Skip to main content

Tetova News

Rrëfimet e vendeve të harruara të Bessa Myftiut

Shkrimtarja Bessa Myftiu

Tiranë, 7 Shkurt/ATSH-Flora Nikolla/- Shkrimi për Bessa Myftiun është një pasion i hershëm që i lindi sapo përfundoi së mësuari alfabetin në klasën e parë. “Kompozonte” vargje dhe shpikte përralla që i ilustronte shpesh me vizatime. Romanin e parë e shkruajti kur ishte 12 vjeç  dhe titullohej “Lart tek yjet”. Ngjarjet zhvilloheshin në një planet tjetër. Bessa tregon se sa më shumë rritej aq më tepër i afrohej me prozën e saj realitetit, sidomos kur emigroi në Zvicër. Në një farë mënyre, Shqipëria e dikurshme iu kthye në një planet të largët. Tashmë shkruan në frengjisht dhe ky kalim nga shqipja në një gjuhë të huaj, ka ndodhur krejt rastësisht. Kur u vendos në Gjenevë nisi të përkthej poezitë e saj për t’ua lexuar miqve frëngjisht-folës.  Zgjodhi tridhjetë e tre poezitë e saj më të bukura dhe i ktheu në gjuhën e Molierit. Entuziazmi i miqve ndaj versionit francez e shtyu të botoj librin e saj të parë dygjuhësh, “Miq të humbur- Des amis perdus”, që shënoi sukses në sallonin e librit të Gjenevës. Në sajë të këtij libri u bë anëtare e Shoqërisë së Shkrimtarëve . Pavarësisht nga gjuha, Bessa thotë se zemra e shkrimeve të saj rreh në shqip, megjithëse në këtë intervistë shprehet se “kam vendosur t’i shpreh pasionet ballkanike përmes filtrit të gjuhës franceze”.

Çfarë përfaqëson e shkruara për Bessa Myftiun? Sa imagjinatë dhe sa realitet ka në veprën tuaj?

Shkrimi për mua është një pasion i hershëm që lindi sapo mbarova së mësuari alfabetin në klasën e parë. Kompozoja vargje dhe shpikja përralla që i ilustroja shpesh me vizatime; pasi i lidhja në formë libri, ia lexoja vëllait tim të vogël, i cili ishte në kopsht. Romani im i parë, shkruar në moshën 12 vjeç, titullohej “Lart tek yjet”. Ngjarjet zhvilloheshin në një planet tjetër. Në fakt, sa më shumë rritesha, aq më tepër i afrohesha me prozën time realitetit, sidomos kur emigrova në Zvicër. Në një farë mënyre, Shqipëria e dikurshme u kthye në një planet të largët. Ka njerëz të cilët malli i bënë shkrimtarë, kurse mua malli më dha distancën e duhur për të kundruar të kaluarën me nostalgji dhe humor.

Në këtë kuptim, letërsia juaj mund të konsiderohet si dëshmitare e realitetit?

Po, pa harrur se çdo dëshmi është subjektive, sepse edhe përjetimi i realitetit është krejt i ndryshëm nga një individ te tjetri.

Po në skenarët e filmit a keni përshkruar realitetin?

Skenari i filmit “Unë e dua Erën”, xhiruar në Shqipëri në vitin 1990, është bazuar mbi një ngjarje reale të cilën e kam zhvilluar dhe zbukuruar sipas fantazisë sime. Kur e çova së pari në TVSH, skenari u konsiderua si imoral: Ç’është kjo femër shtatzënë pa qënë e martuar që bie në dashuri me një burrë i cili nuk është babai i fëmijës së saj? Disa ditë më vonë u hapën ambasadat dhe çuditërisht fati i skenarit tim ndryshoi. Ajo grua që ishte quajtur imorale u transformua në luftëtare për emancipimin e femrës! Premiera e filmit u dha ditën e udhëtimit tim për në Zvicër. Kisha shumë dëshirë ta vazhdoja punën e skenaristes edhe jashtë shtetit. Punova shumë vite me skenarin e filmit “Yllka”, titulli fillestar i të cilit ishte “Endërr dimri”.  E kam shkruar afërsisht pesëdhjetë herë, duke ndërruar ngjarjet sa herë ndërroja produktor ose regjisor. Në skenar kam përshkruar sidomos atë që mund të ndodhte, por nganjëherë edhe atë që ka ndodhur; plot dëshmi të shoqeve të mia dhe të jetës sime më kanë shërbyer si material. Por, duhet të theksoj se filmi “Yllka” nuk është një film i mirëfilltë autobiografik.



