Skip to main content

Tetova News

Shtëpia kazermë

Vladimir Myrtezai
(Rrëfime nga qasjet e reja letrare që përgatiten për botim “Shermashekë dhe jargavanë”, të autorit Vladimir Myrtezai)

“Në konceptin tim, materia ku merr shenjat volumi im letrar vjen nga një e shkuar e largët, (gjysmë shekulli më parë, në qytetin e lindjes, Shkodër) si materie e deklasifikuar nga zhvillimet e shpejta që shkakton koha. Me sytë e fëmijës risjell fotografimin e kësaj materieje në të shkuarën në një përjetim të fortë e të pashlyeshëm me tendencën që ta kthej qasjen e time në medium letrar. Kam për zemër atmosferën që rifitoj në ngjarje nga një pozicion jondikues e i privilegjuar (si fëmijë), ku më duket sikur çdo gjë duhet ngrirë në kujtesën time për të ndaluar kohën. Aty futem e banoj në zonë krejt i lumtur. Ngjarja synon drejt një realiteti si utopi e riprodhuar që ngjan motamo me realitetin. Realitet që kryhet në koshiencën time me privilegjin e të qenit fëmijë apo pa vetëdije që zhyhet në subkoshiencën e vegjetuar të artit!”
***
Të dielave, zakonisht prisja me ankth të më merrnin me vete në periferi të qytetit, ku ndodhte therja e bagëtive. Ime Më e kish bërë zakon të më merrte me vete, pasi e dinte që qe një nga ditët që mua më pëlqente shumë për shkak se udhëtonim me urban. Një autobus fizarmonikë rrangallë  që shkonte deri në të dalë të qytetit dhe më pas një copë rruge e bënim me këmbë. Akti i së dielës për mua ish krejt i veçantë, pasi vështroja një tablo mjaft të gjerë me pellgje karakteresh dhe llojshmërish të natyrës njerëzore. Hera-herë me ne vinte dhe babai apo ndonjëherë dhe Zefi, i shoqi i Lezes, pasi shquhej si njohës i mirë në zgjedhjen e bagëtive që thereshin në treg. Periferitë e pjesës së veriut të qytetit kanë një gjallëri tejet të shtuar të dielave, pasi që përziheshin si markatë e madhe e stërgjerë si tregu i gjësë. Bagëtitë, njerëzit dhe karvanët e shpeshta të funeraleve që nuk di pse më koincidonin aq  të shpeshta e të përsëritura gjithatoherë në atë treg krijonin një tablo gati biblike. Një rit që në këtë qytet merrte peshë dhe një rëndësi gati solemne! Ime Më dhe Lezja kishin veshur të dyja fustane basme me lule të gjalla dhe që feksnin që larg. Flokët e tyre të gjata onde onde feksin hareshëm të lidhura me një rrip të zi të trashë në bel që i shquante veçmas dhe më bukur figurat e të dyjave që zbrisnin drejt shfaqjes së gjësë së gjallë. Isha kapur pas fustanit të sime mëje dhe me sigurinë e të qenit afër saj ruaja distancën e duhur për të këqyrur me kujdes tablonë ku dhe bëja pjesë tanimë krejt i ekzaltuar fshehurazi e i lumtur. Zefi i Lezes kish filluar tanimë bisedat me fshatarët për përzgjedhjen e gjësë. Po psonisnim mishin për javën që po vinte dhe mjaft qetë bënim me shenjë kur kish një gjetje me leverdi për të dyja gratë edhe  rrinim me sytë katër. Se di por ndjeja një sëkëlldi në stomak në këtë arenë mes blerësve dhe atyre që e vinin në shitje mishin e therur. Kisha një qasje natyrale për t’u përballur me një siklet që fshehurazi nuk përktheja mirë. Njeriu qe i përfshirë në një afsh vrasës dhe në një flirt të pakryer me blerësit. Traumatike. Peizazhi qe tronditës dhe në diskordancë totale me marrëveshjet dhe pazaret e turmës poshtë këmbëve tona. Me një qiell të lartë e të marrakotur pasqyruar pellgjesh me disa re budallaqe që me ngut krijonin ulje ngritjet e atmosferës njerëzore. Tutje për më tej kjo atmosferë disi e shthurur konfigurohej në të sheshtën e disa fushave të braktisura shterpë si gra të agravuara dhe aspak të gatshme, që kriheshin lehtë nga një erë e puhizë si për ta mbajtur në një grimasë uniforme të gjithë strukturën shkartuese e të vrazhdë të tyre. Selvi të larta e shumë të mbyllura në formë të dendur kreshtë që mbyllnin peizazhin me ngut për shkak të hapësirës të malit të largët të Maranajt. Kuptohej që dimri po trokiste në derë nga majat e saja të spërkatura me dëborë dukeshin të pandryshueshme në kohë. Gjithsesi turma e ngrohtë përzihej dhunshëm nga pjesët e thertores së hapur në natyrë me përzierjen e gjallë njerëzore, dukej një kolazh i ndryshkur në një përbashkim të së gjallës dhe dhe ndërzimit yshtor e të dhunshëm të njerëzve dhe therjes së freskët. Përzierjen e shpërndarë në ajër të një ere të rëndë të mishit baltës dhe marrëveshjes njerëzore si një krahasim i të pamundurës në një realitet të përbashkët fatalisht.
