Skip to main content

Tetova News

Të kërkosh njerëzoren në çmendurinë e orgjive


Esse-analizë rreth romanit “Orgji në famullinë e at Ludovikut”, të shkrimtarit Leonard Veizi
Nga Raimonda Moisiu
“Orgji në famullinë e at Ludovikut” titullohet romani më i fundit i shkrimtarit e publicistit Leonard Veizi, dalë nga shtëpia botuese OMSCA-1, Tiranë. Është një libër i ri, bashkëkohor dhe modern, i mirëkonceptuar, frymëzues e letrar, krejtësisht intelektual, që përfshin shumë mistere të thella, metafora e ide të fshehura, të shprehura mes thrillerit e ndjeshmërisë psikologjike të realitetit e surrealitetit në jetën e përditshme. Autori Veizi me finesë dhe magjepsje intensive depërton në thellësi të Famullisë së qytetit dhe historisë së saj, hedh vështrimin te ndodhitë e të shkuarës, mite e legjenda, që vazhdojnë ende të trazojnë të tashmen. Rrëfenjat për Famullinë dhe raportet e krijuara mes personazheve, konfliktet dhe tensionet e tyre brenda e jashtë saj dhe që lidhen me to, e autorizojnë autorin të kërkojë risitë dhe hapësira të reja në kufijtë e së zakonshmes e të pazakonshmes, me të cilat autori Veizi ka krijuar boshtin themelor simbolik letrar-artistik të romanit. Kjo është mëse karakteristike, e thjeshtë dhe strukturë narrative e detajuar, me një stil për t’u admiruar në nivel artistik, psikik dhe filozofik, në kufijtë e hyjnores e njerëzores. Autori ndan personazhet e rrëfenjës dhe imazhet në dy botë kontradiktore; ajo e dritës dhe errësirës, engjëjt e djajtë. Pothuajse çdo detaj në roman pasqyron historinë, një botë apo tjetër të përshkruara me kalvarin e vuajtjeve dhe sakrificave, dëshmi mes vdekjes e jetës, mes dobësisë e forcës, mes dhimbjes e ndjeshmërisë, dashurisë e tragjikes, ide të shkëlqyera këto, që simbolizojnë dualitetin rrëfyes të mëkateve, orgjive dhe krimeve, së bashku me botën e engjëjve, histori magjepsëse konspiracioni, bindëse, inteligjente dhe prekëse në dukje më të mëdha dhe më të fuqishme, që kërkojnë njerëzoren në çmendurinë e tyre dhe japin një goditje jashtëzakonisht të fuqishme emocionale në zemrën e lexuesit. Rrëfimin e mëkateve dhe orgjive nën optikën e dritës së qiririt që ndriçon dhomëzën e at Ludovikut, nga errësira e jashtme, por që afron distancat e tyre dhe i bën mëkatarët, njerëzit e thjeshtë, të çlirojnë shpirtin prej tyre dhe të besojnë se e nesërmja do të jetë më ndryshe. Në jetë ka vështirësi, lumturi, diskriminim, lindje e vdekje. Përvojat e saj janë të zeza e të bardha, ngushëlluese e të tmerrshme, të egra e të mëshirshme, kurajoze e të frikësuara, me të metat dhe defektet e psikologjikes, njerëzores. Adhurojnë e urrejnë nga naiviteti dhe pafajësia e ekzaltimit moral të shoqërisë. Këto janë të gjitha gjërat që ne fatkeqësisht nuk mund t’i shmangim, sepse janë thjesht pjesë të jetës. Rrëfimi na tregon situata realiste, që përfshijnë ndodhi të ndryshme të jetës dhe dualitetin e imazhit modern dhe degradimin e vlerave morale. Personazhe, që mund ta kalojnë tërë jetën pa e kuptuar se çfarë ata kërkojnë në