Skip to main content

Tetova News

Ti nuk je më vdekja ime e bukur..


Poezi nga Sali Bashota




NËSE BËHEM ENGJËLL 

Sa herë vajtojnë zogjtë
Pikëllimin tim
Unë bëhem engjëll i bardhë

Në dhomë
Vdes vetëm një lule

Sa herë lotojnë vashat
Mbi trupin tim
Unë bëhem engjëll i sëmurë


Në dhomë
Vdes vetëm një lule

Sa herë e djegin vetminë
Në zjarrin e mëkateve
Unë bëhem engjëll i zi

Në dhomë
Vdes vetëm një lule

DASHURI E ÇMENDUR 


Ti je qyqe
Se asnjë mëkat
Nuk e lau shiu

Ti je qyqe
Se asnjë magji
Nuk e hëngri nata

Ti je qyqe
Se asnjë dashuri
Nuk e thau fjala

LETRA E BARDHË 


Asnjë fjalë
Nuk do ta shkruaj
Syri yt është hije pa dritë


Asnjë dashuri
Nuk shpëton nga vdekja
Loti yt është zjarr pa dhembje

Asnjë ikje
Nuk mbytet në lumin e mëkateve
Floku yt është vetmi pa trajtë

Si ta shkruaj
Një letër për ty

DUKE HARRUAR VETVETEN 


E kam harruar vetveten
Në rrugën e ferrit
Derisa hëna e zezë
Lotonte mbi Prishtinë

( 31 mars 1999)

POEZI E DJEGUR 


Kjo poezi nuk do të shkruhej
Me imazhin e lavdisë së rreme
Kur në burgun e ftohtë të ëndrrave
Fantazmat parandjenin krimin

Sikur më 2 gusht 1998

Kjo poezi nuk do të shkruhej
Me gjëmën e stinës së zezë
Kur në bibliotekën e djegur
Jetëshkrimin e hanin të vdekurit

Sikur më 2 gusht 1998

Kjo poezi nuk do të shkruhej
Kujtimi i vendlindjes hi dhe shpuzë
Në ditën e dytë të mallkimit
Gjithmonë vallëzon nëpër kujtesë

Sikur më 2 gusht 1998

Kjo poezi nuk do të shkruhej
Në seancën e ritualit të zverdhur
Nëse frymëzimi vyshket e vashat vajtojnë
Kur dashuria shndërrohet në shpendkeqe
Sikur më 2 gusht 1998

HAPËSIRË 


Nëse digjen fluturat në hapësirën e zezë
Ti nuk je më lule e plaguar

Kur zhvarroset vjeshta në sheshin e mëkateve
Ti nuk je më gjeth i verdhë
Nëse thahet loti në fytyrën e vrarë
Ti nuk je më imazh i dritës
Kur e vrasin frymëzimin në fushëlojë
Ti nuk je më askeza tjetër
Nëse i ringjallin dorëshkrimet e shpirtit
Ti nuk je më gjarpër i shtëpisë

Kur e mallkojnë ditën e trishtimit
Ti nuk je më vdekja ime e bukur

TRAJTAT E PIKËLLIMIT 


Cila lule është e zezë
Kur vdes në kopsht
Cila ëndërr është e bardhë
Kur vdes në shtrat
Cila dashuri është e zjarrtë
Kur vdes në pritje
Cila vetmi është e harruar
Kur vdes pa puthje

Tjetër është dhembja ime

PERËNDIM DIELLI
NË VJESHTË
 


Vetmia klith
Në trotuaret e shkreta
Flokët e vashës
Thahen në dritare

E DIELA E VETMISË 


Mos i zgjoni zogjtë e pikëllimit
Në ditën e shenjtë të pagëzimit
Se vetmia është parajsë e vërtetë

Të gjitha gjethet vyshken
Kur zjarr i ndëshkimit i ndez mëkatet
Se vetmia është parajsë e vërtetë

Vetëm të dielën tjetër
Fëmijët i grisin ëndrrat
Se vetmia është parajsë e vërtetë

Mos i zgjoni zogjtë e pikëllimit
Kur vdes bukuri e nëmur
Se vetmia është parajsë e vërtetë

PËRMASAT E KOHËS 


Në mëngjes

Gjethet vajtojnë pikëllimin e dashurisë
Kush tha se kujtimet vdesin
Në ditën e nëntë të mallkimit
Në mesditë

Blirët zbardhen me kartëmortale
Vetëm ditë e zisë
Mbyllen në arkivol

Në mbrëmje

Lakuriqët shëtisin nëpër dhomë
Ende gjallë mbetet
Fjalë e shenjtë e mikut

Kur flenë shpirtrat

Prapë ëndrrat vallëzojnë
Në katundin e djegur
Dhe fytyra plaket nga mërzia

BALADË PËR DORËSHKRIMIN E DJEGUR 


Barbaërt nuk vijnë më
Duke tërhequr zvarrë atdheun
Këlthet dorëshrkim i djegur
Në ditën e shtatë të ringjalljes