Kthimet në kazermë (shtëpinë ku jetonim) qenë dhe më të hareshme e plot zhurmë. Strajcat me gjënë e therur plot gjak që precipitonin të lëngshme në fundet e bezeve që mbanin gjënë. Arritëm në shtëpi dhe furrat e sobave ishin të ndezura tashmë. Gëlonin bubulak për të mirëseardhur tepsitë e para në shtëpinë e hapur ku gjallonte veçanërisht të dielave nga një kolektivitet i zhurmshëm hareje. Ndjeheshin të përziera nga dashuria e njerëzve në një standard prej lumturie të përgjakur me mishin e gjësë së blerë. Këtë ditë të fundjavës e kishim gati festë. Drekuam me dyer të hapura dhe anekënd dëgjoheshin copëra aromash mishi  dhe fragmente bisedash me zë të lartë. Atë pasdreke s’ kish mjaftueshëm burra, pasi Zefi kish zbritur në lokalin poshtë banesës dhe im atë ish nën urdhër me një shërbim rutinë të radhës në korpusin e ushtrisë, jo shumë larg qytetit. Taksirati im! Më ra mua të mbretëroja në godinën e përbashkët si i vetmi mashkull në krye të grupimit të përzier të banorëve. Thënë më çiltër shpesh ndjehesha i privilegjuar dhe i përkëdhelur si mashkulli i vetëm në krye të këtij përbashkimi unik (unë nuk isha veç se fare i vogël në vite) nga ku ndjeja ngrohtësinë e të qenit mbret në qendër të vëmendjes nga të gjithë dhe i nanurisur nga lumturia e një fati që nuk e zgjedh dot, por i nënshtrohet një fataliteti që ndillte për mua lumturi. Poshtë dëgjohej vriku i pusit në oborr dhe kujitsja e metalit që ndeshte në anët e rrotullimit të ngritjes së vlagut të mbushur me ujë.
Ditët me shkulm në mërzi në qytetin verior qenë ditët gri që zakonisht zgjasnin në një gjatësi kohe të vagullt pa asnjë shpresë ndryshimi. Gri që sundonte e bënte ngrehinën, Kazermë, dhe më të trishtuar dhe i ngjante mbretërimit të Anetës një tip i ngrirë pa kohë në heshtjen e betontë të saj! Për shkak të një fuqie të pamjaftueshme të rrymës elektrike ngrehina jonë dukej dhe më e zvetënuar dhe ritet e Kishës në kurriz e shtonin dhe më këtë zvetënim. Këto qenë ditët që më shtonin dhe më kuriozitetin për të rrëmuar në dhomat dhe hapësirat boshe në ngrehinë. Por qenë dhe ditët ku këndellesha në mendime dhe kundroja duke analizuar format që më rrethonin. Kumrijat qenë shpendët që më qëndronin pranë kohë pa kohë dhe më shoqëronin në formë të pavullnetshme në situata shpirtërore  të ndryshme. Shpesh i gjeja vezët e kulumrive në pjesët e sipërme të tavanit, por nuk i prishja si e vetmja shoqëri e mundshme e i vetmi dialog i fshehtë në kurriz të Kishës së Fretënve. Raportin me shpezët e kisha të kufizuar por i merrja si gjallesa që duhet të bënin pjesë në këtë amfiteatër që natyra e kish bashkuar si me dorë në të gjithë elementët e duhur për të ngritur një rrëfim. Më dukej sikur çdo gjë qe sheshit si në film. Pamja nga mbrapa ngrehinës qe një tjetër strukturë e çuditshme shtëpish të ulëta të gjitha me çati tjegulle dy e njëkatëshe. Shtëpitë qenë ngjitur njëra me tjetrën ndarë me disa oborre të vegjël e të azhuruar me jeshillëk të butë. Gjithaq më dukej që shumë drama familjesh qenë të konservuara brenda oborresh. Për çudi forma e ndarjes sipas besimeve të fesë. Te katolikët shtëpitë në këtë krah kishin një dritë të brendshme libertare dhe në forma të ëmbla komunikimi si një varg komunitar me histori të personalizuara njerëzore. Te myslimanët në veri perëndim qe një stil më oriental arkitekture me mure të lartë e shermashekë dhe me dyer të larta e dritare të ornamentuara e të rrepta si një trajtë dhe më e prerë e mbyllur dhe e ndarë komunikimi. Lagjet qenë të rrethuara me mure të lartë me gurë lumi dhe krijonin një azhur karakteristik të veçantë. Qyteti kishte një ndarje të çuditshme. Ndarë si me thikë. Qenë banorët që e prishnin këtë dallim të strukturës urbane, me harenë, batutat, dashuritë dhe format sekrete të marrëdhënieve në mes tyre. Ka një çudi se si mes banorëve kish një kushtetutë të pashkruar a kod marrëveshjeje, që shpjegon qartë ndasinë e mentaliteteve të besimeve të tyre. Akt që e zhbënte këtë kufi lehtësisht për arsye njerëzore e krejt rutinë. Një aftësi rrënqethëse për të zhbërë kufij dallues dhe fituar statusin e të jetuarit më thjeshtë .