jetë. Ata janë vetë-tolerues e të vetë-mashtruar nga të dyja anët e natyrës me shpresat dhe fatet njerëzore individuale. Policët dhe kriminelët, të pasurit e të varfrit, të fuqishëm e të pafuqishëm, të gjitha, të përcaktuara në një mënyrë apo tjetër nga roli i tyre në shoqëri dhe krizave të ndryshme, që ndeshen brenda e jashtë komunitetit ku jetojnë. Me ashpërsinë e butësinë e të vërtetës, e grotesken e kohës së pakohë, që të gjithë janë viktima dhe që të gjithë janë fajtorë për këtë realitet të hirtë. Ndonjëherë, po ata ngrihen mbi të, edhe pse asnjëherë nuk është kaq e thjeshtë. Impulset e tyre negative mund të jenë të pavetëdijshme, ndërsa impulset e tyre pozitive mund të jenë të rrezikshme, dhe kush e di se çfarë tjetër mund të jenë duke menduar, personazhe të zakonshëm e të thjeshtë, jetët e të cilëve bëhen të ngatërruara, në një mënyrë apo tjetër me botën e tyre grishëse, që autori Veizi është ndalur, për të na i rrëfyer me mjeshtëri artistike e intuitë filozofike, mes modernes e postmodernes, në kohë e hapësirë. Romani “Orgji në famullinë e at Ludovikut” presupozon që shumica e njerëzve, mendojnë e paragjykojnë stereotipet, për të kuptuar strukturën sociale të shoqërisë, kush janë personazhet dhe se si ata veprojnë, prej nga ku rrjedhin edhe pasojat e ndjenjave të tyre të lënduara apo të paragjykuara. Sipas mendimit tim, komponenti më i fuqishëm i këtij romani është forca narrative dhe mënyra në të cilën autori Veizi jep dualitetin simbolik të ndërthurjes së personalitetit dhe mentalitetit, injorancës e inteligjencës së personazheve dhe manifestime të të njëjtit personalitet. Mes 47 fragmenteve që përfshihen në këtë libër, famullia dhe at Ludoviku janë përfaqësues të hyjnores e njerëzores, janë protagonistët që falin qetësi e ngushëllim shpirtëror pa dallim moshe dhe shtresave të ndryshme sociale. Temat dhe idetë e lakmisë, laicitetit, kapitalizmi, urrejtja dhe hakmarrja, dashuria dhe dhimbja janë sigurisht të pranishme në këtë roman. Ato theksojnë paaftësinë e arsyes për të luftuar pushtetin e mërzisë, vështirësive, fatkeqësisë dhe dëshpërimit, ngjarjet me plot të papritura dhe personazhet që i shkaktojnë ato, por që nënkuptojnë eksplorimin e gjerë, që në titullin e veprës së Veizit. Janë në antitezë me madhështinë e orgjive e dashurisë së vërtetë, të moralit shpirtëror e vlerave njerëzore. Ngjarjet zhvillohen në një qytet të vogël të largët dhe romani fillon me një skenë krimi: “Famullia, i vetmi objekt kulti në qytet, ishte shkrumbuar nga flakët e një zjarri masiv. Aty-këtu kishte vatra që ende nuk ishin shuar. Policia kishte arritur ta rrethonte vendin me shirita të verdhë, ndërsa dy ekspertë me kostume të zeza u silleshin rrotull mureve të nxira nga tymi, për të mbledhur ato pak fakte, që kishin mundur të shpëtonin…”(fr.nga f.7.) Autori Veizi, që në hyrje me mjeshtëri artistike e filozofike demonstron fuqinë e dy botëve të kundërta – të dritës ende të pashuar të vatrave të zjarrit dhe ato gradualisht fitojnë rezonanca të tjera simbolike ndaj (errësirës) – kostumeve të zeza dhe mureve të nxira nga tymi, të cilat gjithashtu paraqesin jetën e vdekjen dhe nënkuptojnë shpresat e kota të një jete, sugjerojnë homologët e jashtëzakonshëm – qiellin dhe ferrin e tyre: “Duket sikur është bërë luftë”-iu drejtua ai (Edi) policit Eno, fjalë që tingëlluan më shumë se një psherëtimë”(fr.f.9) – në kontrast me vizionin e tmerrshëm të tragjedisë: “Aksident tragjik, të cilin ia kishin përcjellë me gjysma fjalish, ishte më tepër se aq, ndoshta,…nuk ishte aksident…”(fr.f.6), -mbledhjes së fakteve dhe sublimen e asgjëje të përjetshme, që e bindin autorin për një shpjegim më racional. Këto nuk do të mjaftojnë për të shtjelluar ngjarjen, por autori Veizi mjeshtërisht do të përshtatë faktet e jashtme në vazhdim dhe përforcon natyrën në thelb simbolik të rrëfenjës, do të pajisë ngjarjen me rëndësi të mbinatyrshme. Situata narrative e romanit karakterizon në mënyrë të përsëritur dhe të qartë, kontrastin mes hyjnores e njerëzores, qiellor e engjëllor me terma demonike të pranueshme dhe në mënyrë rigoroze. Duke lexuar romanin, rezultati është një magjepsje intensive për të njohur personazhet, cilët janë dhe cila është jeta e tyre, nuk kemi idenë se si do të sillen ata, për shkak se kjo varet nga ngjarjet që do të precipitojnë në vepër. Shumica e ngjarjeve nxjerrin ritualet, autori njeh formën e përmbajtjen e tyre dhe hedh sytë nga variacionet, nga vullneti i lirë i personazheve dhe çdo gjë mund të ndodhë. Autori Veizi është përpjekur ta paraqesë rrëfimin e tij në disa etapa dhe në të njëjtën kohë ai operon në disa linja, duke krijuar kështu lidhjen e fortë mes personazheve kryesorë dhe anësorë. Në këtë esse-në time do të mundohem të paraqes këndvështrimin tim rreth personazheve kryesorë dhe nëpërmjet tyre mesazhin themelor që ka dashur të përcjellë autori Veizi.
Dyzim personazhesh për zbardhje karakteresh…
Shkrimtari Leonard Veizi përfshin disa breza personazhesh duke na dhënë qasjet dualiste imagjinare dhe reale. Kemi personazhe që kanë rolin kyç dhe kemi personazhe që kanë role mënjanës, me përshkrimin e gjallë të bukurisë dhe brutalitetit, ironisë e sarkazmës, harmonisë dhe horrorit, tjetërsimit e zhgënjimit, frikës e paqartësisë, dashurisë dhe dhimbjes, mëkateve dhe orgjive, pesimizmit e fajit, dëshpërimit e paranojës, krimit e ndëshkimit – qasje të kundërta këto, por që sintetizojnë efektin dhe ekspresivitetin e fuqishëm të reagimeve emocionale në jetën individuale dhe karakterin e gjithsecilit. Personazhe të pavarura, por që autori Veizi mjeshtër i përdorimit të elementit artistik, narrativ dhe elementit filozofik, u jep idenë e plotësimit me njëri-tjetrin, duke e bërë kauzë të përbashkët dyzimin e personazheve, dyzimin e momenteve fillestare, me momentet që pasojnë në rrëfim, dyzimin e masakrës së masonëve të mbetur legjendë, me masakrën e tragjedisë aktuale në Famullinë e qytetit, pleksje moderne kjo e të kaluarës me të tashmen – me qëllimin e vetëm diskret të autorit – për zbardhjen e karaktereve të tyre.