Çfarë është për ju një skenar filmi?

Një skenar filmi është për mua një ngjarje që ia vlen të tregohet sepse përmban një mesazh filozofik, i cili domosdo e tejkalon kohën në të cilën zhvillohet ngjarja.

Romancierja e famshme belge, Amélie Nothomb, shkruan për librin e Bessa Myftiut: “Eshtë i bukur, i veçantë, tronditës, plot pasion dhe humor. Dhjetëra fragmente më kanë prekur. Stili është për t’u admiruar”. Cili është komenti juaj për këtë thënie që ju është kushtuar juve?

Jam shumë e prekur nga këto fjalë të Amélie Nothomb, me të cilën kam një korrespondencë të rregullt. E kam njohur para se të botoja romanin tim të parë në frëngjisht, “Ma légende”. I kisha dërguar dorëshkrimin me postë sepse doja të dija mendimin e saj. Disa ditë më vonë ra telefoni. “Jam Amélie Nothomb”, dëgjova nga ana tjetër e telit. Nuk iu besova veshëve. Me pesë vjet frëngjisht kisha marrë guximin të shkruaja roman dhe një nga autoret më të famshme të gjuhës franceze më merrte në telefon! I kishte pëlqyer shumë libri im, që u botua disa javë më vonë në Paris. Amelia mbetet admiruesja më e flaktë e penës sime. Është një grua tepër bujare. Disa libra të saj më pëlqejnë shumë, midis të cilëve “Stupeur et tremblement”, përkthyer edhe në shqip. Kur ia kam dërguar është gëzuar shumë. “Shpjegimi që keni dhënë mbi bukurinë në romanin ‘Rrëfime nga vendet e harruara’ është i madhërishëm dhe më bën ta dua marrëzisht atdheun tuaj”, nënvizon ajo.

Çdo të thotë të shkruash në frëngjisht?

Kalimi nga shqipja në gjuhën frënge ka ndodhur krejt rastësisht. Kur u vendosa në Gjenevë nisa të përkthej poezitë e mia për t’ua lexuar miqëve frëngjisht-folës. E kam pasion përkthimin. Dikur pata shqipëruar nga anglishtja Byron-in, Whitman-in, Shakespeare dhe të tjerë. Por kësaj here i dhash vetes më shumë liri. Kisha dhe guximin e injorancës! Zgjodha tridhjetë e tre poezitë më të bukura që pata shkruar dhe i ktheva në gjuhën e Molierit. Entuziazmi i miqve ndaj versionit francez më shtyu t’i botoj në librin tim të parë dygjuhësh, “Miq të humbur – Des amis perdus”, i cili pati shumë sukses në sallonin e librit të Gjenevës. Në saj të tij u bëra anëtare e Shoqërisë së Shkrimtarëve. Atë vit organizohej konkursi i romanit. Vendosa të provoj fatin dhe shkruajta “Ma légende”. Nuk e fitova konkursin, por romani u botua në Paris me parathënie të Ismail Kadaresë. Falë kësaj eksperience bëra shumë zbulime interesante mbi të shkruarit në gjuhë të huaj. Së pari, pata mundësi ta shtjelloj subjektin e marrë nga realiteti shqiptar i viteve ’80, përmes një distance jo vetëm kohore, por edhe linguistike. Kuptova se kisha fituar një liri të madhe: po krijoja jashtë strukturave psiqike të trashëgura në mënyrë të pavetëdijshme nga diktatura. Nga ana tjetër, frëngjishtja më ndihmoi të mprehja stilin, duke më detyruar të eliminoj gjithçka që nuk ishte e domosdoshme sepse në një gjuhë të huaj, ku çdo frazë del me zor, nuk ka vend për fjalë parazitare, por për pyetjen: “A është bukur?” Se bukuria nuk dallohet dhe aq mirë kur është pjesë e vetvetes. E megjithatë, për mua bukuria mbetet shqiptare. Dua të them se, pavarësisht nga gjuha, zemra e shkrimeve të mia rreh në shqip. Në veprat që kam shkruar tregoj mbi vendlindjen, heroizmin e jetës së përditshme, humorin e lindur nga nevoja për të mbijetuar, shkëlqimin dhe mjerimin e njerëzve. Janë këto tematikat që përshkruajnë romanet e mia lindur në mërgim. Këndi i vështrimit- që në sajë të gjuhës është i jashtëm- më lejon të kujtoj me nostalgji çastet e çmueshme të lumturisë që kemi jetuar në diktaturë dhe të zbeh melankolinë. A është një formë përkthimi? Nuk e besoj se mund të përkthehet shpirti. Por, duhet të pohoj se kam gjetur në frëngjisht një tjetër mënyrë të shprehuri. Më është dashur të zbuloj një formë mendimi të ndryshme. Sepse përvetësimi i një gjuhe nuk konsiston në mësimin e fjalëve që e përbëjnë. Jo. Të mësosh një gjuhë do të thotë t’i përshtatesh një mentaliteti të ri. Unë kam vendosur t’i shpreh pasionet ballkanike përmes filtrit të gjuhës franceze.