Nga dhomat e Lezes u dëgjua një pështjellim i mbytur zhurmash. Vura re që gratë dolën në korridor të grupuara çuditshëm dhe filluan të flisnin me zë të ulët. Nuhata një lloj shqetësimi si kurrë më parë. Dukej sikur paralajmëronte një gjëmë. Mënyra se si kish maturi të lëvizjes ose ndjeheshin vetëm tringëllima të lehta enësh në kuzhinë. Të ecurat lehtë dhe me kujdes e shtonin dhe më tensionin që vlonte fshehtazi në shtëpinë e Zefit dhe Lezes. Provova të kaloj dy herë kundruall derës së hapur të komshinjve por asnjë sinjal apo mesazh i deshifrueshëm. Jashtë kish një zhurmëri fundore që vinte nga përjashtë shtëpisë Kazermë që  e bënte më të largët marrëveshjen e kësaj enigme. I dhashë kohë vetes duke u shmangur në dritaren e prapme të shtëpisë për të kundruar nuancat e mbrëmjes që po shkonte drejt mbylljes së ditës në vijim të një terri të butë, të sfungjertë dhe të lagësht. Vura re  që po vinte Zefi. Me xhaketën e hedhur anash krahëve me një lodhje të shtrirë në të gjithë pjesët e trupit të tij të hepuar që dukej dhe më i kërrusur. Po më tepër se lodhje mu duk si një dëshpërim i shpërndarë mbi të në një formë arketip që nuk kish nevojë më për koment. Pamja e tij i ngjante pa fjalë dëshpërimit të pastër që nuk përpiqej ta fshihte por e mbante si gjithherë të bashkangjitur me trupin pa gëzim, por dhe pa as një grimasë mërzie në një traversë të dukshme durimi pa të cilën ai nuk do kish kuptim. Dëgjova hapat që e shoqëruan zhdukjen e tij dhe një pështjellim të grave në shqetësimin që ai po vinte në shtëpi. Një tufë kumrijash qenë vendosur në murin e lartë për karshi meje dhe bashkë me muzgun silueta të tyre të unifikuara në grinë që po pushtonte fundin e kësaj dite dukeshin dhe më të gurta e gati të murosura tashmë.
E gjithë ajo natë qe një shumë hapash të njëtrajtshëm që var e vinin përgjatë Kazermës ku vetëm fëmijët dukej se flinin. Të tjerët qenë gjith sy e veshë për të marrë vesh çfarë kish ndodhur te kojshitë në krah dhe të gjithë qenë bërë njësh me pakuptimin e kësaj heshtjeje që gjëmonte më shumë se vetë heshtja. Qe një natë lënguese dhe që të gjithë në mëngjes dukeshin më të matur e të kujdesshëm në të përshëndeturit -nadja e mirë- pasi që e fshehta u qe ngjitur në sy, në veshë, në lëvizje e kudo…
Dukej si një mëngjes jo i zakontë  që kish ndryshuar për shkak të një të fshehte që si duket nuk duhej të ndahej në pjesëtarët e godinës siç çdo gëzim apo hidhërim që bëhej i dukshëm e i përbashkët menjëherë. Zefit të Lezes nuk i lëvizte as dhe një tipar në fytyrë. Përfytyrova vetëtimthi ngrirjen e gurtë të kulumrijave në muzg pa asnjë ndryshim. Që hija e një murgu i kalonte prerazi në fytyrën e murrtë të tij. Lezja e shoqja kish ngrirë, tej në fund të dhomës qëndronte Aneta me një fill trilli të kuq mbi fytyrë si rrallë herë. Albina kish dalë herët dhe Paci  vëllai tyre, si gjithnji në rrugë me një lehtësi të dukshme për t’u zhdukur e mos iu bërë barrë  asnjë vëzhgimi të mundshëm në ndërtesë.