Te Sheshi i Republikës së Letrave
Vetëm gjaku i gjuhës ende kullon

Mbi testamentin e ndryshkur të fjalës
Si këmishë e trëndafilit lagej shpirti i humbur

Pastaj vjen stina e buzëqeshjes së vrarë
Nëpër ëndërrat e nëntokës

Me zjarrin e trishtimit të përktyer
Dheu Uji Fryma ia shpërlajnë mëkatin

Duke mballçitur Pikën e Zezë të ndëshkimit
Vdekja ulërin bashk me dhembjen në arkivol

Derisa hiri i bardhë i vargjeve bëhet lili e nëmur
Barbarët më nuk vijnë

Atdheun zvarrë duke e tërhequr
Duke është ajo vetmi e plaku

Që i ndezë qirinjtë mbi vashat e pikëlluara
Tek maten me hijen e parë të mëngjezit

Fjalët i mbulon kobi diademë e përndritur
Në botën e përtejvarrit para përbuzjes së ëndrrave

Jam i ferri tha poeti i mallkuar
Një qyqe e vetme kukatë pastaj

Kur theren emrat në Ditën Gjykimit
Mbuluar me pëlhurën e bardhë të guximit të vjetër

Derisa Lebetitë në gjak i lanin dorëshkrimet
Një ditë melankolike kur bëhet ndarja me shpirtin

Për të kërkuar vdekjen më të bukur
Barbarët nuk vijnë më
Atdheun zvarrë duke e tërhequr


QIELLI, UJI, TOKA 


Stinët e dashurisë vdesin
Pa ma vrarë shpirtin

Vetëm Drita qan në dritare

apo

Në dhomë fikni dritat
Ndizni shpirtrat në parajsë
Vetmia fle

apo

Tash
Dheu i përpinë lulet e bardha
Kur vdes kujtimi për Ty

(Nga dorëshkrimi im i djegur)


IKJA NGA VENDLINDJA 


Edhe kjo shtëpi e djegur
Po ma ha shpirtin

Edhe kjo grua e huaj
Po ma ha shpirtin

Edhe kjo tokë e shkretë
Po ma ha shpirtin

Edhe kjo vjershë e mallkuar
Po ma ha shpirtin

Edhe kjo bukuri e nëmur
Po ma ha shpirtin


FORMA TJETËR
E VDEKJES
 


Në Prishtinë nuk vdiset
Në orën shtatë të mbrëmjes
Të gjitha gjallesat çmenden
Nga vaji i zogjve

Prapë zjarri ndizet
Prapë dhembja këlthet
Vetëm të dehurit këndojnë
Duke dëgjuar pikëllimin

Në Prishtinë nuk vdiset
Kur ulurijnë qentë
Bishat nuk i zë gjumi
Kur secili shpirt varet
Në gozhdën e vet
(30 mars 1999)

TESTAMENT I BUKUR 


Kur i ndez kujtimet
Zgjoje vetminë
Fryma ime je Ti

Kur e plagos jetën
Mbyte heshtjen
Varri im je Ti

Kur e vret ëndërrën
Shëroje frikën
Ringjallja ime je Ti

PASTAJ VJEN TRISHTIMI 


Derisa zjarri i shpirtit
Bëhet ditëvdekje e dashurisë
Fjala pren kobin e vet
Në një ferr tjetër

Pastaj vjen trishtimi

Derisa vajtimet mbraojnë
Përbrenda kujtesës së zezë
Në ëndërr fle gjarpri
Duke thithur vetminë