Personazhet, Edi, Inspektori i policisë dhe Oficeri i krimeve të fshehta janë karaktere komplekse dhe për arsye jo tërësisht të qarta, njërin e emërton me emrin EDI, ndërsa tjetri nuk ka emër, gjetje artistike e filozofike kjo e autorit, që simbolizon jo vetëm rivalitetin mes dy kolegëve, absurditetin e pikës ekzistenciale e njerëzore, por edhe jobesueshmërinë ndaj njëri-tjetrit. “Inspektor Edi po e shihte me dyshim. Megjithatë e mori revistën në duar. -E ke fare të thjeshtë, – foli – mënjanës. – Nëse nuk ke fakte, propozo të arkivohet çështja. Kjo ishte fare e papritur për inspektor Edin. Ai mund të priste çdo sugjerim nga oficeri i shërbimit të fshehtë, por jo propozimin për mbylljen e dosjes. Ky do të ishte dështim i plotë. Dhe ai (Edi) nuk e kishte njohur dështimin deri atëherë. -Je në vete?! – u hodh përpjetë si ta kishin pickuar. – Janë shtatë viktima, kam trysni të llahtarshme për ta zgjidhur çështjen, dhe ti më thua ta arkivoj!” Për të dy, si për inspektorin Edi dhe për oficerin e krimeve të fshehta, është një prani e padëshirueshme, por secili prej tyre kanë shumë nevojë për njëri-tjetrin, për të kuptuar se çfarë shkon mirë apo keq, si palë përgjegjëse për të investiguar më shumë rreth zbulimit të shkaqeve të asaj tragjedie me shumë mistere, – ishte aksidentale apo krim dhe ndëshkim?! Inspektori Edi përpiqet për të parë më thellë në njerëzoren e dosjes e të krimit. Krenaria në aftësitë e tij zbuluese e çon atë të urrejë hipokrizinë e nënvetëdijes të oficerit të shërbimit të fshehtë dhe paaftësisë të atmosferës kolektive (personazhe anësorë si Nora policja dhe kapiteni) që janë përfshirë në mbledhjen e fakteve dhe zgjidhjen e shkaqeve të vërteta të krimit, të cilët inspektor Edi, (polici Eno) nuk mundin t’i ndalojnë në gjetjen e shkaqeve, aq më tepër kur oficeri i shërbimit të fshehtë e shikon dosjen si asgjë me vlerë! Ndjenjë kjo e besimit tmerrësisht të vetmuar. Para së gjithash, gjurmët e krimit i kanë çuar të dy ata në Famullinë e At Ludovikut, krim e ndëshkim bazuar në marrëveshje misterioze e të fuqishme njerëzore, dhe si detektivë bëjnë më të mirën, për të qëndruar në anën e djathtë të ligjit, që nuk e ndryshon dot faktin, se ata duhet të merren me njëri -tjetrin dhe me taktikat e tyre hetimore, për të arritur objektivin bazë – zgjidhjen e misterit. Në fund të fundit, të dy janë detektivë dhe kjo është ajo që bëjnë detektivët. Dy personazhe të mirëvendosur e të parashikueshëm në lëvizjet dhe veprimet e tyre, pavarësisht nga preferencat e partnerëve përkatës, por që autori Veizi ka ditur të krijojë partneritetin e shëndoshë dhe emocional të inspektorit Edit dhe Oficerit të krimeve dhe të zbardhë mjeshtërisht karakteret e personalitetin e tyre.