Erdh mëngjesi! Ime Më po lante rroba në një govatë alumini të gjerë dhe ulej ngrihej në një ritual të ëmbël mosvëmendjeje me çfarë ndodhte përreth. Po rrekesha në ndezjen e sobës. Mora disa ashkla të mbledhura nga turra e druve të çarë disa ditë më parë përpara shtëpisë së madhe nga një druvar nga malësia e epërme. Im Atë mungonte ndërsa motrat qenë në azilin e fëmijëve për t’u kthyer në shtëpi në mbasdreke. Përpiqesha të rregulloja më me nxit  turrën e vogël të ashklave dhe i vura zjarrin me një copë letre, gjetur te pjesa ku mbanim drutë. Zakonisht në qytetin verior kishte një klimë të mirë e të shëndetshme, por dimri qe dimër dhe stinët qenë të konturuar dukshëm në egërsinë e tyre. Vjeshta kishte karakteristikat e saja me një klimë të paqëndrueshme por me një fill ndezës e ekzaltues në disa orë të ditës. Vendndodhja e Kazermës qe e favorshme pasi qe në qendër të qytetit dhe kishte përgjatë ditës një nerv të agravuar komunikues dhe herazi deri natën vonë nuk pushonte nga gjallimi i njerëzve. Pjesa komunikuese e Kazermës ndodhej nga pas saj dhe si faqe e brendshme dhe mjaft e rrahur nga banorët të dukej si një lëvizje të jashtëzakonshme e një fluksi të gjatë ndryshimesh dhe ndërhyrjesh si pas oreksit të banorëve dhe pikërisht për këtë arsye qe dhe mjaft kontradiktore në ndodhitë e saja në kohë. Qe tamam si rrobë e përdorur gjatë që herë humbet ngjyrën, por era dhe afshi njerëzor mbetej i ngrohtë i pandryshuar e i përveçëm. Në mënyrë të pakujdesshme pjesa e mbrapme e Kishës përkundruall i ngjante asaj dhe me një zë nonsensi të çuditshëm dhe i jepte herazi godinës proporcionin e një shtojce të shproporcionuar. Por siç do gjë që i shpëton rregullit sa vjen dhe më kalonin histori e fate njerëzish kjo shtojcë pasurohej dhe mbarte histori. Nga ato histori të anonimatit ku nuk se kish lindur as dhe një hero apo njeri me shenjë të lartë hierarkike apo ku e di un se si një gjë që e bën të rëndësishëm një shkak njerëzor. I vetmi gëzim i madh kolektiv së jashtmi qenë momentet e pjesëmarrjes masive të njerëzve në ritet javore të Kishës. Ato qenë ditë ku kazerma zvogëlohej dhe më dhe humbiste fokusin e të qenit në qendër bëhej si pjesë e anonimatit publik ku gjithë pesha fokusohej jashtë saj. Më tej Kishës nga pjesa lindore qe një pjesë kolegji i kishës i rrethuar me mure të lartë rrethorë dhe më një gjallëri të pashembullt shermashekësh dhe lule jargavani e si një oaz qetësie dhe intimiteti ku për pak humbet kuptimin e komunikimit njerëzor në një akt të lartë sublimimi tepër abstrakt. Radhët e shermashekëve harkoheshin dhe sundonin mbi grinë rrethuese në një shkëmbim emocional gati të përkryer dhe ndonjëherë e kalonte kuptimin e kësaj gjendjeje si në një botë të bërë enkas për qetësi të reja të rilindura përsëri e përsëri. Më pas shtrihej lagjia e banorëve me një arkitekturë më modeste, por në një ritëm ngulmues monologu e çatish të lidhura përbri njëra tjetrës në një dimension dhe më të ulët lartësie se më parë. Përgjatë rruginave kishte një zhvillim të sheshtë e të bëzajtur njerëzish që shpesh dukeshin se nuk donin të prishnin këtë qetësi natyrore që i rrethonte. Kjo pjesë e qytetit qe si një masiv i butë hijeje nga konturi i fortë që i ndante me pjesën e zhurmshme të qendrës së qytetit. Kjo dritëhije e butë kish plehun e duhur për të mbrujtur histori të buta e të papërfillshme njerëzore që gjithsesi e bënin të ndryshëm krejtësisht pjesën e faktorëve ku jetojnë njerëz. Kish një tjetër ton dhe muzë për të shijuar në thellësi dhe më të ndryshme e të papërsëritshme si fate njerëzore.