Ju keni botuar disa vepra në frengjisht, mes të cilave romanet “Ma légende” (Legjenda ime), “Amours au temps du communisme” (Dashuri në kohën e komunizmit) dhe “Confessions des lieux disparus”, i cili ka dalë në shqip me titullin “Rrëfime nga vendet e harruara”. Si e shihni librin tuaj të botuar në shqip?

Kisha menduar se libri do të kishte sukses vetëm jashtë shtetit. Ai është përkthyer edhe në gjermanisht dhe është përfshirë në gjimnazet zviceriane si libër jashtëshkollor. Por, jam çuditur dhe emocionuar nga reagimi i publikut shqiptar. Një vajzë e re, Lejla Dervishi, studente në Itali ka zgjedhur romanin tim për temë diplome. Ajo mendon se varianti në shqip është më i mirë se varianti në frëngjisht. “Libri më çoi në fëmijërinë time. Më bëri të qesh, të qaj, të gëzohem dhe të dëshpërohem. Më dhuroi ndjesitë e jetës për të cilën familja ime më kishte folur aq tepër. E megjithëse kam lindur gjatë demokracisë, zbulova se kisha jetuar edhe unë një pjesë të rrëfimeve të autores…”,  shkruan Lejla. Kam marrë shumë letra nga lexues të pasionuar dhe jam mallëngjyer. Do të dëshiroja që ky roman të zinte një vend në shkollat shqiptare, ashtu si në ato zviceriane. Varianti shqip është shitur i tëri, duhet ta ribotoj. Ky entuziazëm i publikut shqiptar me shtyu të përkthej edhe vëllimin me tregime “Le courage, notre destin”, i cili do të dalë së shpejti në shqip me titullin “Drejt së pamundurës”.
 
Bessa Myftiu me vajzën e saj, Elina Dunin

Si do t’ju pëlqente të kujtoheshit breda faqeve të letërsisë shqipe dhe jo vetëm, mbas 100 viteve…?

Si një zë i veçantë që ka zgjedhur të përshkruajë ngjarjet dramatike me ngjyra komike për të triumfuar mbi dëshpërimin. Si mishërim i pasionit. Si adhuruese e së bukurës…

Cila është lidhja aktuale me Shqipërinë?