Eva është një personazh i rëndësishëm në roman. Relativisht e re në moshë dhe tërheqëse, e divorcuar nga një martesë e pakënaqur, dhe pas divorcit, Eva e sjellshme në dukje dhe e komunikueshme në heshtje, jetonte ferrin në një skllavëri shumëfishe me vështrimet e përvjedhura mashkullore dhe marrëdhënieve seksuale disa vjeçare me “hije” dhe anonimë në jetën e saj, perspektiva të pashpresa këto, të cilat jo vetëm kurrë nuk u morën vesh, por edhe për ironi të fatit, Eva do të lindte një fëmijë të jashtëligjshëm, djalin e “vëllanë” e saj – Vikin, i cili fillimisht e dinte që e kishte “motër”. Vonë në shtratin e agonisë, ajo i tregoi sekretin e atij misteri. Një nga komponentët më të fuqishëm të këtij romani, është dualiteti simbolik i këtyre dy personazheve të ndërthurura mjeshtërisht në kohë e hapësirë. Eva vdiq me ndjenjën e dilemës se kush ishte ati i vërtetë i fëmijës së saj, por edhe me ndjenjën se At Ludoviku ishte babai i Vikit, si rezultat i një orgjie në agoninë e dyzuar njerëzore dhe epshndjellëse, që flakëronin nga sytë e saj e të at Ludovikut, në dhomëzën e rrëfimit nën dritën e qirinjve. “Ajo i ishte afruar më shumë nga sa duhej. Gjithçka e saj ishte fare pranë. Mjaftonte që të zgjaste pak dorën dhe… – Më kurorëzo atëherë, – i kishte thënë ajo dhe frymën e saj të ngrohtë e kishte ndier në fytyrë. – Pse të mos vij në shtrat me ty më parë? Eva po e shihte me ca sy joshës. Gjoksi i ngrihej dhe ulej thekshëm nga frymëmarrja. Kurse at Ludoviku ishte turbulluar i tëri.(fr.f.225).” Në atë çast ai nuk ishte më prift, por një mashkull që po tërbohej pas erës së femrës. Ajo po i afrohej atë çast, ishte një mrekulli e pakrahasueshme. Frat Ludoviku nuk e kishte kuptuar se si ishte gjendur midis shalëve të saj. Nuk e kishte kuptuar, se çfarë kishte ngjarë mes tyre në ato çaste të ethshme, nuk e kishte kuptuar, se kush e shtynte të bënte atë veprim krejt të papërgjegjshëm, veçse kishte ndier orgazmën të rrëshqiste ethshëm dhe ai në vend që të ç’tensionohej, ishte tensionuar më tepër.”(f.226)
Padyshim ky monolog provon vlerën e tij në kontekstin seksual, ankthit pëshpëritës dhe mëkatit mbi shpinë të mashkullit, që dominohet nga besimi te perëndia; “-Oh Zot, kjo ishte…..Pse Eva-t janë mëkataret e pandreqshme të kësaj bote?!(f.226),- por edhe nga zgjedhjet dhe vendimet morale të dashurisë njerëzore. Shumica e qenieve njerëzore duket se kanë aftësinë për të gjetur gëzim e kënaqësi jo vetëm nga gjërat e thjeshta, por edhe nga zgjedhjet dhe forca shpirtërore e tyre. Qasje të ndryshme këto, për jetën dhe zgjedhjet që bën gjatë saj, në bazë të pikëpamjeve të tyre morale dhe etike.
Ka një ndryshim thelbësor, se si këta dy personazhe, e shohin botën dhe njerëzit që i rrethojnë. Bota për ta është e ashpër, zbrazëti dhe krizë vlerash, e pamëshirshme.