Pastaj vjen trishtimi

Derisa emrat harrohen
Në stinën e vyshkur nga mëkatet

Qyqja mallkon zërin e vet
Në vendlindjen e vrarë nga rrufeja

Pastaj vjen trishtimi

Derisa fajlët gjëmojnë
Me frymën e fshehur në gji

Plaga shëron pikëllimin e vet
Kur urrejtja lirohet nga robëria

Pastaj vjen trishtimi


FYTYRA TJETËR 


Tash e shoh fytyrën e saj
Në qiejt e mbushur lot

Dikur më vonë
Zgjohen e bien
Kujtimet e vyshkura të fëmijërisë

Tash e shoh fytyrën e saj
Si dritën magjike

Muza ime
Pse gjithmonë po loton

SOLEMNITETI
I VAJTIMIT
 


Qyqet vajtojnë
Në Drurin e Jetës
Vetmia ha trupin e vet

Lulet thahen
Në dritaren e mbyllur
Pikëllimi çmendet nga pabesia

Dashuria loton
Në stinën e vrarë
Zogjtë zgjohen nga trishtimi


LULJA E ZEZË 


1.
Lulja e Zezë
Gjithmonë vdes
Në kryqin e vet

2.
Zogu i ëndërrës
Tmerrësisht klith
Në ferrin e shkretë

3.
Hija e bardhë
Prapë ringjallet
Në pasqyrën me lot

4.
Trishtimi i vërtetë
Tash çmendet
Kur këlthasin kot

5.
Ku është vetmia
Thotë ar(t)miku
Lulet digjen në zjarr

6.
Stina e ha mëkatin e vet
Në errësirë
Dhembja mplaket në varr

7.
Vetëm dashuria
Fle qetë
Në ditë e zisë

8.
Zgjohen kujtimet e lumtura
Çuditërisht plagosen
Nga rrufe e vetmisë

9.
Fytyra humb shkëlqimin
Dhe zjarrin e shpirtit
Mbushur me plot mërzi

10.
Të gjitha fjalët çmenden
Duke vajtuar
Në atdheun e zi

11.
Na ndjek mallkimi
Nga Stuhi e vrarë
Në tokën e premtuar

12.
Sa lule të zeza
Vdesin bashkë me legjenda
Si ky shpirt i vetmuar




Sali Bashota: Poezia e identitetit shqiptar

Dr. Yvonne-Denise Kochli

Sali Bashota konsiderohet njëri ndër poetët më të suksesshëm të Kosovës, i cili është përkthyer në shumë gjuhë botërore. Idetë dhe motivet e poezisë së këtij autori ndërlidhen kryesisht me Kosovën, me jetën e shqiptarëve, fatin e kombit, të ardhmen e tij në Evropën e qyte-tëruar. Në këtë libër me poezi, tema e luftës zë një vend të konsideruar në poezinë e këtij poeti, i cili në një mënyrë e ka poetizuar fatin e tij dhe të popullit shqiptar të Kosovës përmes temave, motiveve dhe figurave të bukura poetike. Ky përjetim i ngjarjeve apo drama e tij shpirtërore është paraqitur me mjeshtëri artistike, sidomos me trajtimin e periudhës së viteve të fundit të shekullit XX, kur vendi i tij përballej me luftën. Prandaj, poezia e këtij poeti në një mënyrë është poezi e mbijetesës së njeriut dhe aspiratës për liri njerëzore dhe kombëtare. Libri "Bukuri e nëmur" i sajon kujtimet për gjërat e humbura, por të dashura dhe të paharrueshme. Shtëpia e djegur e poetit në vendlindje bashkë me hirin e bibliotekës, librat, dorëshkrimet, fotografitë, të gjitha të djegura, ringjallen në penën e poetit dhe bëhen "tregime historike" për brezat e sotëm. Sali Bashota është poet që e ndien shpirtërisht frymëmarrjen e popullit të tij, edhe kur shkruan për krenarinë kombëtare, por edhe kur shkruan për dhembjen, vuajtjen, pikëllimin, apo kur i shkruan ato balada të bukura për dorëshkrimet e djegura. Poetët e çdo kombi synojnë t'i paraqesin vlerat e tyre kombëtare, por edhe vlerat universale të shoqërisë njerëzore. Prandaj, vlerat u takojnë të gjithë atyre që për mision e kanë humanizmin dhe lirinë e fjalës së vërtetë. Duke i lexuar këto poezi të bukura, sikur e ndiejmë një trokitje të lehtë në mendimin tonë, e cila dalëngadalë fillon ta rrisë ritmin e saj dhe të bëhet pjesë e një kujtese njerëzore, në një vend dhe në një periudhë të caktuar. Me poezitë e tij të mrekullueshme, Sali Bashota po e hap një dritare të shpirtit që e ka shkëlqimin dhe origjinalitetin e vet duke fuqizuar fjalën poetike me dritën e tij të veçantë magjike. 


Libri jashtë 


Sali Bashota është njëri nga poetët e paktë aktualë që prezantohen në libër në gjuhën gjermane. Nëse përjashtojmë librat dygjuhëshe të Ali Podrimjes, Vaxhid Xhelilit e disa të tjerëve që janë prezantuar fragmentarisht ose me pak poezi nëpër antologji të ndryshme, atëherë "Ndez dritën magjike", është i pari i këtij lloji. Aksioni është i qëlluar. Librat dygjuhëshe nuk e kanë të njëjtën peshë qoftë për shkaqe të shpërndarjes ose të përfoljes me ato që dalin vetëm në një gjuhë, varësisht se në cilin vend botohen. Si në çdo fillim tjetër edhe botuesi i saposhfaqur i librit do ta ketë shumë rëndë të sigurojë mekanizmat e nevojshme qoftë të shpërndarjes e qoftë të informimit. Kjo sa i përket shpërndarjes masive nëpër libraritë kryesore të Zvicrës. Ai shkruan poezi, ese dhe studime. Është nderuar me çmime dhe shpërblime letrare: "Pjetër Bogdani" (1999), të SHKSH, "Pena e artë" të revistës "Fjala" (1990 dhe 2000), "Gjon Nikollë Kazazi" (1997) etj dhe ka botuar veprat: "Albumi i grisur" (1986), "Zogu me profil vjeshte" (1989), "Plagomë (1994), "Shqipshkrimi kritik" (1997), "Kuteli prozator, poet, kritik" (1999), "Dalje nga trishtimi" (1999), "Domethënia e ideve letrare" (2001). Libri "Ndiz dritën ma-gjike" i është botuar edhe në gjermanisht dhe rumanisht.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…