ndryshme. kështu që historia  e popullit  shqiptar është e larmishme, me vuajtje, dhunë, masakra, por edhe me trima të ndryshëm, të cilët i prodhoi historia kohë pas  kohe.
                Për t’i lexuar veprat e Krasniqit duhet të kemi njohuri paraprake të ngjarjeve  historike, periudhave të lavdishme historike, për individë të cilët punuan për çështjen kombëtare.
            Profesor Begzad Baliu shkruan se vepra e Krasniqit mund të bëhet objekt studimin në shumë fusha: “-Konteksti historik i veprave të tij: antikiteti dardan në romanin  Dardanët, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në romanin historik Qielli i përflakur, ripushtimi i Ulqinit në romanin historik Oso Kuka dhe Lëvizja Kaçake në romanin më me ndikim Prijësja e komitëve, Lufta e Dytë Botërore në romanin Shpella e banditëve.[4] Tema e këtyre romaneve  vendosën në hapësirë gjeografike të ndryshme, si  në Shqipërinë Veriore, Kosovë,  Mal të Zi etj.
Sulejman Krasniqi është njohës i mirë i historisë, ai gdhendi figurat historike. Historia duke paraqitur të kaluarën, formëson të ardhmën, autori ka si qëllim që nëpërmjet historisë së letrarizuar, të përçoj tek  lexuesit ndjenjën e atdhedashurisë, ndjenjën e besnikërisë, ndjenjën e trimërisë.
            Ai në romanin “Prijësja e komitëve” e projekton luftën në roman, si paramodel për luftën e fundit në Kosovë. Ai i porositë lexuesit, sidomos ata të Kosovës, se në Kosovë duhet zgjedhur një udhëheqës, i cili bashkon popullin për fitore. Sikurse në romanet e tjera të tij edhe në romanet  “Prijësja e komitëve”, “Pushka top, Bajram Curri!” dhe “Oso Kuka”paraqitet lufta epike e popullit shqiptar për liri.

Ndikimi i historisë në veprën e tij

            Ndikimi i tematikës historike në veprat “Pushka top, Bajram Curri!”, “Prijësja e komitëve”  dhe  “Oso Kuka”,  është  i madh. Në këto tri vepra, tematika është ambientale, personazhet kryesore, janë figura eminente të çështjes kombëtare. Ai në veprat e tij i ka trajtuar ngjarjet eminente që e kanë përcjellë popullin shqiptarë nëpër kohë. Periudhat historike që i ka trajtuar autori kanë qenë periudha të lavdishme tek shqiptarët si popull dhe si komb. 
Romani “Dardanët”  rrëfen  bëmat e fisit Ilir, luftën e tyre për liri, autori përpos fiksionit që është shtjellë e shkrimit artistik përdor edhe faksionin (dokumente të ndryshme arkivore) për të sjell tek lexuesit nëpërmjet letërsisë ambientin konkret dardan.  Romani tjetër, i cili e bëri të famshëm autorin, “Mic Sokoli”, rrëfen ngjarjet e Lidhjës Shqiptare të Prizrenit, pasiqë Mici ishte komandant i Lidhjes. Pas ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit, të cilat luajtën rol në bashkimin e shqiptarëve kunder forcave pushtuese, vjen radio-drama “Rrustë Kabashi”, ku rrëfen ngjarjet e vitit 1912-1913, të cilat shkaktuan ndarjen e tokave autoktone  të Shqipërisë dhe bashkangjitja e tyre vendeve fqinje. Romani “Oso Kuka” paraqet luftën heroike të popullit shqiptar për mbrojtjen e Shkodrës, nga pushtuesit malazez. Romani i cili shtjellon fatin tragjik të popullit shqiptar  nëpërmjet fatit të femres kaçake Shotë Galica, ka në bërthamë të tij fatin kolektiv të popullit të Kosovës. Romani “Pushka top, Bajram Curri!”, ka në epiqender Bajram Currin, luftën e tij për liri, vetëdijësimin e masës, se e vetmja rrugë që të dërgon tek liria është lufta.
            Veprat e shënuara më poshtë kanë temë historike: “Tri  motra, tri histori”, “Në shpellën e banditëve”, “Qielli i përflakur”, “Prijësja e komitëve”, “Beteja të nëndheshme”,  “Mic Sokoli”, “Beslidhja shqiptare”, “Pushka top, Bajram Curri!”, “Dardanët”, “Oso Kuka”, “Njeriu dy herë i pushkatuar”, “Belbacakja”, “Rrëfimet e majorit”, “Rapsodi e Kosovares”, “Makthi i hijeve”, “Rebeli i bajraqeve”, “ Jetëshkrim”. Gjithashtu ai shkroi edhe novela, ese, drama e melodrama, “Rrustë Kabashi”, “Herojtë e borës”, “Kreshnikët”, “Evropë, deri kur do të keqpërdorësh durimin e Kosovës shqiptare”etj.  Këto vepra autori i ka shkruar duke  u bazuar në  të dhëna historike, ato të dhëna autori i letrarizon.
Në veprën e tij  paraqitet historia e popullit shqiptar që nga antikiteti, gjër në ditët e sotme. “Romanet  më të rëndësishme të Sulejman Krasniqit, që kanë trajtuar ngjarje të mëdha të historisë sonë kombëtare, bartës të atyre ngjarjeve, doemos kanë edhe figurat më të rëndësishme të historisë sonë moderne. Mjafton të dihen e të njihen, apo edhe vetëm të përmendën, figurat madhore të historisë sonë, Abdyl Frashëri, e Sulejman Vokshi, Imer Prizreni e Mic Sokoli, Sefë Kosharja e Ahmet Koronica, në njërën anë, por edhe figurat e Maxhar Pashës dhe e Abdullah Pashë Drenit, në anën tjetër.”[5]  Këto personazhe por edhe shumë personazhe tjera janë bartëse të proceseve të rëndësishme në luftë  për liri.
            Romani “Oso Kuka”,  rrëfen periudhen kohore të viteve 1831-1862, romani “Prijësja e komitëve”, paraqet ngjarjet historike të viteve 1920-1930, ngjarjet e viteve 1920-1924 në romanin “Pushka top, Bajram Curri!”.






[1] Ag Apolloni, Parabola postmoderne, fq. 92
[2] Aristoteli, Poetika, fq. 72
[3] Bajram Krasniqi, Poetika e romanit historik shqiptar, fq. 14-15
[4] Revista Metafora, Begzad Baliu, “Sulejman Krasniqi i munguar”, fq. 17-18
[5] Emin Kabashi, Kur historia flet me gjuhën e romanit, Sabile Keqmezi-Basha, Sulejman Krasniqi Veprimtaria atdhetare  

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…