Autori Veizi mjeshtërisht hyn në thellësi të marrëdhënieve të tensionuara në heshtje të Evës, Vikit dhe at Ludovikut me ambientin familjar dhe njerëzit përreth. Autori menaxhon mrekullisht forcën rrëfyese dhe krijon lidhjen e fortë mes këtyre personazheve. Viki beson thellësisht në fuqinë e misterit se kush është babai i tij, mënyra se si autori e prezanton atë, ato që Viki thotë, premton e bën. Ai nuk e sheh veten, ashtu sikundër të tjerët e shohin atë. Atij i duket sikur ata nuk e shohin drejt, qoftë edhe në situata delikate të jetës së tij, por edhe në ato të gabuarat. Përfundimisht, ai është verbuar nga misteri dhe mënyra si të bëjë para për të jetuar. Ai zgjedh fitimin personal mbi vlerat personale dhe të afërmeve të tij. Nuk është e rastit që Viki ka mentalitetin sundues të korruptimit shpirtëror dhe përfitimit material, nëpërmjet grabitjes, drogës, skllavërisë seksuale, precedentëve penalë e plot vese të tjera, për realitetet e jetës së përditshme. Shpesh, në pamje të parë, ato i duken deklarative, mes hipokrizisë e trysnisë së jetës e mbijetesës, metaforë kjo se krimet e shkeljet janë për njerëzit. Nga ana tjetër, ai kërkon atin e tij, dashurinë e nënës së tij, për të korrigjuar gabimet që “këta prindër të hershëm” kanë shkaktuar ndaj tij. Kështu që dashuria e tij për ta, përmban në vetvete një kontradiktë; përpjekja për t’u kthyer në të kaluarën dhe në përpjekje për ta ndrequr të kaluarën. Jeta e tij tashmë është shkatërruar dhe ai tashmë është aty në Famulli, dëshmitar i asaj orgjie, ngjizjes së deklaruar tashmë triumfalisht.
“Njëzet vjet më parë mamaja ime më ngjizi këtu, në këtë shtëpi të zotit. Dhe me kë do të thoni ju? Jeni kureshtarë ta dini….? Me priftin e kësaj famullie? -Domethënë na qenke djalë prifti!-kishte thënë njëra nga vajzat… -Po, – kishte thënë Viki, – jam djali i priftit dhe për njëzet vjet me radhë nuk e kam ditur. Nëna ma mbante të fshehtë. Jo më larg se dje e mori vesh edhe ai vetë; sot e morët vesh ju, por nesër do ta marrë vesh i gjithë qyteti.”(f.238). Viki beson thellësisht në fuqinë e fjalëve të tij, se at Ludoviku është edhe prift edhe baba. Arroganca e tij në të folur me humor indikativ nënkupton jo vetëm rrugën e mundimshme të tij, por pothuajse “nxjerr në dritë” dëshirat e tij mbi të tjerët. Deklaratat e Vikit janë ironike, dëshmi monumentale të arrogancës së jetës dhe Viki përfundimisht pajtohet me tezën e tij radikale, se nuk ka kthim mbrapa, por ajo mbart në vetvete të pavdekshmen e njerëzoren. Sepse, me kalimin e kohës, ai ndjente më pak keqardhje, për atë që kishte bërë dhe atë çfarë po bënte aty në famulli, si hakmarrje kjo ndaj së kaluarës. Tek emri i at Ludovikut merr kuptim edhe titulli i romanit. Ai jeton në atë mënyrë që tregon respekt dhe dinjitet për të gjitha shtresat e shoqërisë dhe banorët e qytezës. Ai di shumë gjëra e sekrete për shumicën e tyre dhe muret e dhomëzës së rrëfimit mbartin mëkatet e gjithsecilit dhe të at Ludovikut.
“Veçse ishte i lodhur. Mbante mbi vete gjithçka të atij qyteti. Brengën e tij. Ai dukej vërtet i qetë dhe u buzëqeshte qytetarëve, kur rastiste të dilte ndonjë shëtitje të shkurtër nëpër qytet. Ishin po ata që kishin rrëfyer te ai mëkatet e tyre. Të pabesueshmet… ‘Mjaft më! Njerëz të pacipë! Ky vend qelbet erë. Ju të gjithë jeni kurvat e qytetit’.Por nuk mund ta bënte këtë. Ndaj, veç buzëqeshte dhe lutej nën zë”.(f.198-199).