Soba e druve bubullinte me një zhurmë të athët drush që kërcëllinin me ngut përplasjen me njëra tjetrën me një ngrohtësi të paqtë në shtëpi. Dëgjova hapat e mamasë që kish nderur rrobat në oborr dhe erdhi të ormiste të tjera gjëra lënë përgjysmë në shtëpi. Pjesët e mindereve në shtëpi kishin një shtendosje të paqtë dhe të rrëmujshme që të afronin dhe më të uleshe në një meditim të kotë përballë zjarrit. Diçka më pyeti ime më për pjesën e natës nëse kisha fjetur mirë dhe më këshilloi të vishja një palë çorape leshi të trashë pasi dyert rrinin papushim hapur.
Poshtë shtëpisë ndjehej jehona e largët e një thirrme “dru me pre” që sa vinte dhe afrohej dhe behej dhe më e qartë. Ndërkohë këmbanat e kishës lajmëronin orën e mesditës dhe kulumrijat jepnin sinjalet e fundit të përqendrimit të tyre nën strehët e hatllave të shtëpive të ulëta. Po binte përsëri muzgu për t’ia lënë me shpejtësi vendin natës në një makth të ri. Në një të panjohur të re ende të pazbuluar në kazermën tonë të njohur tashmë.
Nata qe krejt e qetë në dukje dhe nuk pipëtinte as dhe një zhurmë e pakujdesshme. Qe çdo gjë në një sinkron të qetë e të nderë. Mbi qytet kish rënë një hënë e plotë qe e bënte dhe më të largët e metafizike mundësinë e dramës në brendinë e kazermës dhe aq e më të largët një humbëtirë të mundshme. Kisha varur kokën anash krevatit metalik në katin e sipërm të strukturës ushtarake që ai përmbante dhe përpiqesha të bëja një bashkim linear të kotë në thyerjen e peizazhit të siluetuar që më qarkonte dhe nuk arrija dot të përfshija në lëvizje të gjithë hapësirën nga jugu deri në lindje dhe më tej të treqind e gjashtëdhjetë gradëshit që të përfshinte pamja. Qe një lojë e zgjatur si për të mbushur kotësinë dhe për të kërkuar të rrekem deri në prag të gjumit që po binte si perde mëndafshi mbi qepallat e mia të rënduara.
Atë mbrëmje pashë ëndrra të çuditshme. Të gjitha ëndrrat e shkurtra rendnin si një pamundësi për të kapur fundin e çdo fanitjeje të përcaktuar që nuk arrija ta gozhdoja në tru. Gjendesha në një fushë të gjelbër në një raport mbytës nga sundimi i një masivi jeshil të lartë. Nuk e kuptoja se çfarë ishte një mur i lartë apo pengesë te rrugica e Pepajve në Gjuhadol në apo një tjetër mur këtej poshtë lagjes së myslimanëve në Rus maxhar, apo po e njëjta fanepsje te fusha te Bajalitë. Qe një miksazh vendndodhjesh të përziera në kohë. E shihja në kundërdritë këtë pengesë të lartë dhe nuk gjeja portën për në shtëpi thërrita më zë të lartë dhe mu duk se po më dilnin nga grykët pjesë parazitësh që më pengonin zërin deri në shuarje dhe më kaploi një frikë e madhe dhe po ndjehesha nga çasti në çast i braktisur në një mbytje të paemërt abstrakte pa fillim e pa fund. Akti i pamundur për të gjetur në shkretëtirën e blertë fillin e arsyes pse gjendesha po aty. Ndjeva një kafshë të tmerrshme rrëshqanore që më shtrëngonte në fyt. U zgjova qull në djersë dhe me një të hedhur të zemrës që gati po më lëvizte vendit kraharorin. Zot thash vet me vete i çliruar nga ideja e mbytjes dhe hodha një sy zjarrit që mbretëronte qetë dhe kish një pamje disi të shuar si një bishë me një rrezik të ruajtur frikshëm. Kisha dremitur pak… Dihatja me shpejtësi dhe më hidhej trupi së larti në një ritëm që nuk po e frenoja dot menjëherë. U përpoqa të rrekem prapë me ndonjë ide të kotë për të hyrë në një fazë të re të gjumit.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…