Shqipëria është për mua një dashuri nga e cila nuk do të shërohem kurrë. Mbetet gjithmonë një burim i përjetshëm i frymëzimit tim. Aty kam thënë fjalët e para, kam thurrur ëndrrat e para, kam dashur për herë të parë. Megjithëse jetoj prej 20 vitesh larg atdheut nuk i kam prerë kurrë marrëdhëniet sentimentale dhe artistike me të. Gjithë subjektet e romaneve të mia, sikurse dhe filmi që kam realizuar në Zvicër, e kanë zanafillën në Shqipëri. Sa më tepër kalon koha, aq më tepër afrohem me vendlindjen. Madje, kam dëshirë të jap disa leksione në një universitet shqiptar, megjithëse prej kohësh nuk kam dhënë mësim në gjuhën shqipe.

Si e konsideroni mësimdhënien?

Unë jam bija e dy mësuesve dhe besoj se kam trashëguar pasionin e mësimdhënies. Po të heq katër vitet që kam punuar tek revista “Skena dhe Ekrani”, nga mosha 6 vjeç dhe deri tani e kam kaluar gjithë jetën në shkollë.  Zvicra, nëpërmjet pedagoges Mireille Cifali, më ka dhënë mundësinë të krijoj lëndë që u përshtateshin interesave të mia, si për shembull “Kontributi i shkrimtarëve dhe artistëve në edukimin e njeriut”. Studentëve u kërkohet shumë punë, por u jepet edhe shumë liri me stimulimin e aftësive të tyre krijuese. Mund të them se, mësimdhënia është për mua një nevojë. Ashtu si lulja shpërndan polenin që të mbijetojë, edhe unë kam dëshirë të ndaj me të tjerët pasionet e mia- letërsinë dhe filozofinë.

Ju jeni vajza e shkrimtarit dhe disidentit të njohur Mehmet Myftiu…

Po, dhe jam krenare. Babai im ishte vetëm 12 vjeç kur u kap nga nazistët teksa kryente detyrën e korrierit që lidhte partizanët me bazat ilegale. Pas një jave torturash, u internua në kampin e përqëndrimit në Prishtinë, ku shpëtoi rastësisht nga vdekja. Më vonë punoi si gazetar, duke iu kushtuar në të njëjtën kohë letërsisë. Ai guxoi të verë në dyshim ligjet e realizmit socialist dhe të mbrojë të drejtën e shprehjes së mendimit, duke iu kundërvënë arrestimit të shkrimtarit Kasëm Trebeshina. Autoritetet komuniste e dërguan në internim. Aty lindi romani i tij autobiografik, titulluar “Shkrimtari”, që u dënua si reaksionar nga regjimi. Babai përshkruan karaktere të fortë që kalben në burgjet komuniste dhe pohon të vërtetën e hidhur: sistemi në fuqi shkatërron çdo formë mendimi, vret e pret pa mëshirë njerëzit e aftë dhe të talentuar. Libri ka edhe një vlerë të jashtëzakonshme historike. Nëpërmjet tij lexuesi mund të kuptojë zhvillimin e sistemit socialist në Shqipëri, mbytjen graduale të çdo forme lirie dhe vënien në përdorim të ideologjisë marksiste për t’i shpërfytyruar artistët. Kur e lexoi romanin “Shkrimtari”, Enver Hoxha ulëriti: “Si e lejoni këtë njeri të shkruaj?” Babi u deklarua “Armik i popullit” dhe iu hoq e drejta e botimit. Ai punoi për 25 vjet si shitës cigaresh, pa u ankuar kurrë. “Mehmet Myftiu ka qenë dhe vazhdon të jetë miku im prej më shumë se 40 vitesh”, shkruan Ismaïl Kadare. Ishte shkrimtari i parë me mendime të lira që kam njohur në jetën time. Sigurisht, babai e ka influencuar shumë mendimin dhe penën time. Për mua ishte një fat i madh të isha vajza e një disidenti, sepse u rrita me shpirt të lirë…

Si e shihni iniciativën e Albanian Excellence? A ndihmon në afrimin e shqiptarëve këtej dhe andej kufirit?

Më duket një iniciativë shumë e bukur dhe ju përgëzoj për punën tuaj që duhet të ketë qënë tepër e vështirë. Por, pyes veten: Sa shqiptarë do të mbeten jashtë këtij libri?

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…