At Ludoviku i ndjek në luftën e jetës dhe lutet për të mbijetuar. I mëshiron, i fal dhe i qetëson në mënyra të ndryshme, pa i treguar askujt. Titulli i plotë “Orgji në Famullinë e at Ludovikut” në kuptimin fjalë për fjalë, nënkupton mëkatin njerëzor të orgjive, që do të thotë, se do të ketë dashuri dhe dhimbje. Kuptimi i dytë është se këto ndodhin në shtëpinë e Zotit mes hyjnores e njerëzores dhe kuptimi i tretë më i rëndësishëm është analogjia e legjendës që flitet e tregohet -orgjia madhështore e masonëve, ku burra të fortë e hamshorë pinin, deheshin e shkonin me gra të bukura, me absurditetin e orgjisë të Vikit, shokëve dhe mikeshave të tyre, nën hundën dhe vëzhgimin e at Ludovikut. Ndërgjegjja e at Ludovikut nis me dilemën filozofike, për shkak të statusit të tij religjioz dhe social-politik, ekonomik, të dramave njerëzore e të realitetit të jetës, në të cilën ai duhet të pyesë besimin dhe moralin e tij. Ai ka besim tek Zoti. Pasi kupton se si do të vazhdojë ta jetojë jetën e paskëtaj nate orgjish, gjendja e tij bëhet një shembull i relativizmit moral, nëse nuk ka të vërteta universale morale. Kthimi mbrapa paraqet dy të kundërtat filozofike e morale, përmasat tragjike që at Ludoviku detyrohet të marrë përgjegjësitë vetë: Djegien e Famullisë! Por më e rëndësishmja është se sa më shumë rrëshqisni nëpër faqet e romanit, ju bën me të vërtetë të mendoni dhe ngrini disa pyetje hipotetike. Ju do të kuptoni se si personazhet përpiqen për të gjetur përgjigjet dhe të pajtohen me to. Çfarë do të bëjnë at Ludoviku, Eva, Viki, Inspektor Edi, Oficeri i krimeve të fshehta, masakra e masonëve me masakrën aktuale, at Engjëlli, gjyshi dhe gjyshja, Nora, polici Eno, Venera, piktori, historiani, arkeologu, e disa personazhe në hije? Sa larg do të shkojnë për të mbrojtur të vërtetën, dashurinë, enigmën, dhimbjen, misterin e reputacionit të tyre në kërkim të njerëzores dhe në çmendurinë e orgjive? Sa egoistë do të jenë? Mendimi i Inspektor Edit që i ofron gazetares Venera për të shkruar një roman, a është ky ngushëllimi i tyre me vlerë më shumë se jeta e njerëzve? Fundi i romanit është e fshehta shumë më e mprehtë, duhet ta lexoni dhe të mësoni “enigmën” që posaçërisht shkaktoi këtë tragjedi, këtë masakër. A është kjo e mjaftueshme për t’i dhënë kuptim njerëzores në çmendurinë e orgjive? Secili nga personazhet dhe ne lexuesit jemi të lindur nga dashuria. Po ashtu, gjithkush ka nevojë për marrëveshjen e madhe të dashurisë njerëzore, për të na bindur se ia vlen të jetosh dhe jeta është e bukur. Pasi kemi marrë e dhënë dashuri, kjo zakonisht zgjat jetën. Por universi, bota reale dhe shoqëria është një vend mjaft i ftohtë me mure socialë, politikë dhe historikë të hirtë. Ajo ç’ka ne duhet të investojmë, janë ndjenjat tona për ta ngrohur e qartësuar atë. Shkrimtari dhe publicisti Leonard Veizi i ka kushtuar një vëmendje jashtëzakonisht të admirueshme strukturës narrative. Dialogu i personazheve është i mrekullueshëm e i mprehtë. Struktura gramatikore, zhargoni gjuhësor, koha e foljeve dhe drejtshkrimi i fjalëve, tregojnë se autori ka njohuri të shkëlqyera e profesionale të gjuhës shqipe, që e bëjnë romanin shumë interesant, me ide dhe mendime të thella e të detajuara, rreth konfliktit shpirtëror, artistik e filozofik, dhe jo vetëm kaq – mesazhi i tyre është mjaft prekës.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…